loader image
April 25, 2026

“Shenja” la shenjë dhe gjurmë në të gjithë Shqipërinë etnike

“Shenja” arriti një qëllim madhor, atë të sensit analitik nëpërmjet lirisë së fjalës pas asnjë kufi. Të vetmit kufij që ka pasur “Shenja” ishin kufijtë e Shqipërisë etnike dhe kjo e bën këtë revistë me karakter thellësisht mbarëkombëtar. Ajo tashmë e ka futur veten në historinë e medias shqiptare jo si një organ më shumë, por si një institucion që bëri bashkë të rinj dhe të vjetër, të djathtë dhe të majtë, gazetarë dhe analistë, politikanë dhe ekspertë, shkrimtarë dhe poetë.  

Roland QAFOKU, Tiranë   

Në rreth 100 mijë metra katrorë të trojeve etnike shqiptare nuk ka asnjë institucion që t’i përmbledhë të gjitha. Kemi dy shtete shqiptarë dhe katër shtete ku shqiptarët janë ose pakicë kombëtare ose një shtet, si Maqedonia e Veriut, në të cilin shqiptarët janë grupi i dytë etnik më i madh i këtij shteti. Por, ka një përjashtim. Revista “Shenja”, që botohet në Shkup është i vetmi institucion që ka bërë bashkë në një të gjithë shqiptarët. Ka bërë bashkë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, shqiptarët e Shqipërisë, shqiptarët e Kosovës, Shqiptarët e Malit të Zi, shqiptarët e Greqisë dhe shqiptarët e Serbisë. Nuk ka më bukur kur këtë bashkim e ka bërë nëpërmjet autorëve që jetojnë në këto treva dhe kanë botuar shkrime dhe analiza në këtë revistë. Në 15 vite janë me dhjetëra dhe qindra autorë nga të gjitha këto treva që aty kanë botuar me lirinë për të thënë gjithçka që mendojnë dhe gjithçka që ata perceptojmë. Kam pasur nderin që një prej këtyre kam qenë edhe unë. Më ka mjaftuar vetëm dërgimi i temës nga drejtuesi i revistës dhe gjithçka tjetër ka qenë e imja. Kam qenë i lirë të shkruaj pa asnjë orientim, pa asnjë censurë dhe pa asnjë kufizim. Ka qenë një liri krejt ndryshe nga ajo që e kanë shqiptarët në këto troje. Me tema kryesisht kombëtare, revista “Shenja” la shenjë dhe gjurmë kudo. La gjurmë në Maqedoninë e Veriut, ku ajo botohet me të gjitha temat që i shqetësojnë shqiptarët e këtij shteti, veçanërisht për të drejtat e njeriut. La shenjë dhe gjurmë në Shqipëri me tema që nisin që nga identiteti kombëtar e deri te personalitetet mitikë, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli e të tjerë. La gjurmë në Kosovë për tema që lidhen me konsolidimin e atij shteti. La gjurmë te shqiptarët e Greqisë, Malit të Zi, Serbisë me të gjitha shqetësimet dhe preukopimet e tyre. “Shenja” arriti një qëllim madhor, atë të sensit analitik nëpërmjet lirisë së fjalës pas asnjë kufi. Të vetmit kufij që ka pasur “Shenja” ishin kufijtë e Shqipërisë etnike dhe kjo e bën këtë revistë me karakter thellësisht mbarëkombëtar. Ajo tashmë e ka futur veten në historinë e medias shqiptare jo si një organ më shumë, por si një institucion që bëri bashkë të rinj dhe të vjetër, të djathtë dhe të majtë, gazetarë dhe analistë, politikanë dhe ekspertë, shkrimtarë dhe poetë. Të gjithë e plotësuan një puzzle të ideuar aq mjeshtërisht nga drejtuesi Ismail Sinani. Vetëm ai pati aftësinë që t’i bëjë bashkë edhe disa prej tyre nuk e shikonin njëri-tjetrin as në rrugë, por ama te “Shenja” ishin bashkë. Vërtet autorët e shkrimeve në revistën “Shenja” kanë lindur dikush në Tiranë, dikush në Shkup, dikush në Prishtinë e dikush në Shkodër, Durrës, Vlorë, Skrapar apo Sarandë, por të gjithë bashkë në revistën “Shenja” ishin të gjithë shenjëtarë.  

Për të gjitha këto dhe me këtë rast i shpreh stafit drejtues mirënjohjen për mundësinë që më dha që të shprehja mendimet e mia në këtë revistë. Mbarësi në çdo projekt tjetër dhe në gurët kilometrikë të profesionit tuaj!  

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X