loader image
April 21, 2026

Revista “Shenja” dhe shkrimet historike

Në revistat që trajtojnë aspekte kulturore dhe intelektuale, fusha e historisë shpesh shërben si një hapësirë reflektimi mbi përvojat kolektive të një komuniteti dhe mbi identitetin e tij. Në rastin e revistës “Shenja”, shkrimet e botuara deri më sot nuk janë vetëm një përmbledhje e thjeshtë e ngjarjeve të së kaluarës, por pjesë e një tregimi më të gjerë kulturor.

Nuridin AHMETI, Prishtinë

Hyrje

Ishte fillimi i muajit prill të vitit 2011 kur u botua numri i parë “00” (mars–prill) i revistës “Shenja” në Shkup dhe u shpërnda falas. Në kohën kur filloi kjo nismë, shumë nga revistat që kishin një traditë botimi në Tiranë, Prishtinë e Shkup u shuan ose kaluan në versionin online. Ndërkaq, revista “Shenja” dhe ekipi botues i kësaj ndërmarrjeje, emrat e të cilëve edhe sot mund të lexohen në numrat e parë, ishin të bindur se kjo revistë duhej të botohej në format të shtypur dhe se do të kishte një jetë të gjatë.

Deri më sot, parashikimet e atyre që e sollën në jetë këtë revistë janë dëshmuar të sakta, pasi “Shenja” po feston tashmë 15-vjetorin e saj. Se cilat fusha do të mbulonin shkrimet e kësaj reviste, kjo u bë e qartë që në numrin e parë, ku në cepin e sipërm të majtë të kopertinës ishte vendosur përcaktimi: “E përmuajshme mbarëkombëtare politike, ekonomike dhe kulturore”. Kjo strukturë tematike është ruajtur pothuajse gjatë gjithë viteve të botimit të saj.

Megjithatë, shkrimet me karakter historik zunë një vend të veçantë në këtë revistë, duke trajtuar problematika nga periudha të ndryshme të historisë së popullit shqiptar. Më pak shkrime u botuan për periudhën e antikitetit dhe mesjetës, ndërsa më shumë për periudhën moderne dhe bashkëkohore. Rubrika “Histori” mbeti e rregullt përgjatë gjithë këtyre 15 viteve.

Se shkrimet historike do të kishin një hapësirë të konsiderueshme në këtë revistë u pa që në numrin “00”, i cili iu kushtua figurës së Adem Jasharit, të cilin drejtuesit e revistës e cilësuan si “kurora e marseve shqiptare”, një titull i vendosur në kopertinë. Në fakt, ky numër trajtoi edhe ngjarje të tjera të rëndësishme të marseve shqiptare, si demonstratat e vitit 1981 në Kosovë etj.

Shkrimi për Adem Jasharin, me titull “Adem Jashari, komandant legjendar i UÇK-së”, u shoqërua edhe me shkrime të tjera si: “Revolta e akumuluar ndër breza”, “Demonstratat e ’81-shit”, “Kur historia ndau dy popuj fqinj” dhe “Organizata kombëtare shqiptare ‘Iliria’ (1946–1952)”. Që nga numri i parë, shkrimet e botuara në këtë revistë kanë mbetur të kërkuara nga studiues dhe dashamirës të historisë.

Historia si diskurs kulturor dhe intelektual

Në revistat që trajtojnë aspekte kulturore dhe intelektuale, fusha e historisë shpesh shërben si një hapësirë reflektimi mbi përvojat kolektive të një komuniteti dhe mbi identitetin e tij. Në rastin e revistës “Shenja”, shkrimet e botuara deri më sot nuk janë vetëm një përmbledhje e thjeshtë e ngjarjeve të së kaluarës, por pjesë e një tregimi më të gjerë kulturor.

Temat e trajtuara në numrat e kësaj reviste janë të shumëllojshme, por kryesisht lidhen me periudhën e re dhe më te re, historitë e figurave të rëndësishme kombëtare, si dhe çështje që lidhen me identitetin fetar dhe kulturor të shqiptarëve. Përmes këtyre temave, revista ka synuar të rikthejë në vëmendje aspekte të historisë që shpesh, për arsye ideologjike, janë lënë anash nga historiografia zyrtare ose janë interpretuar në mënyrë të njëanshme.

Kjo qasje e politikës redaksionale ndër vite e ka bërë historinë në faqet e kësaj reviste të kërkuar nga të interesuarit. Historia dhe mënyra se si është trajtuar nga autorë të ndryshëm është shndërruar në një mjet reflektimi mbi raportet ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes. Në këtë

kuptim, shkrimet historike shpesh ndërtojnë lidhje interpretimi ndërmjet proceseve historike dhe sfidave aktuale me të cilat përballet shoqëria jonë.

Revista “Shenja”, përmes botimeve nga fusha e historisë, është përpjekur gjithashtu të sfidojë disa narrativa që për vite të tëra kanë dominuar në historiografinë ballkanike. Autorët janë përpjekur të interpretojnë periudha, procese dhe figura historike përmes një këndvështrimi më modern, duke vënë në diskutim edhe interpretimet që kanë dominuar në historiografinë shtetërore ose ideologjike.

Ky aspekt është i pranishëm pothuajse në të gjitha shkrimet historike të botuara në këtë revistë për periudha dhe problematika të ndryshme, përfshirë edhe ato që lidhen me identitetin kombëtar dhe fetar. Autorët kanë analizuar periudha historike edhe nga perspektiva e zhvillimeve kulturore, sociale dhe intelektuale, një qasje që shpesh ka munguar në botimet tona historiografike.

Edhe pse revista botohet në Shkup, autorët dhe temat nuk kufizohen vetëm në këtë hapësirë. Në numra të ndryshëm, hasim shkrime që trajtojnë historinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Preshevë dhe diasporë. Autorë nga mbarë hapësirat shqiptare, përmes artikujve, analizave dhe eseve historike, kanë kontribuar në sjelljen në vëmendje të figurave, ngjarjeve dhe proceseve që lidhen me historinë politike, kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve në këto hapësira.

Pa dyshim, publikimi i këtyre shkrimeve ka ndihmuar në plotësimin e mozaikut të kujtesës sonë historike dhe në ndërtimin e një narrative më të gjerë për historinë e shqiptarëve në rajon dhe më gjerë. Rëndësia e këtyre temave nuk qëndron vetëm në trajtimin e tyre, por edhe në përpjekjen e autorëve për t’i analizuar në kontekstin më të gjerë të historisë ballkanike dhe të proceseve historike, veçanërisht atyre të shekullit XX.

Midis publicistikës dhe historiografisë

Revista ka karakter publicistik, por në shkrimet historike vërehet edhe dimensioni shkencor. Një nga karakteristikat themelore të këtyre shkrimeve është ndërthurja e elementeve të publicistikës me analizën historiografike.

Shkrimet historike janë shpesh të shkruara në një stil më eseistik dhe më të kapshëm për publikun e gjerë. Kjo qasje e ka bërë historinë më të afërt me lexuesin dhe e ka vendosur atë në qendër të diskutimeve publike. Pikërisht kjo ndërthurje midis publicistikës dhe analizës historike është një nga elementet që i ka dhënë revistës rolin e saj të veçantë në kulturën dhe qarqet intelektuale shqiptare.

Revista ka funksionuar si një hapësirë ndërmjetëse midis institucioneve akademike dhe debatit publik, duke kontribuar në përhapjen e reflektimit historik përtej rretheve të ngushta akademike. Vetë fakti që shkrimet historike të kësaj reviste janë cituar dhjetëra herë nga studiues në punimet e tyre akademike tregon se autorët kanë arritur të integrojnë argumentin historik brenda një shkrimi publicistik.

Përfundim

Nga materialet e shqyrtuara, veçanërisht ato me karakter historik të botuara në revistën “Shenja”, mund të thuhet se kjo revistë, e cila botohet në Shkup tashmë prej më shumë se pesëmbëdhjetë vitesh, përbën një nga ndërmarrjet më të rëndësishme të debatit intelektual dhe kulturor në hapësirën shqiptare.

Përveç trajtimit të çështjeve aktuale politike, shoqërore dhe kulturore, një vend të rëndësishëm në faqet e saj kanë zënë edhe shkrimet historike. Këto botime përfaqësojnë një përpjekje për të artikuluar një qasje më të gjerë ndaj historisë, e cila ndërthur interesin për të kaluarën historike, identitetin kulturor dhe një qasje kritike ndaj së kaluarës.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X