Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të jetë udhërrëfyese për reflektim në drejtim të mbindërtimit të lirisë dhe përforcimit të indeve identitare të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ismet Jashari dhe Mujdin Aliu, në njërën anë, dhe Luboteni, Sllupçani e Poroji, në anën tjetër, janë adresa personalitetesh dhe vendbanimesh që kanë sakrifikuar shumë për shqiptarët në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup
Historia kombëtare është përplot paradokse, anakronizma të llojeve të ndryshme, konflikte brendaetnike, sidomos të natyrës partiake, por edhe ideologjike-politike, madje shpesh edhe e mbushur me ngjarje që vënë në dukje tendenca përçarëse mbi baza krahinore dhe sociologjike përkatësisht statusore-ekonomike dhe urbano-rurale (qytetarë-katundarë).
Fatmirësisht, historia shqiptare në rrugëtimin e saj disashekullor, sidomos në shekullin e parafundit, atë të 20-të, dëshmoi se mund dhe di të mbledhë forcë të tejkalojë ndasitë, çarjet, hendekun që mund të ekzistojë shpesh si rezultat i qasjeve politike dhe jashtëpolitike, të pabazuara mbi fakte dhe objektivitetin shoqëror të shqiptarëve, por edhe që janë rezultat i ndikimit të forcave të huaja dhe qendrave të ndryshme, që përgjatë rrugëtimit kombëtar kanë nxitur dhe “ushqyer” përçarjen dhe, përmes saj, edhe sundimin mbi shqiptarët.
Lufta e Kosovës, përbashkuese e shqiptarëve
Lufta e shqiptarëve të Kosovës për liri është përbashkuesja më sublime dhe më kulmore, është pika unifikuese e historisë, e zhvillimit të etnosit shqiptar ndër dekada. Është referencë autentike dhe e çmueshme e angazhimit të madh që pak, fare pak, shqiptarë i ka lënë indiferentë ose edhe më keq në pozita antagoniste. Lufta e shqiptarëve të Kosovës është dëshmi e gjallë se si një komb vetëm me vetëbesim dhe fuqi tek vetvetja arrin t’i mbijetojë një regjimi të paskrupullt, është argumentim i së drejtës historike për vetëvendosje dhe për shtetndërtim. Ajo është pasqyrë e kristaltë e sfilitjes së gjeneratave të shtrirë në horizontalen gjeografike kombëtare për të arritur njërën nga pikat vendimtare të qëndresës vertikale të kombit në periudhë gati se 100 vjeçare – pavarësinë e Kosovës.
Në këtë përpjekje me shumë sakrifica, të cilat nuk rreshtin asnjëherë, historia jonë, ndonëse duket fataliste dhe krenare në të njëjtën kohë, ngërthen në vete ngjarje që ndërlidhen mes vete. Treva të ndryshme, jorastësisht, i bashkoi synimi shekullor për lirinë e shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.
Ismet Jashari dhe Mujdin Aliu, dy kolosë të një lirie
Nga dy rajone shqiptare të Maqedonisë së Veriut, të njohura për faktin se dhanë shumë dëshmorë gjatë luftës së shqiptarëve në vitin 2001, kanë dalë dy kolosë të flijuar për lirinë e shqiptarëve. Pak shqiptarë ka që nuk e dinë përmendësh këngët “Zemra e Kumanovës”, kushtuar Ismet Jasharit, dhe “Lulja e Koshares”, që i këndohet Mujdin Aliut. Nuk është rastësisht, sepse këto vendbanime dëshmojnë ndërlidhjen e tokës, si gjeografi dhe njeriut në kuptimin antropologjik me lirinë e përgjithshme, kombëtare.
Në fshatin Orizare, që gjendet afër fshatit Sllupçan, njërës nga pikat më fortifikuese të shqiptarëve në vitin 2001, lindi Ismet Jashari, i njohur si komandant Kumanova. Është nga ata heronj që vdesin njëherë dhe kujtohen përherë! Ismet Jashari ishte njëri nga luftëtarët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U lind më 16 prill të vitit 1967, ndërsa ra dëshmor më 25 gusht 1998, gjatë luftimeve të ashpra me forcat serbe në Kleçkë të Kosovës. Pas rënies së tij, Brigada 121 e Zonës Operative të Pashtrikut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e mori emrin e tij. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai u shpall hero i Kosovës. Për ta nderuar emrin e tij, edhe Brigada 113 e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë e Veriut u quajt me emrin e heroit.
Poroji gjendet në afërsi të Tetovës. Është i njohur për kontributin e tij historik, është fshat i rezistencës aktive kundër pushtetit komunist. Në të ishte mbajtur mbledhja e parë për themelimin e Partisë së Prosperitetit Demokratik në vitin 1990, partisë së parë të shqiptarëve. Nga ky fshat u zgjodh Nevzat Halili, kryetari i parë i PPD-së. Poroji është po ashtu njëra nga adresat e zgjimit dhe kultivimit të identitetit kombëtar. Si një fshat arsimdashës, në të u mbajtën ligjëratat e para të Universitetit të Tetovës, kur nuk ishte i zyrtarizuar nga shteti. Nisur nga historia e lavdishme e tij, nuk kishte si të mos ndodhte që nga ky fshat të mos lindin dëshmorë – kolosë të lirisë. Në këtë copë të truallit shqiptar lindi Mujdin Aliu, njëri nga dëshmorët më të njohur nga Maqedonia e Veriut për lirinë e Kosovës. Mujdin Aliu u lind më 15 janar të vitit 1974, ndërsa dëshmor ra më 14 prill 1999 në Koshare të rajonit të Gjakovës, gjatë luftimeve të ashpra me forcat serbe në mbrojtje të kufirit Kosovë–Shqipëri. Në luftën e vitit 2001, brigada e 112-të e UÇK-së, e cila luftonte në rajonin e Tetovës, e mbajti emrin e heroit.
Sllupçani, Poroji dhe Luboteni-vatrat e sakrificës shqiptare
Sllupçani është një fshat në rajonin e Kumanovës, i cili mund të identifikohet me Prekazin, ndërsa familja Zymberi, e cila humbi 10 anëtarë të saj, pa dyshim se është e rangut të familjes Jashari, natyrisht pa dashur të bëjmë analogji strikte, sepse kjo është e pamundur kur bëhet fjalë për tragjeditë e përmasave epike.
Kjo familje dhe Sllupçani bart mbi supet e tyre gradat e larta të krenarisë, por edhe shënjimin e sakrificës së madhe, të shkaktuar nga dëshmorët dhe vuajtja e thellë shpirtërore, që do të përcillet gjeneratë pas gjenerate kësaj familje dhe të familjeve që kanë dhënë dëshmorë, i kanë dhënë pjesë të tyre për t’u arritur liria, si një tërësi e ekzistencës substanciale, e bazuar tek parimet e identitetit dhe dallueshmërisë nga të tjerët në Ballkan dhe më gjerë. Janë familjet që kanë dhënë jetë për liri!
Më 24 maj të vitit 2001 ndodh tragjedia e Sllupçanit, ndër më të mëdhatë në historinë shqiptare. Pranvera u shndërrua në zymtësi më e errët se kurdoherë: tragjedi për familjen e respektuar Zymberi dhe jo vetëm për ta, por për të gjithë shqiptarët. Nga aksioni i forcave të sigurisë së Maqedonisë së Veriut humbën jetën dhjetë civilë, të pambrojtur dhe pa asnjë faj, vetëm sepse ishin shqiptarë, që nuk dorëzoheshin, nuk i linin vatrat e tyre shekullore. U vranë Hisnija 2 vjeçare, Selvie, Syzane, Mersim, Neale, Fitore, Nirimane, Valbona, Jenuz dhe Fitim Zymberi.
Nё fshatin Poroj, që gjendet në afërsi të Tetovës, mё 24 korrik të vitit 2001, jetёn e humbёn nëntё civilё të pafajshëm: Nazmi Halili, Sali Memetalija, Nuhi Memetaliu, Latife Salihi, Agrone Salihi, Jehona Salihi, Fatime Veliu, Idriz Ajdari dhe Hirijete Ajdari. Pёrveç televizionit A1, i cili nuk ekziston më, asnjë media maqedonase nuk raportoi pёr granatimet intensive nё këtë fshat.
Pa dyshim se kësaj liste të vendbanimeve, që i kanë siguruar vetes vend të merituar në historinë tonë i bashkëngjitet edhe fshati Luboten, që gjendet në rrethinën e Shkupit. Luboteni është i ngjashëm me Reçakun, është toponim i gjallë, që shërben si sinonim për të identifikuar dhe kujtuar padrejtësinë e madhe, që pushteti shtetëror ua bëri shqiptarëve, gati se në kufijtë e gjenocidit.
Në Luboten më 12 gusht të vitit 2001 ka ndodhur masakër e vërtetë! Ka ndodhur një ngjarje, e cila ka shkelur të gjitha normat dhe ligjet e shkruara dhe pashkruara të luftës dhe të drejtën humanitare, e përshkruar qartë në shumë konventa ndërkombëtare. Forcat policore-ushtarake shtetërore të Maqedonisë së Veriut, të prira nga ish ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski dhe nga ish drejtuesi i njësisë speciale policore, më vonë deputeti Johan Tarçullovski, vranë dhjetë shqiptarë të pafajshëm: Aty mbeti i vraë gjashtëvjeçari Erxhan Aliu dhe nëntë banorë të tjerë: Dalip Murati, Muharem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili. Luboteni në Gjykatën e Hagës dëshmoi se forcat shtetërore maqedonase kanë bërë krim të luftës, pasi me verdikt të miratuar nga ana e trupit gjykues Tarçullovski u dënua. Në korrik të vitit 2005, Haga e dënoi me 12 vjet heqje lirie, por pas 8 vjetësh u la i lirë.
Ndriçimi, por edhe kujtimi i ngjarjeve dhe personaliteteve që e kanë flijuar veten për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndërsa shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të kenë status më të mirë, është detyrim moral dhe profesional i institucioneve tona shtetërore. Duhet të jetë impenjim intelektual i njerëzve që merren me çështje publike. Vetëm duke ndriçuar të kaluarën tonë të afërt, por edhe të largët, do të hartojmë dhe mbindërtojmë strategji për të ardhmen, e cila me gjasë shqiptarët do t’i zë në shtete të ndryshme, por nuk duhet t’i zë pa bashkërenditje institucionale që e forcon kohezionin brendakombëtar, si letërnjoftim për bashkëpunim racional me të tjerët, qofshin në rajon, Europë, SHBA ose edhe shtete në kontinente joeuropiane dhe joamerikane!









