Në themelet e shtetit të pavarur të Kosovës, të përhershmërisë shqiptare, mbetet sakrifica e familjes Jashari. Kjo sakrificë mbetet drita e përhershme e lirisë, e mbrothësisë shqiptare, e gjithë rrugëtimit për t’i dhënë kuptim gjallnisë në tokën e të parëve, në gjeografinë shqiptare. Figura e Adem Jasharit mbetet simbol dinjiteti dhe lirie, simbol i përndritjes historike, që kuptimësoi kohën me fuqinë supreme të atdhedashurisë dhe flijimit.
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Koha historike njeh momente sublime, të cilat i japin kuptim ekzistencës së një kombi. Ato vijnë për të dëshmuar një aspiratë, për t’i dhënë madhni dinjiteti lirisë si një kryevlerë në jetën e një kolektiviteti. Janë pikërisht këto momente sublime që kristalizohen në shtresat më të përshpirtshme të rrojtjes kolektive, në ato sinorë përpjekjesh, që marrin nga koha historike gjithë magmën e vullnetit kolektiv për të shpërfaqur pikat ndriçuese, të cilat shndërrohen në shenja orientimi për një popull të tërë.
Trajektorja e mbijetesës dhe rezistencës shqiptare njeh momente të panumërta sakrificash dhe aspiratash lirie, duke filluar që nga periudha e Skënderbeut e deri në kohën tonë. Është një fill lirie që nëpërduket në gjithë golgotën shqiptare dhe që përshkohet nga tone epike gjakimi për të shpërfaqur gjallninë në gjeografinë historike shqiptare.
Kohët vendimtare historike nuk e durojnë të zakonshmen. Ato kërkojnë shpirtin që reflekton përtej vetes, që e kthen jetën në akt dëshmie dhe lirie. Historia e Kosovës, në periudhën e saj më dramatike, po kërkonte pikërisht dimensionin sublim të lirisë.
Pikërisht në këtë orë të historisë po shfaqej afshi i lirisë i mëshiruar në figurën e Adem Jashari, si përftesë e një kujtese të gjatë rezistence. Familja Jashari, arketipi i thellë historik i pragut të shtëpisë, i atdheut, po vendoste kufijtë moral të dinjitetit, premisat e përshpirtshme të ekzistencës së lirë në tokën e të parëve, në Kosovën që dergjej nën pushtimin mizor serb.
Sulmi i tretë, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ndaj familjes Jashari, do ta kthente këtë familje në simbol qëndresë dhe rezistence, në dritë të përjetshme kujtese kombëtare.
Historia merr kuptim nga ngjarjet që shënojnë sakrificë dhe lavdi kombëtare. Historisë i japin kuptim figurat që mbeten simbol lirie në kujtesën e një kombi. Komandanti Adem Jashari mbetet simbol i përhershëm i rrugëtimit historik të shqiptarëve, figura përbashkuese që lidh epoka dhe që reflekton përgjithmonë frymën e lirisë. Komandanti Adem Jashari është figura sublime e përpjekjes shqiptare për një Kosovë të lirë dhe të pavarur, figura që bashkon dhe frymëzon gjithnjë.
Marsi i Jasharajve është vullkani prej nga buron rezistenca e shqiptarëve, prej nga buron drita e lirisë dhe e dinjitet shqiptar gjatë kohë i nëpërkëmbur përgjatë rrugës së historisë. Marsi i Jasharajve është kushtrimi epik për rezistencë të armatosur dhe për çlirim përfundimtar nga okupimi serb.
Figura e Adem Jashari gjithnjë duhet parë në optikën e një suaze morale, që ndërlidhet me idenë e lirisë. Në këtë kuptim, Adem Jashari, tashmë është shndërruar në paradigmë atdhedashurie që kërkon sakrificë. Në këtë lexim të heroizmit të Adem Jasharit, sakrifica kuptohet si kulm i një identifikimi me fatin kolektiv.
Figura e Adem Jasharit mbetet një pikë referimi për mënyrën se si një popull e koncepton veten. Ai tashmë mbetet një simbol lirie i provës së madhe morale, i kushtrimit të lirisë, të cilit iu përgjigj me ndërgjegje supreme kombëtare. Pikërisht në lartësinë e kësaj ndërgjegjeje mori udhë epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, epopeja e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës.
Ngjarjet që e shndërruan atë në simbol të përjetshëm të qëndresës shqiptare ndodhën në mars të vitit 1998. Më 5 mars, forca të shumta policore dhe ushtarake serbe e rrethuan kullën e familjes Jashari në Prekaz. Rrethimi ishte i plotë dhe i organizuar me artileri të rëndë, mjete të blinduara dhe një numër të madh trupash speciale. Qëllimi ishte eliminimi fizik i Adem Jasharit dhe shuarja e një simboli që po fitonte përmasa kombëtare.
Siç e kanë theksuar edhe studiues e publicistë të shumtë, heroizmi i Adem Jasharit nuk qëndron vetëm në aktin e luftimit, por në vendimin e ndërgjegjshëm për të mos u nënshtruar. Ai e dinte se përballja ishte e pabarabartë, por ai gjithashtu e dinte se simbolika e qëndresës do të ishte më e fuqishme se çdo kalkulim taktik. Prekazi u bë altar i lirisë, ndërsa gjaku i derdhur u kthye në thirrje për mobilizim mbarëkombëtar.
Studiuesit gjithashtu kanë theksuar se, në traditën historike shqiptare, figura të tilla kanë shënuar epoka. Që nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu e deri te kryengritësit e shekujve XIX e XX, historia shqiptare ka njohur burra që kanë mishëruar idealin e lirisë. Adem Jashari qëndron në këtë vazhdimësi, si përfaqësues i një epoke moderne, ku lufta për liri u zhvillua nën sytë e botës.
Sipas tyre, ndërhyrja ndërkombëtare në vitin 1999 dhe përfundimi i luftës shënuan një kapitull të ri për Kosovën. Por, themeli moral i këtij kapitulli mbeti sakrifica e dëshmorëve, me në krye Adem Jasharin. Pavarësia e Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të asaj sakrifice. Ajo është produkt i një procesi të gjatë historik, ku gjaku i derdhur në Prekaz dhe në mbarë Kosovën u bë argument i fuqishëm për të drejtën e vetëvendosjes.
Teoricienë të nacionalizmit kanë vënë në dukje rëndësinë e heronjve kombëtarë në përcaktimin dhe unifikimin e bashkësisë kombëtare. Përtej roleve të tyre konkrete si udhëheqës në lëvizjet nacionaliste, këto figura ruajnë fuqi përtej jetës së tyre si simbole që mishërojnë vlerat dhe karakterin kombëtar. Anthony D. Smith ka vënë në dukje se si heronjtë mund të funksionojnë si paraardhës shpirtërorë të kombit, duke nxitur kështu një ndjenjë bashkësie të mbështetur në vlera të përbashkëta dhe duke plotësuar nevojat themelore për kuptim, siguri dhe përkatësi. Pikërisht në këtë dimension duhet të shihet edhe figura e Adem Jasharit, simbolit që i parapriu një kohe tjetër, gjegjësisht pavarësisë së Kosovës.
Në themelet e shtetit të pavarur të Kosovës, të përhershmërisë shqiptare, mbetet sakrifica e familjes Jashari. Kjo sakrificë mbetet drita e përhershme e lirisë, e mbrothësisë shqiptare, e gjithë rrugëtimit për t’i dhënë kuptim gjallnisë në tokën e të parëve, në gjeografinë shqiptare. Figura e Adem Jasharit mbetet simbol dinjiteti dhe lirie, simbol i përndritjes historike, që e kuptimësoi kohën me fuqinë supreme të atdhedashurisë dhe flijimit.









