loader image
March 17, 2026

Adem Jashari dhe miti i heroit popullor: nga rezistenca lokale në simbol kombëtar

Prania e simbolikës së Jasharit në jetën publike të Kosovës nuk përfaqëson një kujtesë “të ngrirë” njëherë e përgjithmonë, por rindërtimin aktiv të çështjeve të lidhura me identitetin dhe përkatësinë. Miti i heroit popullor është në proces të vazhdueshëm riformulimi dhe rinegocimi me të shkuarën. Bashkësia vazhdon të pyesë se cilat pjesë të atij momenti i përkasin së tashmes dhe cilat nga bëmat e tij mund të përkthehen në të tashmen dhe cilat jo.

Lulzim HOXHA, Tiranë

Pak ngjarje në historinë politike dhe shoqërore të shqiptarëve të Kosovës kanë prodhuar një ndikim kaq të thellë në ndërgjegjen kolektive sa qëndresa e familjes Jashari në Prekaz në marsin e vitit 1998. Për shumëkënd, kjo ngjarje shënon momentin kur konflikti, i shpërndarë kryesisht në nivel lokal ndërmjet grupeve të armatosura shqiptare dhe forcave serbe, u shndërrua në një luftë të hapur, të legjitimuar publikisht dhe të pranuar ndërkombëtarisht si konflikt politik dhe jo më si akte të izoluara kriminale. Në këtë kuptim, kontributi dhe sakrifica e familjes Jashari nuk ishte vetëm ushtarak, por gjatë viteve në vijim ai do të shndërrohej në një akt simbolik, moral dhe politik, që shumë shpejt luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës do t’i jepte jehonë ndërkombëtare.

Në vitet 1980-’90-të, rezistenca shqiptare në Kosovë karakterizohej kryesisht nga dy strategji: qëndresa paqësore e mbështetur nga elitat politike të LDK-së dhe përpjekjet e Lëvizjes Popullore të Kosovës për të organizuar një rezistencë të armatosur. Deri në fillimin e viteve ’90-të orvatjet për organizimin e rezistencës shiheshin shpesh nga komuniteti ndërkombëtar si veprimtari të grupeve radikale, ndërsa popullsia shqiptare, e traumatizuar nga represioni i viteve të mëparshme, mbante një qëndrim të kujdesshëm ndaj përshkallëzimit të dhunës.

Nën këtë sfond shfaqet figura e komandantit Adem Jashari. I mbrujtur nën një mjedis social tradicional nga familje me lidhje të forta fisnore ku mbizotëronte kodi i nderit, patriotizmi dhe krenaria për bëmat e qëndresës heroike të shqiptarëve kundër pushtuesve, Ademi do të shndërrohej në një protagonist të qëndresës legjendare, miteve patriotike dhe epikave popullore të përhapura gjerësisht në komunitetin e tij. Kësisoj, Adem Jashari nuk ishte thjesht një luftëtar për liri; ai përfaqësonte një tipologji të njohur në historinë shqiptare: qëndrestarin dhe prijësin fisnor, i cili nuk lufton si individ por si pjesë e familjes dhe e fisit. Ai është një përfaqësues i strukturës shoqërore ku është mbrujtur dhe një emblemë e traditave heroike të shoqërisë tradicionale ku nderi dhe qëndresa kanë prioritet mbi kalkulimet politike ose negociatat për këmbimin e së mirës më të madhe me të keqen më të vogël. Ky dimension shoqëror e bën rezistencën e tij të kuptueshme për komunitetin vendas, kurse vetë Ademin e shndërron në një hero popullor, ndër të vetmit që meritojnë të jenë pjesë e panteonit ku gjenden shenjtorët e tjerë të kombit, si Azem Bejta, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi etj.

Ndryshe nga figurat politike shtetërore, rëndësia e heronjve popullorë të rezistencës nuk matet me suksesin ushtarak, por me aftësinë për të shprehur ndjenjën kolektive të drejtësisë në komunitetin ku bëjnë pjesë. Kur një popullsi e percepton veten si të pambrojtur e në rrezik shfarosjeje, figura të tilla transformohen në tekste mbartëse të një simbolike ku vetë komuniteti shkruan narrativën e vet mbi mbrojtjen e dinjitetit, lirisë dhe pavarësisë.

Në Kosovë, figura e komandantit dhe sakrifica e familjes nuk duhet lexuar vetëm si episod historik, por si proces simbolik përmes të cilit një popullsi e tërë i dha kuptim përvojës së vet politike. Ngjarja nuk prodhoi vetëm mobilizim ushtarak, por edhe kornizat e një kuptimdhënieje që vazhdon ta strukturojë mënyrën se si shoqëria e interpreton të kaluarën dhe e legjitimon të ardhmen e saj në territorin ku kanë derdhur gjak luftëtarët për liri.

Komandanti legjendar

Ngjarjet që frymëzuan mitin e betejës së Prekazit dhe figurën e komandantit legjendar, Adem Jashari, ndodhën përgjatë tri ditëve, nga 5 deri në 7 mars 1998. Adem Jashari qe ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila asokohe kishte marrë përgjegjësinë për disa sulme kundër policisë jugosllave. Për këtë arsye, ai ishte i kërkuar nga autoritetet qysh përpara ngjarjeve të marsit. në dhjetor të vitit 1991, trupat serbe organizuan mësymjen e parë kundër familjes Jashari, por nuk arritën të depërtojnë dhe shumë shpejt u detyruan të tërhiqen. Më 22 janar 1998, gjatë një rrethimi nga trupat serbe, u plagos e bija dhe mbesa e Adem Jasharit, por dhe kësaj here Ademi ia doli t’i shpëtojë arrestimit. Rrethimi i fundit i kullës së Jasharajve ndodhi vetëm pak ditë pas një aksioni të UÇK-së në fundin e muajit shkurt, ku pesë policë jugosllavë u zunë në pritë dhe u vranë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, policia nisi një reprezalje që solli ekzekutimin e njëzet e tre shqiptarëve, ndër të cilët gra dhe të mitur që nuk kishin asnjë lidhje me UÇK. Me datë 5 mars, një numër i madh forcash speciale, të pajisura me artileri të rëndë, u rreshtuan pranë kullës së Jasharajve në Prekaz, duke i bllokuar daljet dhe duke e rrethuar gjithë perimetrin e zonës. Pas tri ditëve qëndrese, mësymja përfundoi me plagosjen e disa policëve dhe vrasjen e pesëdhjetë e tetë personave të familjes Jashari, mes të cilëve edhe Ademi me vëllanë e tij, Hamzën. Shndërrimi i Adem Jasharit në Komandantin Legjendar ndodhi menjëherë pas kësaj ngjarjeje të kobshme. Sigurisht, transmetimi i lajmit se ai kishte rënë në betejë së bashku me familjen e bënte edhe më të rëndë tronditjen e opinionit publik mbarëshqiptar. Pikërisht për këtë arsye ngjarja i kaloi shumë shpejt kufijtë e ngushtë lokalë. Përfaqësues të UÇK-së e hapën lajmin se Adem Jashari në fakt ishte gjallë dhe e vijonte luftën nëpër male. Epopeja e komandantit legjendar bëri jehonë në të gjitha trevat shqiptare. Kësisoj nisi të ndërtohet imazhi i një komandanti të pavdekshëm, çka e përforcoi mitin e përjetësisë te heroi, sikurse kish ndodhur në të shkuarën me Azem Galicën, për të cilin gjithashtu thuhej se i kish mbijetuar vdekjes. Në një nga botimet e shumta mbi betejën mitike të Prekazit shkruhet se “Dita u bë natë nga tymi. Nata u bë ditë nga flaka. Dielli i zymtuar tri herë lindi e tri herë perëndoi. Pas tri ditësh betejë, një si hije e përhitur kapërcente mbi kufomat e panumërta, në oborr, në lëmë e në rrugë. Mes tyre gjendeshin Shabani dhe Zahidja. Hamza me Feriden. Pak më tej dergjeshin trimat dhe heroinat e Jasharajve. Po Ademi, ku ishte vallë, që askush nuk po e gjente dot?”.

Në fakt, tradita e pavdekësisë së heroit është një temë e përhapur në hapësirën ballkanike, sidomos gjatë veprimtarisë së lëvizjeve nacionaliste të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Po njësoj si në rastin e Adem Jasharit dhe Azem Galicës ka ndodhur edhe në epikën heroike të vendeve të tjera të Ballkanit gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë, ku varret e heronjve janë përgjithësisht të zbrazët, kufomat e tyre nuk gjenden, sepse edhe pas vdekjes ata e vijojnë luftën e tyre të pandërprerë për pavarësi. Mbesa njëmbëdhjetëvjeçare e Ademit, si e vetmja e mbijetuar dëshmitare e masakrës, e konsolidoi më tej rrëfenjën heroike të betejës kur tregonte se të gjithë Jasharajt morën pjesë në betejë, por vetëm “xha Ademi” këndonte këngë patriotike ndërkohë që i bënte ballë armikut. Qyshkur nëpër media filloi të konfirmohej lajmi për vrasjen e Adem Jasharit, nisi të evidentohej një transformim i diskursit publik, nga narrativa e shtypjes dhe masakrave të serbëve, në një diskurs mbi lirinë, sakrificën dhe mosdorëzimin. Pas lufte, shumë shkolla, sheshe, rrugë, buste, si dhe aeroporti, morën emrin e tij dhe bëmat e heroit legjendar u përhapën shumë shpejt përmes këngëve popullore, epikave, botimeve, por edhe objekteve laike të kultit me shpërndarje masive, si kalendaret, kartolinat, gravurat, medaljet ose suveniret me imazhin e heroit. Për një numër të madh shqiptarësh në rajon, por edhe të diasporës, zona e betejës ku gjendet një kompleks memorial është kthyer në një hapësirë të mirëfilltë pelegrinazhi. Sikurse tregonte në një intervistë nipi i tij, Murat Jashari: “Çdo komb ka një shenjtor dhe një rrëfim, çka përbën themelin që formon bazat e asaj shoqërie. Historia e familjes sime është hallka e një zinxhirit të një lëvizjeje historike. Një histori që nis qysh me flamurin shqiptar, Azem Galicën, Shaban Polluzhën e të tjerë. Shqiptarët kanë qenë përherë nën shtypjen e një fuqie të huaj, qoftë Perandoria Osmane, Serbia, Austro-Hungaria, dhe ka pasur shumë momente kur ata kanë luftuar për liri: kjo është çështja kombëtare ende e pazgjidhur e shqiptarëve në rajon” (Intervistë me Murat Jasharin, Prekaz, Nëntor 2004). Një rol të rëndësishëm në përjetësimin e heronjve popullorë luajnë ata të cilët sociologia Elizabeth Jelin i quan “sipërmarrësit e memories”, pra ata aktorë shoqërorë që angazhohen në rindërtimin, promovimin dhe institucionalizimin e një versioni të caktuar të së shkuarës në hapësirën publike. Shumica e këtyre “sipërmarrësve” përgjithësisht gjenden në zonat urbane, ku ndodhen institutet kërkimore, universitetet, mediet, institucionet dhe departamentet që fokusohen në hulumtimin dhe kornizimin e së shkuarës. Mirëpo, një pjesë e atyre që raportojnë dëshminë e gjallë të bëmave të heroit vijnë nga hapësirat rurale të Drenicës dhe nga zonat kufitare të Dukagjinit dhe Llapit, atje ku represioni shovinist serb qe shumë më i ashpër dhe ku kanë ndodhur masakrat më të përgjakshme kundër shqiptarëve. Ngjarja e Prekazit dhe qëndresa heroike e Ademit e kanë pajisur simbolikën tradicionale të këtyre komuniteteve me një narrativë të fuqishme që ndërlidh memorien e së shkuarës me vetëdijen e së tashmes. Nën dritën e kësaj narrative, ndonëse prijësit qëndrestarë fizikisht janë vrarë, ata riparaqiten si heronj legjendarë që shërbejnë si një hallkë lidhëse me të shkuarën më të largët ku episodet e përveçme të rezistencës, të shpërndara ndër shekuj, formulojnë një histori të unifikuar rezistence dhe sakrifice të aftë për t’i zhbërë kufijtë kohorë dhe hapësinorë. Në termat e studiueses Schwandner-Sievers, “ata janë martirë, në kuptimin origjinal të fjalës, sikurse mund të evidentohet në teologjinë islame dhe atë të krishterë: megjithëse kombësia u është mohuar, përmes ekzistencës së tyre ata janë dëshmitarë të faktit se kombi ekziston”. Në vetë figurën e Adem Jasharit trupëzohet afirmimi kolektiv i idesë së kombit, të karakterizuar nga motivet e mosdorëzimit, sakrificës, qëndresës dhe martirizimit, të cilat mund të gjenden edhe në figura të tjera të epikës legjendare si Mic Sokoli apo Oso Kuka. Riparaqitja e mëtejshme e legjendës së Adem Jasharit pas vitit 1998 i zgjeron më tej tiparet mitike të heroit, duke e vendosur në kornizat e leksikut kulturor dhe politik të eposit shqiptar. Motivet tradicionale të komuniteteve rurale nisin të përfshihen në narrativën e komandantit legjendar, derisa saga gradualisht ritregohet nën stilin e këngëve folklorike. Në to glorifikohet Drenica, si vendi i heronjve, por edhe simbolika e maleve të larta, si edhe mjetet tipike të heronjve popullore: armët, ndonjëherë çiftelia, kulla, oda e burrave, ku të parët e fisit rrëfejnë epikat heroike të kryengritësve të së shkuarës. I gjithë ky sfond kulturor vijon t’i pajisë bëmat e komandantit legjendar me një përvojë të gjallë jetësore, si dhe ta kalçifikojë ekzistencën e tij në kohë, duke bërë që miti të shërbejë si qëndresë kundrejt dinamikave politike përherë në ndryshim, por edhe padrejtësive që po i bëhet në nivel ndërkombëtar imazhit të UÇK-së si forcë rezistence. Në këtë mënyrë, sa më shumë deligjitimohet veprimtaria e liderëve të UÇK-së gjatë hetimit të tyre nga Gjykata e Hagës, aq më tepër miti lokal i komandantit legjendar shërben si mjet mbrojtës për ruajtjen dhe legjitimimin e narrativës së rezistencës ndaj gjenocidit.

Sakrifica e heroit si akt themelues i pavarësisë

Shtetet moderne, veçanërisht në rajonin e Ballkanit, rrallëherë fillojnë me kushtetuta. Historia e tyre thuajse përherë nis me një ngjarje që ngërthen së bashku akumulimin e përvojave të shpërndara të frikës, poshtërimit dhe shpresës në një gjest të vetëm çlirimtar, të manifestuar si akt martirizimi ose sakrifice, të kuptueshëm për mbarë komunitetin. Në Kosovë, ky proces ndodhi sidomos në tri ditët e fillimit të marsit 1998, përgjatë qëndresës së Adem Jasharit.

Rëndësia e ngjarjes nuk qëndron në efektivitetin ushtarak, por në qartësinë simbolike të aktit të heroit që e flijoi veten dhe gjithë familjen në emër të kombit. Në fillimet e betejës triditore, duke parë numrin shumë herë më të madh të trupave serbe, nga një perspektivë e sotme mund të imagjinohet se dorëzimi ishte ende një opsion i përfytyrueshëm, mbijetesa më së paku e disa anëtarëve të familjes qe e mundshme, ndonëse me pak gjasa, megjithatë u zgjodh refuzimi. Kjo përmbysje, kur mbijetesa bëhet dytësore përkundrejt simbolikës së aktit, e shndërron një episod mizorie të shovinizmit në një narrativë themeluese. Njëherësh ajo i jep fund qëndrimit paqësor, durimit ndaj represionit dhe promovimit të viktimizimit për rritjen e mbështetjes ndërkombëtare, e cila qe strategjia mbizotëruese përgjatë fillimviteve ’90-të. Në këtë kuptim, martirizimi i Adem Jasharit shpërfaqet në trajtën e një simbolike kombëtariste qysh në ditët e para të ngjarjes së Prekazit.

Në mbarë Ballkanin, momente të tilla shfaqen vazhdimisht në periudhën që i paraprin lindjes së bashkësive politike. Në Greqi, ekzekutimi i Athanasios Diakos pas Betejës së Alamanës kundër ushtrisë osmane në vitin 1821 funksionoi në mënyrë të ngjashme: humbja u interpretua si fitore morale. Sipas gojëdhënës, refuzimi i tij për t’u dorëzuar dhe për t’u konvertuar në islam e shndërroi Diakosin në një hero popullor, sikurse shumë kleftë të tjerë, kurse pas ekzekutimit nga autoritetet osmane, sakrifica e tij u kthye në një mit themelues për pavarësinë e Greqisë. Në Bullgari, Vasil Levski organizoi me vetëdije një rrjet kryengritësish që nuk mund t’i mbijetonte ekspozimit, megjithatë varja e tij në litar u bë themel etik i shtetit, jo dështimi i tij. Sipas studiueses Maria Todorova, pas vrasjes së Levskit, figura e tij u kthye në një simbol moral që u përvetësua nga diskursi kombëtarist për pavarësinë e Bullgarisë. Në kujtesën kolektive ai paraqitet si një figurë moralisht e pastër, i përkushtuar ndaj lirisë dhe pavarësisë, një emblemë e pavarësisë, i cili qëndron përtej palëve ose ndasive ideologjike të pas pavarësisë (Todorova: 2009). Një figurë të ngjashme përfaqëson legjenda e hajdukut Veljko, i cili u sakrifikua për pavarësinë e Serbisë gjatë kryengritjes së parë serbe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Sipas gojëdhënës, Veljko ra në betejë heroikisht në vitin 1813 gjatë mbrojtjes së Negotinit. Thuhet se, gjatë betejës, baroti dhe municionet i mbaruan dhe në vend të tyre përdori copa metali dhe monedha argjendi (Petrovic: 2000). Versioni më i përhapur tregon se ai refuzoi të tërhiqej edhe kur Negotini qe i rrethuar dhe forcat osmane ishin shumëfish më të mëdha. Fraza që i atribuohet në gojëdhënë “Kokën e jap, Krajinën jo” përmbledh gjithë idenë e sakrificës së heroit: territori dhe bashkësia kolektive vlejnë më tepër se jeta individuale. Sikurse shkruan Hobsbawm, “Mitologjia e heroizmit dhe ritualizimi i baladave i ktheu hajdukët në figura tipike të qëndresës, sikurse edhe kleftët në Greqi, apo heronj të tjerë të hapësirave rurale të Ballkanit” (Hobsbawm: 2022). Kësisoj në një analizë më të gjerë mbi rajonin e Ballkanit, transformimi i heronjve popullorë në heronj kombëtarë është pjesë e një procesi të vazhdueshëm kanonizimi, ku në të shumtën e rasteve, menjëherë pas vdekjes, prijësi pajiset me elemente të liturgjisë kombëtare. Sikurse evidenton Todorova, “shtetet e reja ballkanike kanë nevojë për figura të martirizuara që përmbledhin vuajtjen historike dhe aspiratën për shtetformim”. Prandaj vetë historia kombëtare e vendeve të Ballkanit është një histori e ndërtuar mbi figurën e personazheve të tillë. Sakrifica, mosdorëzimi, trimëria dhe patriotizmi, por edhe trauma kolektive e vrasjes së tyre, i kanë shndërruar ata në ‘trupa kufitarë’ që mbrojnë territorin fizik dhe simbolik të komunitetit ku bëjnë pjesë. Në secilin rast, analizat historike janë dytësore. Ajo që ka rëndësi është krijimi i një horizonti moral të përbashkët: identifikimi i një pike përtej së cilës ekzistenca pa dinjitet bëhet e papranueshme.

Qëndresa në Prekaz i përket këtij modeli. Ngjarja përqendroi represionin e shpërndarë të viteve 1990-të në një strukturë të vetme narrative, të kuptueshme për këdo, pavarësisht nivelit të sofistikimit politik. Njerëzit nuk kishin nevojë për analizë strategjike; atyre u duhej një imazh që ta shndërronte frikën në rezistencë dhe mobilizim masiv. Sapo një qartësi e tillë shfaqet, biografia e individit tretet brenda simbolikës kombëtare. Personazhi historik bëhet më pak i rëndësishëm se gjesti. Prandaj heroi popullor rrallëherë kujtohet si strateg ose ideolog, por më tepër si trup simbolik i kombit, që ka pësuar të gjitha plagët e vuajtjet që ka përjetuar kombi nëpër shekuj. Kjo është arsyeja pse figura e tij udhëton lehtësisht nëpër këngë, murale, rituale dhe folklor. Transmetimi kulturor preferon thjeshtësinë morale. Një hero themelues nuk komunikon informacion të saktë historik, por orientim, ai i mëson bashkësisë si ta interpretojë vuajtjen. Në vend të poshtërimit ai vetëvendos qëndresën; në vend të pasivitetit, si njeri i lirë, ai bën një zgjedhje që nuk mund të përkthehet në termat e dobishmërisë.

Ballkani prodhoi vazhdimisht figura të tilla jo sepse shoqëritë glorifikonin vuajtjen, por sepse ekzistenca politike ka qenë historikisht e pasigurt. Mirëpo, atje ku vetë mbijetesa është e paqëndrueshme, refuzimi për t’u dorëzuar merr trajta racionale. Vdekja heroike, pra, nuk është në vetvete një gjest irracional: ajo është përgjigje ndaj një bote ku negocimi i zakonshëm politik bëhet i pamundur. Kështu, ngjarja në Prekaz funksionon më pak si një episod lufte dhe më shumë si një moment kur luftëtarët për liri në Kosovë mësuan si ta rrëfenin veten nëpërmjet reagimit kundër shfarosjes masive. Pikërisht ky tipar e shkëput komandantin legjendar nga bashkëkohësia ku gjendeshin liderët e tjerë politikë të Kosovës së viteve ’90-të, për ta vendosur në një dimension të pakohë ku heronjtë e tjerë të së shkuarës, edhe pas vdekjes së tyre fizike vijonin qëndresën e pandërprerë kundër pushtuesit. Në këtë dimension plumbat e armikut nuk kanë efekt, as vitet apo paradigmat historike, sepse tanimë heronjtë janë zhvendosur në hapësirën e miteve kombëtare dhe të folklorit, i cili ka përherë vend për njerëz si ata.

Dimensioni shoqëror i heroit

Pasi konflikti përfundon, roli i heroit ndryshon. Gjatë rrezikut, ai mobilizon mbrojtjen; në paqe, ai e riorganizon kujtesën kolektive.

Hapësira publike e Kosovës e riprodhon vazhdimisht imazhin e Jasharit. Megjithatë, kjo përsëritje nuk e ruan thjesht të kaluarën; ajo e strukturon përkatësinë, katalogon dhe klasifikon ngjarjet e së shkuarës, vendos taksonomi mbi të tashmen. Heroi bëhet pikë referimi morale, përmes së cilës qytetarët e interpretojnë legjitimitetin, ai i përcakton barrierat ndarëse ndërmjet patriotit dhe tradhtarit, të ndershmit dhe të korruptuarit, mikut dhe armikut, çështjeve të sovranitetit dhe shpresave të anëtarësimit. Ai kthehet në një lloj njësie matëse të vlerave kombëtare në shoqëri. Si i tillë, heroi popullor nuk është vetëm figurë e së shkuarës, por me kalimin e kohës transformohet në një instrument për të vlerësuar gjendjen e së tashmes. Ky tipar i tij pasqyron sërish përvoja të mëhershme ballkanike. Në Bullgari, imazhi i Levskit u bë standard matës i shoqërisë: politikanët pretendonin vazhdimësi me revolucionin e tij “të pastër” kundrejt korrupsionit dhe kalkulimeve pragmatike të politikanëve të tjerë, që perceptoheshin si në dëm të interesit kombëtar. Në Greqi, Diakosi u transformua nga luftëtar lokal në paraardhës etik të shtetit. Funksioni i heroit u zhvendos nga frymëzimi ushtarak në kalibrim qytetar (Koliopoulos: 1987).

Pavarësisht se domethënia mitike e heroit luan rolin e ndërmjetësit për të zbutur tensionet e brendshme në shoqëri, shpeshherë vetë simbolika e tij prodhon tension shoqëror. Kur aktorët politikë legjitimohen nga ekzistenca e tij dhe e përmendin vazhdimisht si një sakrificë heroike duke e përvetësuar në diskursin e tyre politik, brezat e rinj e përjetojnë atë jo si domosdoshmëri të jetuar, por si gjuhë zyrtare të aktorëve politikë. Kësisoj, instrumentalizimi politik krijon te qytetarët njëfarë distance me të shkuarën. Brezi i luftës kujton frikën dhe traumën kombëtare; brezi i pasluftës përballet me ceremoninë. Si rezultat, lindin rinterpretime kundërthënëse e shpeshherë kontrastuale: heroi kombëtar krijon kontrast me diskursin shtetëror, admirimi me pragmatizmin, glorifikimi me skepticizmin dhe, mbi të gjitha, miti i një gojëdhëne të pakohë me realitetin politik të ngjyer me bashkëkohësi.

Ky fenomen nuk e dobëson heroin; ai vetëm sa shpërfaq normalizimin e tij. Kur një shoqëri nuk ka më nevojë për mobilizim ekzistencial, gjestet absolute bëhen të vështira për t’u përjetuar emocionalisht. I njëjti akt që dikur perceptohej si i pashmangshëm, tani mund të duket i tepruar. Këtu qëndron modeli i përsëritur ballkanik: nëse brezi i mëhershëm është mbartës i memories së mbijetesës, brezat e mëvonshëm disponojnë memorien e narrativës së mbijetesës. Shteti tashmë shërben si ndërmjetës në përfytyrimin e aktit të shenjtë të sakrificës që i la vend themelimit të tij. Heroi, pra, transformohet në një fushë debati mbi vlerat që duhet të mbizotërojnë në shoqëri, si dhe parimet udhëheqëse që duhet të qeverisin vendin. Përmes tij, shoqëria negocion marrëdhënien e saj me autoritetin, patriotizmin dhe qëndresën. Memoria e gjallë mbi heroin, së bashku me narrativën e gojëdhënave vetëm sa vendosin kornizat e perceptimit, mbajtjen e qëndrimit, riorganizimin e kujtesës kolektive, duke e nxitur interpretime të reja në diskutim dhe jo mbylljen e tij.

Kështu, prania e simbolikës së Jasharit në jetën publike të Kosovës nuk përfaqëson një kujtesë “të ngrirë” një herë e përgjithmonë, por rindërtimin aktiv të çështjeve të lidhura me identitetin dhe përkatësinë. Miti i heroit popullor është në proces të vazhdueshëm riformulimi dhe rinegocimi me të shkuarën. Bashkësia vazhdon të pyesë se cilat pjesë të atij momenti i përkasin së tashmes dhe cilat nga bëmat e tij mund të përkthehen në të tashmen dhe cilat jo.

Nga qëndresa te qytetaria

Çdo shoqëri e themeluar mbi akte të jashtëzakonshme duhet, në fund, t’i domestikojë ato. Lufta prodhon zgjedhje absolute; demokracia varet nga zgjedhje të karakterizuara nga kompromise të vazhdueshme me faktorë të ndryshëm politikë dhe shoqërorë. Sfida është ta shndërrosh një figurë të lindur nga përballja ekzistenciale në një element të përputhshëm me jetën e përditshme qytetare.

Shoqëritë e tjera ballkanike kaluan tranzicione të ngjashme. Greqia, gradualisht, e zhvendosi theksin nga martirizimi drejt vazhdimësisë institucionale, duke e paraqitur Diakosin më pak si thirrje për armë dhe më shumë si pararendës moral të shtetit. Bullgaria e rinterpretoi Levskin si mbrojtës të barazisë qytetare, jo vetëm të dhunës revolucionare. Kësisoj miti i heroit mbijeton duke ndryshuar kuptimdhënie, me kushtin që t’i ofrojë kuptim së tashmes. Diçka e ngjashme mund të thuhet se gradualisht po ndodh edhe në Kosovë. Fillimisht, figura e komandantit legjendar mishëronte mobilizimin, provën se nënshtrimi ndaj shovinizmit serb kishte përfunduar. Pas pavarësisë, theksi u zhvendos drejt dinjitetit, besnikërisë dhe qëndresës, por edhe miratimit ndërkombëtar për bëmat e heroit. Jorastësisht, pas vitit 2008, nëpër shtypin e përditshëm nisi të qarkullojë gjithnjë e më tepër shprehja e ish-përfaqësuesit të Kombeve të Bashkuara, Bernard Kouchner, sipas të cilit “Sikur të kishte çmim Nobel për liri, ai me siguri do t’i takonte familjes Jashari”. Me kalimin e kohës, heroi bëhet më pak një model për t’u imituar fjalë për fjalë dhe më tepër një simbol kufitar i dinjitetit kolektiv. Riinterpretime të atilla krijojnë kushtet e mundësisë për bashkëekzistencën midis traumës themeluese në kohë lufte dhe politikës shtetërore në kohë paqeje. Ky evolucion zbulon një parim më të gjerë në lidhje me impaktin shoqëror të këtyre figurave: heronjtë popullorë i mbijetojnë historisë jo sepse shoqëritë mbeten në konflikt, por sepse ato e rinterpretojnë konfliktin në nivel etik. Heroi transformohet nga luftëtar në një tekst ku shoqëria riformulon narrativën e saj. Ai shpjegon pse bashkësia politike ekziston, teksa në të njëjtën kohë i lejon asaj të funksionojë pa gjendje të vazhdueshme emergjence.

Kësisoj përfytyrimi i heroit si simbol themelues nuk është kapitull i mbyllur. Ai mbetet një pyetje e përhershme drejtuar së tashmes se cila pjesë e lirisë sonë kërkoi veprime të skajshme, dhe cila pjesë tani kërkon maturi dhe zgjidhje përmes negociatave. Përgjigjja e Kosovës vazhdon të evoluojë, por figura e heroit popullor mbetet qendrore, sepse ankoron kalimin nga vetëdija kombëtare te shtetformimi.

Dhe kështu, rrëfimi nuk përfundon me sakrificën, por me riinterpretimin e heroit në një shoqëri që mëson të jetojë në paqe me kujtesën e momentit që e bëri paqen të mundur. Miti i komandantit legjendar është një rast ku na tregohet se si diskursi kombëtarist ka përvetësuar një ngjarje e cila qe paraprakisht e pranishme në traditat lokale, strukturën shoqërore dhe organizimin shoqëror patriarkal, shumë kohë përpara së të ndodhte gjesti i Ademit, duke e kthyer figurën e heroit në një arketip kombëtar të rezistencës si një borxh të pashlyeshëm ndaj kombit. Prandaj, në imazhin kulturor të heroit popullor, jo vetëm të shqiptarët, por edhe në komunitete të tjera, qoftë në variantin letrar ose atë folklorik, nuk ka vetëm një dokumentim të vuajtjeve dhe përpjekjeve për pavarësi të një bashkësie, por mbi të gjitha nëse do të linim mënjanë kontekstin shoqëror dhe lokal të heroit popullor, në çdo gojëdhënë ku trajtohen bëmat e tij ekziston një emocion i përhershëm, ku në qendër mbeten gjithnjë aspiratat për liri, heroizmi dhe ëndrrat për drejtësi të vetë komunitetit. Si i tillë, ai do të mbetet në kujtesën kolektive e do të ringjallet në vijimësi, duke bërë qëndresë sa herë interpretimet mbi të shkuarën përbëjnë kërcënim për të tashmen e komunitetit.

Referenca 

Di Lellio & Schwandner-Sievers (2006), The Legendary Commander: the construction of an Albanian master-narrative in post-war Kosovo, Nations and Nationalism 12 (3), f. 513-529

Gazeta Zëri, Intervista me komandantin Rexhep Selimi, 9 nëntor 2004

Hamzaj, Bardh dhe Hoti, Faik, Jasharët: histori e rrëfyer nga Rifat, Besarta, Bashkim, Murat dhe Lulzim Jashari, Prishtinë, Zëri: 2003

Hobsbawm, Eric, Banditët, Pika Pa Sipërfaqe, Tiranë: 2022

Jelin, Elizabeth, State Repression and Struggle for Memories, Social Science Research Council, Londër 2003

Koliopoulos, John, Brigands with a Cause (Brigandage and irredentism in modern Greece 1821-1912, Clarendon Press – Oxford, Londër:1987

Petrovic, Aleksandar, The Role of Banditry in the Creation of National States in the Central Balkans during the 19th Century, The case of Serbia, University of British Columbia, 2000

Tahiri, Bedri, Adem jashari, epopeja që ndërroi rrjedhat e historisë, Gazeta Republika, 4 Mars 2007

Todorova, Maria, Bones of Contention- The living archive of Vasil Levski and Making of Bulgaria’s National Hero, Central European University Press, Budapest: 2009

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X