Nacionalizmi kosovar, nën flamurin e multikulturalizmit, ka prodhuar decentralizimin etnik, shformimin e historisë, tentativën për shkombëtarizimin e shqiptarëve, dhe pezullimin e vendimmarrjes demokratike ose ndalimin e referendumit shtetformues e kushtetues për një popull i cili ka qenë vazhdimisht i angazhuar në përpjekje çlirimtare për thuajse një shekull. Sot ky nacionalizëm “i ri” përpiqet ndonjëherë ta neutralizojë edhe figurën historike dhe simbolike të Adem Jasharit.
Arbër ZAIMI, Tiranë
Që Adem Jashari lindi në datën 28 nëntor mund edhe të ketë qenë rastësi, siç mund të ketë qenë edhe një datë e kërkuar nga prindërit e tij, kur kanë marrë vesh se e ëma, Zahideja, po pritej të lindte fëmijën andej nga fundi i nëntorit të vitit 1955. I ati, Shabani, mësues nga Prekazi, rridhte nga familje patriotike dhe vetë ishte i palëkundur në bindjet e tij shqiptariste. Dita e Flamurit për ta ishte destin, ndërsa lindja e Ademit në atë datë do ta ketë përforcuar entuziazmin në ato zona e ato familje, ku gëzimet e hidhërimet priteshin gjithnjë me atë flamurin e përndjekur dhe aq të shtypur prej regjimit jugosllav.
Një tjetër koincidencë e rrethanave bëri që Adem Jashari të shkonte në përjetësi në datën 7 mars, në ditën e tretë të qëndresës në një betejë epike. Por, të dyja datat lidhen ngushtë me kthimin në simbol të këtij personaliteti të luftës çlirimtare. Përmes jetës e vdekjes së tij, Adem Jashari u bë një Flamur dhe një Mësues i rëndësishëm për kombin shqiptar, duke iu bashkangjitur panteonit të heronjve të rënë anembanë globit në luftë për çlirimin e popujve të tyre.
Jetojmë në periudhë relativizimesh, në periudhën e fetishizimit të opinionit si limit i së vërtetës. Secili ka të drejtë të ketë një opinion, e pikërisht për këtë shkak asnjë opinion nuk është më i vlefshëm se tjetri dhe drejtësia bëhet e pamundur. Jetojmë një bashkëkohësi të ngecur në efektin Rashomon, do të thoshte ndonjë opinionist liberal, cinik e prepotent, duke iu referuar filmit eponimik te Akira Kurosawas. Fundja – pretendojnë ata – a nuk është edhe puna e Adem Jasharit njësoj si historia e filmit, ku aktorë të ndryshëm e tregojnë ndryshe historinë, duke treguar se si subjektiviteti ndikon këndvështrimin dhe përjetimin e gjërave dhe duke provuar se si secili aktor, në analizë të fundit, e ka një shpjegim justifikues për veprimet e veta? A nuk e shohin ndryshe serbët e ndryshe shqiptarët historinë e Adem Jasharit? Madje, edhe te shqiptarët, a nuk e shikojnë këtë histori nga pikëpamje të shumta, shpeshherë kundërthënëse? Madje, ka pasur dhe nga ata që e kanë vënë në pikëpyetje ditëlindjen e tij, si diçka të sajuar, sepse në fakt nuk paska qenë 28 Nëntori, por ndonjë datë tjetër. Përpjekje për ta shkëputur simbolikën e Adem Jasharit prej simbolikës kombëtare shqiptare, ndoshta me besimin se kështu rriten gjasat për kosovarizmin, si një projekt i ri kombëtarizues ose shkombëtarizues. U detyruan pasardhësit e Ademit të dalin me certifikatat e lindjes për t´u dhënë fund absurditeteve… edhe pse absurditetet nuk marrin fund kurrë.
I referohen efektit Kurosawa, ndoshta pa e njohur regjisorin e shquar japonez. Por, Kurosawa nuk ishte relativisti postmodern. Madje, edhe në fund të filmit të sipërpërmendur me titullin “Rashomon”, ai e rikthen të vërtetën si diçka që ekziston përtej e pavarësisht narrativave ose opinioneve – kur njëri prej personazheve ngrihet përmbi rrëfimet egoiste dhe kujdeset për jetën e një foshnjeje të sapolindur, të mbetur pa përkujdesjen e askujt pas zhvillimit të ngjarjeve në film. Dashuria e painteres, shfaqur prej personazhit që kujdeset për foshnjen e panjohur që simbolizon të ardhmen, tjetrin, të pambështeturin, tregon atë të vërtetën që as nuk mund ta përmbledhë e as nuk mund ta relativizojë dot opinioni. Ajo çka shpërfaq filmi “Rashomon”, pra, nuk qenka rrjeta që na mban në aporinë përfundimtare, së cilës nuk i ikim dot. Vetë Kurosawa ka rithirrur në vëmendjen tonë metaforën biblike të gjyqësisë së mbretit-profet, Solomonit apo Sulejmanit, i cili arriti tek gjetja e zgjidhjes për dilemën se cila prej dy grave është nëna e vërtetë e foshnjës, jo duke dëgjuar rrëfimet e opinionet e tyre, por duke vlerësuar se cila është gati të vetësakrifikohet që foshnja të mbijetojë.
E, pra, në këtë sens Ademi dhe gjithë heronjtë e familjes Jashari u sakrifikuan që një foshnjë e panjohur prej tyre të mbijetojë. Ajo foshnjë është çështja kombëtare shqiptare, e cila shkon përpara si një aleancë mes atyre që kanë vdekur me atë ëndërr e dëshirë, të cilën e kanë lënë amanet, mes atyre që janë gjallë e që duhet të bëjnë më shumë dhe atyre që ende s´kanë lindur. Foshnja e panjohur nuk është vetëm çështja a koncepti abstrakt, por edhe konkretisht është secili fëmijë që lind, në secilën familje shqiptare në trojet tona tradicionale ose në diasporë, i cili – pavarësisht datës kur lind – e ka brenda potencialin për ta çuar përpara atë amanet të këtij kombi që, siç është vënë në dukje prej filologëve e historianëve, nuk e nxjerr identitetin e vet politik as prej shtetësisë e as prej fesë, por prej gjuhës, diçka tepër e pazakontë në rajonin e kontinentin ku ndodhemi.
Tek përpjekja për relativizim të Adem Jasharit krijohet një kaleidoskop shformues në të cilin shfaqen këto këndvështrime:
Serbët nacionalistë, të cilët nuk janë thjesht millosheviqianë, përkundrazi shumica e tyre sot mendojnë se Millosheviqi ka qenë figura më dëmtuese ndaj nacionalizmit serb, e shohin Adem Jasharin si një terrorist, provokues i dhunës serbe me qëllim shkëputjen e territorit të shenjtë serb të Kosovës e Metohisë nga Serbia. Kjo është narrativa ku, nëse marrim për bazë rezultatet zgjedhore, pak a shumë nënshkruhet 85 për qind e spektrit politik serb. Ata besojnë dhe/ose propagandojnë se Adem Jashari ka qenë një ultranacionalist shqiptaromadh, analfabet, brutal, ndoshta dhe islamist, i cili gjatë rrethimit në Prekaz mori peng fëmijët e gratë e familjes së tij, disa prej të cilëve edhe i vrau, që të mos dorëzoheshin në policinë serbe. Sipas tyre, policia serbe paska qenë duke kryer një aksion të drejtë antiterrorist.
Serbët që shfaqen si liberalë, të cilët siç duket nuk janë më shumë se 10 për qind e spektrit politik në Serbi, në masë të madhe mendojnë se Adem Jashari mbase dhe i kishte të gjitha vetitë e këqija që ia veshin atij serbët nacionalistë, por gjithsesi policia e ushtria serbe nuk do duhet të sulmonte. Sipas tyre, shqiptarët kanë qenë dhe janë thjesht një pengesë, një bezdi, një kokëçarje për europianizimin e Serbisë, kështu që më mirë ta lënë Kosovën të shkëputet e të mos shpenzojnë energji me këta subjekte që duan shumë investim për t´u qytetëruar. Nënshtrati i liberalizmit serb shpesh është kulturalist – ata mendojnë se prapambetja e shqiptarëve në Jugosllavi është si pasojë e kulturës së tyre inferiore. Por, ndryshe nga nacionalistët, ata nuk besojnë se serbët duhet ta marrin përsipër misionin “qytetërues” ndaj shqiptarëve të prapambetur.
Pastaj janë edhe serbët që dikush do t´i quante revolucionarë e dikush të emancipuar, por për mua janë thjesht normalë, të cilët janë një pjesë e vogël dhe e pamatshme e shoqërisë serbe, që mendojnë se lufta e shqiptarëve për liri ishte një luftë çlirimtare e dekolonizuese. Ata e zhvillojnë analizën e tyre mbi traditën socialiste të nisur prej D. Tucoviçit në fillim të shek. XX. Ata e shohin prapambetjen kulturore dhe ekonomike të shqiptarëve në Jugosllavi si anën tjetër të medaljes të zhvillimit relativ të Serbisë, që për dekada me radhë zhvilloi një qasje tërësisht ekstraktiviste dhe shfrytëzuese ndaj Kosovës, duke ia marrë asaj burimet natyrore e njerëzore e duke e lënë të pazhvilluar. Në këtë sens, ata e shohin mbështetjen e së drejtës së shqiptarëve për luftë çlirimtare si të drejtë të tyre për t’u mbrojtur nga dhuna ultranacionaliste, shoviniste e, disa herë, edhe fashiste e shtetit serb. Adem Jashari, sipas tyre, është një nga figurat që ekspozon pushtetin serb në thelbin e tij.
Pos serbëve, janë edhe ndërkombëtarët e ardhur në Kosovë, që “deri dje” kanë qenë kryesisht liberalë kur nuk kanë qenë moskokëçarës. Ata nuk shprehen shpesh, por po të flasësh, të lënë përshtypjen se mendojnë që Adem Jashari për shqiptarët është një hero mitik, meqenëse shqiptarët ende kanë nevojë për mite, ngaqë ekonomia dhe kultura e tyre është paramoderne. Për shumicën e ndërkombëtarëve, Adem Jashari – mit bashkë me figurat e tjera të UÇK-së që nderohen nëpër sheshe e rrugë të Kosovës, janë shenjë e inferioritetit kulturor. Ata neveriten prej veprimit fizik dhe Adem Jashari i trondit si figurë që e shkruan historinë me gjak; këndvështrimi i tyre nuk është larg atij të serbëve liberalë.
Shqiptarët, mandej, ndahen nëpër parti. Për ata që e kanë mbështetur doktrinën zyrtare të partive të “krahut të luftës”, që erdhën në shprehje në disa nga qeverisjet në Kosovën e pasluftës, Adem Jashari është një hero që ka luftuar për çlirimin e Kosovës dhe për Bashkimin Kombëtar, por meqë kjo nuk u arrit, Adem Jashari do të duhet të shihet thjesht si legjendë, e jo si shenjues me domethënie reale politike. Prandaj i referohen atij si “komandant legjendar”, edhe pse Ademi nuk ka qenë komandant e nuk ka qenë aspak mit ose legjendë, por një hero real, në krye të një lufte reale, në një sakrificë faktike e historike. Kur i thonë “legjendar”, duket sikur duan të thonë “nuk ka qenë bash ashtu”.
Në anën tjetër kanë qenë edhe shqiptarët që mbështesnin doktrinën paqësore të autonomisë nën Serbi dhe që ishin kundër luftës çlirimtare. Për ta Adem Jashari është një figurë problematike, e cila duhet kritikuar me kujdes, pasi që për shumicën është hero. Gjatë kohës që Adem Jashari ishte i rrethuar në Prekaz e gjatë kohës që në Kosovë zhvilloheshin luftime e Serbia e masakronte popullsinë civile, këta pacifistë përpiqeshin të mbanin zgjedhje presidenciale demokratike, a thua se për t’i treguar botës perëndimore se “gjendja në Kosovë megjithatë nuk ishte edhe aq e keqe”. Asokohe disa prej tyre u angazhuan edhe aktivisht në propagandën kundër UÇK-së, duke synuar të trembnin popullin që të mos e mbështeste ushtrinë çlirimtare. Është interesante të shohësh se si sot po këta përpiqen të bëjnë një “pajtim” të sforcuar me simbolin e dëshmorëve dhe të Adem Jasharit, duke thënë se ndërkohë që luftën e bënë dëshmorët, punën më të madhe për njohjen ndërkombëtare të çështjes kosovare e bënë pacifistët. Kjo nuk rezulton e vërtetë, pasi ndërkombëtarizimi i çështjes së çlirimit të Kosovës vrullin e mori menjëherë pas jehonës që shkaktoi masakra që policia serbe e shkaktoi në Prekaz. Nëse i qëndrojmë të vërtetës historike, ndërkombëtarizuesi i vërtetë i çështjes së Kosovës ka qenë Adem Jashari.
Të fundit që do të mund t’i përmendnim janë ata shqiptarë që do të “kujdeseshin për foshnjën”. Janë ata që e shohin sakrificën sublime të Adem Jasharit si një themel për sovranitetin e asaj foshnje që është Kosova e lirë dhe populli i saj. Janë ata që e shohin lirinë si kusht të pakapërcyeshëm për barazinë politike mes popujve, që do të ishte rruga e vetme për stabilizimin e reciprocitetit e për t’u dhënë fund armiqësive. Janë ata të cilët nuk e mashtrojnë veten duke thënë se Adem Jashari u vetësakrifikua për “kombin kosovar”, i cili është projekt i mëvonshëm, që mëton të krijojë një terren më të pranueshëm për Serbinë zyrtare, duke e neutralizuar e duke i tjetërsuar përpjekjet politike të shqiptarëve dhe historinë e tyre. Ata që kujdesen për “foshnjën” janë ata që nuk e harrojnë amanetin e brezave që dhanë jetën për lirinë politike e popullore. Sipas tyre, epizmi i Adem Jasharit nuk lind prej nevojës së një populli “primitiv” për të pasur heronj, por prej nevojës së një ideologjie egërshane për t’ia marrë frymën çdo përpjekjeje të të shtypurit për t’u bërë subjekt, për ta fituar barazinë.
Po si ka mundësi, mund të thotë dikush, që në fund të shekullit XX dhe në shekullin XXI të kthehemi sërish tek e drejta kombëtare? A nuk është e tejkaluar kjo?
Kjo pyetje është problematike, sepse është e njëanshme. Që të tejkalohet e drejta kombëtare, duhet të tejkalohet shtypja kombëtare. Nacionalizmi çlirimtar shqiptar, flamur e mësues i të cilit është Adem Jashari, kurrë nuk ka qenë shtypës, agresor ose shovinist ndaj ndonjë kombi tjetër. Kjo nuk do të thotë se nuk ka brenda tij problemet dhe ekceset e veta, as që është imun ndaj racizmit apo ksenofobisë. Por, thjesht për arsye historike, shqiptarët nuk kanë mundur të zhvillojnë kurrë ndonjë pretendim politik për të ushtruar hegjemoni rajonale ose për të pushtuar toka të banuara nga të tjerë, siç kanë zhvilluar popuj të tjerë në Ballkan.
Vetë Kosova e Adem Jasharit ishte një territor i banuar nga një shumicë dërrmuese shqiptare. Më 1913 ajo u aneksua prej Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe u shkëput dhunshëm nga marrëdhëniet e saj të natyrshme me krahinat e tjera ku jetonin shqiptarët. Studiues serbë, duke u bazuar në të dhënat demografike të kohës, tregojnë se si mbretëria SKS i spastroi fillimisht shqiptarët duke i vrarë e duke i përzënë nga zona të gjera në veri e në lindje të asaj çka është sot Kosova, të cilat i kishte pushtuar që në shekullin XIX. Dëshira për spastrimin e shqiptarëve vazhdoi edhe në shekullin XX dhe luftërat ballkanike sollën rastin më të mirë për këtë. Raportues të ndryshëm, ndër ta edhe Leon Trocki, kanë dëshmuar për mizoritë që janë bërë ndaj popullsisë shqiptare në atë kohë. Më vonë, pas mbarimit të luftërave ballkanike, spastrimi mori forma të tjera. Dokumente politike të shkruara në formën e programeve ose memorandumeve, si ai i Çubrilloviçit, rrëfenin se elementi spastrues vazhdoi të ishte përbërës i rëndësishëm i nacionalizmit serb, që përbënte kolonën kryesore ideologjike të Mbretërisë serbo-kroato-sllovene.
Për t’i rënë shkurt një historie të gjatë, mjafton të themi se në Luftën II Botërore Italia e pushtoi Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa për ta shtypur ndjenjën e rezistencës e për të krijuar pajtueshmëri në popullatë, e shfrytëzoi sentimentin antiserb të krijuar gjatë shtypjes dhe dhunës që Serbia e kishte ushtruar mbi ta dhe e shpalli një bashkim të Shqipërisë dhe Kosovës. Kuptohet, ky bashkim nuk ishte sovran e as popullor. Si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, pati rezistencë dhe luftë nacional-çlirimtare. Gjatë asaj lufte, Partia Komuniste e Shqipërisë dhe Partia Komuniste Jugosllave vendosën që çështjen e Kosovës ta zgjidhnin duke i njohur popullit të saj të drejtën për Vetëvendosje. Kjo e drejtë u konfirmua nga përfaqësuesit serbë edhe në Konferencën e Bujanit (1943). Por, pas përfundimit të luftës, nën diktatin e armëve, u organizua një tjetër konferencë ku u vendos që Kosova të mbetej nën Serbi, pa marrë parasysh vullnetin e shumicës së saj. Marrëdhëniet e Jugosllavisë me Shqipërinë shumë shpejt u prishën, ndërkohë që në Kosovë organizimi kombëtar shqiptar doli në ilegalitet dhe herë haptazi e më shpesh fshehurazi vijoi ta kundërshtonte për dekada me radhë sundimin serb në Kosovë.
Socializmi jugosllav, edhe pse në parim do të duhej të ishte indiferent ndaj etnisë a përkatësisë kombëtare, shpeshherë u shfaq edhe si një kolonializëm i kuq, në rastin e Kosovës. Kjo mund t’i trondisë jugonostalgjikët, por Kosova në 1945 kishte të ardhura për kokë tre herë më të vogla se sa ato në Serbi. Ndërsa pas 45 vitesh socializëm, pra më 1989, të ardhurat për frymë në Kosovë ishin shtatë herë më të ulëta sesa ato në Serbi. Si është e mundur që brenda socializmit, ku pretendohej dhe premtohej arritja e barazisë, pabarazia e trashëguar veç ishte thelluar? Prapë, duke iu referuar intelektualëve serbë të emancipuar, shqiptarët në Jugosllavi e morën statusin e “zezakut”, qytetarit të dorës së dytë. Ata mbetën, u lanë të jenë, shumë më pak e më keq të arsimuar – përjashto disa familje të favorizuara nga sistemi – dhe nuk kishin qasje në punë cilësore (kryesisht bënin punë krahu ose nxiteshin të emigronin në vendet perëndimore). Shqiptarët që organizoheshin politikisht për të kërkuar barazi e të drejta, merrnin damkën e nacionalistit dhe të separatistit. Të vetmit që mund të fitonin avantazhe ishin – po të përdornim një koncept nga lufta për të drejta civile në Amerikë – “zezakët e shtëpisë”, ata që pranonin t’u bindeshin urdhrave, që pranonin t’i shtypnin kërkesat e popullit të tyre, pra që bëheshin sundimtarë lokalë. Tradita e sundimtarëve lokalë nuk u shpik nga jugosllavët, pasi edhe më parë nën Perandorinë Osmane popullin e varfër e qeverisnin përgjithësisht bejlerët e agallarët vendas; kësisoj ka qenë edhe në perandoritë paraosmane.
Edhe nën socializmin jugosllav vazhduan spastrimet, por me emër tjetër. U quajtën “shkëmbim popullsish mes Turqisë dhe Jugosllavisë”. Shqiptarët u quajtën turq, pa u marrë atyre asnjë mendim. Me turqit i lidhte veç feja, por jo gjuha, as kultura, as aspirata politike kombëtare. Kështu llogaritet që mbi 250.000 shqiptarë të jenë shpërngulur vetëm në vitet ’50-të për në Turqi, me qëllim “rregullimin e demografisë”. Shkëmbimi zakonisht nënkupton marrje e dhënie, por kësaj radhe shkëmbimi ishte njëkahësh, se nuk kishte “jugosllavë” të vinin nga Turqia në Kosovë. Në Kosovë kryesisht erdhën kolonë, të subvencionuar nga Serbia. Pak a shumë, po ajo strategji që e kemi parë në veprim përgjatë dekadave në Rripin e Gazës ose në Bregun Perëndimor.
Megjithatë, ndryshe nga historia e palestinezëve, kosovarët kurrë nuk përqafuan veprimtari terroriste, nuk sulmuan civilë a fëmijë të pafajshëm. Asnjëherë nuk është përpiluar ndonjë platformë për spastrimin e serbëve të Kosovës, as nuk është ndjekur ndonjë synim i tillë. Përkundrazi, një pjesë e madhe e ilegalëve vinin nga tradita të majta, ndonjëherë marksist-leniniste e ndonjëherë më centriste e socialdemokrate, por kjo nuk mjaftoi që Kosova ta fitonte simpatinë e majtistëve anembanë botës, siç e ka fituar fjala vjen çështja palestineze. Arsyet kryesore pse Kosova nuk e fitoi edhe aq simpatinë e së majtës ndërkombëtare janë: në radhë të parë idealizimi i socializmit jugosllav, si një version më “i qytetëruar” dhe më i pranueshëm nga stalinizmi, ndërsa në radhë të dytë është ideja se Kosova është një projekt amerikan e asgjë më shumë. Të dyja këto janë arsye të parrënjosura në histori, e sidomos të bazuara mbi propagandë. Socializmi jugosllav, për Kosovën (por jo vetëm për Kosovën), ishte veçse një kolonializëm me maskë të kuqe, ndërsa çështja e Kosovës nuk është projekt i importuar, por është e rrënjosur te historia dhe populli i saj, shumë dekada përpara se të ndërhynte me dashamirësi dhe drejtësi Amerika.
Pas ndërhyrjes së vitit 1999 në Kosovë, një pjesë e vogël e ish-marksist-leninistëve, që dikur kishin qenë luftëtarë, ndoqën shembullin faqezi të prijësve ish-komunistë në vendet e Europës Lindore, pra kapën pushtetin e u kthyen në oligarkë, politikanë të korruptuar dhe zbatues të agjendës privatizuese që shkatërruan edhe atë pak industri e ekonomi bujqësore që kishte Kosova. Kuptohet, as korrupsioni e as doktrina neoliberale e zbatuar prej tyre nuk ishin fenomene endemike; ato u zhvilluan në konkordancë dhe nën këshillimin e vazhdueshëm të zyrtarëve ndërkombëtarë të vendosur në Prishtinë. Kështu mbërritëm në situatën ku gjendemi sot.
Aktualisht në Kosovë, megjithatë, erdhi në pushtet një brez i ri, i cili përpiqet të dalë prej binarit jokreativ të krijuar menjëherë pas luftës, sipas të cilit nga një anë janë kombëtaristët, që janë të paarsimuar, ndërsa nga ana tjetër jnë jokombëtaristët e arsimuar – të dyja palët të hapura për korrupsion. Thyerja e këtij binari krijon një sintezë prej tezës dhe antitezës, një parti si Vetëvendosja, ku po përpiqet të bashkohet në një linjë vija kombëtare dhe ekspertiza. Kundër këtij vektori të ri shqiptar është një pol jo i papushtetshëm, i përbërë prej tre segmentesh qartësisht të dallueshme, që duket hera-herës sikur kanë konflikt ose mospajtim me njëra-tjetrën, por që në fakt përbëjnë bllok. Këto segmente shfaqen tek: ndërkombëtarët e korruptuar, oligarkët vendorë dhe strukturat paralele të Beogradit.
Për vetë kushtet historike ku ka kaluar populli dhe spektri politik në Kosovë, nacionalizmi shqiptar i zhvilluar aty është një nacionalizëm progresist (po të përdorim këtu të njëjtat kritere që përdorte dikur Ernest Mandeli, kur fliste për nacionalizmin flamand në Belgjikë). Ky nacionalizëm në shumicën e vet është informuar vazhdimisht nga marksizmi ,dikur zyrtar në Shqipëri, por edhe nga ideale socialiste të kampit lindor, e më vonë, në vitet ’80 -’90, është frymëzuar edhe prej autorësh të ndryshëm, duke filluar nga antikolonialisti Fanon e gjer te antipostmodernisti Žižek.
Ndryshe është çështja kur flasim për nacionalizmin kosovar, kimerën e krijuar nga bashkëpunimi tripartit mes një pjese të ndërkombëtarëve të interesuar që Kosova të ketë gjithnjë nevojë për ta, oligarkëve vendorë dhe serbëve. Nacionalizmi kosovar, nën flamurin e multikulturalizmit, ka prodhuar decentralizimin etnik, shformimin e historisë, tentativën për shkombëtarizimin e shqiptarëve dhe pezullimin e vendimmarrjes demokratike ose ndalimin e referendumit shtetformues e kushtetues për një popull i cili ka qenë vazhdimisht i angazhuar në përpjekje çlirimtare për thuajse një shekull. Sot ky nacionalizëm “i ri” përpiqet ndonjëherë ta neutralizojë edhe figurën historike dhe simbolike të Adem Jasharit. Ama, edhe pse kur ishte në pushtet e uli flamurin kombëtar dhe e shkatërroi shkollimin shqip, vështirë e ka ky nacionalizëm i imponuar të imponohet ndaj një populli i cili kurrë nuk e ka ndalur Lëvizjen, si mënyrë e të bërit politikë, si rrugë e vështirë, por shpërblyese drejt emancipimit. Për këtë lloj të politikës, pra për Lëvizjen, Adem Jashari është edhe mësuesi i 7 Marsit, është edhe flamuri i 28 Nëntorit.
Republika me afër 1.9 milion banorë vendosi t’u bëjë ndryshimet që nuk po i bëjnë dot vendet e tjera të rajonit, edhe pse janë më të mëdha e më të pasura. Kjo republikë e re është aktualisht vendi me demokracinë më të gjallë dhe entuziazmuese në këtë kohë kur demokracia po bën prapakthime në gjithë kontinentin. Por, pikërisht pse po punohet mirë, pse po bëhen punë të mira dhe po tregohet se shqiptarët janë në gjendje të prodhojnë shtet, qytetërim e drejtësi, shtohen rreziqet. Kur çohesh në këmbë, bëhesh edhe më shumë cak i grabitqarëve. Ndaj është e rëndësishme të kuptohet se “nuk u kry” dhe se mësimi i Jasharit nuk është legjendar, por aktual, politik, shqetësues i atyre që duan ta imponojnë nënshtrimin, kokuljen dhe pafuqinë, dhe nxitës e zemërdhënës për ata që duan dinjitetin, paqen, punën dhe zhvillimin jo për inat të fqinjëve, por bashkë me ta, për një të ardhme ku do të mund ta shohim njëri-tjetrin në sy. Kjo e ardhme ende është larg dhe e pasigurt. Për të shkuar drejt saj na duhet mësimi i Ademit dhe i Jasharëve, si dhe flamuri i tyre.










