Shkruan: Ismail SINANI
Shumica e njerëzve jetojnë në këtë botë pa e trazuar veten. Ata, thjesht, hyjnë e dalin nga kjo botë si introvertë, pa lënë thuajse as edhe një gjurmë të vetme. Por, historia na mëson se janë një kategori tjetër, e vogël, tepër e vogël, që e jetojnë jetën në plotni. Ndoshta nuk jetojnë edhe shumë gjatë me “përmasat tona kohore”, por jetojnë në pafundësi me “përmasat tejkohore”.
Ne, si shqiptarë, kemi nderin të jemi të përmbushur e frymëzuar brez pas brezi, pasi që në gjirin tonë erdhi një figurë e një familje, e cila duke e prekur tejkohoren, i dha kuptim qenies sonë kombëtare.
Datat 5, 6 dhe 7 mars, në historinë më të re të kombit shqiptar, tashmë janë regjistruar si “Epopeja e UÇK-së”. Këto janë ditët kur më 1998 forcat ushtarako-policore serbe e sulmuan familjen Jashari në Prekaz të Epërm dhe i vranë, në mënyrën më mizore, 56 anëtarë të kësaj familjeje, përfshirë edhe Komandantin Adem Jashari dhe ata që u kishin shkuar për ndihmë atyre.
Duke qenë në këtë përvjetor, kemi vendosur që numrin e marsit të revistës “Shenja” t’ia kushtojmë pikërisht këtij 28-vjetori. Edhe pse nuk është hera e parë që e kemi pasur në fokus këtë ngjarje te “Shenja”, por kjo është hera e parë që – në natyrën e re të revistës – t’ia kushtojmë një numër të plotë analitik vetëm kësaj ngjarjeje dhe aktorëve të saj. Përmes disa “parametrave” jemi përpjekur të ndërtojmë një koncept lidhur me disa çështje, si: Epopea e UÇK-së si pararoje e epopesë së lirisë; kush ishte familja Jashari?; prej nga ky frymëzim i familjes Jashari për rezistencë?; cilat ishin relacionet e familjes Jashari me grupet e tjera të armatosura të rezistencës?; cili ishte pozicioni i familjes Jashari kundrejt LDK-së dhe LPK-së ose forcave të tjera politike?; si e “vrau frikën” familja Jashari?; cili është roli i familjes Jashari në shtetin e ri të Kosovës?; këngët që i këndohen familjes Jashari; botimet, emisionet etj….
Përmes gjithë këtyre tezave shihet se jemi përpjekur të kapim dhe portretizojmë një familje, një figurë historike të rezistencës sonë kombëtare që ka dalë nga binarët linearë që ndiqen nga turma dhe shikojnë “vetëm punët e veta”.
E, teksa bëjmë “analiza”, e kuptojmë se kjo familje dhe ky personalitet nuk u fut në idealizma të skajshëm të figurave politike. Ai nuk krijoi mit, sepse e dinte se çfarë donte. Ai kishte dhënë kushtrimin se do ta paguante çmimin e lirisë sado qoftë dhe çfarëdo qoftë ai. Ai nuk ishte euforik. Ishte i matur dhe i përgatitur për sfidën. Epopeja në familjen e tij, sot kur e shohim nga ky prizëm, e kuptojmë se nuk ka qenë incidentale. Kur i shohim ato pak video regjistrime, e shohim se flijimi i gjithë familjes ka qenë një parapërgatitje për rënie në altarin e lirisë. Ai e kishte kuptuar se liria nuk arrihet vetëm me konferenca, por megjithatë nuk kishte qenë në kërkim të tradhtarëve të brendshëm, siç veprojnë shumica e “protagonistëve” të sotëm. Parë nga kjo perspektivë, sjellja e tij na tregon se ai vet ia kishte përcaktuar detyrat vetes – gjerdanin me fishekë në trup dhe tytat e drejtuara drejt armikut. Nuk kishte filozofuar shumë.
Prandaj sot, në shtëpinë e pelegrinazhit kombëtar të Jasharajve e kuptojmë se pse ajo është bërë epiqendra dhe pika kthyese në ndërtimin e historisë moderne kombëtare.
Rapsodët dhe historianët shqiptarë mund të njohin e kujtojnë shumë personalitete që kanë sakrifikuar për atdhenë, por askush nuk ka dhënë gjithçka sikurse kjo familje. Zaten, sa herë që shkojmë në Prekaz, mund ta rrokim “këtë ton shpirtëror”. Gjurmët e plumbave dhe gjyleve në kullën e Jasharajve i gjallnojnë retë e zeza të atyre ditëve dhe netëve, por edhe këngën e lirisë dhe dritën e krenarisë.
Ai e dinte se shtetësia nuk mund të arrihej pa bërë një kthesë të madhe, e cila do t’i jepte legjitimitet moral. Sot dëshmi e këtij legjitimiteti janë varret, ato gurë me njolla gjaku, që e sublimojnë më së miri çmimin e shtetësisë e që shërbeu edhe si apel ndërkombëtar se këtu, në këtë pjesë të globit, gjendet një popull që dëshiron t’i thotë “mjaft sundimit shekullor serb”.
Edhe sot në këto kohë trazirash ndërkombëtare kur nuk e dimë se si do të gdhijë e nesërmja, e shohim se vetëm ata që e lajnë tokën më gjak mund ta fitojnë legjitimitetin.
Prandaj me të drejtë idealistët e regjur shpesh shprehin pezmin se si dikush, që ka qenë dëshmitarë i gjallë i asaj periudhe, shfaq tendenca zhvatjeje dhe përbuzjeje ndaj shtetësisë së Kosovës dhe aseteve të saj, duke u sjellë si me qenë pronë private?! Apo, si është e mundur që dikush, që e ka parë për së afërmi golgotën e atyre viteve, ka qasje oligarkësh?! Apo, edhe më keq, është/ishte i gatshëm të shesë/shiste shtetësinë për ca pikë politike me “narrativa ndërkombëtare”?!
Pa e zgjatur më shumë, pasi që autorët e revistës i kanë dhënë shumë dimensione kësaj epopeje, sakrifica e Jasharajve na mëson se janë disa shtete që lindin nga vendosmëria e jo nga traktatet, siç kemi parë shumë pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe më pas, pasi përfundoi Lufta e Dytë Botërore. Ajo familje bëri të pamundurën për t’ia dhënë vulën juridike ndërkombëtare një shteti të ri në zemër të Europës në një kohë kur askush nuk besonte.
(Editoriali i revistës “Shenja”)









