LSDM-ja, nga një parti me prirje jointegruese, pas vitit 2002 dhe pas vitit 2016 do ta marrë në duar flamurin e integrimit të vendit në BE dhe NATO. VMRO-DPMNE-ja, nga një parti me raporte të mira me Perëndimin pas viteve ‘90-ta, do të shndërrohet në subjekt që ruan me këmbëngulje status quonë integruese. Partitë shqiptare përgjatë historisë së re politike shfaqen si vrojtues, pa pozicione proaktive dhe shpesh zhgënjyese për shqiptarët.
Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup
Maqedonia e Veriut, që nga pavarësimi i saj ka pasur marrëdhënie diplomatike me Perëndimin si hemisferë gjeopolitike, të cilat kanë lëvizur në fije të perit, pasi herë kanë qenë më të dukshme, pa ekuivoke të mëdha dhe relativisht të sinqerta, pra më të “ngrohta”, e herë kanë qenë të “ftohta”, hezituese dhe janë luhatur mes Brukselit e Uashingtonit, në njërën anë e, në anën tjetër, Moskës, më shumë e më pak, Pekinit e qendrave të tjera globale!
Kjo luhatje ka shpjegime historike-emotive, religjioze, politike, por edhe të natyrës së mbikëqyrjes ndërkombëtare mbi shtetin në kuptimin e zbatimit të standardeve, veçanërisht sa i përket llogaridhënies lidhur me shpenzimin e parasë publike dhe të fondeve europiane e amerikane, që nënkupton luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
Nostalgjike ndaj Rusisë, jopragmatike ndaj BE-së dhe SHBA-së
Maqedonasit etnikë janë me prejardhje sllave, me përkatësi dominuese krishtere ortodokse, me lidhje nostalgjike me Serbinë (si pjesë e ish Jugosllavisë) dhe duke qenë pjesë e ish federatës jugosllave, pjesë e botës komuniste, në të cilën kollitej Rusia e sotme (ish Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike), nuk ka ndodhur shkëputja e padiskutueshme me horizontalen politike sllave, e drejtuar nga Moska. Kjo mosshkëputje ka qenë evidente, e reflektuar në raportet me fqinjët dhe në politikën e jashtme deri në vitin 2002, duke marrë parasysh qasjen e kësaj politike institucionale ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Historia bashkëkohore politike përdëfton se qasja politike dhe shtetërore “e ngurtë” dhe hamendësuese me Perëndimin gjeopolitik nuk ka dalluar shumë, pavarësisht nëse në pushtet ka qenë VMRO-DPMNE-ja djathtiste dhe Lidhja Socialdemokrate majtiste, pasardhëse e ish Partisë Komuniste të Maqedonisë së Veriut.
Socialdemokratët maqedonas, pas viteve të ‘90-ta ruajtën raporte të afërta me Beogradin zyrtar, të cilat i kultivonte “mjeshtëri” i politikës shtetndërtuese njëetnike, presidenti Kiro Gligorov, i njohur me nofkën “dinaku”, i cili në ish regjimin monist kishte qenë kryetar i Kuvendit të ish-RSFJ-së dhe bashkëpunëtor i shokut Tito. Me nisjen e luftës në Kosovë, edhe pse në pushtet ishte VMRO-DPMNE-ja, vazhdonte narrativa e dhënies të drejtë Serbisë në raport me Kosovën, ndërsa shpirtngushte tregohej në veçanti sa i përket ardhjes së refugjatëve nga Kosova në vendin tonë.
Pas vitit 2002, pikërisht Lidhja Socialdemokrate, e njohur për rigjiditetin në raport me Perëndimin u bë frontmene e proceseve integruese euroatlantike, duke ia siguruar Maqedonisë së Veriut statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Ardhja në pushtet e VMRO-DPMNE-së në vitin 2006, me theks të veçantë pas vitit 2010, e riktheu këngën e vjetër në raport me Perëndimin. Në horizont u shfaqën tendenca të mosdëgjueshmërisë nga ndërkombëtarët, sidomos të atyre që ishin të deklaruara shpesh edhe me gjuhë jodiplomatike, sa i përket ndërrimit të emrit dhe anëtarësimit në NATO. Kjo do të jetë arsyeja që faktori global do të ndërmarrë ofensivë të furishme për rrëzimin e VMRO-DPMNE-së nga pushteti, që rezultoi me largimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski nga shteti. Sërish, bajrakun integrist do ta valëvisë ish partia jointegriste socialdemokrate, e drejtuar nga ish-kryeministri Zoran Zaev, duke mundësuar anëtarësimin e vendit në NATO në vitin 2018.
Çka bënë shqiptarët e politikës gjatë historisë së re?
Hanë fiq e kastraveca,
E pijnë mastikë, e qesin petulla n’ujë,
E ngrihen rrugës e fryhen si gjeldeca.
Këto janë vargjet e Gjergj Fishtës te poezia “Çohuni të vdekun”, që do të ishin përgjigja më epike lidhur me pyetjen e shtruar sublime mbi politikbërjen shqiptare në relacion me trajektoren gjeopolitike të vendit.
Nga fillimi i viteve të ‘90-ta e deri në vitin 1998, Partia e Prosperitetit Demokratik ishte me aftësi të mëdha vëzhguese në politikbërje, duke mos pasur ndonjë rol proaktiv në politikën e jashtme, ndërsa përfaqësimi i shqiptarëve në diplomaci ishte minimalist.
Partia Demokratike Shqiptare, pas vitit 1998, ndonëse e dinamizoi jetën plurale tek shqiptarët dhe e ndryshoi sadopak kursin e diplomacisë maqedonase ndaj Kosovës, duke mundësuar dhe duke qenë forca politike që garantoi ardhjen e sigurt të refugjatëve kosovarë në Maqedoni, nuk është se pati ndonjë ndikim të fuqishëm në proceset integruese, duke vënë në lëvizje vetëm përpjekjet e para integruese.
Pas luftës së vitit 2001 dhe arritjes së Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2002, hapet rruga e integrimit europian dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënojnë përparim të dukshëm, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim ka pasur rol jo tepër proaktiv, por duke qenë pjesë e qeverisë, një pjesë e rezultatit i faturohet edhe kësaj partie. Njësoj siç do t’i faturohet edhe politika vendnumëruese e shtetit përkatësisht ngecëse në proceset integruese, me tendenca të ndryshimit të kursit properëndimor, e cila është manifestuar haptas nga politika maqedonase e VMRO-DPMNE-së nga vitet 2010 deri në vitin 2016. Largimi i VMRO-istëve dhe rikthimi i socialdemokratëve të majtë në pushtet, në vitin 2017, me Zaevin, një lider jotipik komunisto-socialdemokrat, pasi nuk ishte pjesë e trashëgimisë së ish-partisë moniste, e përshpejtoi integrimin, duke ia lehtësuar vetë BDI-së që ta arsyetojë prapashtesën integrim.
Çka bëjnë shqiptarët e politikës në periudhën e tanishme?
Në dimensionin e politikës së jashtme, politika shqiptare shfaqet inerte si asnjëherë më parë. Kjo ndodh për shkak të fokusit tek politikbërja qeverisëse, që ndërlidhet me menaxhimin e institucioneve dhe përfaqësimin (punësimin) e shqiptarëve, që duhet thënë se vështirë e kalon rubikonin e identitetit partiak-ideologjik.
Sërish është e djathta maqedonase, e cila qëndron stoikisht në istikamet e saj, nuk shfaq pragmatizëm në shërbim të së ardhmes, nuk është e gatshme të bëjë kompromis, duke i përfshirë bullgarët në Kushtetutë, ndërsa faktori shqiptar në qeverisje nuk është se ka potencialin e intensifikimit të këtij procesi. Shpesh ndodh që pikërisht eksponentët politikë shqiptar në pushtet i mbrojnë dhe afirmojnë pozicionet etatiste, që janë vazhdimësi e politikës djathtiste, që e ndërlidh ndryshimin e aktit më të lartë juridik me çështjet identitare, që shtresohen nga gjuha maqedonase deri tek identifikimi kombëtar. Nga takimi i liderëve dhe pas deklarimeve të liderit integrist, Ali Ahmeti, u pa se edhe BDI-ja sikur është pajtuar se muri i vendosur në rrugën integruese nuk thyhet kollaj, andaj nuk e ka problem të presë se çfarë do të ndodhë. Kjo është një politikë e njohur konstruktiviste, e stilit “tërhiqe mos e këput”, që jep rezultate për ngjitje dhe sidomos për qëndrim në pushtet, por që në fakt duhej të ishte e ofrimit të zgjidhjes.
Nëse në planin e integrimit europian mbizotëron status-quoja, pasi VMRO-DPMNE-ja dhe lideri i saj, Mickoski qëndrojnë të betonuar në pozicionet e tyre, në atë të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kemi regres dhe, nga një vend aleat, Shkupi po krijon një distancë të madhe me Uashingtonin. Maqedonisë së Veriut iu pezulluan vizat për në SHBA, kryeministri Mickoski nuk është ftuar në takime zyrtare në Uashington (Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit), ai dhe as presidentja Gordana Siljanovska Davkova nuk ftohen nga presidenti Donalld Tramp në Bordin e Paqes, ndërsa në Davos shefi i qeverisë pati takime minore me biznesmenë ndërkombëtarë. Këto janë fakte që dëshmojnë se Maqedonia e Veriut nuk është pjesë e agjendës amerikane dhe kjo falë kryeneçësisë së të djathtës maqedonase që të mos lëshojë pe ndaj Sofjes, e me këtë ndaj Brukselit e Uashingtonit.
A do të vazhdojnë shqiptarët të jenë sehirxhinj, qoftë nga pushteti dhe opozita? Nëse gjykojmë sipas sjelljeve të deritanishme konstruktiviste dhe jo shtegkërkuese, përgjigja do të ishte pozitive. Zhgënjyese për popullin, por mbase “populli i ka politikanët që i meriton”!









