Kissinger-i nuk është vetëm figura kyçe, historike e diplomacisë amerikane. Vizioni i tij tashmë po zbatohet nga administrata aktuale. Njeriun e parë që e takoi Trump-i pas zgjedhjes së tij të parë si president në vitin 2016 ishte pikërisht Kissinger-i. Që atëherë bota filloi të ndryshojë rrënjësisht.
Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë
Me vitin e parë të mandatit të dytë në Shtëpinë e Bardhë, më i bujshmi në tërë shërbimin e tij në krye të SHBA-së, presidenti Donald Trump po e vërteton thënien e njohur të Henry Kissinger-it se “të jesh armik me Amerikën është e rrezikshme, por të jesh mik është fatale”. Kjo thënie daton që nga viti 1968-të, gjatë fazës finale të luftës në Vietnam, kur Kissinger-i ishte ende profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit. Përfundimi i luftës në Vietnam shënon fitore të pjesës veriore, të mbështetur nga komunistët dhe shtypjen e pjesës jugore të vendit, asaj demokratike të përkrahur nga SHBA-ja. Ky është edhe viti kur republikani Richard Nixon fiton zgjedhjet presidenciale, me ç’rast politikën e jashtme do t’ia lë në duar pikërisht Kissinger-it. Nga ky moment, ai do të jetë figura kyçe në politikën e jashtme amerikane deri në vitin e kaluar, kur edhe ndërroi jetë. I pajisur me dije akademike dhe me një qasje precize shkencore, Kissinger-i e drejtoi politikën duke u bazuar ekskluzivisht në teorinë realiste në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai ishte i vetëdijshëm për fuqinë e SHBA-së, por edhe për dobësinë e rivalëve dhe nga ky prizëm ai i qasej politikës së jashtme. Ndryshe nga teoria liberale (apo idealiste), në teorinë realiste i forti bën atë që duhet bërë, kurse i dobëti e pranon atë që duhet pranuar. Në këtë dimension vetëm interesat shtetërore kanë rëndësi, ndërsa vlerat dhe parimet shpesh sakrifikohen për hir të atyre interesave të mëdha shtetërore.
Rendet botërore dalin pas luftërave botërore
Kjo qasje e Kissingeri-t sikur ishte në kundërshtim me rendin botëror të bazuar në rregulla, të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore. Një vit pas përfundimit të saj, pra më 24 tetor 1945, në San Francisko të SHBA-së, u miratua Karta e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila kishte për qëllim ta ruajë paqen botërore pas dy luftërave shkatërruese. Mbi këtë dokument u themeluan Asambleja e Përgjithshme, Këshilli i Sigurimit, Këshilli Ekonomik e Social, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Sekretariati i OKB-së. Aty tashmë bëjnë pjesë 193 shtete të botës, ndërkohë që kjo organizatë paramendohej ta marrë rolin e një qeverie globale, e cila, përveç ruajtjes së paqes, do të nxisë raporte miqësore ndërmjet kombeve, do të promovojë të drejtat e njeriut, do ta forcojë të drejtën ndërkombëtare dhe do ta garantojë sovranitetin e çdo anëtari.
I njëjti qëllim, pra krijimi i një bote paqësore, të drejtë dhe progresive, ku çdo qytetar do të gëzojë të drejtat e tij dhe do të jetojë me dinjitet, u vendos edhe në aspiratat e pas vitit 1918, kur përfundoi Lufta e Parë Botërore. Midis rrënojave dhe vrasjeve të miliona njerëzve në mbarë botën, si dhe urisë dhe varfërisë të shkaktuar nga ajo luftë, në Konferencën e Parisit, e mbajtur më 10 janar 1920, u themelua institucioni i parë ndërkombëtar i quajtur Lidhja e Kombeve (League of Nations LON). Ky institucion, i bazuar në të drejtën ndërkombëtare, funksionoi për 26 vjet, deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
Të dyja organizatat kanë tentuar të vendosin një rend botëror i cili do të bazohet në rregulla, parime dhe vlera. Duke qenë i tillë, ai është i parashikueshëm dhe krijon hapësirë për parandalimin e luftërave dhe zgjidhjen e kontesteve në kuadër të diplomacisë, e jo me forca ushtarake. Problemi këtu është se këto rende botërore i mbrojnë “të pafuqishmit” dhe përmbajnë “të fuqishmit” në përmbushjen e ambicieve të tyre. “Perandoritë nuk kanë interes të operojnë nëpërmjet një sistemi ndërkombëtar, por ato aspirojnë që vetë të jenë sistemi ndërkombëtar”, ka shkruar Kissinger-i në veprën e tij “Diplomacia”, të botuar në vitin 1994. “Perandoritë nuk kanë nevojë për balancë fuqie. Kështu e kanë bërë politikën e jashtme SHBA-ja në kontinentin e Amerikës dhe Kina në atë të Azisë”.
Nuk është Trump-i i pari që po e sfidon rendin botëror duke e rikthyer thënien e njohur të Kissinger-it nga viti 1968. Intervenimet e SHBA-së në Amerikën Latine, në Afrikën e Veriut, në Lindjen e Mesme dhe në Azinë e Largët kanë ndodhur gjatë gjithë periudhës sa është “rendi i bazuar në rregulla” ka qenë me OKB-në si strukturë kyçe për zbatimin e tij. Rasti i fundit që po dëshmon se armiqësia me SHBA-në është e rrezikshme, kurse miqësia fatale, është rasti i Ukrainës. Më herët edhe Afganistani, Libia, Iraku, Siria. Në tërë këto vende dinamikat ndryshonin varësisht nga ndryshimet e administratave në Uashington, me ç’rast ndryshonin edhe interesat shtetërore amerikane. Por, Trump-i tash duket më i drejtpërdrejtë në qëllimet e tij. Ai tha se intervenoi në Venezuelë edhe për shkakun se ky është vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë, bile më shumë se Arabia Saudite dhe Rusia. Kishte kohë që këtë naftë e kërkonte edhe Kina, duke intensifikuar marrëdhëniet me pushtetin e Nicolas Maduros, i cili u arrestua nga njësitet speciale amerikane në një aksion spektakolar në fillim të vitit. Trump-i, në fakt, kërkon një rend të ri botëror. Njëjtë siç e kanë kërkuar edhe Rusia dhe Kina, si vende me histori perandorake. Rusia kërkon një rend botëror që nuk dominohen nga SHBA-ja, siç ka qenë pas rënies së komunizmit dhe shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve të 90’ta të shekullit të kaluar, kurse Kina kërkon një qeveri globale me sekretariate konkrete, ku shtetet e fuqishme do të merrnin vendime pa ndërhyrë në sferat e ndikimit të njëri-tjetrit.
Në këtë botë që po ndryshon edhe ish-perandoritë, Gjermania, Franca, Turqia, Britania e Madhe, Italia… tentojnë të pozicionohen, disa në kuadër të BE-së, e të tjerë si hegjemonë rajonalë. Kryeministri i Kanadasë, Mark Karni, gjatë fjalimit në forumin e Davosit, bëri thirrje për hapjen e rrugës drejt formimit të një aleance të vendeve të treta, të pafuqishme, por me kapacitet të madh, si vendi i tij, BE-ja, vendet e Amerikës Latine, të Azisë…”. Nga ana tjetër, do të doja t’ju them se vendet e tjera, veçanërisht fuqitë e ndërmjetme si Kanadaja, nuk janë të pafuqishme. Ato kanë kapacitetin të ndërtojnë një rend të ri që përfshin vlerat tona, si respektimi i të drejtave të njeriut, zhvillimi i qëndrueshëm, solidariteti, sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve të ndryshme. Fuqia e atyre që kanë më pak fuqi fillon me ndershmërinë”, tha mes tjerash Karni.
Rendi i ri botëror: në çfarë bazohet?
Tani, kur po u vihet kapaku luftërave nëpër botë dhe po flitet për rendin e ri botëror, duket sikur bota të ketë kaluar një luftë të re, Luftën e Tretë Botërore. Natyrisht se nuk mund të ishte si Lufta e Parë apo e Dytë, pasi në atë rast bota nuk do të kishte ekzistuar më, por është fakt se luftërat e pas 1945-tës kanë qenë fushëbeteja të përplasjes së fuqive të mëdha. Sidomos ato të fundit – në Siri dhe Ukrainë. Liga e Kombeve e ruajti paqen botërore për më shumë se dy dekada, OKB-ja për afër tetë dekada, por tani cili institucion do ta ruajë paqen globale? Qasja realiste e Kissinger-it thotë se, në një botë si xhungël, paqja më mirë ruhet nëpërmjet baraspeshës së fuqive rajonale dhe caktimit të roleve për ruajtjen e saj nga hegjemonët rajonalë. Parashikimin e tij për një botë multipolare ai e ka dhënë që në vitin 2013, kur e publikoi librin e tij “Rendi Botëror”. Në atë botë SHBA-ja nuk duhet të eksportojë vlera dhe demokraci, por duhet të udhëhiqet kryesisht nga interesat e saj shtetërore. Në një mozaik të tillë realist në marrëdhëniet ndërkombëtare, fuqitë botërore do të kishin mekanizma të koordinimit dhe bashkëpunimit, por pa përfshirjen e të pafuqishmëve. Kështu, në fakt, ka qenë deri më tani pasi, sado që është definuar ndryshe, realizmi i Thukididit ka mbizotëruar në ato marrëdhënie në 150 vitet e fundit.
Demontimi i rendit aktual botëror dhe ndërtimi i një të riu nuk do të thotë se interesi i SHBA-së për Ballkanin dhe shqiptarët do të venitet. Përkundrazi, ai do të jetë më i dukshëm dhe më i drejtpërdrejtë. Doktrina e Trump-it në mandatin e parë bazohej në të ashtuquajturin “realizëm parimor”, ku para intervenimit ushtarak duhet provuar që vendet problematike të shtyhen (me presion dhe sanksione) drejt ndryshimeve pozitive (siç ishte rasti më Korenë e Veriut, Iranin, Kinën…). Tani, në strategjinë e re përdoret termi “realizëm fleksibil”, i cili vë në fokus ndaljen e luftërave dhe “përdorimin e fuqisë për paqe”. Trajektorja e vetme që përshkon këtë qasje të administratës Trump në marrëdhëniet ndërkombëtare është “mbrojtja e interesit amerikan”. Në këtë kontekst, “realizmi fleksibil” i Trump-it nënkupton implementim të shpejtë të dispozitave me qëllim të vendosjes së paqes afatgjate. Kosova dhe rajoni nuk bëjnë pjesë në grupin e vendeve të parëndësishme, ku Strategjia e re e Sigurisë Nacionale (2025) thotë se SHBA-ja nuk ka se çfarë kërkon. Pikërisht Ballkani është poligoni kryesor i ushtrimit të ndikimit kinez, rus dhe iranian, të cilin SHBA-ja paralajmëron se do ta luftojë. Është pjesë e Hemisferës Perëndimore, në të cilën Trump-i paralajmëron ta rikthejë “Doktrinën Monroe”, me qëllim të luftimit të ndikimeve lindore këtu. Kjo doktrinë, në origjinë, është një politikë e jashtme e SHBA-së, e presidentit James Monroe në vitin 1823, me të cilën ai paralajmëroi fuqitë europiane kundër kolonizimit të mëtejshëm ose ndërhyrjes në Amerikë, duke e përcaktuar Hemisferën Perëndimore si sferë influence të SHBA-së. Aty deklarohej se SHBA-ja nuk do të ndërhynte në çështjet europiane, por do t’i konsideronte si akte armiqësore çdo përpjekje të re europiane për të kontrolluar vendet e Amerikës. Me kalimin e kohës, kjo doktrinë u bë një gur themeli i politikës së jashtme amerikane. Tani, të gjetur nën ombrellën e NATO-s, amerikanët dhe europianët e kanë zgjeruar atë që quhet Hemisferë Perëndimore, ndërkohë që ringjallja e Doktrinës Monroe nga Trump-i është porosi ndaj Kinës dhe Rusisë se “nuk do të lejojë koloni të reja” në sferën e ndikimit amerikan.
Kissinger-i nuk është vetëm figura kyçe, historike e diplomacisë amerikane. Vizioni i tij tashmë po zbatohet nga administrata aktuale. Njeriun e parë që e takoi Trump-i pas zgjedhjes së tij të parë si president në vitin 2016 ishte pikërisht Kissinger-i. Që atëherë bota nuk do të jetë ajo që e dinim.









