Realisht, bota ndodhet në përplasjen më të thellë të mundshme, mes dy koncepteve, doktrinave, multilateralizmit, që nënkupton bashkëpunimin rreth vlerave të përbashkëta dhe multiporalitetit që karakterizohet nga ekuilibri i fuqive. Për shqiptarët, sfida e së ardhmes nuk nënkupton mbijetesën pasive në një skenë të komplikuar dhe të vrazhdë ndërkombëtare, por, përkundrazi, shqiptarët duhet përhershmërisht ta afirmojnë një rrugë të qartë të pjesëmarrjes aktive dhe të qëndrueshme në një rend global që po ridimensionohet, duke ruajtur gjithmonë ekuilibrin mes interesit kombëtar dhe vlerave universale.
Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë
Një gjë mbetet e sigurt, bota nuk është më siç ka qenë më parë, jo se më herët nuk ka pasur zhvillime të hovshme, por në dekadën e fundit duket se ndryshimet janë marramendëse dhe me tone tepër pesimiste. Në një kontekst më të gjerë, tashmë kemi ndryshim paradigme dhe kjo në vetvete prodhon situata, të cilat dalin jashtë normalitetit paraprak, jashtë kornizave të vendosura pas Luftës së Dytë Botërore nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare që garantonin një lloj ekuilibri mes fuqive të mëdha, që garantonin rregullat e lojës, në një botë të brishtë dhe me shumë interesa gjeostrategjike.
Nëse do të ndaleshim ta analizojmë këtë ndryshim paradigme, do të duhet detyrimisht të fokusohemi te agresioni rus në Ukrainë, që realisht përbën precedentin më të madh pas Luftës së dytë botërore, atakun më të madh ndaj një shteti sovran dhe të pavarur. Me gjasë, pikërisht ky precedent morbit i një fuqie të madhe shënon dekompozimin e një rendi ndërkombëtar, që minimalisht ruhej në suaza të rregullave dhe institucioneve ndërkombëtare.
Gjatë kësaj kohe do të ndodhë thyerja e madhe, prishja e paqes së brishtë që realisht atakonte sidomos shtetet e kontinentit europian, por edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Etja për ekspansion e Rusisë, e demonstruar me agresion ushtarak ndaj Ukrainës, shënon një fazë tjetër në rirreshtimet globale, të cilat do të vijnë duke u komplikuar me kalimin e kohës dhe duke shkaktuar reagimin edhe të fuqive tjera të mëdha në nivel planetar.
Zaret e hedhura të multipolaritetit
Ndërkohë që kishte kaluar një kohë e gjatë e formësimit të strategjive hegjemoniste, sidomos nga ana e Rusisë, bota, ngadalë dhe padiktueshëm, po hynte në një fazë morbide fuqie, e cila tashmë po e zbehte konceptin e demokracisë liberale, si një kryeshtyllë e një paqeje të qëndrueshme, e një baraspeshe vlerash dhe lirish politike, të proklamuara nëpërmjet një sërë konventash ndërkombëtare.
Kjo botë, fatkeqësisht, ngadalë po shembet duke ia lënë vendin një bote shumë më kaotike, një bote që tashmë nuk dihet se si do ta ridimensionojë veten në ato ligjësi historike që vijnë ta pohojnë veten me pasiguri, me prapaskena të pashpjeguara dhe me një rrezik potencial për paqen e gjithmbarshme. Zaret janë hedhur, ndërkohë që bota gjithnjë e më tepër po bëhet multipolare, deri në atë pikë që ligji i më të fortit vendos për fatin e miliona njerëzve.
Për sa kohë me demokratët në pushtet në SHBA kishte një sinergji në kundërvënien ndaj agresionit rus, një solidarizim për t’i mbrojtur në një farë mënyre vlerat e paqes në raport me agresionin rus, me ardhjen e presidentit Trump në SHBA, dy vite më parë, duket se loja ndërkombëtare ka ndryshuar tërësisht.
Ne jemi tashmë dëshmitarë të përplasjeve të shumta edhe mes aleatëve tradicionalë perëndimorë, sidomos për sa i përket qasjes në arenën ndërkombëtare, që vjen dhe komplikohet dhe krijon kontradikta mes dy doktrinave, që e përjashtojnë njëra-tjetrën. Këto lëvizje tektonike, thënë kushtimisht, në botën perëndimore duket se kanë krijuar një keqkuptim të madh në perceptimin e realiteteve të reja globale, por edhe të doktrinave që imponohen lehtësisht përtej botës së djeshme, e cila minimalisht ruante një ide paqeje dhe progresi në gjithë rrafshin e skenës ndërkombëtare. Kjo botë tashmë duket e largët, ndërkohë që momente të reja në skenën ndërkombëtare determinojnë zhvillime të reja, dinamika politike dhe diplomatike, që mbeten jashtë asaj suaze institucionesh ndërkombëtare, që kultivonin një vizion multilateral mbi botën dhe kombet.
Multilateralizmi përballë multipolaritetit
Realisht, bota ndodhet në përplasjen më të thellë të mundshme, mes dy koncepteve, doktrinave, multilateralizmit, që nënkupton bashkëpunimin rreth vlerave të përbashkëta, dhe multuporalitetit, që karakterizohet nga ekuilibri i fuqive.
Në rrafshin teorik, sipas studiuesve, multipolariteti është një term strukturor-përshkrues që tregon ekzistencën e disa qendrave të fuqisë, disa “poleve”, në sistemin ndërkombëtar. Si i tillë, multipolariteti përbën një analizë të veçantë të shpërndarjes së fuqisë. Procesi që çon drejt multipolaritetit quhet multipolarizim, ndërsa politikat e projektuara për ta lehtësuar këtë proces quhen multipolarizëm. Modele të tjera të shpërndarjes së fuqisë përfshijnë bipolaritetin me dy blloqe të Luftës së Ftohtë, ku fuqia ishte e përqendruar mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, si dhe unipolaritetin, ku ekziston vetëm një pol kryesor i fuqisë, i përfaqësuar nga i ashtuquajturi “moment unipolar” i Amerikës në vitet 1990-të pas Luftës së Ftohtë.
Modeli i multipolaritetit që po shfaqet tashmë, sipas shumë teoricienëve, nuk ka të bëjë aq me aleanca të fiksuara dhe të përhershme. Përkundrazi, ky multipolaritet pas Luftës së Ftohtë përfshin aleanca të shpërndara dhe fluide, të përkohshme, që bashkohen rreth çështjeve të ndryshme dhe me kapacitete të ndryshme fuqie përgjatë spektrit të fuqisë së fortë dhe asaj të butë. Megjithatë, multipolariteti ruan kuptimin bazik strukturor, duke treguar një shpërndarje të diferencuar të fuqisë brenda dhe përtej sistemit ndërkombëtar, me qendra të reja fuqie në ngritje.
Sigurisht, për ta kuptuar esencën e dy koncepteve dhe përplasjet e kohëve të fundit, mbetet shumë e rëndësishme që të jepet një lloj definimi edhe mbi temën, shfaqjen e multilateralizmit. Mund të thuhet se, në sferën politike, multilateralizmi mishërohet në detyrimet universalisht të pranuara të përfshira në Kartën e OKB-së, në dispozitat e traktateve ndërkombëtare dhe në të drejtën ndërkombëtare. Ndërkohë, multilateralizmi është më i lehtë për t’u përkufizuar në çështjet ekonomike, ku ai mbetet themeli mbi të cilin ndërtohen sistemet ndërkombëtare të financimit dhe tregtisë. Prandaj, sipas teoricienëve, mund të vërehet se kuptimi politik i multilateralizmit është mjaft i paqartë, ndërkohë që në fushën ekonomike multilateralizmi ka dëshmuar qëndrueshmërinë dhe forcën e tij.
Përpjekja për t’i sistemuar gjërat dhe për ta arritur një kuptim të qartë të multilateralizmit në Mijëvjeçarin e Tretë mbetet një sfidë që ia vlen të shqyrtohet.
Studiuesit theksojnë se multilateralizmi lindi si Feniksi, nga hiri i Lidhjes së Kombeve, dhe, më dhimbshëm, nga hiri i Luftës së Dytë Botërore ose, siç e quajnë disa, i luftës tridhjetëvjeçare të fundit. Ekziston gjithashtu një pranim i gjerë se multilateralizmi ishte një realitet edhe gjatë Luftës së Ftohtë.
Në kuptimin e përgjithshëm, multilateralizmi nënkupton rendin që synon drejtësi përmes rregullave, ndërsa multipolariteti është realiteti që shpërndan fuqinë, por jo domosdoshmërisht drejtësinë. Pa multilateralizëm, multipolariteti rrezikon të shndërrohet në konflikt permanent. Në aspektin e implikimit filozofik dhe politik multilateralizmi përfaqëson idealin e një rendi të drejtë. Së këndejmi, multipolariteti, pa multilateralizëm, rrezikon të kthehet në anarki të strukturuar, ku e drejta e të fortit e zëvendëson të drejtën e ligjit. Prandaj, aktualisht, gjithnjë e më tepër po problematizohet dilema a mund të mbijetojë multilateralizmi në një botë multipolare?
Tashmë siç mund ta shohim, SHBA-ja po merr një protagonizëm vendimtar në këtë botë gjithnjë e më multipolare, ndërkohë që zyrtarë të lartë amerikanë kanë folur mbi një doktrinë tjetër, e cila i përgjigjet pikërisht këtij realiteti të ndërkombëtar.
Shqiptarët në skenën e trazuar ndërkombëtare
Përtej pesimizmit të drejtë që mund të shfaqet, shqiptarët nuk janë më në rrethana, siç kanë qenë dikur pas Luftës së Dytë Botërore dhe në fillimet e demokracisë, as Shqipëria, as Kosova dhe as shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Përgjatë këtyre tre dekadave, shqiptarët tashmë e kanë konsoliduar protagonizmin e vetë shtetformues, politik dhe demokratik dhe janë në një fazë të afirmimit të vazhdueshëm të subjektivitetetit kombëtar në hapësirën ndërkombëtare.
Ky duket të jetë një proces i pakthyeshëm që, pavarësisht turbulencave të brendshme, apelon fuqishëm praninë rajonale, por edhe më gjerë. Rreshtimi gjeneral i shqiptarëve mbetet euro-atlantik dhe ka përqafuar tashmë vlerat e demokracisë perëndimore, gjithë atë suazë rrugëtimi, që i bën të jenë në sinkron me vlerat themelore të këtij orientimi substancial aleancash të qëndrueshme dhe funksionale. Shqiptarët nuk kanë problem me këtë orientim historik, me këtë rrugëtim substancial që ua përcakton edhe lëvizjen në skenën e madhe ndërkombëtare. Është ajo substancë historike, kulturore dhe politike që funksionon si plebishit i brendshëm për të qenë pjesë e hemisferës perëndimore, e aleancës me SHBA-në dhe BE-në.
Në këtë kuptim, në gjithë këtë skenë ndërkombëtare, tashmë tepër të komplikuar, shqiptarët nuk duhet ta shohin veten vetëm si spektatorë të një bote në krizë, në transformim e sipër, por, përkundrazi, duhet të shfaqen si aktorë që, duke u mbështetur te konsolidimi i brendshëm, vlerat demokratike dhe aleancat strategjike, do të kontribuojnë për një prani të vazhdueshme që ndërlidhet me stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar. Për shqiptarët, sfida e së ardhmes nuk nënkupton mbijetesën pasive në një skenë të komplikuar dhe të vrazhdë ndërkombëtare, por, përkundrazi, duhet përhershmërisht të afirmojnë një rrugë të qartë të pjesëmarrjes aktive dhe të qëndrueshme në një rend global që po ridimensionohet, duke ruajtur gjithmonë ekuilibrin mes interesit kombëtar dhe vlerave universale.
Ky proces i afirmimit dhe përgjegjësisë historike, krahas aleancave dhe orientimit euro-atlantik, i vendos shqiptarët në një pozitë strategjikisht të favorshme, që ripohon praninë si popull, por edhe i jep shtysë një protagonizimi aktiv në përputhje me vlerat demokratike tashmë të afirmuara pandalshëm në këtë proces transponomi të gjithanshëm, që po shënohet me pasiguri dhe me shumë të panjohura.
Kultivimi i pandërprerë i orientimit euro-atlantik, mbetet detyrë jo vetëm e klasës politike, por edhe e gjithë aktorëve tjerë relevantë shoqërorë, të cilët me trajtimet e tyre, me shqyrtimet e vëmendshme dhe me përgjegjësinë politike dhe historike mund të krijojnë kohezionin e nevojshëm shqiptar për të mbarështruar një guidë kombëtare që përfshin brenda vetes dinjitetin, bashkëpunimin dhe vizionin për të përforcuar praninë në një botë që po ridimensionohet. Kur orientimi mbetet i shënuar, rrugëtimi bëhet me më pak vështirësi. Sfidat do të ketë gjithnjë, por një rrugëtim i menduar ofron qetësi, siguri dhe vullnet për të lëvizur përpara në një botë me shumë të panjohura.
Shqiptarët i kanë gjithë kapacitet që edhe në këtë fazë të brishtë ndërkombëtare ta ruajnë të palëkundur orientimin e vetë të pacenueshëm. Historia e dhimbshme ua ka dhënë shqiptarëve leksionin e fortë të qëndresës, të vizionit dhe të afirmimit të vlerave më të mira, që mund të mbijetojnë pa diskutim edhe në një botë të trazuar të pagëzuar tashmë si multipolare.









