Suksesi i një sistemi post-totalitar varej nga aftësia e prijësve të rinj politikë për t’i zëvendësuar strukturat e ish-regjimit. Në disa vende, kjo ndodhi menjëherë, duke çuar në përparime të shpejta, ndërsa në vende të tjera vazhdon “faza kalimtare”. Sepse ende kemi politikanë me mendësi autoritare, që ngulmojnë ta ruajnë gjendjen e ngrirë në shoqëri.
Salajdin SALIHU, Tetovë
Rënia e Murit të Berlinit shënoi fillimin e fundit të sistemit komunist dhe të Luftës së Ftohtë, duke hapur kapitull të ri për kombet e Europës Qendrore dhe Lindore. Disidenti polak, Adam Michnik,, vitin 1989 e quajti “annus mirabilis” (viti i mrekullisë), sepse në këtë vit filloi rrënimi i sistemit që mëtonte ta kontrollonte jo vetëm mendjen, por edhe shpirtin; jo vetëm vetëdijen, por edhe ndërdijen njerëzore.
Për rënien e sistemeve shtetërore komuniste ndikuan shumë lëvizje disidente kulturore e politike. Disidentët, që u vranë ose vuajtën nëpër burgje, e ruajtën zjarrin e dyshimit. Veprimtaria e tyre na kujton poezinë e Kadaresë “Në natën plot acar”, që lexohet si refuzim estetik kundër diktaturës. Është poezi ku paraqitet një botë e akullt, e acartë dhe e mbyllur, si aludim për botën komuniste. Në gjendjen e ngrirë nuk lejohet tjetërmendësia, por mediokritizimi i gjeniut. Imponohet njëllojshmëria dhe dënohet kreativiteti dhe origjinaliteti. Në botën ku ngrin e vdekëron gjithçka, individi i ngjan Prometeut. Ai tenton ta mbajë ndezur zjarrin e dyshimit, edhe pse duhet të paguajë çmim të shtrenjtë jetësor. Si në një legjendë shqiptare, gjeniu i hedh gjymtyrët në zjarr. Por, pasi nuk mjaftojnë për ta mbajtur ndezur zjarrin e dyshimit, hedh edhe copëza shpirti, për sa kohë, në botën e errët, këtë zjarr duan ta shuajnë “dikush me ligësi e me padije dikush”. Ndërkaq, ata të botës së lirë, ku ngado ndrisin zjarret, nuk e kuptojnë “se ç’fli kërkon një flakëz që lindet në një terr”.
Shpërfytyrimi i njeriut nga sistemi
Sistemet shtypëse, pavarësisht nga vigjilenca dhe terrori që ushtrojnë, vjen dita kur shkatërrohen, qoftë për shkak të konflikteve të brendshme ose presioneve nga jashtë. Megjithatë, ndryshimi i vetëdijes së njerëzve, që kanë jetuar nën atë regjim, është proces afatgjatë dhe i ndërlikuar. Përderisa nuk ndryshon vetëdija dhe nuk krijohen ideale të reja, sistemi mbetet i pandryshuar në thelb. Ai vazhdon të drejtohet nga ata që Branko Merxhani i quajti “vagabondët e historisë”.
Sistemet totalitare jo vetëm e robëruan, por edhe e shpërfytyruan njeriun. Shpërfytyrimi i njeriut nga sistemi shtypës është përshkruar në shumë vepra letrare ku trajtohet tema e diktaturës. Ky sistem, siç përshkruhet në veprën Dervishi dhe Vdekja nga Mesha Selimoviqi, e shpërfytyron edhe njeriun më të ndershëm dhe më të devotshëm sapo bëhet ingranazh i tij. Ky sistem e krijon “mendjen e robëruar”. Mbijetesa sigurohet nëpërmjet hipokrizisë, përshtatjes dhe servilizmit.
Mbetjet e një regjimi totalitar ndikojnë edhe në rendin e ri politik dhe mëtojnë ta ruajnë pushtetin në forma të ndryshme, veçmas nëpërmjet përshtatjes me realitetin e ri, ngjashëm si në filmin shqiptar Vdekja e kalit, ku persekutori bëhet mbartës i “proceseve demokratike”, kurse i persekutuari varet nga vendimet e persekutorit. Kjo gjendje na kujton vargjet e Dritëro Agollit: “S’gjen dhimbje më të madhe në ke parë, / Njerinë e ndershëm në mjerim e vaj, / tek lutet i përulur, zemërvrarë / dhe ndihmë e shpresë pret nga maskarai!”.
Maskimi
Suksesi i një sistemi post-totalitar varej nga aftësia e prijësve të rinj politikë për t’i zëvendësuar strukturat e ish-regjimit. Në disa vende, kjo ndodhi menjëherë duke çuar në përparime të shpejta, ndërsa në vende të tjera vazhdon “faza kalimtare”. Sepse ende kemi politikanë me mendësi autoritare, që ngulmojnë ta ruajnë gjendjen e ngrirë në shoqëri. I përjashtojnë ata që nuk mendojnë sipas kodeve partiake, kurse njerëzit e aftë i zëvendësojnë me partizanë partiakë që u bindën urdhrave të tyre.
Sipas një filozofi, në shoqëritë totalitare përherë ekziston një vetëdije para-totalitare, e pakontaminuar nga helmet e ideologjisë totalitare. Megjithatë, edhe në shoqëritë post-totalitare ekziston vetëdija totalitare. Prijësit me këtë vetëdije, pavarësisht nga përshtatja, besojnë se e zotërojnë “të vërtetën absolute”. Sipas Romain Rolland-it, është i pamundur diskutimi me ata që pretendojnë se e zotërojnë të vërtetën. Ata janë vetëdashës. Pavarësisht si deklarohen, nuk e pranojnë shumësinë e mendimeve, qasjeve, vizioneve dhe ideve. Zakonisht shërbehen me gjuhë të varfër, me gjuhë parullash. Dhe, pasi besojnë se e zotërojnë “të vërtetën absolute”, ata, po patën mundësi, bëjnë gjithçka në emër të kësaj të “vërtete”.
Sfidat e sistemit post–totalitar
Sistemet post-totalitare u përballën ose vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha gjatë tranzicionit drejt demokracisë. Një sfidë ishte dekomunistizimi i shoqërisë, pra ndarja e plotë nga ish-regjimi, që nënkupton edhe ndalimin e simboleve ideologjike. Sot ende ka rrugë, sheshe e institucione që mbajnë emrat e prijësve komunistë. Ka institucione me emrin e Titos ose Mosha Pijades. Si domosdoshmëri ishte edhe rehabilitimi i të burgosurve politikë. Sipas Predrag Matvejeviç-it, “pa rehabilitim nuk ka shoqëri të lirë”. Nëse i referohemi Kunderës, kështu harresa triumfon mbi kujtesën.
Në shoqëritë post-totalitare ndodhi edhe privatizimi i shpejtë dhe i dyshimtë, që krijoi oligarkë, kryesisht nga strukturat e ish-regjimit; kishte korrupsion dhe krim të organizuar; institucione të partizuara, përplasje politike e etnike, gjyqësor të varur, mungesë të kulturës së debatit etj.
Në sistemet demokratike duhet respekti edhe për kundërshtarin politik. Gjuha, në vend se të përdoret si “mjet” acarimi dhe keqkuptimi, duhet të përdoret si “mjet” debati për zgjidhjen e problemeve esenciale, që janë në dobi të qytetarëve. Për të gjitha këto nevojitet një vetëdije të re qytetare e politike.









