Në aktin themelues të Partisë Demokratike nuk përmendej në asnjë rresht “dekomunistizimi” i vendit. Në praktikë u mundësua sharja dhe mallkimi në publik i komunizmit, i bëmave të tij dhe njerëzve kryesor që e udhëhoqën regjimin diktatorial. Ndërmjet tre shtyllave kryesore të trashëgimisë komuniste totalitare: persekutimit dhe krimeve politike, shkatërrimit të pronës private dhe ndalimit të lirisë së besimit, vetëm kjo e fundit, që lidhej me sferën shpirtërore dhe ishte disi e vështirë të kooptohej nga njerëzit e regjimit, u la disi mënjanë prej tyre.
Elton HATIBI, Tiranë
Tridhjetë e pesë vjet më pas është më e lehtë t’i rishikosh ngjarjet e dhjetorit 1990-të. Përtej kujtimeve dhe ndjesive personale, shumëçka është e dukshme edhe nga jetëgjatësia e disa vendimmarrjeve që burojnë nga fryma e ndryshimeve demokratike, si dhe nga karriera e ngrohtë e disa eksponentëve politikë, që rrugëtimin e tyre publik nisën ta konsolidonin pikërisht në këtë stinë politike. Kjo kohë e gjatë, që përkon pikërisht me më shumë se një të tretën e një shekulli, sjell pashmangshëm për çdokënd një reflektim të qetë për këtë përvojë të demokracisë shqiptare dhe sidomos të rrënjëve të saj. Përvojat, leximet, interesa dhe përfshirjet individuale i determinojnë edhe përfundimet e cilitdo për realitetin e shkëndijës që i dha jetë demokracisë shqiptare. Shumë fakte dhe dëshmi janë publikuar për ngjarjet e dhjetorit ’90-të e muajt në vazhdim, dëshmi dhe fakte që vijojnë dhe publikohen çdo vit kur afron dimri. Megjithatë, ende nuk ka një tekst të mirëfilltë shkencor, me dëshmi të gjera dokumentare, që të vendosë ngjarjet, dinamikat dhe individët e përfshirë, në një kontekst të plotë dhe solid, për t’i sjellë publikut një histori gjithëpërfshirëse dhe realiste të kësaj ndodhie me ndikim të madh për shqiptarët. Kundrejt saj do t’i qasemi me të dhënat konvencionale të deritanishme, siç është bërë tash e shumë vjet.
Ngjarjeve të dhjetorit të vitit 1990-të u kishte paraprirë një vit i trazuar, i pazakontë në aspektin politik, i shtrirë kryesisht në disa qytete të vendit. Të frymëzuar nga ajo që po ndodhte në Europën Lindore, filluar me rënien e Murit të Berlinit dhe, sidomos, nga revolucioni dramatik në Rumani, në Shkodër u organizua një demonstratë e heshtur në qendër të qytetit. Arrestimet, represioni dhe torturat brutale rënduan mbi organizatorët e kësaj demonstrate pionere. Në mars, e njëjta skenë do të shfaqej në qytetin e Kavajës, kësaj radhe në stadiumin e qytetit, ku organizatorët kishin mundësi të shfrytëzonin grumbullimet e tifozëve. Edhe këtu kundërpërgjigja e regjimit ishte e ngjashme si në rastin e Shkodrës. Edhe në ngjarje të tjera, më minore, përgjigjja e regjimit ishte ajo që i shëmbëllente natyrës së saj ideologjike. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, megjithëse regjimi kishte hyrë në një fazë të re, në raport me çdo fije opozitarizmi që shfaqej kishte mbetur i njëjtë në thelb. Këtë karakter kriminal e shprehu vendosmërisht kur ekzekutonte të rinjtë shqiptarë që përpiqeshin të kalonin “paligjshëm” kufirin shtetëror. Përveç natyrës së regjimit, kjo sjellje i dedikohej dhe jetëgjatësisë së tij në pushtet. Në gati pesëdhjetë vjet, shqiptarët ishin indoktrinuar dhe depersonalizuar në atë shkallë, sa askush, veç ndonjë të çarturi, nuk guxonte t’i kundërshtonte publikisht politikat ose narrativat e regjimit. Sakaq, brezi që kishte lindur dhe kishte kaluar jetën në qeverisjen komuniste, i izoluar dhe pa njohuri për zhvillimet demokratike në Perëndim ose gjetkë, mund të konsiderohej jashtë kualifikimit në përballjen dhe sfidat kundrejt regjimit. Të vetmit që i njihnin sistemet politike dhe ekonomike moderne dhe që rregullisht i vizitonin vendet e huaja, duke pasuruar eksperiencat e tyre personale dhe profesionale, ishin funksionarë të regjimit, intelektualë dhe specialistë në shërbim të tij. Në këtë rrugëtim drejt demokratizimit të pashmangshëm të vendit, kundërshtarët e regjimit kishin epërsi morale dhe vullnet për ndryshim, ndërsa burokracia e stërfryrë dhe e politizuar, e kompromentuar në shkallë të gjerë në shërbim të diktaturës, si epërsi kishte njohuritë strukturore për gjendjen social-ekonomike në vend, si dhe një ekspertizë të mirë për çfarë ndodhte jashtë vendit.
Një pjesë e intelektualëve u përpoq të artikulonte duke belbëzuar nevojën për reforma, gjithnjë në shërbim të ruajtjes së pushtetit të Partisë së Punës. Tema, si të drejtat e njeriut, për raste rrahjesh apo dhe plagosjesh ndaj qytetarëve të thjeshtë dhe, sidomos, tema e pluralizmit të mendimit, sipas tyre do t’i shërbenin demokratizimit të mëtejshëm të Partisë dhe lehtësimit social-ekonomik në vend. Këto “kritika” të brendshme u orkestruan pasi regjimi u shkund nga ngjarjet e ambasadave, ku mijëra qytetarë u strehuan në ambientet e ambasadave të vendeve perëndimore në Tiranë, kryesisht në atë të Republikës Federale Gjermane, ku ndodhën dhe ngjarjet më dramatike të këtij episodi antiregjim në Shqipëri. Si pasojë e numrit të lartë tej kapaciteteve të ambienteve të ambasadës (rreth tre mijë persona) dhe në kushtet e një moti të nxehtë, regjimi shkëputi për disa ditë furnizimin me ujë të pijshëm dhe tubacionet e ujërave të ndotura, me qëllim që të sillte kolapsin infrastrukturor dhe humanitar të ambasadës dhe të shkaktonte daljen e azilantëve nga ambientet e saj. Pas ikjes së azilantëve drejt vendeve pritëse, në Tiranë u konsumua një manifestim turpi, ku regjimi, përmes funksionarëve dhe intelektualëve të saj, dënoi publikisht këta “renegatë” të komunizmit.
Si pasojë e këtyre ngjarjeve që i paraprinë dhjetorit ‘90, pavarësisht natyrës së saj ideologjike ekstremiste, në Partinë e Punës u përvijuan dy rryma – sjellje politike, ajo reformiste dhe konservatore. Te reformistët e kësaj periudhe, që më pas do ta themelonin organizatën e parë opozitare, Partinë Demokratike, bënin pjesë intelektualë të rinj profesionistë, të cilët nuk kishin në shpinë “mëkatet” e rënda të pushtetit totalitar shqiptar. Ata ishin të gatshëm të përfshiheshin në çdo zhvillim të mundshëm që do ta gjykonin të favorshëm për situatën dhe karrierën e tyre politike. Ndërkaq te konservatorët përfshiheshin funksionarët e lartë dhe pushtetmbajtësit zyrtarë të diktaturës dhe sidomos autoritetet ushtarake dhe vendimmarrësit e represionit. Një pjesë e tyre kishte ngjitur shkallët e karrierës duke treguar zell në spastrimet e herëpashershme në Parti dhe duke recituar vrazhdë parullat ideologjike, që ishin ngjizur që në të gjallë të idhullit të tyre, diktatorit të vdekur. Pa ndonjë përvojë politike që vjen nga leximet e pavarura, ndërkaq, produkte politike të përzgjedhjes me kriterin e besnikërisë së verbër, shumica e kësaj hierarkie ishte e paaftë për të marrë vendime të guximshme ose për të parashikuar politikisht projeksionet e ardhshme të shoqërisë dhe ekonomisë.
Siç dhe është përsëritur gjerësisht nga protagonistët, revolta e studentëve për kushtet e mjera të akomodimit, shumë shpejt precipitoi në një pakënaqësi të hapur ndaj regjimit. Pas demonstratës së datës 8 dhjetor, ku studentët u rrahën me shkopinj sapo guxuan të dalin nga lagjja e tyre studentore, që solli dhe një solidarizim nga qytetarët e pranishëm dhe kompaktësoi vendosmërinë e tyre të mëtejshme, shumë shpejt ambienteve të tyre iu bashkëngjitën intelektualët e Tiranës. Shumë prej tyre ishin të mirënjohur për publikun si profesionistë dhe me kontribut të gjerë shoqëror. Por, siç ndodh rëndomtë në regjimet totalitare, pjesa dërrmuese, përveç talentit edhe dhuntive, që nuk mjaftojnë të vetme, karrierën e tyre profesionale e siguronin në sajë të një mase mbështetje ndaj regjimit. Si rregull, sa më larg dhe periferik ndaj pushtetit, aq më e madhe përkrahja dhe mbështetja ndaj regjimit. Sakaq, ata të talentuar, pinjollë të familjeve të nomenklaturës komuniste, e kishin të panevojshme shfaqjen e mbështetjes së zellshme ndaj regjimit. Një pjesë e tyre, pikërisht këtë pushtet të dhënë me status që në lindje, e humbnin atë, kur dhe familjarët e tyre të pushtetshëm spastroheshin në fushatat e shpeshta që ndërmerrte udhëheqësi në aparatin e partisë.
Studentëve të vendosur në sipërmarrjen e tyre të pazakontë, u duhej statusi dhe ekspertiza e profesorëve dhe e intelektualëve të tjerë që iu bashkëngjitën lëvizjes. Megjithatë, për shkaqe ende të pasqaruara shterueshëm, pasi të dhënat jo të plota vijnë nga protagonistët e kohës, katër ditë nga fillimi i protestës dhe pesë ditë më herët nga ligjërimi zyrtar i pluralizmit politik, u bë mbledhja themeluese e partisë së parë opozitare, që u pagëzua me emrin Partia Demokratike. Në mbledhjen themeluese të partisë, numerikisht, intelektualët dominonin ndaj studentëve që kishin nisur revolucionin. Ky do të ishte dhe një nga shkaqet që një pjesë e studentëve doli shumë shpejt nga radhët e partisë së re. Shpejtësia e menjëhershme për të themeluar një organizatë opozitare, kur ende nuk ishte e ligjshme, kur ishte shkëputur vetëm si premtim gojor nga presidenti komunist, ngre një hije dyshimi për këtë vendimmarrje historike. Për një analogji kontekstuale, për ta kuptuar më mirë situatën, organizimi i ceremonive të para fetare u kryen në nëntor të ’90-tës, disa muaj më vonë nga data e lejimit me ligj të lirisë së besimit. Regjimit nuk i besohej aspak, edhe kur premtonte, edhe kur “lehtësonte” ligjet dhe rregullat. Edhe në rastin e vrasjeve në kufijtë e vendit, rinia që synonte arratisjen ishte gënjyer pikërisht nga lehtësimi ligjor i kësaj vepre, që tashmë konsiderohej kundërvajtje, por në të vërtetë, ndryshe nga çfarë parashikonte ligji i ri, regjimi lëshoi plumba mbi qindra të pafajshëm. Duke u kthyer te themelimi i opozitës së parë në Shqipëri, siç dhe disa protagonistë e përsërisin si dëshmi çdo prag dhjetori, një pjesë e themeluesve të kësaj partie ishin interlokutorë mes studentëve dhe autoriteteve të larta të regjimit. Pasi mblidheshin dhe diskutonin me studentët, shkonin menjëherë në zyrat e Partisë së Punës dhe negocionin ose raportonin për gjendjen në terren dhe mënyrën se si duhej vazhduar më tej. Pjesa më e madhe e tyre, gjithashtu, kishin lidhje organike më regjimin, pasi familjarë të tyre ishin ose kishin qenë funksionarë të niveleve të mesme të regjimit, ndërsa disa themelues ishin ende anëtarë aktivë ose hierarkë të Partisë së Punës.
Njëri prej tyre, për t’i dhënë ngjyresë ilustrimit, Gramoz Pashko, një profesor ekonomie në Universitetin e Tiranës, ishte djali i dy ish-funksionarëve të lartë të Partisë së Punës. Edhe mbledhja themeluese e Partisë Demokratike u realizua pikërisht në shtëpinë e Pashkos, ndoshta si një garanci për të qetësuar konservatorët e çorientuar të regjimit. Ky personazh politik, nëntë muaj përpara se të bashkëthemelonte Partinë Demokratike, çuditërisht ishte anëtarësuar në Partinë e Punës, pikërisht kur regjimi kishte filluar të kishte problemet e para serioze në një gjysmë shekulli ekzistencë. Në intervistat e tij publike, para ngjarjeve të dhjetorit, Pashko i konsideronte të ekzagjeruara pretendimet se Shqipëria ndodhej në një krizë ekonomike, por disa muaj më vonë, kur dhe u emërua zëvendëskryeministër i vendit, në një koalicion me Partinë e Punës, ai ndërmori “reforma” ekonomike sipas parimit të “terapisë së shokut” (shock therapy) me arsyetimin se ekonomia e vendit ishte në kolaps të plotë. Gjatë kësaj qeverisje vjen si produkt dhe reforma famëkeqe e tokës, e votuar unanimisht në parlament, në gushtin e vitit 1991, kur komunistë dhe “antikomunistë” i bashkuan votat për t’i dhënë vendit ligjin leninist më jetëgjatë në Shqipëri. Në fakt, Pashko e kishte propozuar si filozofi ligji këtë formulë të ndarjes së tokës bujqësore në bazë të “frymëve të fshatarëve”, që në shkurtin e vitit 1991, në një artikull të publikuar në “Rilindja Demokratike”. Për naivët e shumtë, këto deklarata interpretoheshin si joshje për votuesit e fshatarësisë, e cila ishte e shumtë në numër, në prag të zgjedhjeve të para, formalisht shumëpartiake, të marsit që po vinte. Këto “reforma ekonomike”, si kjo e tokës dhe ajo e privatizimeve që e bashkëshoqëroi, në dukje në frymën e ekonomisë liberale të tregut, ishin në thelb reforma eksperimentale radikale në dobi të njerëzve të regjimit. Garda e vjetër e regjimit, e cila përpëlitej nëpër kolltukët e pushtetit, nuk ishte e aftë të ndërmerrte akte të tilla, që në thelb ishin në favor të njerëzve të tyre.
Në aktin themelues të Partisë Demokratike nuk përmendej në asnjë rresht “dekomunistizimi” i vendit. Në praktikë u mundësua sharja dhe mallkimi në publik i komunizmit, i bëmave të tij dhe njerëzve kryesor që e udhëhoqën regjimin diktatorial. Ndërmjet tre shtyllave kryesore të trashëgimisë komuniste totalitare: persekutimit dhe krimeve politike, shkatërrimit të pronës private dhe ndalimit të lirisë së besimit, vetëm kjo e fundit, që lidhej me sferën shpirtërore dhe ishte disi e vështirë të kooptohej nga njerëzit e regjimit, u la disi mënjanë prej tyre. Në dy të tjerat, Partia Demokratike, si forca e parë antiregjim, por jo antikomuniste, nuk ndërmori asnjë nisëm serioze për ta zhbërë këtë trashëgimi. Partia e Punës dhe regjimi që ajo kishte ngritur, ishte një organizëm i gjallë dhe i stërmadh, por që nuk lëvizte dot nga obeziteti i verbër që e kishte rritur prej shumë vitesh. Sakaq, ky organizëm i frikshëm në qenie, por tashmë kaotik në sjellje, përveç shoqërisë së gjerë shqiptare kishte bllokuar me gjymtyrët e tij dhe pjesët vitale të vetë regjimit, të cilët e dinin se, po të rrëzohej regjimi në gjendje të lirë, do t’i dëmtonte rëndë edhe ata. Prandaj, më të guximshmit, si në historinë e Odiseut me Polifemin, duhej të verbonin syrin e përbindëshit, për të mundësuar daljen nga shpella të të gjithëve, të pjellave dhe viktimave të Polifemit. Pjella e tij, që verboi syrin e plakur, doli e para nga shpella, duke u kacavjerrë pas gjinjve të begatë të dhenve që administronte Polifemi. Të tjerët dolën, gjithashtu, së bashku me ndonjë copë leshi me vete, nga ato të dhenve që u ikën nga duart, nën kërcënimin e shtypjes nga lëngata e përbindëshit. Disa të tjerë mbetën brenda, kur dera e shpellës u zu përfundimisht nga trupi i regjimit. Një Shqipëri e re lindi gërmadhash.









