loader image
November 25, 2025

Zotëruesi i situatave

Dimë se Ismail Qemali bëri karrierë të spikatur në Perandorinë Osmane. E pranoi se pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar duke i shërbyer me besnikëri Perandorisë. Por, ai dha një kontribut të çmuar edhe për çështjen shqiptare, veçanërisht për themelimin e shtetit shqiptar, që është ngjarja më madhore në historinë tonë.

Salajdin SALIHU, Tetovë

Ka ngjarje e figura kombëtare që pothuajse janë harruar, sepse historia bën një përzgjedhje, por kurrë nuk do të harrohet Ismail Qemali, i cili më 28 nëntor 1912 ngriti në Vlorë flamurin me shqiponjën dykrenore, duke e shpallur Themelimin e Shtetit Shqiptar. Mjafton vetëm ky akt që emri i tij të mbetet i pavdekshëm.

*          *          *

Shumica e shqiptarëve e kanë krijuar një perceptim për Ismail Qemalin nëpërmjet filmit “Nëntori i dytë”, ku paraqitën ditët e fundit para shpalljes së Pavarësisë. Në film, Ismail Qemali shfaqet si plaku i urtë, i përkorë, i guximshëm, të cilit historia ia ka ngarkuar misionin më të rëndësishëm: krijimin e shtetit shqiptar. Sipas skenarit, flamurin e Pavarësisë e qëndisi Marigo Posio. Por, Eqrem bej Vlora dëshmon në kujtimet e tij se flamurin ia kishte dorëzuar në Paris don Aleandro Kastrioti.

Regjisori ose shkrimtari mund të sajojnë ngjarje e personazhe për qëllime estetike. Qëllimi i tyre nuk është e vërteta historike. Ata huazojnë nga tryeza e historisë aq sa u nevojitet. Historiani bazohet në fakte. Ai i analizon proceset dhe ngjarjet nga një kontekst më i gjerë. Në këtë kuptim, historiografia shqiptare nuk e ka thënë fjalën e fundit për jetën dhe veprën e Themeluesit të shtetit shqiptar.

*          *          *

Dimë se Ismail Qemali bëri karrierë të spikatur në Perandorinë Osmane. E pranoi se pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar duke i shërbyer me besnikëri Perandorisë. Por, ai dha një kontribut të çmuar edhe për çështjen shqiptare, veçanërisht për themelimin e shtetit shqiptar, që është ngjarja më madhore në historinë tonë. Megjithatë, kjo ngjarje madhore nuk është meritë e një njeriu. Ajo është rezultat i një procesi të gjatë dhe të shoqëruar me shumë mund e sakrifica, që i priu elita shqiptare.

*          *          *

Ismail Qemali, politikani me “sy të vegjël, inteligjent dhe plot shkëlqim”, siç e përshkroi më 1918 gazeta “EI Dia” e Madridit, u vlerësua, u lartësua, por edhe u kritikua ashpër.

Diplomatët e huaj e quajtën “ngatërrestar” dhe “skile politike”. Atdhetarët shqiptarë e kritikuan për raportin e tij me grekët. Faik Konica ishte shumë i ashpër. E quajti “plaku zemër-thatë e i vdekur nga çdo ndjenjë”. Mehmet Pashë Derralla, sipas një relacioni të diplomatit bullgar, Todor Pavllovit, ishte i pakënaqur me veprimet e Ismail Qemalit si kryeministër, sepse “i emëronte eprorët pa dijen e tij”.

Fan Noli e lartësoi Malon në poezinë “Hymni i Atdheut”.

Profesor Rexhep Qosja e vlerësoi si njërin nga politikanët shqiptarë më të suksesshëm në Perandorinë Osmane.

“Ai i kishte tri parakushte për sukses politik e shtetëror: e para, kishte prejardhje fisnike – çka shikohej shumë në atë kohë; e dyta, ishte aq i pashëm e përshtypjelënës në mesin e burrave të tjerë – çka nuk ishte e parëndësishme as atëherë, as më vonë; e treta, ishte aq mendjelartë sa të shquhej fort mes të shquarve – çka çmohet shumë gjithmonë.

Ai ishte modest dhe i dinjitetshëm, i vendosur dhe zemërgjerë, i guximshëm dhe i matur, gojëtar e largpamës. Gjykimi i tij i qartë, sjellja e tij e avashtë dhe shija e tij e sigurt e bënin sipëror dhe magjepsës personalitetin e tij. Me veprimin e tij të njësuar, ai ishte zotëruesi i situatave dhe, siç është thënë bukur për të, zotëria i kohës.

Në pozitë të lartë a pa të, i pasur a i varfëruar, i adhuruar a i shpërfillur, i mbrojtur a i dënuar, në Atdhe a në mërgim, ai ishte kudo e kurdo Ismail Qemal Vlora”, shënoi Qosja.

Ismail Kadare në librin “Mosmarrëveshja” e quajti Themeluesi, “i ndryshëm nga të tjerët”, që “kishte ardhur në këtë botë për të krijuar një shtet të ri”.

“Sipas dëshmive të shumta, qysh në kohën kur kishte qenë zyrtar tepër i lartë perandorak (anëtar i këshillit të shtetit, disa herë guvernator, e po aq herë diplomat i lartë e kryesues bisedimesh të hapta e të fshehta me Anglinë, Rusinë, Austro-Hungarinë etj.), ai tërhiqte vëmendjen e veçantë të Europës në kryeqytetin osman. Ministrat e jashtëm kërkonin me ngulm ta takonin, konsujt dërgonin raporte për të, britanikët, duke rrezikuar një acarim diplomatike me shtetin turk, ndihmonin haptas në arratisjen e tij përmes Bosforit”, shkroi Kadare dhe shtoi se Ismail Qemali ishte i pari që e shpalli pavarësinë e Shqipërisë, kryeministri i parë i Shqipërisë, por edhe kryeministri i parë shqiptar që dha dorëheqje nga ky post.

*          *          *

Ismail Qemali mbylli sytë përgjithmonë më 26 janar 1919 në Peruxha të Italisë. Larg shtetit që e themeloi. Iku i dëshpëruar nga kjo botë. Mbeti kënga:

“Unë jam Smail Qemali

Prapa më vjen historia.”

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X