Në këtë shkrim timin, kushtuar veprimtarisë së Fan Nolit, po publikojmë pesë dokumente diplomatike jugosllave, që flasin mbi negociatat e zhvilluar midis Qeverisë së Mbretërisë Shqiptare me Fan Nolin, të cilat kishin filluar në vitin 1937, për të vazhduar edhe gjatë vitit 1938. Në këto negociata, ku përveç ministrit fuqiplotë shqiptar në SHBA, Faik Konica, do të përfshihen edhe motrat e Mbretit Zog, përkatësisht tre princeshat shqiptare, të cilat gjatë muajit mars 1938 qëndruan në SHBA, me ç’rast, me ndërmjetësimin e drejtpërdrejt të Faik Konicës, kanë zhvilluar negociata me Fan Nolin, që ky i fundit të kthehet në Shqipëri dhe të udhëheqë me Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare.
Qerim LITA, Shkup
Siç vumë në dukje në numrin e kaluar, Qeveria Mbretërore Shqiptare, gjatë viteve të tridhjeta të shekullit të kaluar shprehu interes të veçantë për çështjen shqiptare nën pushtimin e Mbretërisë Jugosllave, në përgjithësi, e të Kosovës, në veçanti. Një politikë e tillë hasi në mbështetje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë edhe nga dy kundërshtarët më të fuqishëm politikë të Mbretit Zog I, Fan Noli dhe Hasan Prishtina. Ky i fundit, në një fjalim të mbajtur në dhjetor të vitit 1932 para kolonisë shqiptare në Stamboll, ndër të tjera, e akuzoi opozitën shqiptare, përkatësisht “Bashkimin Kombëtar” për orientimin i tij projugosllav. Lidhur me këtë, Ministria e Punëve të Jashtme e Jugosllavisë i shkruante konsullatës së saj së përgjithshme në Stamboll për sa më poshtë vijon: “Konsulli Mbretëror në Grac është informuar nga Qazim Koculi (udhëheqës i “Bashkimit Kombëtar” – Q.L.), emigrant në Grac, se nga miqtë e tij është informuar se në Stamboll, prej para dy muajve, ka arritur Hasan Prishtina, duke ardhur nga Parisi. Prishtina menjëherë ka bërë përpjekje ta tuboj koloninë shqiptare në një ligjëratë, ku e ka shqyrtuar pozitën e tanishme politike të Shqipërisë. Ndër të tjerash, Prishtina në atë ligjëratë ka vënë në dukje veçanërisht se opozita shqiptare e ka gabim orientimin e tanishëm kah Jugosllavia dhe se ajo do të duhet ta pranojë orientimin kah Italia, që do të ishte në dobinë më të madhe për kombin shqiptar. Ai shtoi se edhe pse është kundërshtar personal i Ahmet Zogut, ai është mik i Italisë, e kështu do të duhet të jenë edhe të tjerët”.
Po kjo ministri, me 10 janar 1934, njoftonte legatën e saj në Uashington, për një letër të Fan Nolit, dërguar Mbretit Zog, përmes së cilës ai e luste atë “t’i dërgoj 200 napolona” dhe leje për kthimin e tij në Shqipëri. Rrjedhimisht, ministri fuqiplotë jugosllav në Uashington, në letrën kthyese, i shkruante MPJ-së në Beograd, se ministri fuqiplotë shqiptar në SHBA, Faik Konica, “shumë shpesh udhëton për Boston” dhe atje qëndron me dhjetëra ditë. “Me siguri se qeveria shqiptare, përmes tij, bisedon me Fan Nolin”, shkruante ndër të tjerave ministri jugosllav nga Uashingtoni.
Tre vjet më vonë, përkatësisht gjatë viteve 1937-1938, këto burime diplomatike tashmë bënin me dije për një përmirësim të dukshëm të Mbretit Zog me Fan Nolin, saqë nuk përjashtohej mundësia që ky i fundit të kthehej në Shqipëri. Tërë kjo, sipas diplomacisë jugosllave, kishte ardhur falë përpjekjes së vazhdueshme të ministrit fuqiplotë shqiptar në SHBA, Faik Konica, i cili, siç thuhej, ishte “një italofil i madh” dhe i cili “nuk e lëshon rastin” për ta kritikuar Jugosllavinë, në mënyrë të veçantë serbët. Është për të ardhur keq se nga ana e disa “analistëve”, të cilët kanë një të kaluar të dyshimtë në historinë bashkëkohore, e të cilët me përjashtim të literaturës së ish regjimit komunist jugosllav dhe atij shqiptar, ku Mbreti Zog konsiderohej si “armik i popullit” nuk kanë lexuar asnjë rresht apo fjali për figurën e Ahmet Zogut, përpiqen ta njollosin këtë figurë shqiptare, e për të cilin tashmë kanë shkruar shumë studiues të njohur botërorë.
Në këtë shkrim timin, kushtuar veprimtarisë së Fan Nolit, po publikojmë pesë dokumente diplomatike jugosllave, që flasin mbi negociatat e zhvilluar midis Qeverisë së Mbretërisë Shqiptare me Fan Nolin, të cilat kishin filluar në vitin 1937, për të vazhduar edhe gjatë vitit 1938. Në këto negociata, ku përveç ministrit fuqiplotë shqiptar në SHBA, Faik Konica, do të përfshihen edhe motrat e Mbretit Zog, përkatësisht tre princeshat shqiptare, të cilat gjatë muajit mars 1938 qëndruan në SHBA, me ç’rast, me ndërmjetësimin e drejtpërdrejt të Faik Konicës, kanë zhvilluar negociata me Fan Nolin, që ky i fundit të kthehet në Shqipëri dhe të udhëheqë me Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Duke e pasur parasysh rolin e pakontestueshëm kombëtar të Federatës Panshqiptare “Vatra”, themelues i së cilës është pikërisht Fan Noli, e pamë të arsyeshme që në këtë shkrim të publikojmë edhe një raport të priftit jugosllav në Pitsburg, David Popoviq, në të cilin ai e përshkruan veprimtarinë e organizatave shqiptare në SHBA, në radhë të parë të “Vatrës” dhe të “Organizatës Progresive Shqiptaro-Amerikane”, dhe përpjekjet e tij dhe të diplomacisë jugosllave në SHBA, për përçarjen e kësaj të fundit, e cila, kohë më parë, katër fuqive të mëdha europiane u kishte dërguar një rezolutë, përmes së cilës ishte kërkuar që Kosova dhe Çamëria t’i bashkohen shtetit shqiptar. Dokumentet gjenden në Arkivin e Jugosllavisë (fondi 371).
* * *
1
Shkresa nr. 1 e MPJ-së së Mbretërisë Jugosllave, dërguar ministrit fuqiplotë në Uashington
“Ministria e Punëve të Jashtme Beograd, 8 qershor 1937
të Mbretërisë Jugosllave
Proc. Nr. 11347/IV
Lënda: Marrëdhëniet e Fan Nolit dhe Qeverisë Shqiptare
Ministrit Fuqiplotë në Uashington
Pas marrëveshjes së arritur me Patriarkatin Ekumenik për botimin e vëllimeve të Kishës Ortodokse Shqiptare, faktorët kompetentë shqiptarë kanë filluar të mendojnë se si munden ta paralizojnë ndikimin grek në kishë, pasi nga katër peshkopë tre janë me orientim të pastër grek, edhe pse të lindur në Shqipëri. Në luftën, e cila po paralajmërohet, rolin kryesor gjithsesi se do ta luajë mitropoliti Vasil Marko, që është udhëheqës i rrymës nacionaliste në Kishën Ortodokse Shqiptare, e i cili e gëzon besimin e Mbretit Zog. Vasil Marko konsideron se tash është më se e domosdoshme të kthehet Fan Noli në Shqipëri. Sipas Vasil Markut, Fan Noli fillimisht do të shërbejë për t’i frikësuar peshkopët grekë, e më vonë në momentin e përshtatshëm të vendoset në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare. Si duket, Mbreti Zog nuk është kundër këtij plani të Vasil Markut, megjithëse ende nuk e ka dhënë pajtueshmërinë përfundimtare për kthimin e Fan Nolit.
Sipas njoftimeve të marra, marrëdhëniet midis Mbretit Zog dhe Fan Nolit janë përmirësuar aq shumë, saqë nuk përjashtohet mundësia që Fan Nolit t’i mundësohet kthimi në Shqipëri.
Ministria e Punëve të Jashtme e lut Legatën Mbretërore që, në kufijtë e mundësive, të kuptojë dhe njoftojë për mendimin rreth kësaj çështjeje dhe qëllimin e Fan Nolit.
Me urdhër të Ministrit
për Kryeshefin e Dhomës Politike Këshilltari
(nënshkrimi i palexueshëm)”.
2
Shkresa nr. 2 e MPJ-së së Mbretërisë Jugosllave, dërguar ministrit fuqiplotë në Uashington
“Shkresë e MPJ-së së
Ministrisë së Punëve të Jashtme Beograd, 14 mars 1937
të Mbretërisë Jugosllave
Proc. Nr. 4872/IV
Lënda: Udhëtimi i princeshave shqiptare në Amerikë
Ministrit Fuqiplotë në Uashington
Ministria e Punëve të Jashtme posedon raport nga Korça se kolonia shqiptare në Amerikë nuk ka dashur të marrë pjesë në kremtimet e nëntorit me rastin e njëzet e pesëvjetorit. Ajo, aq më tepër, përmes ministrit shqiptar në Uashington e ka njoftuar Qeverinë se përderisa zgjat regjimi i tanishëm antikombëtar të Mbretit Zog ajo nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me Qeverinë Shqiptare.
Tash, pas marrëveshjes me Fan Nolin, ndikimi i të cilit ndaj kolonisë shqiptare në Amerikë është vendimtar, e përderisa janë ende atje, princeshat shqiptare do të mund t’u bëjnë vizitë kolonive kryesore shqiptare dhe do të krijojnë përshtypje se ata, me udhëtimin e tyre, kanë ndikuar në ndryshimin e qëndrimit të shqiptarëve të atjeshëm.
Ministria e Punëve të Jashtme ka nderin që të mësipërmen t’ia përcjell Legatës Mbretërore sa për njohuri.
Me urdhër të Ministrit për Kryeshefin e Dhomës Politike
Këshilltari
(nënshkrimi i palexueshëm)”
3.
Shkresa nr. 3 e MPJ-së së Mbretërisë Jugosllave, dërguar ministrit fuqiplotë në Uashington
“Ministria e Punëve të Jashtme Beograd, 16 mars 1937
të Mbretërisë Jugosllave
Proc. Nr. 4873/IV
Lënda: Udhëtimi i princeshave shqiptare në Amerikë
Ministrit Fuqiplotë në Uashington
Lidhur me aktin e vet Proc. Nr. 11347 nga 8 qershori i këtij viti, Ministria e Punëve të Jashtme ka nderin ta njoftojë Legatën Mbretërore se Kristaq Kirka, nënprefekt në Bilisht, se kah mbarimi i muajit shkurt është urdhëruar që në shoqëri me kolonel Aqif Përmetin të udhëtojë për Amerikë dhe nga atje ta sjellin në Shqipëri Fan Nolin. Nga kjo mund të konkludohet se me Fan Nolin është arritur marrëveshje për kthimin e tij në Shqipëri dhe se shkuarja e këtij delegacioni ka për qëllim ta mënjanojë përshtypjen se Fan Noli kthehet me vetiniciativë, si i penduar.
Ende nuk dihet se në cilat kushte kthehet në Shqipëri Fan Noli. Është e njohur se negociatat e mëhershme janë ndërprerë për arsye se Qeveria Shqiptare nuk ka dashur t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Fan Nolit t’i paguajë 20.000 dollarë për shkak të rregullimit të borxheve dhe t’i garantojë se do të vendoset për kryepeshkop të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Me urdhër të Ministrit për Kryeshefin e Dhomës Politike
Këshilltari
(nënshkrimi i palexueshëm)”
4.
Shkresë nga konsulli i përgjithshëm jugosllav në Boston, dërguar MPJ-së në Beograd, në të cilën përcillet shkrimi i revistës javore “Times” mbi qëndrimin në SHBA të princeshave shqiptare
“Proc. Nr. 98 28 mars, viti 1938
Lënda: Udhëtimi i princeshave shqiptare
Ministrisë së Punëve të Jashtme
Dhomës Politike, Beograd
Lidhur me udhëtimin e princeshave shqiptare në Amerikë dhe misionin e tyre te Fan Noli si dhe te emigrantët tjerë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, revista e këtushme javore “Times” në numrin e sotëm sjell si më poshtë vijon:
“Shqipëria, duke ngelur disa shekuj nën Turqinë ndërsa nga viti 1913 shtet i lirë, 69 për qind është myslimane. Ajo numëron edhe 100.000 katolikë dhe 200.000 ortodoksë. Përveç kësaj, në Shtete e Bashkuara ka 25.000 krishterë, prej të cilëve 10.000 në New-England (përkatësisht shtatë shtete në verilindje të SHBA-së) pjesëtarë të Kishës Ortodokse Shqiptare. Fan Stelian Noli është shok shkolle me humoristin Robert Bençlej, Hugo Dodisa, ambasadorin Josef P. Kenedi dhe Karmit Ruzveltin. Pa dyshim se Noli është i vetmi i cili në të njëjtën kohë është student i diplomuar në Universitetin e Harvardit, lojtar i aftë në hedhjen e gjyles (përkatësisht sport i ngjashëm me gurin në shpatull) dhe prej para 19 viteve peshkop ortodoks; sepse Fan Noli, duke e braktisur atdheun e vet derisa ka qenë ende nën Turqi, iu rrek punës për të organizuar kishë në Shtetet e Bashkuara, prandaj në vitin 1908 e shpalli vetveten për peshkop. – Viteve në vijim Noli jetoi herë në Amerikë e herë në Ballkan dhe në vitin 1924, në një periudhë prej 6 muajsh, qe kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Pasi qe detyruar të tërhiqet para lëvizjes revolucionare të Ahmet Zogut, mbretit të tanishëm Zog, ai një periudhë ngeli në Vjenë. Më pas u kthye në Boston, ku javën e kaluar e kanë vizituar princeshat shqiptare dhe motrat e Mbretit, të cilat kohë më parë kanë udhëtuar në Shtetet e Bashkuara. – Nëse këta princesha po gjuanin burra të pasur, siç është raportuar më parë, ato nuk kanë kapur asnjë deri më sot. Atëherë ato me siguri kanë ardhur këtu për të zgjidhur mosmarrëveshjen midis Nolit dhe vëllait të tyre. Me ndihmën e ministrit shqiptar në Uashington, Faik Konica, mikun e përbashkët të dy të mësipërmëve, princeshat shumë shpejt e kanë kryer misionin e tyre. Ministri Konica, peshkopi Noli dhe 3 princeshat janë takuar dhe kanë biseduar së bashku në hotelin “Ritc Çarllton” në Boston, ditën e dytë zonjat myslimane i kanë vizituar dy kishat shqiptare dhe së bashku me besimtarët janë lutur për Zotin për Mbretin Zog dhe për kombin shqiptar. Ministri Konica ua bëri me dije gazetarëve se Noli shumë shpejt mund të emërohet dekan i universitetit të ri që Mbreti Zog mendon ta themelojë. – Peshkopi modest dhe ish studenti i Universitetit të Harvardit “summa cum laude” ndaj kësaj deklaroi: ‘Unë nuk jam i denjë për një pozicion kaq të rëndësishëm’.
Duke e paraqitur këtë, Konsullata e Përgjithshme ka nderin ta informojë Ministrinë se sipas informatave qëllimi i udhëtimit të princeshave shqiptare është që, përmes Nolit, të ngrihet iniciativa që emigrantë e këtushëm të pasur, ta ndihmojnë financiarisht Shqipërinë dhe kthimin e tyre eventual në atdhe”.
5.
Letër e ministrit fuqiplotë jugosllav në Uashington mbi qëndrimin e princeshave shqiptare në SHBA dhe negociatat e zhvilluara me Fan Nolin
“Proc. Nr. 212 5 prill, viti 1938
Lënda: Udhëtimi i princeshave shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Ministrisë së Punëve të Jashtme
Dhomës Politike, Beograd
Lidhur me aktin e asaj Ministrie Proc. Nr. 4872/IV nga 14 marsi të këtij viti dhe Proc. Nr. 4873/IV nga 16 marsi të këtij viti, Legata Mbretërore ka nderin t’u raportojë se, sipas njohurive, udhëtimi i princeshave shqiptare si qëllimin kryesor e ka pasur pajtimin e Oborrit Mbretëror Shqiptar me peshkopin Fan Nolin.
Siç është e njoftuar Ministria, Fan Noli jeton, prej se gjendet në emigracion, në Boston, ku ka një koloni më të madhe shqiptare. Ai është një student i diplomuar në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka miqësi të shumta në mesin e personaliteteve të këtushme të shquara.
Princeshat shqiptare, të shoqëruara nga ministri plotfuqishëm i këtushëm shqiptar Konica, e kanë vizituar Fan Nolin në Boston, ku kanë marrë pjesë në meshën që e ka mbajtur vetë Fan Noli. A është arritur marrëveshje që Fan Noli të kthehet në Shqipëri, kjo nuk i është e njohur Legatës. Mirëpo, duke gjykuar sipas lajmeve të cilat me siguri se me sugjerimin e ministrit Konica janë publikuar në gazetat e këtushme, si duket është arritur marrëveshje që me siguri se do të ketë jehonë në qarqet e këtushme shqiptare.
Shtypi i këtushëm, natyrisht, e shfrytëzoi këtë rast për ta lidhur këtë udhëtim, në një mënyrë thjeshtë amerikane, me martesën e princeshave shqiptare me amerikanë të pasur. Por, këto lajme menjëherë qenë demantuar dhe princeshat, me rastin e qëndrimit të tyre këtu, kanë jetuar në mënyrë shumë të tërhequr dhe thuajse nuk kanë dalë fare në shoqëri. Vetëm, gruaja e Presidentit Ruzvellt i ka ftuar në një çaj jozyrtar, mirëpo me atë rast nuk qe zhvilluar as çfarë pranimi e as që ato janë pranuar si anëtare të një shtëpie të huaj qeveritare.
I deleguari Konsatatin Potiç d.v.”
6.
Raport i priftit serb në Pittsburg, David Popoviq, mbi historikun e Federatës Panshqiptare “Vatra”, mbi përçarjen e saj në dy organizata të veçanta, mbi themelimin e “Organizatës Progresive Shqiptaro-Amerikane” dhe të organizatës “Bleta”, mbi rolin përçarës të bashkëpunëtorit të tyre, Bogdan Dimitrijeviç etj.
“Pitsburg, 5 janar 1939
Zoti ministër,
Me kërkesën Tuaj nga 30 nëntori, vitin e kaluar, kam nderin, Zoti ministër, kësaj radhe t’jua dërgoj raportin për organizatat e këtushme shqiptare:
Shqiptarët në Amerikë organizatën e parë të tyre e kanë themeluar nën emrin “Vatra” në vitin 1907, me seli në Boston. Nismëtar dhe themelues i asaj organizate ka qenë Fan Noli, peshkopi aktual ortodoks shqiptar i këtushëm. Ajo ka pasur degët e veta në të gjitha kolonitë shqiptare. Anëtarët në emër të anëtarësisë kanë paguar nga 5 dollarë në muaj; tre dollarë në emër të anëtarësisë dhe 2 dollarë për organin e shoqërisë “Dielli”, i cili ka dalë në Boston.
Nga Llufta Ballkanike “Vatra” ka zhvilluar një veprimtari shumë të fuqishme. Ka grumbulluar ndihma vullnetare për Shqipërinë. Shqiptarët kanë qenë shumë të pasionuar për pavarësinë e tyre dhe kanë deponuar shuma të mëdha. Shumë prej tyre kanë deponuar me mijëra dollarë. Ka pasur raste kur punëtorë të caktuar vinin në takime dhe i jepnin librezat e tyre të kursimit me një kërkesë që t’u liheshin vetëm 100 dollarë për shpenzime dhe e gjithë shuma e kursyer të tërhiqej nga banka dhe t’i dërgohej Qeverisë Shqiptare. Gjatë kohës së Luftës Ballkanike dhe Botërore, “Vatra: i ka dërguar Shqipërisë mbi 2.000.000 (dy milionë) dollarë.
Kryetar i parë i “Vatrës” ka qenë Fan Noli, i dyti Kristo Dako, Faik Konica dhe Anastas Pandeli. Sekretar i “Vatrës” për shumë vite ka qenë Gjorgji Çeço, i arsimuar në Rusi dhe sllavofil.
Pas shkuarjes së Fan Nolit në Shqipëri, “Vatra” filloi të bjerë dukshëm. Vitin e kaluar te “Vatra” shpërtheu ndarja midis udhëheqësve. Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët edhe më tej e luajnë rolin kryesor te “Vatra”, u përpoqën që në udhëheqje të ngelin njerëzit e njëjtë. Kësaj iu kundërvu Muhamed Zagari nga Detroiti dhe e ndau këtë organizatë. Ai nën emrin e njëjtë dhe me të njëjtin program politik e themeloi në Detroit “Vatrën” e dytë, duke u vetëshpallur për kryetar të saj. Në vend të tij në “Vatrën” e Detroitit tash ka ardhur Rifat Gjurzezi.
Të dy “Vatrat” e kanë gazetën e tyre zyrtare, e cila del një herë në dy javë ose në muaj nën emrin “Dielli”. Njëra shtypet në Boston, ndërsa tjetra në Detroit.
Dy seksionet e “Vatrës” janë organizata kombëtare. Të gjitha të hyrat e veta ata i japin për qëllime kombëtare. Ato zyrtarisht pajtohen me regjimin e tanishëm të Qeverisë Shqiptare dhe janë nën udhëheqjen shpirtërore të Faik Konicës, por pjesa e madhe e anëtarëve të saj nuk pajtohen me regjimin aktual, duke parë hapur se Shqipëria është shndërruar në koloni italiane. Shumë prej tyre e dënojnë dhe parashtrojnë pyetje: si dhe në cilën mënyrë mund të shpëtojë Shqipëria nga protektorati italian.
Shqipëria zyrtare ka pas mbështetje të madhe te “Vatra”. Kur te ajo shpërtheu mosmarrëveshja, që solli deri te ndarja e “Vatrës”, është bërë gjithçka që është mundur që të harmonizohen mospajtimet dhe sërish të arrihet deri te uniteti. Kur kjo nuk pati sukses, Gjergj Prifti, avokat dhe konsull shqiptar në Boston, gjatë vitit të kaluar e formoi organizatën e dytë shqiptare nën emrin “Organizata Progresive Shqiptaro-Amerikane”. Kjo organizatë e fundit ka formuar degët e saja në Vorçester, Masaçuseç, Xhimiston, Nju Jork dhe në Pitsburg.
Organizata Progresive Shqiptaro-Amerikane mund të thuhet pozitivisht se është themeluar me udhëzimin nga Shqipëria, me qëllim që të zgjerohet në të gjitha kolonitë e këtushme shqiptare si organizatë e vetme kombëtare shqiptare, e cila rreth vetes do t’i tubonte të gjithë shqiptarët. Ajo i ka dhënë vetes për detyrë që në çdo koloni shqiptare të formojë degën e vet. Nga ato degë kërkohet të mbajnë fjalime politike dhe katër t’u dërgojnë Fuqive të Mëdha të Europës rezolutë që Kosova dhe Çamëria t’i dorëzohen Shqipërisë. Vëmendje të posaçme ajo i kushton që në atë organizatë të organizohen shqiptarët nga vendi ynë dhe ata nga ana e tyre të dërgojnë një rezolutë të tillë.
Ministri shqiptar, Faik Konica, ka kërkuar nga bashkëpunëtori ynë, z. Bogdan Dimitrijeviç (shqiptar ortodoks nga Reka e Epërme – Q.L.), kur ky e ka vizituar atë në Uashington, që të bëjë gjithçka që është e mundur për organizimin e shqiptarëve tanë (Kosovës – Q. L.). Pa marrë parasysh atë se ata këtu janë të paktë, nevojitet, i ka thënë ai, që ata të organizohen, madje edhe në qoftë se në koloni ka pesë nga ata, që si shqiptarë të organizuar nga shteti i juaj të dërgojnë rezoluta dhe protesta, të cilat vetë Legata do ua dërgojë dhe paguajë shpenzimet dhe taksat për telegrame.
Udhëheqës të Organizatës Progresive Shqiptaro-Amerikane janë Gjergj Prifti dhe Caro Kalarati. Ky i fundit është kryetar i degës së organizatës së Pitsburgut, e cila tash numëron 64 anëtarë. Sipas informatave, dega në Vorçester ka rreth 600 anëtarë, ndërsa llogaritet se tërë ajo organizatë të ketë rreth 1.000 anëtarë.
Jam informuar se kompetentët duan që selia qendrore e Organizatës Progresive Shqiptaro-Amerikane të kalojë në Pitsburg. Kjo bëhet për arsye se në Pitsburg jeton Kalarati, të cilin duan ta emërojnë për udhëheqës kryesor të saj. Kalarati është një zyrtar i shoqërisë së sigurimit “Mekabi” dhe pas Gjergj Priftit është më aktivi në punën për zgjerimin e asaj organizate.
Nismëtarët e kësaj organizate e mbështesin plotësisht regjimin e tanishëm të Shqipërisë. Mirëpo, në mesin e anëtarëve të saj gjenden shumë të pakënaqur, të cilët druajnë për pavarësinë e Shqipërisë. Dega e Pitsburgut nuk është në këmbët e forta. Shumë nga anëtarët e saj kanë hyrë në të për shkak se kanë qenë të detyruar me presion. Druajnë se do të shpallen si armiq të regjimit, për çka familjet e tyre mund të pësojnë.
Si më i dalluari nga shqiptarët e këtushëm është Nevruz Stare. Ai jeton në Virton, Vest Virxhini. Ai gëzon besim të madh në mesin e shqiptarëve dhe është në gjendje ta tërheqë masën pas vete. Ai është anëtar i kësaj organizate, por është i pakënaqur me programin e saj. Është në gjendje atë organizatë ta shuajë shumë lehtë. Ai e ka porositur z. Dimitrijeviçin të shkojë tek ai për t’u këshilluar me të se çfarë qëndrimi të marrë ndaj asaj organizate. Ata janë miq të vjetër dhe Stare e di se Dimitrijeviçi është shqiptar, prandaj do ta pranonte këshillën e tij.
“Vatra” e Bostonit është në rënie në llogari të “Vatrës” së Detroitit. Sipas njohurive, e para ka rreth 300 anëtarë, ndërsa e fundit rreth 600. Së pari për shkak ndarjes, ndërsa, tjetra, sigurisht edhe për shkak të asaj se Fan Noli konsiderohet si udhëheqësi shpirtëror i “Vatrës”, Shqipëria zyrtare shkon kah ajo që atë organizatë ta shpërbëjë plotësisht dhe të gjithë shqiptarët t’i bashkojë në Organizatën Progresive Shqiptaro-Amerikane.
Krahas organizatave të përmendura, ekziston edhe një organizatë tjetër shqiptare në qytetin e Nju Jorkut nën emrin “Bleta”. Kjo organizatë numëron rreth 700 anëtarë. Është themeluar para gjashtë viteve si një organizatë mbështetëse dhe anëtarëve të saj u ofron ndihmë për sëmundje dhe për shpenzimet e varrimit. Për sa kam mundur ta verifikoj, kjo organizatë nuk është politike dhe as që përzihet në politikë. Qëllimi i saj është të kujdeset për anëtarët e saj në pikëpamjen materiale e arsimore. Emrat e anëtarëve të udhëheqjes së kësaj organizate nuk janë të njohur.
Lajmet që i keni marrë nga anë të tjera, se një pjesë e shqiptarëve mban lidhje me drejtues maqedonas, janë plotësisht të pavërteta. Është e vërtetë se Organizata Progresive Shqiptaro-Amerikane deri më sot ka bërë përpjekje që në çfarëdolloj mënyre t’i përfitoj drejtuesit maqedonas për bashkëpunim të përbashkët, por nuk ka pasur sukses në këtë. Anëtarët e Komitetit Qendror të Organizatave Politike Maqedonase, në krye me Luben Dimitrov dhe Petar Acev, gjithsesi se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me shqiptarët, por kanë hasur në një rezistencë të madhe në popull. Udhëheqësit e degëve të OPM-ve nëpër kolonitë maqedonase e kanë kundërshtuar me vendosmëri atë politikë dhe ia ndaluan Komitetit Qendror të OPM-së çdo bashkëpunim me shqiptarët. Edhe te maqedonasit më fanatikë nëpër koloni po dëgjohet se “është më mirë të ngelet nën Serbi sesa të krijosh Shtetin e Konfederatës Shqiptaro-Maqedonase, e cila nga Maqedonia do të krijonte një koloni italiane”.
Drejtuesit maqedonas më 11 të këtij muaji kanë caktuar tubim në Jungston. Në atë takim do të vij Luben Dimitrov dhe Petar Acev. Me atë rast këta dy do të dalin me referat për ofertën, që Komiteti Qendror i OPM-së e ka marrë nga legata shqiptare në Uashington për një bashkëpunim të përbashkët për krijimin e Shtetit përkatësisht të Konfederatës Shqiptaro-Maqedonase. Në atë tubim janë ftuar të gjithë udhëheqësit nga kolonitë maqedonase.
Pasi këtij tubimi po i jepet rëndësi të madhe, konsideroj se është e nevojshme që atë ditë z. Dimitrijeviç të jetë në Jungston, për të marrë pjesë në atë tubim.
Kjo është ajo që kam mundur të informohem për organizatat shqiptare. Gjithsesi, ky nuk është raporti i plotë, sepse më mungojnë të dhënat, që këtu nuk jam në gjendje t’i marr. Që të mund të arrij deri te të dhënat plotësisht të besueshme, nevojitet që z. Dimitrijeviç të dërgohet në Boston dhe Nju Jork. Unë jam plotësisht i sigurt se z. Dimitrijeviç do të na sillte gjithçka që neve na nevojitet dhe do të na ofronte pasqyrë të vërtetë për lëvizjen e këtushme shqiptare. Aq më tepër se, tashmë Gjergj Prifti, përmes Kalaratit e ka porositur atë të shkoëj në Boston, që me të të flasë për çështjet politike dhe se z. Dimitrijeviçit t’ia japë instruksionet e nevojshme për organizimin e shqiptarëve në Organizatën Progresive Shqiptaro-Amerikane. Z. Dimitrijeviç është i gatshëm ta pranojë atë mision, nëse i paguhen shpenzimet e rrugës.
Shumë shqiptarë në Pitsburg dhe rrethinë shprehin vullnetin për t’u organizuar në organizatën “Bleta”. Gjithsesi se kjo organizatë, si apolitike, për ne është më pak e rrezikshme se tjerat. Kjo do të ishte në dëmin e Organizatës Progresive Shqiptaro-Amerikane, e cila është e re dhe e cila për shkak punës së saj pas shpine, depërton shumë rëndë në popull. Nëse do të merreshin hapat e duhur, kjo organizatë do të mund të shpërbëhej shumë lehtë. Këtë do të mund ta bënte z. Dimitrijeviç përmes Nevruz Stares nga Virtoni, i cili edhe ashtu këtë organizatë nuk e sheh me sy të mirë. Nëse ai do të dilte në pah dhe do ta udhëhiqte aksionin për organizimin e shoqatës së Nju Jorkut “Bleta”, gjithsesi se në këtë do të kishte sukses. Atij i besojnë shqiptarët. Kalarati, siç jam bindur plotësisht, nuk gëzon reputacion të mirë midis njerëzve. Se është e saktë kjo thënia ime, mund të merret si shembull mossuksesi i Kalaratit për ta organizuar shoqërinë në Virton, edhe pse për atë çështje ka qëndruar atje me ditë e net të tëra.
Përveç Organizatës Progresive Shqiptaro-Amerikane, asnjë organizatë tjetër shqiptare nuk ka dërguar rezolutë kundër shtetit tonë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Duke jua dërguar raportin e mësipërm, Ju lutem me respektin më të madh, z. Ministër, të pranoni sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
Besniku i Juaj
Kryeprifti David H. Popoviç”.