Mund të dallojmë dy faza, dy suaza të modernitetit shqiptar: është moderniteti i Rilindjes Kombëtare dhe i viteve të tridhjeta, që në trajektoren historike shqiptare shënojnë dy paradigma të modernitetit në sinkron me modernitetin europian. Në thelb, moderniteti i Rilindjes Kombëtare ndërlidhet me kombformimin, ndërsa moderniteti i viteve të ‘30-ta me evolutën e shoqërisë shqiptare, me gjithë atë që nënkupton ridimensionim civilizues dhe kulturor në suaza të koncepteve europiane, gjithnjë duke ruajtur qenësinë dhe specifikat shqiptare.
Bardhyl ZAIMI, Tetovë
Tema e modernitetit mbetet e komplikuar dhe kërkon një qasje më gjithëpërfshirëse, që nënkupton një interpretim më të gjerë, një numër autorësh, sidomos sociologë, të cilët nëpërmjet studimeve të thelluara e problematizojnë këtë nocion, këtë koncept, që sot e kësaj dite shtrohet në tryezën e debatit. Janë një sërë autorësh që e kanë trajtuar konceptin e modernitetit, ndërkohë që Anthony Giddens, me librin e tij “Pasojat e modernitetit”, mbetet një nga eksplorimet më të thella dhe shumëdimensionale. Një autor tjetër i po këtij kalibri është edhe filozofi dhe sociologu Zygmunt Bauman, i cili gjithashtu, në librin e tij “Moderniteti i lëngët”, e trajton gjerësisht këtë tematikë.
Fjalorët enciklopedikë, modernitetin e ndërlidhin me subjektivitetin individual, shpjegimin shkencor dhe racionalizimin, rënien e ndikimit të botëkuptimeve fetare, shfaqjen e burokracisë, urbanizimin e shpejtë, ngritjen e shteteve-komb dhe përshpejtimin e shkëmbimeve financiare dhe komunikimit. Këto janë elementet thelbësorë të modernitetit, definimi më i thjeshtë se çfarë në esencë nënkupton moderniteti në mendimin perëndimor, por me kalimin e kohës ky nocion fillon të përftojë edhe përmasa të tjera, që ndërlidhen me dimensionin politik, me lirinë dhe liritë politike, si përbërës kryesorë. Duket se nuk ka një konsensus të qartë për kohën kur fillon moderniteti, edhe pse shpesh përmendet shekulli 17-të, gjegjësisht koha e iluminizmit në Europë.
Sfondi i definimeve teorike
Anthony Giddens-i vë në dukje se moderniteti ndërlidhet me shfaqjen dhe rritjen e kapitalizmit, industrializimit, mbikëqyrjes dhe shtetit kombëtar, shoqëruar me një transformim të thellë të jetës së përditshme dhe marrëdhënieve shoqërore. Ndërkohë që, Zygmunt Bauman-i thekson se moderniteti nuk është vetëm një periudhë historike, por është një projekt, gjegjësisht një ambicie për t’i imponuar rend botës së kaosit. Për filozofin gjerman, Jurgen Habermas, përfaqësues i shkollës së Frankfurtit, moderniteti është një projekt i papërfunduar, një besim i iluminizmit te arsyeja, një emancipim dhe progres që mbetet thelbësor për potencialin demokratik.
Giddens-i vë në dukje se thelbi i modernitetit është shkëputja nga strukturat tradicionale. Ai e përshkruan modernitetin si një ndryshim thelbësor, si në shtrirje gjeografike, ashtu edhe në rrafshin personal dhe shoqëror. Kjo nënkupton një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si njerëzit jetojnë, ndihen dhe e konceptojnë botën. Një nga konceptet kyçe të Giddens-it është ai i “disembedding”, që nënkupton një proces përmes të cilit marrëdhëniet shoqërore shkëputen nga konteksti lokal dhe ristrukturohen në distanca të mëdha kohore dhe hapësinore. Kjo ndodh përmes mekanizmave të sistemeve abstrakte, siç është paraja dhe ekspertiza profesionale. Moderniteti, sipas tij, nuk është një epokë që po mbyllet, por një proces që thellohet vazhdimisht, me sfida të reja për individin, institucionet dhe shoqëritë në tërësi.
Në parathënien e botimit në gjuhën shqipe të librit “Pasojat e modernitetit”, të Giddens-it, sociologu shqiptar, Fatos Tarifa, thekson se një lexim i vëmendshëm i kësaj vepre lë të kuptosh se teoria e tij e strukturimit, në thelb të së cilës qëndron dualiteti i strukturës, shërben si një bazë teorike për ta shpjeguar natyrën e dyfishtë të modernitetit, të cilin Giddens-i e trajton si një dukuri ambivalente, që implikon, nga njëra anë, besim dhe mundësi dhe, nga ana tjetër, risqe. “Kjo ambivalencë, sipas tij, buron nga vetë natyra dinamike e modernitetit dhe, pikërisht këtu, shohim një referencë të drejtpërdrejtë në teorinë e tij të strukturimit, “ndarjen e kohës e të hapësirës dhe rikombinimin e tyre…; shpërbërjen e sistemeve shoqërore përmes shkëputjes së marrëdhënieve sociale nga kontekstet e tyre lokale…; si edhe organizimin dhe riorganizimin refleksiv të marrëdhënieve sociale”. Në dallim nga Ernest Gellner-i, tek i cili moderniteti shfaqet në një formë statike, për Giddens-in, karakteristika më esenciale e modernitetit është ndryshimi dinamik”, thekson Tarifa.
Ndërkohë, Zygmunt Bauman-i argumenton se ne jetojmë në një epokë “moderniteti të lëngët”, në të cilën strukturat sociale dhe marrëdhëniet nuk janë më të qëndrueshme, por të përkohshme, fleksibile dhe të paqëndrueshme. Në kontrast me “modernitetin e ngurtë” të shekujve të mëparshëm, kur institucionet ishin të qëndrueshme dhe jeta kishte një strukturë të parashikueshme, moderniteti i sotëm është i rrëshqitshëm, i paparashikueshëm dhe shpesh i pasigurt. Sipas tij, njeriu i sotëm është më shumë konsumator sesa qytetar, ndërsa identiteti formohet përmes zgjedhjeve konsumatore. Me shumë objektivitet Bauman-i thekson se njerëzit janë më të lirë se kurrë, por edhe më të vetmuar dhe të pasigurt për vendimet që duhet të marrin.
Përgjithësisht, kjo mbetet suaza konceptuale e definimit të modernitetit në mendimin europian, ndërkohë që tashmë zhvillohen polemika nëse ka përfunduar moderniteti si epokë. Këto polemika zhvillohen kryesisht në rrafshin filozofik, sidomos me përfaqësues të postmodernes.
Moderniteti përtej Perëndimit
Teoritë mbi një nocion, koncept dhe fenomen global në asnjë rast nuk janë uniforme. Përkundrazi, gjithnjë ka autorë që zgjerojnë kufijtë e interpretimit me qasje dhe prurje të reja. “Modernity Beyond the West” është një studim i redaktuar nga Björn Wittrock dhe Shmuel N. Eisenstadt, në bashkëpunim me studiues të tjerë, si Wolfgang Schluchter dhe John Arnason, që përfshin një qasje tjetër dhe që në fakt eksploron me idenë kryesore që moderniteti nuk është vetëm perëndimor. Ky studim nënvizon se duhet të fillohet të mendohet në terma të moderniteteve të shumëfishta, sepse shoqëri të ndryshme e përjetojnë dhe e artikulojnë modernitetin në mënyra të ndryshme.
Ky koncept e sfidon idenë e një moderniteti të vetëm dhe shpërfaq ekzistencën e rrugëve të ndryshme drejt së resë dhe modernes. Gjithashtu, në këtë studim theksohet se moderniteti në vende të ndryshme është produkt i ndërveprimit midis traditës lokale dhe ndikimeve moderne, e jo vetëm kopje e modelit perëndimor. Ky studim gjithashtu e sheh modernitetin jo si një rrugë të vetme që fillon në Perëndim dhe përhapet globalisht, por edhe si një rrjet i ndërlikuar përvojash të ndryshme, ku shoqëritë joperëndimore janë aktore aktive dhe jo thjesht pasuese.
Dy epokat e modernitetit shqiptar
Moderniteti shfaqet i komplikuar teorikisht, por edhe në rrafshin e realitetit shqiptar për shkak të rrethanave historike dhe shoqërore të trajektores kombëtare. Gjithsesi, moderniteti te shqiptarët mbetet specifik me gjithë planimetrinë e zhvillimit të tij në rrugën e historisë. Nëse kundrohet në optikën konceptuale të teorive në nivel botëror, moderniteti te shqiptarët shfaqet i vonuar dhe me veçantitë e veta në rrafshin e reprezentimit dhe të konsolidimit të përbërësve që i japin jetë një koncepti të tillë. Për më tepër, moderniteti te shqiptarët duhet të shihet në kontekstin europian, të interaksionit me idetë europiane dhe, sigurisht, në sinkron me interpretimet mbi modernitetin nga autorët relevantë botërorë. Në këtë hulli teorike duhet parë gjithë dimensionet e modernitetit shqiptar, që mbetet specifik në trajektoren e vet dhe autentik në shfaqje, në rrugëtimin e vetë historik. Një dimension i patjetërsueshëm në këtë kundrim mbetet qytetërimi shqiptar si shfaqje historike dhe kulturore, si një rrafsh simbolik dhe thellësisht semantik. Ky qytetërim, pa dyshim, mbetet i gërshetuar dhe me shtresëzime të ndryshme, të cilat diktohen nga periudhat dhe momentumet historike.
Duke e kundruar modernitetin shqiptar në kuadër të konceptit europian dhe në kuadër të parametrave specifikë, mund të krijohet një fushëpamje më e qartë interpretimi për veçantinë e këtij moderniteti.
Nëse një element thelbësor i modernitetit mbetet ideja e kombformimit, sidomos në fazën e parë të shfaqjes së kësaj paradigme, atëherë rrënjët e modernitetit te shqiptarët lehtësisht mund t’i gjejmë te arbëreshët e Italisë, gjegjësisht te Jeronim Derada, te krijimtaria e tij, e cila ka prekje dhe përkime sublime me romantizmin europian, por edhe në idetë e tij politike dhe kulturore kombformuese. Në fakt, me De Radën nis epoka e madhe e modernitetit shqiptar, një interferencë e ngjeshur me idetë europiane, aty ku tashmë moderniteti ishte shfaqur me idetë iluministe, si koncept, si filozofi dhe si zhvillim historik, shoqëror dhe ekonomik, duke ofruar një vizion tjetër mbi botën, si një shkëputje nga format e ngurta të traditës, që pamundësonin zhvillimin e shkencës në kuptimin që e njohim sot. Me këto premisa të shkëputjes nga konteksti i strukturave lokale, siç i definon Giddens-i, dhe të ndarjes së kohës dhe hapësirës në kuptimin e lirisë për të lëvizur përtej lokales në kohën e fillimeve të industrializimit, nis faza e parë e modernitetit perëndimor. Për më tepër, me kalimin e kohës, ky interpretim fillestar mbi modernitetin do të evoluojë dhe teoricienë të tjerë, siç është Bauman-i, që do të flasin për një koncept tjetër, për “modernitetin e lëngët”, që do të përfaqësojë një matricë më fleksibile.
Pikërisht, duket se këto dy dimensione të modernitetit, që në fazën e parë, përfshijnë edhe kombformimin, përkojnë me realitetin e modernitetit shqiptar, që shfaqet dhe evoluon me veçantitë e veta, por gjithmonë duke ruajtur brenda vetes frymën e modernitetit perëndimor.
Në këtë kontekst, kryesisht mund të dallojmë dy faza, dy suaza të modernitetit shqiptar. Është moderniteti i Rilindjes Kombëtare dhe i viteve të tridhjeta, që në trajektoren historike shqiptare shënojnë dy paradigma të modernitetit në sinkron me modernitetin europian.
Dhe, pa dyshim, këto dy faza të modernitetit dallohen nga njëra-tjetra edhe pse ruajnë brenda vetes një ndërthurje në kuptimin e angazhimit për përafrim me konceptet europiane.
Veçanti e modernitetit të Rilindjes Kombëtare mbetet konceptimi i modernes si projekt emancipues kombëtar, që ndërlidhet me themelimin e shtetit kombëtar, arsimimin e shqiptarëve, shkëputjen nga prapambetja dhe afrimin me qytetërimin europian. Përkimet me idetë europiane, me iluminizmin, Revolucionin Francez, me krijimin e kombeve në Europë, por edhe me prirjet për ta lëvruar shoqërinë shqiptare drejt këtyre vlerava, mund të shihen te gjithë rilindësit shqiptarë, ndërkohë që për nga gjerësia e vizionit mishërohen sidomos në figurën e Sami Frashërit.
Për Rilindjen Kombëtare moderniteti përfaqësonte një karakter romantik-kombëtarist, ndërkohë që progresi ndërlidhej me vetëdijen kombëtare dhe kthimin e shqiptarëve në zotër të fatit të vet.
Paradigma tjetër e modernitetit shqiptar shtrihet në periudhën e viteve të ‘30-ta, që zakonisht njihet edhe si periudha e artë e kulturës shqiptare. Pikërisht gjatë kësaj periudhe mendimi shqiptar dhe gjithë suaza konceptuale dhe interpretuese do të diversifikohet me prurje të reja dhe botëshikime thellësisht sociologjike që promovojnë idenë për formësimin e shoqërisë moderne shqiptare, të bazuar në qytetërim, kritikë, individualizëm krijues dhe institucione të forta. Si më e dalluar, në kuadër të një pluraliteti më të madh mbetet doktrina e “ Neo-shqiptarizmës”, ndërkohë që Branko Merxhani shfaqet si një mendimtar kalibër që tashmë me dijen e tij po e ridimensiononte modernitetin shqiptar në hulli të tjera. “Ne kemi nevojë për një revolucion moral dhe intelektual, jo vetëm për shtet”, shkruan Branko Merxhani. Ai po shpërfaqte një botëshikim tjetër mbi realitet shqiptare, duke inkorporuar në qasjen e tij emrat më të njohur të sociologjisë së atëhershme, siç ishin Spengler-i, Weber-i, Dyrkem-i etj. Kështu Merxhani po sillte një modernitet të ri në hapësirën shqiptare që shkonte përtej zakoneve të vjetra, provincializmit, imitimin sipërfaqësor të Perëndimit, ndërkohë që kërkonte një modernitet autokton dhe funksional.
Në një kohë kur Shqipëria ishte e përfshirë nga kaosi institucional, provincializmi dhe imitimi i verbër, Merxhani bashkë me Ismet Toton, Vangjel Koçën dhe shumë të tjerë, po promovonin një doktrinë kulturore kombëtare, që brenda vetes përfshinte vetëdijen kulturore, qytetarinë aktive, etikën e punës dhe përparimit, si dhe shkencën dhe arsimin si bazë të emancipimit.
“Modernizimi i jetës shqiptare nuk mund të vijë nga jashtë; ai duhet të ngjizet nga vetë shqiptari i ri, që duhet të jetë një krijesë e edukuar me ndjenja të larta morale dhe shoqërore”, shkruante Branko Merxhani. Pikërisht kjo qasje e bën të veçantë Branko Merxhanin dhe gjithë paradigmën e modernitetit të viteve të ‘30-ta, sepse kjo qasje – duke u mbrujtur në teoritë më të përparuara sociologjike të asaj kohe – ruante brenda vetes autenticitetin e mendimit shqiptar, që ishte kritik ndaj modernizimit sipërfaqësor, që nuk prekte thelbin e mendësisë shoqërore.
Në thelb, moderniteti i Rilindjes Kombëtare ndërlidhet me kombformimin, ndërsa moderniteti i viteve të ‘30-ta me evolutën e shoqërisë shqiptare, me gjithë atë që nënkupton ridimensionim civilizues dhe kulturor në suaza të koncepteve europiane, gjithnjë duke ruajtur qenësinë dhe specifikat shqiptare.
Po ta kundrojmë modernitetin shqiptar në këto dimensione, mund të themi se ai mbetet i papërfunduar, sidomos kur kemi parasysh periudhën komuniste dhe periudhën e gjatë të tranzicionit. Disa autorë shqiptarë e shohin modernitetin si kompleks dhe të ndërlidhur ngushtë me kontekstin filozofik, politik dhe kulturor të shoqërive post-komuniste dhe ballkanike. Në këtë drejtim, moderniteti shihet si një proces historik dhe kulturor i papërfunduar, i ndërprerë dhe i deformuar për shkak të trashëgimisë autoritare, ideologjive totalitare dhe mungesës së emancipimit të plotë qytetar.
Pavarësisht nga përkimet e shumta me modernitetin europian, disa eklipse kohore, periudha e stërzgjatur e tranzicionit, kanë bërë që moderniteti te shqiptarët të jetë i papërfunduar në esencën e vet, në gjithë vizionin e shfaqur nga dy paradigmat paraprake të modernitetit shqiptar, Rilindjes Kombëtare dhe periudhës së artë të viteve të ‘30-ta.