A mundet një popull i zgjedhur të prodhojë urrejtje dhe gjenocid ndaj grave, pleqve, fëmijëve, të rinjve dhe të rejave që shpresojnë në përmbushjen e ëndrrave jetësore dhe në vend të tyre ëndrrat ngjyrosen me gjakun e të pafajshmëve? A mundet populli i zgjedhur të justifikohet dhe fshihet sot pas holokaustit të djeshëm? Nëse do të kishte një popull që do të duhej të tregohej më i dhembshur, më i mëshirshëm, më në mbrojtje të të shtypurve, ai popull duhej të ishin hebrenjtë.
Nuredin NAZARKO, Korçë
Holokaust, shoah, gjenocid
Në çdo lëmi studimi, çelësi i kuptimit të drejtë qëndron ngushtësisht i lidhur me njohjen, shpjegimin, kuptimin dhe përdorimin e duhur të koncepteve që mundësojnë plugimin e fushave të dijes. Konceptet e kanë etimologjinë e tyre historike dhe kuptimësinë që ato kanë marrë në ditët e sotme. Përmes tyre, shohim dhe gjykojmë fjalët dhe veprimet e kryera nga njerëz, grupe shoqërore dhe shtete. Konceptet janë shënjuesit që nuk na lejojnë të humbim në diskutime të llojit e lagu s’e lagu.
Holokaust:
- Një sakrificë (kurban) e djegur në zjarr plotësisht.
- Shkatërrim i plotë duke përfshirë humbje të shumta jete njerëzore, veçanërisht përmes zjarrit.
- a) ekzekutimi masiv i qytetarëve europianë, veçanërisht i hebrenjve, nga nazizmi gjatë Luftës së Dytë Botërore.
- b) ekzekutimi masiv i njerëzve.
Holocaust – nga anglishtja e kohëve të mesme, nga latinishtja e vonë – holocaustum, nga greqishtja e vjetër – holokauston, prej termit të gjinisë asnjanëse – holokaustos, i djegur plotësisht. (https://www.merriam-webster.com/dictionary/holocaust#h1)
Shoah – hebraishtja moderne, shō’āh – në kuptimin e fjalë për fjalshëm katastrofë. (https://www.merriam-webster.com/dictionary/Shoah)
Gjenocid – shkatërrim i planifikuar dhe sistematik i një grupi shoqëror për shkak të përkatësisë së tyre etnike, nacionale, fetare ose racore. Termi e ka prejardhjen nga greqishtja e vjetër genos – “racë”, “fis”, ose “popull” dhe latinishtja cide (“vrasje”). Dy termat u bashkuan nga Rafael Lemkin-i, jurist polako-hebre, i cili ka shërbyer si këshilltar i Departamentit të Luftës të SHBA-së gjatë Luftës së Dytë Botërore. (https://www.britannica.com/topic/genocide)
Holokausti, sot, lidhet vetëm me gjenocidin ndaj hebrenjve në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Po kështu dhe shō’āh. Gjenocidi nuk lidhet me ndonjë ngjarje specifike të historisë ose me ndonjë popull të caktuar. Pavarësisht kohës kur kanë hyrë në përdorim konceptet holokaust e gjenocid, zbatimi i tyre ndeshet gjatë gjithë historisë njerëzore, aty ku të fuqishmit, të pushtetshmit, kanë pasur si qëllim shfarosjen e një popullate të caktuar.
Prodhimi i urrejtjes
Teksa lexon mbi historinë e holokaustit dhe jo vetëm pyetja që të shoqëron gjatë gjithë kohës është se prej nga burojnë ngjarje të tilla historike, tragjedi në kufij të së paimagjinueshmes, katastrofa njerëzore që nuk arrin dot t’i kuptosh se pse një pjesë e racës njerëzore janë kaq të kriminalizuar dhe të dehumanizuar deri në qelizën më të thellë? Filli përbashkues i ngjarjeve të tilla në histori është urrejtja deri në përskaj e tjetrit për arsye nga më të ndryshmet, por që në thelb i justifikon qëndrimet e palës superiore ndaj inferiorëve. Krime të përmasave të tilla prodhohen nga urrejtja dhe mbështeten nga një pjesë e shoqërisë. Kryerja e tyre dhe zgjerimi i vazhdueshëm shndërrohen në rutinë dhe çështje teknike, sepse për njeriun që nuk është më njeri çdo veprim, sado kriminalitet të jetë kryhet, me gjakftohtësi dhe pandjeshmëri njerëzore.
Përdorimi i urrejtjes dhe instrumenteve të dhunës
Pushtetet që duan ta sundojnë shoqërinë, së pari mbjellin urrejtje dhe përçarje. Shoqëria nis të fragmentarizohet dhe grupet me peshën më të vogël të pushtetit ose pa pushtet fare fillojnë ta ndjejnë stuhinë e urrejtjes (shpërfilljen, shikimin shtrembër, talljen, fyerjen, bojkotin, represionin, pafuqinë për t’u mbrojtur, ekspozimin ndaj shpërthimit të urrejtjes së njerëzve të zakonshëm dhe shtypjes së institucioneve shtetërore). Kultivimi i urrejtjes ndaj një grupi shoqëror ose një populli të tërë, të shënjestruar si e keqja që duhet shkulur, i lejon pushtetit të mobilizojë burime njerëzore, të grumbullojë financa, t’i fuqizojë instrumentet e dhunës dhe të nisë t’i përdorë për “ta mbrojtur” veten dhe njerëzit që e mbështesin nga “e keqja” që e kanë në mesin e tyre. Gjithë situata e krijuar është vetëm një perde që kërkon ta mbulojë dhe justifikojë përdorimin e dhunës sistematike ose në shkallë të gjerë, për të detyruar një popull të heshtë, të asimilohet, të skllavërohet ose ta presë gjenocidin nëse kthehet në qëndrestar.
Urrejtja nuk është specifike për një grup shoqëror apo popull. Ajo është pjesë e pandarë e natyrës njerëzore. Nëse kultivimi i saj është porta prej nga ku vijnë ngjarje kobzeza, atëherë duhet kuptuar qartë se ngjarje si holokausti as nuk janë të lidhura posaçërisht me popullin hebraik, as nuk janë ngjarje të së shkuarës dhe që nuk kanë mundësi të ripërsëriten më. Do të ishte naivitet të besohej se njerëzimi i ka mbyllur llogaritë me urrejtjen. Urrejtja është e pakohë dhe e pavend. Prandaj holokausti, si ngjarje, do të jetë çdoherë një mundësi për të ndodhur nëse ideologji të caktuara kultivojnë urrejtjen, përjashtimin dhe, si akt final, sakrificën që mbi hirin e mbetur të një grupi, race, etnie ose populli të ndërtohet projekti i ideologjive që punojnë për dehumanzimin e njeriut.
Toka e premtuar
Lidhja me tokën dhe vendin ku lind është diçka thelbësore. Ka përmasë metafizike. Nuk është thjesht një teknikalitet që s’ka asnjë peshë në jetën e njeriut. Përgjatë historisë, shoqëria njerëzore është shoqëruar vazhdimisht nga lëvizja, zhvendosja e popullsisë për arsye hapësirash, kushtesh natyrore, ekonomike, konfliktesh, pushtimesh. Përtej të gjitha rrethanave që i kanë imponuar lëvizjet, ka pasur edhe rezistencë, qëndrueshmëri, sfidim të kushteve të jetës. Secili njeri, grup shoqëror ose popull ka bërë zgjedhjet e veta, megjithatë askush nuk mund të pretendojë në pronësinë mbi sipërfaqe të caktuara të globit, duke iu kthyer thellësive të historisë. Nëse hebrenjtë sot, krahu më ekstremist i mendimit hebraik, pretendojnë se toka ku e kanë ndërtuar shtetin e tyre me bekimin e të mëdhenjve të politikës botërore, është e drejta e tyre historike justifikuar nga qëndrime fetare talmudike, ç’mund të themi për të gjithë ato grupe shoqërore e popuj që në rrjedhën e historisë janë kolonizuar, përzënë ose shfarosur nga kolonizatorët? A e kanë ata të drejtën historike t’i përzënë nga tokat e tyre pasardhësit e kolonizatorëve, të të dyndurve, të vendosurve aty pas luftërash e konfliktesh të gjata? Mos vallë kjo e drejtë historike, në qoftë se e quajmë të tillë, qenka privilegj vetëm i një kombi apo race të caktuar? A duhet që në emër të kësaj të drejte të pretenduar të ushtrosh gjenocid, holokaust, mbi një popull të tërë, që në sajë të teknologjisë sot nuk mund t’u fshihet syve të botës, pavarësisht se bota rri e vështron? Toka e premtuar është toka ku njerëzimi duhet të jetojë në paqe dhe reciproritet dhe jo toka që njomet më gjakun e të pafajshmëve.
Populli i zgjedhur
Pjesa e dytë e binomit hebraik talmudik, populli i zgjedhur i Zotit, nuk i përket asnjë race të veçantë. Populli i zgjedhur i Zotit është ai popull dhe janë ata njerëz që, pavarësisht hapësirës dhe kohës, përkapen pas virtyteve, principeve. Zoti nuk sheh se njeriu është nga veriu ose jugu, lindja ose perëndimi, i bardhë ose i zi, i verdhë ose i kuq. Zoti e sheh brendinë e zemrës së njeriut. Kjo brendi e përcakton në je apo jo prej popullit të zgjedhur. Përcaktimi popull i zgjedhur ose racë e zgjedhur që lidhet më domosdoshmërinë e sundimit ndaj të tjerëve është darvinizëm social, ku i forti (i përzgjedhuri) mbijeton dhe i dobëti (të sunduarit) i nënshtrohet të fortit. Duke u vetëpërcaktuar si popull i zgjedhur në kuptimin e racës biologjike, pjesëtarët e tij e shohin vetveten më lart dhe më të vlefshëm se pjesa tjetër e shoqërisë njerëzore, që duhet t’i shërbejë popullit të zgjedhur sipas besimit të tyre. Ky vetëpërcaktim ia hap rrugë urrejtjes dhe përçmimit ndaj kombësive të tjera, të cilat për aq kohë sa nuk e kanë statusin “popull i zgjedhur”, janë të paracaktuar ose të binden ose të asgjësohen.
A mundet një popull i zgjedhur të prodhojë urrejtje dhe gjenocid ndaj grave, pleqve, fëmijëve, të rinjve dhe të rejave që shpresojnë në përmbushjen e ëndrrave jetësore dhe në vend të tyre ëndrrat ngjyrosen me gjakun e të pafajshmëve? A mundet populli i zgjedhur të justifikohet dhe fshihet sot pas holokaustit të djeshëm? Nëse do të kishte një popull që do të duhej të tregohej më i dhembshur, më i mëshirshëm, më në mbrojtje të të shtypurve, ai popull duhej të ishin hebrenjtë. Duke nxjerrë mësime nga holokausti i djeshëm, që nuk fillon me A. Hitlerin, ata do të duhej të ishin gjithmonë zëri i të nëpërkëmburve, të përjashtuarve dhe të shtypurve. A janë vërtet kështu? Nëse nuk janë, ngase s’mund ta përgjithësojmë, atëherë kjo gjendje është treguese e qartë se ku mund të përfundojë një popull që manipulohet me terma religjiozë në emër të Zotit, ndërsa nën tunikë “fsheh” qëllime të pastra ekspansioniste dhe gjenocidale, paçka se e ka përjetuar të njëjtën histori në të kaluarën. Popujt harrojnë, por Koha jo.
Oportunizmi gjeopolitik
Dihet se në diplomaci nuk ka as miq të përhershëm dhe as armiq të përhershëm. Përtej kësaj, qëndrimet diplomatike varen jo vetëm nga interesat, por edhe karakteret e njerëzve që bëjnë diplomaci. Edhe pse realiteti dëshmon se interesat janë mbizotërues, ka gjithmonë një themel pa të cilin nuk do të bënim dot dallimin mes njerëzores dhe jonjerëzores – drejtësia, dhembshuria, mëshira. Politika e dehumanizuar prej ideologjive që janë prodhuar nga urrejtja e tjetrit ka sjellë në skenën e historisë ngjarje tragjike për fatet e popujve të vegjël, të të mundurve në luftë, të pakicave, të grupeve shoqërore që i ekspozohen lehtësisht gjenocidit (fëmijë, gra, pleq, të sëmurë). Ka qëndrime në histori që dëshmojnë për lartësinë ku mund të qëndrojë njeriu në qoftë se në zemrën e tij gjallojnë principet, vlerat, virtytet.
Cili oportunizëm gjeopolitik e detyroi kalifin Omer t’i garantonte të drejtat e hebrenjve dhe të krishterëve për bashkëjetesë paqësore me muslimanët në Jerusalem (do të mjaftonte një urdhër i tij për të mos i lejuar kurrë aty)?
Cili oportunizëm gjeopolitik e detyroi Perandorinë Osmane, që ishte në ngjitje si fuqia më e madhe e kohës, t’i pranonte në Stamboll hebrenjtë e dëbuar nga Spanja pas rekonkuistës?
Cili oportunizëm gjeopolitik i detyroi shqiptarët, institucionet shtetërore të kohës dhe popullin, që në Luftën e Dytë Botërore të mos e dorëzonin asnjë hebre në duart e gjermanëve, edhe pse të parët i kishin në duar listat e hebrenjve të vendosur në Shqipëri që para Lufte dhe të dytët burime materiale shpesh të kufizuara.
Edhe mund t’i kishin dorëzuar, por zemra e mbushur me dashuri për të drejtën, të mirën, virtytet, nuk mund ta toleronte triumfin e oportunizmit ndaj tyre. Ndërkaq në zemrat në të cilat virtytet, vlerat dhe principet janë për efekt dekori e propagande, nuk ka vend për njerëzoren dhe oportunizmi do të jetë gjithmonë anija me të cilën lundrojnë në detet e trazuara të diplomacisë.
Toka e premtuar është toka ku njerëzit jetojnë në paqe e harmoni dhe populli i zgjedhur është populli që në zemër ka dashuri për të drejtën dhe mirësinë.
Koha do t’ua japë të gjithëve vendin që e meritojnë në faqet e historisë.