loader image
March 12, 2025

Bota e trazuar dhe shqiptari modern

Shqiptarët në aspektin diplomatik duhet të përpiqen të lexojnë sa më qartë atë që po ndodh. Veprimet e diplomatëve tanë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi duhet të jenë të fokusuara në sigurimin e garancive amerikane dhe/ose europiane për sigurinë në rajonin tonë. Kjo kërkon bashkëpunim sistematik dhe intensiv me diasporat tona në vendet relevante perëndimore, e sidomos me njerëzit me ndikim kulturor, profesional apo biznesor brenda mërgatës sonë. Jemi vonë për ta filluar këtë punë sistematike, megjithatë kurrë nuk është tepër vonë.

Arbër ZAIMI, Tiranë

Tash e më shumë se dhjetë vite, në shumë vende demokratike rezultatet e zgjedhjeve po tregojnë një rritje të madhe dhe të qëndrueshme të atyre alternativave të cilat për dekada me radhë janë quajtur ekstreme, qofshin të majta apo të djathta. Rezultatet më të mira deri më tash i ka patur e djathta e fortë, ultrakonservatore, elektorati i së cilës gjithnjë e më shpesh po tregon edhe doza mosdurimi të tjetrit, qoftë ai imigrant i paligjshëm apo shtetas i të njëjtit vend me fe, origjinë apo zakone të ndryshme prej tyre. Kjo frymë dominuese herë shprehet me parti të reja e të paprovuara më parë në qeverisje – siç janë rastet e Melonit në Itali apo i Bukeles në Salvador – herë me politikanë jotipikë që marrin në kontroll partitë tradicionale, siç është për shembull rasti i Trumpit te republikanët amerikanë apo i Johnsonit te konservatorët britanikë.

Ka shumë shpjegime se përse po ndodh kjo valë ndryshimesh, e natyrisht ka shumë shkaqe. Në një këndvështrim të ekonomisë politike, mund të thuhet se shkaku fillestar është ekonomia. Në një këndvështrim të sociologjisë së masave mund të thuhet se teknologjia e re e komunikimit ka luajtur rol deciziv. Ndërsa nga pikëvështrimi i njerëzve të thjeshtë, i votuesve, çështje kyç siç tregojnë anketat, pos kostos së jetesës është edhe identiteti. Le të kalojmë shkurt nëpër këto tre këndvështrime, që nuk janë aspak të vetmet.

Ekonomia: Kufijtë e globalizimit financiar e tregtar

Si është ekonomia shkaktare e rritjes së ekstremeve dhe dobësimit të konsensusit demokratik? Një pjesë e studiuesve vënë në pah krizën financiare globale që filloi në vitin 2008. Ajo krizë nisi në SHBA, me shpërthimin e flluskës së kredive të dhëna për blerje shtëpish. Falimentimet e institucioneve financiare, bankave dhe sigurimeve ekspozuan një model ekonomik tejet spekulativ. Një pasurim i stërmadh i pak njerëzve, i cili nuk bazohej mbi prodhimin, shërbimet apo tregtinë, një pasurim nga shitblerja e titujve abstraktë mbi “të ardhmen”. Falimentimet shpejt u bënë globale. Por, njerëzit e thjeshtë u ndien të tradhtuar, teksa u lanë të përjetojnë falimentimin e bizneseve të tyre të vogla e të mesme apo edhe largimet masive nga puna, zvogëlimet e rrogave e të pensioneve, ndërkohë që shtetet e fuqishme vepruan për të mbajtur “mbi ujë” bankat e mëdha. Ky lloj frustrimi prodhoi zhgënjimin e masave me “konsensusin demokratik” të partive të qendrës së djathtë e të majtë. Këto lloj partish nisën t’u duken masave si të njëllojta – flasin ndryshe në fushatë dhe kanë ngjyra të ndryshme në flamuj, por kur vijnë në pushtet, qeverisin njësoj, me të njëjtët ekspertë e nga të njëjtat shkolla, një lloj teknokracie, e cila demokracinë e shndërron vetëm në vitrinë. Kjo ndjesi zhgënjimi u shtua në vitet në vijim, teksa u pa se partitë e qendrës, që ishin fajtore për krizën, nuk i ndryshoi fare kriza. Përkundrazi, ato vazhduan të qeverisin me recetat e njëjta, pa gjetur zgjidhje për krizën globale (e cila u shndërrua në depresion ekonomik që vazhdon sot e kësaj dite), por edhe pa e sfiduar fare financiarizimin ekstrem të ekonomisë, që vazhdon të rritet tashmë edhe me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe mjeteve si kriptovalutat. Njerëzit e thjeshtë filluan të ndihen gjithnjë e më të pafuqishëm, ngase partitë e qendrës nuk po u jepnin as shpresë e as fuqi.

Veç kësaj, ekonomia e shpjegon ndryshimin radikal të politikave perëndimore edhe në një tjetër aspekt. Reformat neoliberale, që premtuan kthimin te rritja ekonomike përmes zvogëlimit të shtetit dhe të rregullimit, nuk sollën rezultatin e premtuar. Shtetet e mëdha perëndimore prej shumë dekadash kanë një rritje ekonomike tepër të vogël, nën 3 për qind. Nga ana tjetër, vende si Kina, Turqia, disa nga vendet e Gjirit Persik dhe disa nga vendet e Azisë së Largët, kanë pasur rritje shumë më të madhe vit pas viti. Rritje deri diku të madhe kanë pasur edhe disa vende të Europës Lindore ose edhe të Afrikës. Të gjitha këto vende që kanë patur rritje të madhe e kanë nisur prej një pragu të ulët vërtet. Mirëpo, rritja është motori i ekonomisë në kapitalizëm, mjedisi i biznesit është shumë më vital në vendet me rritje të lartë teksa lëngon në vendet me rritje të vogël nën 3 për qind. Për vite me radhë, Perëndimi është përpjekur të “mbajë ligjërata morale” ndaj vendeve që kishin rritje të lartë, duke u thënë “ju nuk po zbatoni të drejtat e njeriut”. Ky moralizim i përsëritur për vite me radhë ka krijuar paradoksalisht një bindje tek vetë popujt perëndimorë, sidomos te të rinjtë e tyre, se të drejtat e njeriut janë një gjë që e pengon rritjen dhe biznesin, e se për të pasur rritje ekonomike duhet të heqësh qafe këto pengesa. Sot, politika si ato të Trumpit pretendojnë të ndryshojnë krejt rendin botëror për ta kthyer rritjen ekonomike në Amerikë.

Sipas Trumpit, është e papranueshme, madje e pakuptimtë, që vendi me ushtrinë larg më të madhe në botë të vuajë nga largimi i investitorëve dhe i vendeve të punës ose të ketë rritje të vogël ekonomike. Kjo nuk është një mënyrë e re e të menduarit. Për shembull, në vitet ‘70, gjatë krizës globale të naftës u krijua OPEC apo Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, të cilat krijuan një deficit global që çoi në rritjen e çmimeve. Asokohe u përdorën embargo ndaj vendeve arabe e u shkaktuan kriza që çuan në revolucione (p.sh. në Iran) ose më pas edhe në luftëra, mirëpo çmimi vazhdoi të mbetej i lartë dhe vendet perëndimore me hir a me pahir vazhduan ta paguajnë atë çmim. Zbigniew Brzezinski, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit Jimmy Carter, i zhgënjyer nga fakti që edhe superfuqia ushtarake e Amerikës duhet të paguante kaq shumë për naftën, e komentoi situatën kësisoj: “Kurrë në histori të njerëzimit nuk ka ndodhur një transfer kaq i madh pasurie pa luftë”. Të njëjtën frymë përcjellin edhe qëndrimet e administratës Trump dhe të vetë presidentit aktual. Tregtia e lirë ose globalizmi po sjell transferim të pasurisë prej vendeve të pasura, ku zhvillimi është ngadalësuar, tek vendet dikur të varfra që tani po zhvillohen me shpejtësi. E këtë gjë Trumpi po përpiqet ta ndalë, duke pohuar pa drojë avantazhin e madh komparativ që gëzon Amerika, hegjemoninë e saj ushtarake.

Më shumë se sa kufizimin e Kinës, Trumpi duket se synim ka “çkufizimin e Amerikës”, heqjen e pengesave për rritjen e saj. Heqja e rregullativave globale nënkupton edhe një trazim jo vetëm të vlerave që deri më sot janë parë si dominante, pra demokracisë dhe të drejtave të njeriut, por edhe të vetë ligjeve e institucioneve ndërkombëtare. Kjo prodhon frikë e tension tek udhëheqësit politikë anembanë globit, prodhon tension tek teknokratët, por siç duket prodhon edhe një lloj gëzimi hakmarrës, një lloj “schadenfreude” tek një pjesë e mirë e votuesve.

Revolucioni teknologjik dhe ai i komunikimit

Siç thamë, shkak i dytë i këtij tërmeti politik në vendet perëndimore kanë qenë edhe zhvillimet teknologjike, e sidomos teknologjia e re e komunikimit. Bota sot po përjeton një revolucion të ri teknologjik, me zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe sistemeve të reja të prodhimit, të armatimit e të komunikimit. Revolucionet teknologjike kanë rezultuar gjithnjë në tension të shtuar social e gjeopolitik. Ato kanë sjellë pasuri të reja dhe avancim të përgjithshëm të njerëzimit, mirëpo fillimisht kanë sjellë trazira, pabarazi e vuajtje. Frika se mos Kina dhe vendet e BRICS-it ecin përpara në hapësirën ende të parregulluar të inteligjencës artificiale luan rol të madh në rritjen e paranojës gjeopolitike e në skepticizmin në rritje ndaj ligjeve dhe institucioneve ndërkombëtare. Ky lloj ankthi gjen shprehi tek mbështetja e disa biznesmenëve të mëdhenj për politikat jotradicionale. Në kohë të revolucioneve teknologjike, të eksperimentuarit bëhet i pranueshëm edhe në politikë e ekonomi.

Nga ana tjetër, teknologjitë e reja të informacionit dhe të komunikimit e kanë transformuar tërësisht rrafshin e komunikimit masiv. Interneti, telefonia mobile, telefonat “smart” të pajisur edhe me inteligjencë artificiale, e së fundmi platformat e ashtuquajtura “rrjete sociale” apo ato të tregtimit online janë futur në jetën e çdo njeriu brenda jo më shumë se njëzet vitesh dhe dallimet mes përditshmërisë së sotme e asaj të viteve 1990 janë më të mëdha se ato të viteve 1990 me 1920. Pra, në 20 vite ka ndodhur ndryshim më i madh se në 70 vite. Duke patur afër, në fakt në xhep a në dorë, mundësinë për të komunikuar apo për të blerë, njeriu është bërë më i shkujdesur si në komunikim, ashtu edhe në blerje. Kjo shkujdesje është binjake me pakujdesinë, që është nëna e moskokëçarjes dhe e papërgjegjësisë. Shkujdesja e masave në sjelljet e tyre blerëse është me interes të madh për kompanitë tregtare, ndërsa për ta rritur këtë lloj të shkujdesjes, njerëzit duhet të kalojnë sa më shumë kohë në rrjete sociale, pra duhet të rritet edhe shkujdesja e tyre komunikative. Në kohët “klasike”, para zhvillimit të këtyre teknologjive, njeriu mesatar përpiqej ta kufizonte komunikimin e vet me një rreth të ngushtë konfidencial, e mendohej gjatë përpara se të trajtonte tema të thella apo personale me njerëz të panjohur, sepse po të tregohej i shkujdesur, lehtë përfundonte i keqkuptuar e i stigmatizuar ose edhe i abuzuar. Ndërsa në kohët “e sotme” të rinjtë e të rejat ndjejnë se marrin vlerësim prej shikimeve, pëlqimeve, shpërndarjeve, gjë që i bën shpesh komunikues të shkujdesur e të pakujdesshëm. Natyra njerëzore është e tillë, që më shpejt e më shpesh tërhiqet prej skandalit sesa prej mendimit të thellë, kështu që në kërkim të vlerësimit të atypëratyshëm jo rrallë njerëzit dhe disa media përpiqen të krijojnë skandale edhe aty ku s’ka, e ftojnë skandalin, e joshin atë, e favorizojnë dhe kur nuk është, e shpikin.

Gjatë mijëvjeçarëve evolutivë njeriu është përballur me dy nevoja jetike për të mbijetuar: nevojën për ushqim e rezervim kalorish dhe nevojën për informacion. Si ushqimi, ashtu edhe informacioni, kanë qenë të rralla. Trupi dhe mendja e njeriut evoluoi që t’i përthithte ato sa më shpejt. Por, sot jemi në një periudhë kur edhe ushqimi edhe informacioni prodhohen me bollëk e shpesh pa cilësi. Ashtu siç ushqimet e dëmshme apo të tepërta duhet të shmangen, sepse prodhojnë obezitet e sëmundje, ashtu edhe informacionet e dëmshme ose të tepërta duhet të shmangen, sepse prodhojnë ndryshkje të mendjes apo “brainrot”, që ishte neologjizmi më i qëlluar i vitit të shkuar sipas fjalorëve prestigjiozë të gjuhës angleze.

Komunikimi i shkujdesur e moskokëçarës, dëshira për sa më shumë pëlqime e shikime që fton dhe josh skandalin, si dhe vërshimi i pamasë i informacionit të panevojshëm e të tepërt për të mos thënë edhe të gabuar, të gjitha këto prodhojnë një terren social të përshtatshëm për votues të papërgjegjshëm që mund të manipulohen e të kondicionohen lehtë nga agjenda të ndryshme. Partitë tradicionale të qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë nuk arritën dot të ndërhyjnë në kohë për rregullimin e sferës së komunikimit dhe të teknologjive të reja. Ato e lanë këtë çështje në dorë të “vetërregullimit”, pra në dorë të pronarëve miliarderë e monopolistë të këtyre platformave. Siç thamë, interes i tyre është që të rritet shkujdesja e përdoruesve, e njëkohësisht të marrin pushtetin politikanë eksperimentues, që japin zgjidhje gordiane për komplikacionet globale politike.

Identiteti: Origjinë apo pjesëmarrje?

Nga pikëpamja e votuesit të thjeshtë në vendet perëndimore, ankthi identitar luan rol kryesor në përzgjedhjet politike që ata kanë bërë në vitet e fundit. Perëndimorët që kanë qenë të rinj në vitet ‘60 e deri ‘90 të shekullit të shkuar, të udhëhequr nga ideologjitë hedoniste, nuk kanë krijuar familje e kanë bërë shumë pak fëmijë. Sot përjetojnë vetminë në pleqëri. Me siguri nuk e kanë lehtë ta shohin fajin tek vetja dhe tek zgjedhjet që kanë bërë në jetë. Është më lehtë t’i hidhet faji “sistemit”. Për të mbajtur në këmbë ekonomitë e atyre vendeve ishte e domosdoshme ardhja e punëtorëve të huaj. Vazhdon të jetë edhe sot e domosdoshme, siç u dëshmua në debatin që Elon Musk pati me krahun ksenofob të mbështetësve të Trumpit, sa i përket vizave të punës. Por, vulën debatit ia vuri Trumpi, duke thënë se punëtorët e huaj janë të domosdoshëm dhe vizat e punës do të vazhdojnë të jepen. Çështja është se punëtorët e huaj nuk vijnë vetëm si krah pune, por edhe si njerëz. Vijnë me familjet dhe kulturën e tyre. Sjellin me vete jo vetëm përfitim e zhvillim, por edhe halle e probleme. Është e pamundur të importosh krah pune pa importuar njerëz e kultura të tjera.

Pensionistëve perëndimorë, të hidhëruar prej vetmisë që trashëguan nga jeta e dikurshme prej qejflijsh, u duket se të ardhurit po ua cenojnë kulturën e dikurshme dhe religjionin vendas, paçka se sondazhet tregojnë që në perëndim prej shumë dekadash religjioni ka qenë përcaktor jo shumë i fortë i jetës së përditshme (sepse feja bie ndesh me logjikën e konsumit, jo rrallë edhe me moralin kapitalist). Ndërsa perëndimorëve që janë në moshë pune, u duket se të huajt vijnë e ua prishin sistemin social e atë të pagave, duke pranuar të punojnë për paga më të ulëta e në kushte më të vështira. Nëse kësaj situate ia shton edhe sulmet e atentatet terroriste, të cilat çuditërisht duket sikur shpeshtohen pikërisht para zgjedhjeve të rëndësishme, mund të arrish ta kuptosh edhe ankthin identitar të perëndimorëve, që dërgon në votimin e politikanëve të paparashikueshëm si Donald Trumpi.

Si duhet të veprojnë shqiptarët

Paniku është i kotë, jo vetëm për shqiptarët, po për çdo popull dhe në çdo rast. Reagimi kondicional i njeriut primitiv përballë rreziqeve është njësoj me atë të kafshës: vrapo ose lufto. Mirëpo, edhe pse ka ende individë që veprojnë kësisoj, komunitetet e organizuara në kombe dhe shoqëritë e civilizuara nuk mund të veprojnë kësisoj.

Shqiptarët në aspektin diplomatik duhet të përpiqen të lexojnë sa më qartë atë që po ndodh. Veprimet e diplomatëve tanë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi duhet të jenë të fokusuara në sigurimin e garancive amerikane dhe/ose europiane për sigurinë në rajonin tonë. Kjo kërkon bashkëpunim sistematik dhe intensiv me diasporat tona në vendet relevante perëndimore, e sidomos me njerëzit me ndikim kulturor, profesional apo biznesor brenda mërgatës sonë. Jemi vonë për ta filluar këtë punë sistematike, megjithatë kurrë nuk është tepër vonë.

Veç garancive të sigurisë, shqiptarët duhet të përpiqen të gjejnë përgjigje për këto tre probleme që e kanë futur në konfuzion botën perëndimore, ku edhe ne jemi apo synojmë të jemi pjesë.

Sa i përket ekonomisë, ne nuk mund të jemi vazhdimisht me dorën shtrirë për ndihma. Lypësit shumëkush i japin lëmoshë, por rrallëkush e pyet apo e merr parasysh mendimin e tij. Që shqiptarëve t’u merret parasysh mendimi, ata duhet të fillojnë të zhvillojnë një ekonomi të mirëfilltë, të jenë të dobishëm për rajonin e pse jo për kontinentin. Shqipëria po mburret me turizmin, s’ka gjë të keqe kjo, por duhet ditur edhe se në periudha krizash njerëzit fillimisht shkurtojnë buxhetin për pushime, pastaj shpenzimet e tjera. Sot tensioni gjeopolitik për ekonominë nuk e ka hallin fort te turizmi e te shërbimet e ngjashme, por tek prodhimi e përpunimi i metaleve e i lëndëve të para që përdoren për teknologjitë e reja, tek zhvillimi i qendrave për ruajtjen e të dhënave, tek zhvillimi i kapaciteteve energjike, te prodhimi i ushqimit e i barnave, e jo më pak edhe te prodhimi ushtarak. E dimë që jemi larg strukturalisht dhe shoqërisht nga shumë prej këtyre sferave. Megjithatë, dalëngadalë mund të fillojmë edhe ne të përfshihemi në zinxhirët e shtimit të vlerës dhe ato të furnizimit, sidomos në disa sektorë të industrisë ushqimore dhe asaj të barnave, në disa sektorë të prodhimit ushtarak e atij energjetik, e kështu me radhë. Fatkeqësisht, shumica e kapitalit që vjen nga mërgata shqiptare, shkon në beton për ndërtim banesash, shtëpish, hotelesh e dyqanesh. Biznesmenët e mëdhenj shqiptarë janë ndërtues apo tregtarë prodhimesh të importuara. Pa ndryshuar kjo situatë, do të jetë vështirë për ne, në botën e re që po krijohet. Është shpresëdhënëse qeveria e Vetëvendosjes në Kosovë, që ka hedhur hapat e para në ndihmë të prodhimit ushqimor (bujqësor) e po fillon të hedhë hapa edhe për prodhimin e municioneve ushtarake. Shqipëria gjithashtu ka hedhur hapa në krijimin e kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë. Mirëpo, nëse këto vende do të vepronin në bashkërendim, siç bëjnë për shembull vendet baltike e nordike ose vendet e Vishegradit dhe ato të Krajovës, do të mund të ulnin kostot e të rrisnin efiçiencën. Bashkërendimi deri më sot është penguar si pasojë e dëshirës së disa vendeve për ta pasur edhe Serbinë në mesin tonë. Problemi është se me Serbinë, më shumë hapim pikëpyetje të reja ekonomike e gjeopolitike sesa që u japim përgjigje të vjetrave. Rruga e vetme është forcimi dhe intensifikimi i raporteve mes katër vendeve të ngjashme nga niveli i zhvillimit dhe nga kahja gjeopolitike, e ato janë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Zhvillimi i disa projekteve infrastrukturore me rëndësi mes këtyre vendeve, siç janë hekurudhat Shkodër-Gjakovë, Durrës-Strugë, Prishtinë-Shkup, Gjilan-Bujanovc dhe Lezhë-Ulqin, siç janë rrugët Tiranë-Dibër, Prizren-Tetovë, Deçan-Plavë e Pejë-Rozhajë, do të sillte edhe më shumë zhvillim, edhe më shumë lidhje rajonale e europiane, edhe më shumë interes për investime të huaja e garanci për siguri e paqe në rajonin tonë. Është shpresëdhënës fakti se të gjitha qeveritë po angazhohen në këto drejtime.

Sa i përket teknologjisë, është e rëndësishme që teksa flasim për zhvillimet e reja e revolucionet e inteligjencës artificiale, të mos lëmë pas investimin në arsim. Fatkeqësisht arsimi fillor e i mesëm është viktimë e konfuzionit politik shqiptar përgjatë tranzicionit që po mbyllet. Me arsim të rrënuar të rinjtë tanë ndoshta do të jenë programues të mirë, por do të jenë viktima të nihilizmit, të përçarjes, të propagandave. Do të jenë joshës për probleme të ndryshme të modernitetit. Sot jemi në pikën kur kombin, shoqërinë, historinë, të rinjtë tanë i përjetojnë individualisht nëse i përjetojnë. E për këtë e ka fajin arsimi ynë i shkatërruar nga punësimet partiake, nga ulja e vlerës shoqërore të shkollës e të mësuesit dhe rritja e vlerës shoqërore të pushtetarit apo të pasanikut. Sot për sot shqiptarët kudo që jetojnë në Ballkan, sipas vlerësimeve të testit PISA, kanë një hendek të madh kulturor e arsimor në raport me kontinentin, madje edhe me fqinjët tanë në rajon. Kjo rrezikon të na lërë pas si në raport me zhvillimet e reja teknologjike e ekonomike, ashtu edhe në raport me problemet identitare që po përjeton kontinenti e që po gdhendin të tashmen e të ardhmen e globit.

Kjo mangësi arsimore e kulturore, shoqëruar me shkujdesjen komunikative dhe me dobësimin e komuniteteve tradicionale, ka prodhuar një individualizëm skeptik, që na vendos para pyetjes se çka është identiteti për shqiptarët e rinj? A është identiteti ynë gjuha e kultura, siç kemi menduar kahera? Në qoftë kështu, çfarë identiteti kanë ata që zotërojnë veç 2-300 fjalë të gjuhës së tyre amtare, e që kurrë s’kanë lexuar ndonjë libër? Të tillët janë bërë shumë. Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Europiane e Trajnimeve e Kualifikimeve, afër 47 për qind e 15 vjeçarëve në Shqipëri nuk janë në gjendje të shprehin mendimin e tyre përmes një fjalie të shkruar, por as ta kuptojnë atë mendim duke e lexuar të shkruar nga ndonjë tjetër. Nëse është gjuha e kultura identiteti ynë, ai është në rrezik. Nuk na i rrezikojnë të huajt, të cilët shpesh e mësojnë shqipen mirë. Na i rrezikon vetëvrasja arsimore që ka ndodhur nën hundën e shumë politikanëve të cilët po del se më shumë kanë qenë të interesuar për t’u blerë brekë grave sesa për të gjetur zgjidhje për arsimin.

Simone Weil, filozofja franceze e mesit të shekullit XX, shkruante se identiteti nuk është diçka individuale, të cilën njeriu e merr nga lindja dhe e mbart me vete kudo e sido. Ajo thoshte se identiteti është i lidhur me një nga nevojat më të rëndësishme të shpirtit njerëzor, nevojën për të lëshuar rrënjë. Sipas Simone Weilit, kjo nevojë është ndër më të nënvlerësuarat dhe ndër më pak të njohurat, por veç përmes rrënjëzimit njeriut i mundësohet të jetojë një jetë të plotë, duke marrë prej mjediseve ku bën pjesë lëndën e parë për vlerat morale, intelektuale e shpirtërore. Pra, njeriu e merr identitetin duke shtrirë rrënjët tek e përbashkëta, e jo përmes ndonjë trashëgimie individuale a individualiste. Shqiptar është ai që merr pjesë te e përbashkëta kulturore, ekonomike, intelektuale e shpirtërore shqiptare, e jo ai që ka gjene të caktuara, apo që nuk ka disa gjene të tjera. Fiksimi me gjenetikën, sidomos kur ndodh prej atyre që nuk e kanë profesion fushën në fjalë, shkakton huti. Njerëz të dëshmuar historikisht si antishqiptarë të mëdhenj, shkaktarë për spastrime e gjenocid kundër shqiptarëve, gjenetikisht e familjarisht mund të kenë patur prejardhje shqiptare. Gjenetika, pra, nuk është përcaktori për fenomenet shoqërore dhe politike, siç është edhe identiteti. Shqiptarët duhet të ndërtojnë përmes arsimit dhe institucioneve të riprodhimit kulturor një identitet që u përgjigjet nevojave të modernitetit, e që njëkohësisht nuk i shmanget historisë, shkencës, iluminizmit dhe nevojave shpirtërore. Ky identitet duhet të jetë gurthemel i bashkësisë e i bashkësive, pranues e jo përjashtues, jo shkëmb vetmitar në ndonjë bjeshkë apo në fund të detit.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X