Nga perspektiva e sotme, varësisht nga vendndodhja, ideologjia dhe ekonomia, mund të jepen vlerësime të ndryshme për Islamin dhe shqiptarët në Ballkan. Në sferën shqiptare shohim lëvizje të ndryshme të konvertimeve nga myslimanë në katolikë apo anasjelltas. Pavarësisht trendit të ri të konvertimeve, shqiptarët në Ballkan dhe në botë nuk duhet ta praktikojnë ekstremin e besimeve që u takojnë.
Selim IBRAIMI, Uashington
Në rastin e luftërave bashkëkohore, nuk ka dyshim se feja luan një rol të madh. Në dy mijë vitet e fundit, feja është shfrytëzuar për të mirë dhe për të keq. Në kontekst të pozitës së shqiptarëve në Ballkan, marrëdhënieve me Perëndimin dhe Lindjen ose raporti i shqiptarëve me Islamin dhe Krishterimin, historikisht, për më shumë se një shekull, është imponuar jo vetëm një pyetje, por ka qenë shumë e vështirë për t’u eksploruar si dilemë për shkak të historive të ndryshme që ekzistojnë rreth pranimit të Islamit në Ballkan, veçanërisht tek shqiptarët. Siç e dimë, në Mesjetë, në rajonet e Ballkanit, nuk kishte asnjë problem në aspektin fetar dhe etnik, pasi Krishterimi ortodoks dominonte në rajon si fe dhe si “komb”, deri në kohën kur pushtimi osman bëri që njerëzit e Ballkanit të ndiheshin ndryshe. Para shtrirjes osmane në viset arbërore (shqiptare), martesat dhe aleancat politike bëheshin në kontekst të fesë dhe pa ndërhyrje të përkatësisë etnike. Aty pas Betejës së Varnës (1444), shumë çështje të konservuara fetare në Ballkan filluan të marrin formë. Shpejtësia e pushtimit osman të rajoneve të krishtera mori një dinamikë tjetër aty pas vitit 1385, kur Karl Topia i Principatës së Durrësit, pas humbjes së zotërimeve dhe luftës me Balshajt, i ftoi në ndihmë osmanët. Dhe, po këtu, çështja e fesë tek shqiptarët u bë emergjencë vetëm pas rënies së Konstantinopojës (1453) dhe fillimit të pushtimit të rajoneve të Ballkanit nga Perandoria Osmane në fillim të vitit 1423. Në këtë konkurrencë për t’i mbrojtur aleatët e krishterë në Ballkan, politikat e Venedikut u bënë më të spikatura në ruajtjen e katolicizmit në pjesën veriperëndimore të Arbërisë. Venediku shqiptar (Venetian Albania), vendbanimet në viset më të larta të Shqipërisë veriore, të Kosovës dhe Maqedonisë, ishin një ndër synimet e Venedikut.
Gara krishtere dhe osmane për Ballkanin
Në këtë garë, të themi gjeopolitike, të asaj kohe, Perandoria Osmane u ngrit në mes të një kaosi të rënies së ndikimit të bizantinëve dhe mongolëve, ndërsa në Europë si fuqi të kohës konsideroheshin shtetet papale, Napoli, habsburgët, polakët, serbët, kroatët, hugarezët dhe bullgarët në nivele mesatare. Feja ishte gjithçka tek popujt e Mesjetës. Në këtë pikë, osmanët nuk kishin rival, pasi i kishin të gjitha mjetet e kohës për ta përhapur fenë. Të ndodhur në këtë hapësirë të ngushtë gjeografike, përhapja e fesë në Ballkan tek shqiptarët përfundoi gjatë shekullit të 17-të, ku po sipas burimeve perëndimore rezistenca e popujve për ta ruajtur fenë e dikurshme, sidomos e fiseve të jugut të Ballkanit, merr fund në këtë shekull. Kjo vlen edhe për arbënorët. Perandoria Osmane e zotëroi me lehtësi plotësisht jugun e Ballkanit, kjo për arsye gjeografike dhe të pushtimit në etapa. Perandoria Osmane u shfaq në fund të shekullit të 16-të si fuqi e vërtetë globale me pretendime për ta pushtuar Europën katolike. Njëkohësisht në emër të fesë shumë popujve të dikurshëm të krishterë me metoda të ndryshme u ofroi mundësi ta pranojnë Islamin. Mirëpo, me dështimin e ushtrisë osmane për ta pushtuar për së dyti Vjenën në vitin 1683, shtrirja e fesë islame nga osmanët e humbi fuqinë, duke krijuar kështu një vakum për forcim të idesë për shkëputje nga Perandoria Osmane. Me frymën e re që po lindte në Europën e atëhershme, e sidomos pas Revolucionit Francez (1789), po aty shqiptarët ngadalë fillojnë të mendojnë për vatan dhe për çlirim nga osmanët. Të krishterët që kishin mbetur në pjesët malore të banuara me arbënorë vazhduan ta ruajnë fenë dhe traditën e krishterë. Pavarësisht vërejtjeve që sot i kanë shumë studiues, nuk duhet harruar se Perandoria Osmane edhe pas rënies gjatë fund shekullit të 17-të ishte e aftë ta asimilojë popullatën dhe dinastitë, si të thuash, në Ballkan, qoftë ato serbe, bullgare, greke, arbërore etj. etj.
Privilegjet në perandori
Është e njohur se vezirë dhe administratorë të shumtë shqiptarë kanë qenë pjesë të Portës së Lartë që nga shekulli i 15-të e deri në shpërbërjen e saj. Shumë shqiptarë të shkolluar në Stamboll, me fe myslimane, kanë qenë pjesë e Lidhjes së Prizrenit, Kongresit të Manastirit, Ditës së Pavarësisë së 1912 etj etj. Si duket, nuk është feja dhe konvertimet ku duhet kërkuar të gjitha shqetësimet e sotme shqiptare. Të vazhdojmë me aspektet diplomatike të Perandorisë Osmane me fuqitë e kohës dhe trajtimin e popullsisë po nga osmanët. Derisa konkurrenca midis Perandorisë Osmane, habsburgëve dhe shteteve papale bashkë me Venedikun përparonte, karakteristikat kryesore të popullsisë që kishte mbetur nën sundimin osman kishin ndryshuar. Rasti i ruajtjes së identitetit tek popujt e Ballkanit u rrit në fund të shekullit të 18-të, kur zhvillimi i teknologjisë industriale solli shpresa të reja për kombet e rajonit, por gjithnjë me befasi të reja për qëndrimet e Portës së Lartë, me ç’rast disa popujve të krishterë iu dha e drejta e autonomisë/pavarësisë më vonë. Shumë fise dhe kryengritës në Mesjetë kishin shpresa se fuqitë europiane do të mund t’ua kthenin fenë e vërtetë shqiptarëve, por kjo nuk ndodhi kurrë. Mbi treqind vjet si myslimanë, shumica e shqiptarëve ishin pajtuar me besimin e ri, edhe atë deri në vitin 1967, kur në Shqipërinë komuniste regjimi i Enver Hoxhës i ndaloi të gjitha besimet fetare. Në ish Jugosllavi, shqiptarët vazhduan ta praktikonin fenë gjithnjë në kuadër të njohjes nga shteti se kush duhet të jetë në krye të institucioneve fetare. Pas vitit 1991, për arsye ekonomike, disa shqiptarë të Shqipërisë duhej të deklaroheshin qoftë si ortodoksë, katolikë ose si myslimanë vetëm për privilegje.
Sot një erë të konvertimeve e shohim në Kosovë. Në të vërtetë, edhe pse rastet janë të fundshekullit të 20-të dhe 21, përsëri konvertimet mund të shërbejnë si model për faktorët që ndikuan që vetëm shqiptarët në kohën osmane ta pranonin gjerësisht ndryshimin e fesë, krahasuar me kombet e tjera të Ballkanit. A ishte statusi ekonomik në Perandorinë Osmane stimuluesi kryesor për ta thithur shpejt kulturën dhe fenë e re në Ballkan? Këtu ka pasur shumë hipoteza, pasi burimet katolike dhe ato të Perandorisë Osmane kanë shumë pak informacion për ta vërtetuar këtë fushatë nëse ka pasur dhunë për t’i konvertuar popujt në fenë myslimane apo kjo ishte me vetëdëshirë, për arsye të statusit ekonomik dhe privilegjeve që i ofronte Perandoria Osmane. Janë hasur së fundi dokumente, si të ish studiuesit Stavri Skëndo (1908-1989), ku përshkruhet politika osmane ndaj popujve të Ballkanit për ta pranuar fenë. Por, historikisht, nuk kanë ekzistuar mbretëri, perandori dhe qeveri që nuk i kanë përdorur të gjitha masat dhe metodat për ta nënshtruar një popull ose më shumë popuj. Mund të fillojmë me Perandorinë Romake, bizantine, mongole, kalifatet islame, britanike, spanjolle, franceze etj etj; dhe lirisht këtu bën pjesë dhe Perandoria Osmane, pa lënë anësh rolin e sotëm amerikan. Andaj, është e vështirë të përqendrohemi vetëm në një aspekt të fuqisë së pushtimit që e bën një perandori të mirë ose të keqe ose numërimi vetëm i anëve negative të shkrirjes së një populli në kazanin fetar dhe kulturorë të një perandorie. Nuk ka dyshim se një perandori ka pasur mëshirë për një popull i cili ka refuzuar t’u bindet rregullave dhe ideologjisë perandorake. Mund të bëhen disa krahasime me vendet e sotme që janë nën presion të shteteve të fuqishme, duke përfshirë SHBA-në, Kinën dhe fuqitë e tjera europiane, që janë përpjekur në të kaluarën dhe aktualisht të ndikojnë në shtetet e tjera përmes politikës, ekonomisë, kulturës dhe fesë. Andaj gjithçka varet nga mënyra se si përpiqemi të arrijmë në përfundime dhe çfarë duam të arrijmë kur flasim për fenë dhe asimilimin nën perandori.
Përsa u përket marrëdhënieve shqiptaro-osmane në lidhje me fenë, nuk ka dyshim se në emër të Perandorisë dhe Islamit u vendosën metoda të ashpra në vepër pas rënies së Krujës. Në vendbanimet e gjendura në lugina, përhapja e Islamit ishte më e lehtë për shkak të mungesës së barrierave në krahasim me viset e larta, ku presioni për konvertime nuk ishte aq i fortë. Pavarësisht faktorëve, sot shqiptarët e feve të ndryshme duhet ta praktikojnë besimin drejt, pa paragjykime dhe pa radikalizëm. Mendoj se politika ka luajtur një rol të madh para dhe pas vitit 1991 në ngritjen e emocioneve kundër osmanëve, se si i kishin vendosur shqiptarët në ingranazhet e fundit të Perandorisë në krahasim me serbët, bullgarët dhe grekët.
Shqiptarët në mes Perandorisë Serbe dhe Osmane
Variabli më i besueshëm është se arbënorët nën sundimin e Perandorisë Serbe u asimiluan tërësisht, andaj me pushtimin e Ballkanit nga osmanët, ardhja e tyre u mirëprit si mundësi për t’i shpëtuar dhunës dhe jetës nën sundimin serb. Për shkak të mungesës së dokumenteve për periudhën kur bizantinët ranë dhe serbët morën shumë pushtet në rajonin ku habitati i arbënorëve u përballë me represionin serb, është e besueshme që arbënorët në pamundësi të luftojnë serbët në Mesjetë, nuk kishin zgjedhje tjetër, pos të ndërrojnë anë. Ishin gjithashtu luftërat e brendshme për zotërime që nxitën disa prijës arbërorë të kërkojnë ndihmë nga osmanët. Mirëpo, nga koha e konvertimit masiv e deri në kohën kur shumica e kombeve të Ballkanit kërkonin pavarësi nga osmanët, për shqiptarët ende mbetet e diskutueshme se pse politika e osmanëve ndaj shqiptarëve ka qenë më ndryshe krahasuar me politikën osmane ndaj të krishterëve. Mund të kritikohet në krahasim me situatën e kombeve të tjera ortodokse që e refuzuan islamin dhe lirshëm vazhduan t’i gëzonin privilegjet në Perandorinë Osmane. Shqiptarët e pranuan Islamin me shumicë dhe përsëri ishin të fundit që u zgjuan kombëtarisht. Me ndryshimet e mëvonshme në teatrin europian, aty në fund të 1910-ës, shqiptarët ende kishin shpresa se Perandoria Osmane do t’ua sillte pavarësinë. Më vonë, disa – në emër të fesë – nga Ballkani morën pjesë në luftërat e Perandorisë në Dardanele dhe në Gadishullin Arabik. Disa me vetëdëshirë e disa të rekrutuar u larguan e nuk u kthyen më. Disa administratorë shqiptarë, të motivuar po nga feja, arritën në vilajetet shqiptare për ta shpallur pavarësinë, e disa në emër të fesë mendonin ta shpallin një autonomi nën sovranitetin osman-turk. Në kryengritjet që shpërthyen në Kosovë dhe Maqedoni, e që më vonë ndikuan në shpalljen e pavarësisë së gjysmës së Shqipërisë në vitin 1912, figurat kryesore ishin të klerit fetar mysliman, pa mohuar ato katolikë dhe ortodoksë. Andaj, në rastin e pranimit të fesë islame tek shqiptarët kanë ndikuar një varg faktorësh gjeopolitikë, socialë dhe ekonomikë në atë kohë dhe pas. Paragjykimet kundër osmanëve, për fat të keq, në kohën bashkëkohore të kombeve pa orientim, pa ekonomi dhe sigurisht të mungesës së prestigjit si myslimanë në botë, nuk janë fakte kredibile për ta akuzuar një perandori të tërë ose për filluar një fushatë të paqartë të konvertimeve.
Vështrime reale për konvertimin dhe si më tej
Duhet parë me një kompetencë më të madhe këtë konvertim masiv të shqiptarëve në Mesjetë dhe, natyrisht, luftërat e tyre para dhe pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468. Siç dihet, pas vdekjes së tij një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve u larguan drejt brigjeve të Italisë, një pjesë iu rrek luftës për t’i kundërshtuar osmanët, ndërsa pjesa dërmuese u pajtua me zgjedhjen e re, atë të konvertimit në fenë islame. Mund të themi se në Ballkan, në rajone të ndryshme, pranimi ose refuzimi është bërë në specifika të ndryshme. Kanë qenë faktorë të tjerë që kanë ndikuar në refuzimin për t’u konvertuar në Islam në Serbi, Bullgari, Rumani apo Greqi, ku Perandoria Osmane ushtronte pushtet me dallimet e mëvonshme që u paraqitën në hapësirën arbërore. Pastaj, sipër këtij presioni ekzistonte një garë tjetër më e ashpër mes popujve të pushtuar nga osmanët: një hapësirë e padurueshme për të bashkëjetuar mes vetë të krishterëve. Le të jemi të qartë këtu, një perandori nuk është marrë gjatë gjithë kohës me konvertime fetare. Perandoria Osmane po angazhohej me mbretëri të tjera, duke zhvilluar lidhje diplomatike, ekonomike, kulturore, etj. Pra, mund të jetë mashtruese nëse gjykojmë vetëm një anë të Perandorisë, veçanërisht si shqiptarë.
Nga perspektiva e sotme, varësisht nga vendndodhja, ideologjia dhe ekonomia mund të jepen vlerësime të ndryshme për Islamin dhe shqiptarët në Ballkan. Të njëjtat duhet të jenë të qëndrueshme, objektive dhe pa ngjyrime fetare si mundësi që të jemi më afër së vërtetës së këtij sundimi 500-qindvjeçar. Por, në të gjitha variantet, një orientim fetar një popull duhet ta ketë, pavarësisht ndarjeve dhe subndarjeve fetare. Për të mirë apo për të keq, besimi fetarë do të vazhdojë të jetë pjesë e jetës sonë dhe shoqërive deri në fund të jetës dhe ekzistencës së kësaj bote. Në sferën shqiptare shohim lëvizje të ndryshme të konvertimeve nga myslimanë në katolik apo anasjelltas. Gjithashtu, në vitet e fundit Islami është keqpërdorur nga radikalët për të arritur disa qëllime ideologjike. Në një kohë të pasigurisë globale, njeriut gjithmonë i paraqiten dilema nëse mund të përsëriten disa faza të errëta të mesjetës, ku kleri dhe feja dominonin në të gjitha anët. Pavarësisht trendit të ri të konvertimeve, shqiptarët në Ballkan dhe në botë nuk duhet ta praktikojnë ekstremin e besimeve që u takojnë. Devijimet tjera mund të përmirësohen në një shoqëri ku vetë feja dhe shteti nuk do të përplasen dhe nuk do të lejojnë palë të treta të ndërhyjnë në jetën fetare e publike.