loader image
October 18, 2024

Dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë

Në situatën aktuale, kur një Serbi e papenduar për të kaluarën e saj vazhdon ta kërcënojë hapur paqen dhe stabilitetin në rajon dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, ajo e mori një mesazh meritor. Mbase ky mesazh do të duhej t’i shërbente si mësim se komuniteti ndërkombëtar është aq vigjilent, sa të kuptojë se retorikat dhe veprimet aktuale të regjimit serb janë një vazhdimësi e politikave shoviniste që ka zbatuar deri dje në kuadër të traditës së vet shtetërore.

Blerim HALILI, Prishtinë

Një nga sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen shoqëritë postkonfliktuale është adresimi i duhur i krimeve që janë kryer dhe ballafaqimi me fatin e viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës. Fakti se këto shoqëri, pra palët e përfshira në konflikt, i kanë rrëfimet e tyre vetanake dhe të kundërta sa i përket asaj që ka ndodhur, e bën situatën edhe më të ndërlikuar. Këto rrëfime, meqenëse nganjëherë burojnë nga pushteti, përbëjnë thelbin e motivit politik për mosndriçimin e ngjarjeve të errëta që i kanë përjetuar popujt. Janë narrativat zyrtare ose shtetërore të vendeve që kanë kryer krime kundër njerëzimit ose gjenocid ato që e pengojnë me çdo kusht dokumentimin e ngjarjeve makabre. Regjimet që kanë kryer krime kundër njerëzimit kështu bëhen vetë pengesë e zbardhjes së të vërtetës dhe e ballafaqimit me të kaluarën ose me të vërtetën. Sikur nuk mjaftojnë me kaq, disa vende, siç është Serbia, tentojnë të gjejnë sërish terren dhe të krijojnë klimë dhe pretekst për t’i zbatuar politikat e veta gjenocidale ndaj popujve fqinjë, mbase përmes grupeve terroriste ose edhe me tentim të invazionit klasik.

Pesha e Rezolutës së OKB-së për Srebrenicën

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 23 maj 2024, me të cilën 11 korriku shpallet si Dita Ndërkombëtare e Gjenocidit në Srebrenicë, ishte një vendim shumë i vonuar, por i drejtë dhe historik për disa arsye. Duke ua treguar vendin autorëve të krimit, ky vendim i shërben vendosjes së disa ekuilibrave të munguar, si në aspektin penal, ashtu edhe në atë human e shpirtëror. Në fakt, kjo rezolutë vë në pah faktin dhe ngjall shpresën se drejtësia për viktimat, herët a vonë, do ta thotë të vërtetën dhe do t’i ndëshkojë autorët. Kjo shërben si lehtësim shpirtëror për familjarët dhe të afërmit e viktimave, e po ashtu edhe për të mbijetuarit e dhunës. Adresimi i krimeve të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit, përmes rezolutave të tilla, përmban disa aspekte jetike për qytetërimin e sotëm dhe rendin ndërkombëtar. Dimensioni penal ndërkombëtar-juridik, vendosja e drejtësisë ndërkombëtare, përmes një “kontrate dhe ndëshkimi unanim”, shërben si siguri për zbatimin e drejtësisë për viktimat. Dimensioni i sigurisë, të cilin e përmban ose nënkupton ky adresim, shërben si alarm në paralajmërimin e shkelësve të së drejtës ndërkombëtare se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë dhe nuk do të lihet pa u ndëshkuar. Dimensioni psikologjik dhe i mbështetjes së viktimave dhe familjarëve të tyre është po ashtu një aspekt tjetër i rëndësishëm në këtë rrafsh. Ndërkaq, duke qëndruar në anën e viktimave civile e të pafajshme, që u gjendën përballë ndëshkimit e ekzekutimit mizor kolektiv, ky adresim përçon mesazh edhe në dimensionin human, ngase tregon se ekziston një instancë ndërkombëtare që monitoron dhe merr nën garanci ndëshkimin e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe kryerjes së krimeve kundër njerëzimit. Prandaj pesha e rezolutës së OKB-së shtrihen në një terren të gjerë historik, penal, moral, human dhe të sigurisë.

Mësim dhe njollë për Serbinë

Në situatën aktuale, kur një Serbi e papenduar për të kaluarën e saj vazhdon ta kërcënojë hapur paqen dhe stabilitetin në rajon dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, ajo e mori një mesazh meritor. Mbase ky mesazh do të duhej t’i shërbente si mësim se komuniteti ndërkombëtar është aq vigjilent, sa të kuptojë se retorikat dhe veprimet aktuale të regjimit serb janë një vazhdimësi e politikave shoviniste që ka zbatuar deri dje në kuadër të traditës së vet shtetërore

Liria e kriminelit si kërcënim i përhershëm

Nga ana tjetër, ngecja e madhe në ndëshkimin e kriminelëve të luftës dhe mosadresimi i duhur i krimeve, vë në pah rrezikun që vjen nga liria e kriminelit. Në një botë ku nuk ka ndëshkim për gjenocid, çfarë mund ta pengojë një regjim ta rimarrë veten e ta zbatojë rishtazi brenda rrethanave të reja politikën e vet të spastrimit etnik dhe hakmarrjes? Në një botë të tillë, kush është gati për drama të reja, përveç atyre që besojnë se, përmes dhunës dhe pushtimit, po arrijnë qëllimet e shenjta për krijimin e botës së tyre të madhe? Kështu u takon instancave të sigurisë ndërkombëtare dhe gjykatave të të drejtave të njeriut që të jenë në krye të detyrës e të mos e lënë botën të bie në kthetrën e errësirës së diktatorëve që e duan anarkinë dhe dhunën.

Dokumentimi i krimeve të luftës në Kosovë

Adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë e ka historikun dhe specifikat e veta. Intervenimi ndërkombëtar dhe mbarimi i luftës u pasua me një proces të urgjencës për të krijuar një mjedis të sigurt dhe paqësor. Kërkesa dhe fokusi kryesor i bashkësisë ndërkombëtare ishte pra krijimi i një mjedisi të sigurt dhe ndërtimi i të ardhmes në paqe. Kjo u reflektua edhe në mjedisin e brendshëm kosovar, ku – përballë “kauzës së re shtetërore” – adresimi i krimeve të luftës dhe ballafaqimi me të kaluarën nuk ishin pjesë e idealit të ri politik e shoqëror, sikurse që ishte, ta zëmë, shpallja e pavarësisë, integrimi euroatlantik, paqja dhe stabiliteti. Por, kjo do t’i kushtonte shumë Kosovës në disa aspekte. Ajo ishte viktimë që kishte dalë e rrënuar dhe tronditur nga lufta. Kalimi i kohës shënoi një hendek të madh ndërmjet ngjarjeve dhe kujtesës. Dokumentimi i ngjarjeve të luftës nuk u bë asnjëherë prioritet politik e as kolektiv. Por, megjithatë, dokumentimi i krimeve të luftës në Kosovë, përvoja, ecuria, subjektet e angazhuara etj., janë një histori në vete që meriton respekt. Në një farë mënyre, kjo çështje, pra shënimet për fatin tonë kolektiv, kishin mbetur në dorë të individëve privatë vullnetmirë dhe organizatave vendore e ndërkombëtare. Ishte kjo vonesë që rezultoi me humbje të fillit të kujtesës së freskët dhe dëshmive të dorës së parë.

Themelimi i IKKL-së, moment kthese për kujtesën e Kosovës

Themelimi me Ligj i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, përbën një moment kthese në adresimin e çështjes së krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky moment e sjell angazhimin në këtë drejtim në një nivel tjetër, ku duket se është e pranishme vëmendja dhe mbështetja shtetërore, përkrahja menaxheriale dhe buxhetore dhe puna sistematike në mbledhjen, verifikimin, përpunimin, arkivimin dhe hulumtimin e krimeve që janë kryer gjatë luftës në Kosovë. IKKL-ja, sipas definimit ligjor, nuk ka mandat penal-juridik, por është qendër kombëtare e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës dhe mëton të shërbejë si referencë dhe bazë shtetërore e të dhënave për palët e treta të interesuara për këtë fushë, pra si për spektrin shkencor, akademik, hulumtues, artistik, letrar, publicistik e medial, ashtu edhe për atë penal-juridik. Spektri i krimeve që i dokumenton ky institut shtrihet nga krimet kundër njerëzimit, krimet ekonomike, krimet në ambient, krimet ndaj pronës kulturore dhe krimet psikologjike. Tashmë kur gjendet në një fazë të pranimit ose mbledhjes së dëshmive të luftës (fotografi, dokumente, video incizime, dorëshkrime, raporte etj.), nga qytetarë, organizata dhe institucione, IKKL-ja ka filluar ndërtimin e bazës së të dhënave për këto dëshmi.

Natyrisht, sfidat në adresimin, dokumentimin, verifikimin, arkivimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë janë të shumta. Harresa, humbja e dëshmive, vdekja e dëshmitarëve, rëndesa psikike e të mbijetuarve të dhunës etj., indinjata për vonesën e dokumentimit shtetëror dhe ndjekjes penale të autorëve të krimit janë vetëm disa nga këto sfida.

Një shoqërie normale moderne nuk i mjafton evidenca dhe hulumtimi

Është e qartë se për shoqërinë kosovare, prapëseprapë, evidentimi shkencor e sistematik i asaj që ka ndodhur nuk do të jetë i mjaftueshëm për t’u ballafaquar me të kaluarën dhe për ta respektuar përvojën kolektive, por do të jetë vetëm një hap i domosdoshëm për ta futur përvojën dhe rrëfimin e vet në defterët e civilizimit modern. Qëllimi është tek shtrirja e kujtesës kolektive në një terren më të gjerë, ku hyn arti, letërsia, kinematografia, e jo vetëm baza administrative e juridike e të dhënave. Kjo do të mundësonte krijimin e klimës shoqërore kundër harresës, jo për të mbajtur zi, por për të refuzuar kthimin në robëri e në sistem a gjendje ku nuk ka drejtësi e barazi, që kjo të shërbejë edhe si shtysë vlerore e normative për ta ndërtuar të ardhmen në paqe e siguri për të gjithë njerëzit pa dallim.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X