Shqipëria dhe Kosova janë shumë mbrapa në ndërkombëtarizimin e gjenocidit serb ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Kosova është një shtet i ri, veç një dekadë e gjysmë pavarësi, dhe ka pasur shumë gjëra për të bërë, në kaq pak kohë, ndërkohë që ka dhe shtetin serb dhe aleatët e tij që punojnë kundër Kosovës. Por, pasiviteti i Shqipërisë është një sjellje gati kriminale, por jo e pakuptueshme.
Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë
Shpallja e 11 korrikut, nga OKB-ja, si Dita Ndërkombëtare e Gjenocidit në Sebrenicë (Bosnjë-Hercegovinë), me rezolutën e miratuar më 23 maj 2024, është një ngjarje me rëndësi në rang botëror, por rëndësinë më të madhe e ka për rajonin e Ballkanit, një rajon e shkuara e të cilit është e mbushur me dhunë me bazë etnike. Rezoluta e iniciuar nga Gjermania dhe e miratuar me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime, mund të shërbejë si një precendent që shtetet e tjera, përfshi Kosovën dhe Shqipërinë, të kërkojnë njohjen nga OKB-ja të gjenocidit serb të ushtruar ndaj tyre.
Sigurisht, gjërat nuk bëhen sa hap e mbyll sytë. Për rastin e masakrës së Sebrenicës u deshën 29 vjet. Ambasadorja gjermane në OKB, Antje Leendertse, rikujtoi të pranishmit, në mbrojtje të Rezolutës, se “thuajse 30 vjet më parë, të paktën 8,372 boshnjakë myslimanë u ekzekutuan në mënyrë sistematike në qytetin e Sebrenicës. Ekzekutimet filluan më 11 korrik 1995 dhe zgjatën disa ditë me radhë… Ky akt gjenocidi, i kryer në luftën e Bosnjës, rezultoi në vdekjen tragjike të viktimave dhe në vuajtje të paimagjinueshme për të mbijetuarit dhe familjet e tyre.”
Statistikat, me mijëra të vrarë nga serbët për arsye etnike ose fetare, nuk janë gjë e padëgjuar ose e veçantë për shqiptarët, sepse ata i kanë vuajtur vetë përgjatë një shekulli e gjysmë, jo një herë por disa herë. Bota nuk është goxha e informuar, ca për shkak të paaftësisë së shtetit shqiptar e ca për shkak të indiferencës së fuqive të mëdha ndaj çështjes shqiptare. Në shumicën e rasteve, pjesa më e madhe e fuqive të mëdha europiane (Britania, Franca, Rusia) kanë mbajtur, për shkak të interesave të tyre, anën e armiqve të shqiptarëve. Rusia dhe Britania, edhe në luftën civile 1943-44, ndihmuan krahun kriminal, madje pa ndihmën e tyre komunistët nuk do ta kishin fituar kurrë atë luftë.
Qëkur shqiptarët filluan përpjekjet për krijimin e shtetit të tyre, rreth një shekull e gjysmë më parë, masakrat e shteteve fqinje, Serbisë dhe Greqisë, ndaj popullsisë shqiptare kanë qenë të mëdha dhe të vazhdueshme. Greqia, duke shfrytëzuar shkëmbimet e popullsisë me Turqinë në vitet e ‘20-ta të shekullit të XX, i dërgoi një numër të madh shqiptarësh në Turqi, ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke shfrytëzuar kaosin e luftës, Greqia e përzuri pjesën myslimane të tyre drejt Shqipërisë.
Masakrat e serbëve ndaj shqiptarëve kanë qenë sistematike, madje shumica e tyre kanë ndodhur shumë më herët se të krijohej termi “gjenocid” (1948). Në tekstet e historisë zyrtare të Shqipërisë masakrat e fqinjëve ndaj popullsisë shqiptare nuk e kanë gjetur ende hapësirën që meritojnë. Tekstet më të plota të historisë së shqiptarëve janë krijuar gjatë regjimit komunist, i cili ishte nën ndikimin jugosllav dhe rus (sovjetik). Teksti i parë i Historisë së Shqipërisë, i botuar më 1965, u përgatit nën supervizimin e sovjetikëve dhe shqiptarët pak a shumë e kanë parë historinë e tyre me qasje sllave. Për shembull, në atë tekst armiqtë më mëdhenj të shqiptarëve përgjatë historisë janë Perandoria Osmane dhe nacionalistët shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata, në fakt, kanë qenë armiqtë më të mëdhenj të rusëve. Në tekstet e historisë flitet vetëm për pushtim osman, por jo për pushtim romak, bizantin ose serb etj. Lexuesi shqiptar duhet t’i urrente ata që i urrenin sovjetikët dhe sllavët e tjerë. Megjithatë, krimet më të mëdha ndaj shqiptarëve i kanë kryer grekët dhe serbët, gjatë dy shekujve të fundit.
Në rastin e Greqisë, çështja duket e pashpresë. Është e vështirë të mendosh që Shqipëria do të guxojë një ditë të propozojë ndonjë rezolutë për njohjen e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve. Elitat politike duken të pafuqishme, të painteresuara, shumë të korruptuara, me një fjalë, të pafata të luftën për kauza të epërme morale.
Edhe në frontin tjetër, Shqipëria dhe Kosova janë shumë mbrapa në ndërkombëtarizimin e gjenocidit serb ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Kosova është një shtet i ri, veç një dekadë e gjysmë pavarësi, dhe ka pasur shumë gjëra për të bërë, në kaq pak kohë, ndërkohë që ka dhe shtetin serb dhe aleatët e tij që punojnë kundër Kosovës. Por, pasiviteti i Shqipërisë është një sjellje gati kriminale, por jo e pakuptueshme. Tetë dekadat e fundit, politika shqiptare është dominuar nga komunistët dhe trashëgimtarët e tyre, të cilët janë nën ndikimin serb që nga themelimi i PKSH-së (1981) me porosi të Moskës dhe nën drejtimin e dy jugosllavëve: Milladin Popoviqit e Dushan Mugoshës.
Më 1945, komunistët jugosllavë (Jugosllavia ishte një shtet i krijuar rreth Serbisë dhe ajo ishte republika kryesore) ekzekutuan në Tivar disa mijëra shqiptarë, për të cilën nuk ka shifra të sakta, sepse ka munguar vullneti i shteteve të përfshira për zbardhjen e saj, por shifrat luhaten nga 5 deri në 10 mijë. Shqipëria, e kontrolluar nga komunistët në kohën e masakrës, është edhe fajtore në këtë masakër, duke lejuar ushtrinë jugosllave që t’i kalonte viktimat nëpër territorin e saj. Viktimat u sollën nga Kosova, u futën në Shqipëri, në Kukës, dhe dolën prej saj, për në Mal të Zi, në Shkodër. Pjesa më e gjatë e udhëtimit këmbësor u bë në territorin e Shqipërisë. Viktimat u çuan në Tivar të Malit dhe aty u masakruan në prill të vitit 1945.
Asokohe Shqipëria, nën regjimin komunist, funksiononte si koloni jugosllave. Regjimi komunist nuk e përmendi kurrë këtë krim. Pas 65 vjetëve, Kuvendi i Shqipërisë guxoi të ndërmerrte një hetim për masakrën e Tivarit, por rezultatet ishin gjysmake. Më 2010, me nismën e Partisë Demokratike, u krijua një komision hetimor për masakrën e Tivarit, u bënë hetime për të dhe në fund u hartua një raport, të cilin besoj se e ka mbuluar pluhuri diku në sirtarët e Kuvendit. Raporti nuk u diskutua në një seancë parlamentare dhe nuk u shoqërua me një rezolutë. Nëse Kuvendi i Shqipërisë do të kishte miratuar një rezolutë për gjenocidin e Tivarit, atëherë ajo do të bëhej detyrimisht pjesë e politikës së jashtme dhe qeveria do të ishte e detyruar që, përmes Ministrisë së Jashtme, të punonte për njohjen ndërkombëtare të saj.
Kjo punë ka mbetur në mes, por në të ardhmen, Kuvendi i Shqipërisë, në sinkronizimin me Kuvendin e Kosovës, mund ta ringrenë çështjen e gjenocidit serb në Tivar, të miratojnë rezoluta dhe të punojnë paralelisht për ndërkombëtarizimin e tij. Të dyja vendet kanë profesionistë të zotë që të argumentojnë se pse masakra e Tivarit duhet të klasifikohet si një krim gjenocidal. Po ta shikojmë përkufizimin e OKB-së për gjenocidin, vërejmë se argumentimi është shumë i lehtë.
Përkufizimi i gjenocidit u përfshi për herë të parë në “Konventën për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit”, e miratuar nga OKB-ja, më 9 dhjetor 1948, e cila hyri në fuqi më 12 janar 1951. Sipas Konventës së OKB-së, gjenocid konsiderohen aktet e kryera me qëllim shkatërrimin e plotë ose të pjesshëm të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar, si: a) vrasja e anëtarëve të grupit; b) shkaktimi i dëmeve serioze trupore ose mendore të anëtarëve të grupit; c) krijimi i qëllimshëm i kushteve jetësore të grupit të llogaritur për shkatërrimin fizik të plotë ose të pjesshëm; d) vendosja e masave me qëllim që të parandalojnë lindjet brenda grupit; e) transferimi me forcë i fëmijëve nga një grup në një grup tjetër.
Pra, bazuar në përkufizimin e OKB-së, masakra e Tivarit ishte një akt i kryer me qëllim të shkatërrimit të pjesshëm të një grupi etnik (shqiptarëve), duke i vrarë disa mijëra anëtarë të këtij grupi. E njëjta bazë juridike mund të përdoret për të denoncuar edhe gjenocidin grek ndaj popullsisë shqiptare (çamëve). OKB-ja e ka krijuar precedentin. Tani duhet të vendoset në veprim vullneti i shqiptarëve.