loader image
November 21, 2024

Kombi i ndarë e i përçarë nuk bën dot demokraci

Edhe nëpër botë, në përgjithësi, sot po vërehet se nuk ka demokraci me fytyrë të vërtetë njerëzore dhe modelet e demokracisë që qarkullojnë janë shndërruar më shumë në mashtrime e në maskime të një hipokrizie pa kufi. Për nevojat e këtij shkrimi kërkova të gjej ndihmë tek ndonjë autor i huaj, që është marrë me trajtimin e problemeve të demokracisë në vende e kohë të ndryshme. U ndala tek libri “La Fin de l’Empire, La desagregation du systeme americain” (2006). Këtu autori, Waldon Bello, me kombësi filipinase, ka prekur një sërë tiparesh që ka marrë demokracia, që nga ajo e formës së parë imperiale në Perandorinë Romake e deri te kjo e “formës imperiale” në sistemin e sotëm politik amerikan.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Këtë ide e kam trajtuar në shumë shkrime të botuara para se të filloja bashkëpunimin e këndshëm e të rregullt (besoj dhe të frytshëm) me revistën “Shenja”, para 12 vjetësh. Duke iu rikthyer këtyre shkrimeve vërej që ideja është trajtuar në formë ezauruese. Megjithatë, asnjëherë nuk bën dëm që disa çështje të ritheksohen e të risillen në vëmendje të lexuesit. Sugjerimi i zotëri Sinanit për të më tërhequr edhe mua në diskutimin e kësaj teme më erdhi në kohën kur sapo janë vënë në qarkullim disa nga 36 vëllimet e kolanës së shkrimeve të mia “Kronikë kohe”, ku problemet e demokracisë në Shqipëri e tek shqiptarët, si dhe problemi i bashkimit kombëtar kanë zënë mjaft vend. Nga ky këndvështrim dhe në vijimësi të analizave që kam bërë deri sot, po radhis kalimthi disa përgjigje për çështjet e shtruara.
1. Së pari, pyetja e shtruar është: A ka demokraci në trojet shqiptare? Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjesha pa hezitim dhe me bindje të plotë: Jo! Nuk ka dhe nuk mund të ketë demokraci, sepse trojet shqiptare janë fizikishit të ndara, pjesët e kombit shqiptar politikisht të veçuara dhe shoqëria shqiptare në tërësi është e përçarë sipas një vije (hëpërhë të pakapërcyeshme) midis nacionalizmit e antinacionalizmit në mendimin politik e në propagandë dhe midis mbështetësve e kundërshtarëve të sovranizmit në politikat shqiptare. Kundërshtarët e nacionalizmit e të sovranizmit ndër shqiptarë janë më të shumtë në mjediset politike, qeveritare, partiake, pushtetore, intelektuale e, sidomos, në ato propagandistike, që janë bërë truste të vërteta propagandistike për të përpunuar mbrapsht mendjet e njerëzve të zakonshëm. Në kohën e pluralizmit politik, antinacionalizmi e antisovranizmi janë bërë një forcë me veprim shkatërrues mbi mendësitë e opinionit publik, madje edhe më e madhe sesa internacionalizmi në kohën e diktaturës komuniste. Kjo gjendje gjatë 30 viteve të pluralizmit demokratik prodhoi kundërvënie më të acaruar në gjirin e shoqërisë shqiptare dhe midis segmenteve të ndarë të kombit shqiptar.
2. Një pyetje e shtruar me vend është: A e kanë kuptuar shqiptarët drejt demokracinë? Përgjigjja që vlen të jepet është përsëri JO! Shqiptarët ende nuk e kanë formuar konceptin e qëndrueshëm dhe tabutë e tyre mbi demokracinë. Më shumë janë munduar të gjejnë dhe të mbledhin “dromca demokracish” të huazuara nga të tjerët sesa të krijojnë e mbrojnë modele të tyre të jetës demokratike, në përputhje me kërkesat shqiptare. Tek shqiptarët shpesh rrumpalla ka zhvendosur edhe modelet e njohura të demokracisë në botë. Por, edhe nëpër botë, në përgjithësi, sot po vërehet se nuk ka demokraci me fytyrë të vërtetë njerëzore dhe modelet e demokracisë që qarkullojnë janë shndërruar më shumë në mashtrime e në maskime të një hipokrizie pa kufi. Për nevojat e këtij shkrimi kërkova të gjej ndihmë tek ndonjë autor i huaj që është marrë me trajtimin e problemeve të demokracisë në vende e kohë të ndryshme. U ndala tek libri “La Fin de l’Empire, La desagregation du systeme americain” (2006). Këtu autori, Waldon Bello, me kombësi filipinase, ka prekur një sërë tiparesh që ka marrë demokracia, që nga ajo e formës së parë imperiale në Perandorinë Romake, e deri te kjo e “formës imperiale” në sistemin e sotëm politik amerikan. Ai thekson se: “Për qytetarët amerikanë rëndësi ka që t’i jepet procesit imperial pamja e jashtme që të përputhet me vlerat demokratike amerikane”. Në librin e Bellos mund të gjesh plot postulate për demokracinë që mund të vlejnë shumë për të kuptuar edhe problemet me të cilat ndeshet demokracia në Shqipërinë e sotme. Në disa raste ai ka shkruar sikur ta kishte fjalën për Shqipërinë e sotme. Ai thotë: “Zgjedhjet demokratike u japin pjesëtarëve të një klase drejtuese grindavece një mjet relativisht paqësor që të kacafyten midis tyre për poste politike dhe të shfrytëzojnë në mënyrë alternative pushtetin”.
3. Vëllimin 9 të kolanës “Kronikë kohe” e kam titulluar “Krizat politike e pushtetore. Bandokracia e qeverisjeve të alternuara”, sepse Shqipëria përfaqëson sot vendin ku bie shumë në sy sundimi i pushtetit të bandokracisë, ku shkrihen në një sundim të përbashkët pushteti politik, pushteti oligarkik, krimi i organizuar dhe administrimi i punëve të shtetit tërësisht nëpërmjet korrupsionit dhe ryshfetit. Protagonistët e pushtetit të bandokracisë në Shqipëri tani për tani nuk kanë lënë më vend për ndonjë formë tjetër pushteti e qeverisjeje. Në këtë gjendje Shqipëria është katandisur para syve vëzhgues të “Europës demokratike” (shpeshherë dhe me ndikimin e kësaj Europe). Në Shqipëri nuk u ndërtua kurrë një demokraci e pranueshme zgjedhore, por përkundrazi të gjithë politikanët e institucionet shtetërore, si dhe faktorët ndërkombëtarë, bënë eksperimentet më të shëmtuara për minimin e rrënimin e perspektivave edhe për një kohë të gjatë në të ardhmen. Shqiptarët, në fillim të viteve 1990-të, kujtuan se do të kishin së shpejti një demokraci zgjedhore shpëtimtare, që do t’u mundësonte të dëgjoheshin hallet, kërkesat dhe vullneti i tyre. Tani, pas 30 vitesh, me dhimbje e keqardhje duhet pohuar se shpresa të tilla janë venitur shumë, gjë që shpërfaqet në rritjen nga viti në vit i numrit të qytetarëve që ditën e votimit as nuk afrohen tek kutitë e votimit ose hedhin vote të pavlefshme. Demokracia zgjedhore është rrënuar përfundimisht, përderisa në kulturën politike e juridike të shqiptarëve janë rrënjosur masivisht e thellë metodat e shitjes e blerjes së votave. Në Shqipëri tani vërehet hapur fare dukuria që Bello e ka emërtuar para disa vitesh “impas demokratik”.
Bello ka shkruar gjithashtu: “Në vitet 1980 e 1990 një numër gjithnjë e më i madh amerikanësh e kuptonin që demokacia e tyre liberale ishte korruptuar aq thellë nga paratë e industrialistëve, sa do të ishte më mirë të flitej për plutokraci”. Është paradoksale sesi Shqipëria, me përmasat e vogla që ka, mbërriti kaq shpejt në një gjendjen e një demokracie të korruptuar rrënjësisht nga paratë. Kjo ndodhi se në Shqipëri sunduesit e rinj autokratë (në shumë raste tejet të paditur) dhe mbikëqyrësit e tyre nga jashtë nuk e patën fare mendjen tek ndërtimi i demokracisë dhe krijimi i shtetit të së drejtës, aq i domosdoshëm për të shëruar plagët dhe deformimin shoqëror e politik nga sundimi komunist. Tashmë është e qartë se objektivi ishte vetëm të ngrihej një pushtet që të ndihmonte korrupsionin, zhvatjen e një ekonomie e pasurie kombëtare tërësisht të shtetëzuar në kohën e komunizmit dhe krijimin e një makinerie shtetërore për larjen e parave të krimit që vinin nga shumë vende, si dhe shndërrimin e Shqipërisë në një kanal shkarkimi të krimit ndërkombëtar. Tani na ka mbetur vetëm të buzëqeshim me pakëz ironi kur dëgjojmë, pikërisht ditën që përgatitet ky shkrim, një përfaqësues të diplomacisë amerikane për punët e Ballkanit Perëndimor të thotë: “Në Shqipëri ne nuk duam më një opozitë si ajo e fillimit të viteve 1990”. Sot diplomati amerikan nuk i hyn punës për ndonjë sqarim se çfarë ndodhi që shpresat e atëhershme të shqiptarëve janë kthyer në zhgënjim. Ai nuk shprehet nëse tani sheh ndonjë opozitë më shpresëdhënëse se ato që e kanë luajtur këtë rol më herët. Na mbetet vetëm të mjerohemi që në Shqipëri nuk ekziston dhe as ka ekzistuar edhe më herët ndonjë model i demokracisë shqiptare dhe në horizontin e politikës nuk po duket ndonjë mirazh demokracie zgjedhore.
4. Shqiptarët, fatkeqësisht, janë ambientuar disa herë me ndarjen kombëtare dhe me copëzimet territoriale të tyre. Ata nuk kanë ditur si të kontribuojnë realisht për ndërtimin e një modeli të tyre, të njëjtë, demokracie që t’u shërbejë interesave të tyre edhe në kushte të tilla. Prandaj nuk ka dhe nuk mund të ketë demokraci të njëllojtë për të gjithë shqiptarët për sa kohë që ata nuk bëjnë një jetë të përbashkët politike. Për më tepër, komunizmi ua shpërfytyroi shqiptarëve plotësisht idetë dhe përfytyrimet e demokracisë, duke i bërë të mendojnë, me ose pa vetëdije, se vetëm “diktatura e proletariatit” mund të quhej demokraci dhe duke ua zhbërë çdo vullnet për të sfiduar shtetin dhe çdo nevojë për t’u përfaqësuar realisht tek pushteti. Pra, në vitet kur shqiptarët kishin më shumë se gjithkush nevojë të mësonin e të ndërtonin demokracinë, atyre ua impononin antidemokracinë më poshtëruese. Zemërimin ndaj kësaj fatkeqësie të madhe kombëtare shqiptarët e shprehën në mënyrën më të keqe kur, pas rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës më 20 prill 1992, filluan të braktisnin si turma të shpartalluara në luftë vendin e tyre për të kërkuar “fat e rehat” (jetë më të mirë) në vende të tjera. Kjo braktisje vijon pothuaj me të njëjtën përmasë edhe sot, madje po shoqërohet edhe me largimin e asaj pasurie që arritën ta vendosin në këto vite shqiptarët. Shqipëria po goditet kështu dyfish, me largim njerëzish dhe largim pasurie mendore dhe kapitali. Nga kjo plagë e rëndë, që ka goditur e vazhdon të godasë Shqipërinë, vendi ynë do të vuajë për shumë kohë.
5. Edhe pas kësaj tragjedie të madhe, Europa “demokratike” asnjëherë nuk i nxiti me sinqeritet shqiptarët të mendojnë e të punojnë që ta krijojnë modelin e demokracisë së tyre. Përkundrazi, i shtyu vetëm të mallkonin të kaluarën e vet dhe të pranonin sakrifica në dëm të vetes që të “forcohen” demokracitë në vendet fqinje të tyre, që të kenë sukses taktikat e Fuqive të Mëdha për të mbajtur “ekuilibrat (e shtrembëruar) e stabilitetin” në Ballkan. Këtë politikë ka ndjekur ndaj shqiptarëve Europa “demokratike” që nga Kongresi i Berlinit, nga koha e Luftës së Parë Ballkanike, në Luftën e Parë Botërore, në Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë luftërave ballkanike të fundit të shekullit XXI. Fryma e keqe e kësaj strategjie antidemokratike ndaj shqiptarëve po vepron fuqishëm në të gjitha hapësirat shqiptare, por më të theksuara janë ngjyrimet që ajo merr në Kosovë. Imazhi i keq i Shqipërisë e Kosovës ende nuk po u hiqet shqiptarëve në të gjitha hapësirat europiane. Një miku im francez (që nga viti 1963 kur u njohëm për herë të parë në Shqipëri) në fillim të muajit prill 2024 më dërgoi një libër të shkruar nga gazetari francez Bertrand Le Gendre me titull “Albanie, les annees rouge 1944-1991”, që e përshkruan Shqipërinë e viteve të komunizmit, si diktaturën më të tmerrshme në botë. Ndër të tjera ai ka shkruar: “Totalitarizmin shqiptar nuk di në cilin nga kallëpet e zakonshme ta fusësh dhe ai mbetet jashtë çdo klasifikimi edhe nëse përqaset me stalinizmin, si kult i personalitetit, pranga ideologjike, jetë kazerme, mbikëqyrje policore, drejtësi e trilluar, spastrime elitash, kampe përqendrimi, punë e detyruar…”. Ky libër, i botuar në Francë në vitin 2023, risjell në kujtesë edhe një here për lexuesit francezë gjëra që ne në Shqipëri nuk na pëlqen më të na i venë në dukje në forma të tilla. Libri është mbushur me tepri me përshkrimet më të zeza për Shqipërinë enveriste të “viteve të kuqe”, por nuk mund të cilësohet si shpifës. Në të ka pjesë ku përshkruhen edhe episode vizitash dhe përmenden emra figurash elitare franceze që vinin në Shqipëri si marksistë-leninistë të mësonin si ndreqej bota. Mendoj se ky libër duhet lexuar me kujdes më tepër për të kuptuar se përse po botohet në Francën e vitit 2023 kjo lloj literature për Shqipërinë.
6. Cili është pikësynimi: të mbrohet demokracia perëndimore nga kujtimet e hidhura e të helmëta që ka lënë pas despotizmi antidemokratik shqiptar apo të na tërhiqet vëmendja ne shqiparëve që të mos e flemë mendjen, sepse despotizmi enverist ende është gjallë, jo vetëm si frymë, por dhe si objektiv e praktikë politike? Ky libër, mbase, mund të shërbejë që ne shqiptarët të bëjmë analiza më të sakta, duke krahasuar despotizmin e shkuar komunisto-enverist të diktaturës së djeshme të proletariatit me despotizmin e sotëm bandokratik të demokracisë, sidomos në lëmin e ndërtimit të demokracisë. Libri i tanishëm francez mund të na shërbejë për të kuptuar se nuk duhet të ngazëllehemi shumë nga personalitete të larta politike e shetërore nga Europa e bota, të cilët kur vijnë në Shqipëri na mbulojnë me lëvdata sa shumë kemi përparuar në demokraci. Mund të vijë puna që përsëri të botohet ndonjë libër mbi “despotizmin shqiptar paskomunist”.
7. Pyetja “A e duan shqiptarët demokracinë?” e ka të nënkuptuar përgjigjen që përputhet plotësisht me thënien e mprehtë popullore “plastë ai që nuk e do të mirën”. Por, asnjëherë shqiptarët nuk e kanë provuar seriozisht ta bëjnë vetë demokracinë, me një punë këmbëngulëse për një kohë të gjatë. Dukuria që gazetari francez Le Gendre e ka emërtuar “despotizmi shqiptar” ka një historik më të pasur se historiku i “despotizmit enverist”, sepse ka nisur të paktën që nga koha e Ali Pashë Tepelenës, në shekujt 18 e 19, kur në politikën despotike të Aliut ndihej fort dhe ndikimi i këshillave të këshilltarve francezë që ishin vendosur pranë tij. Modeli despotik i ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena ka shërbyer si model sundimi në shtetin shqiptar komunist dhe paskomunist.
Këtyre deformimeve shqiptare u shtohen edhe problemet që kanë të tjerët me demokracinë defektoze në këtë botë, madje dhe në vendet që janë ose hiqen si më demokratiket. Nëpër libra është shkruar mjaft se zhgënjimet me demokracinë po bëhen gjithnjë më të mëdha. Europa dhe bota demokratike gjatë 30 viteve pas disfatës së sistemit komunist dhe shpalljes së mbarimit të Luftës së Ftohtë po tronditen më shumë se kurrë nga sherret që plasin pa pushim deri në luftëra të hapura me armë brenda kontinentit europian, siç ishin katër luftërat që shpërtheu Serbia në fundin e shekullit XXI në Ballkan, apo lufta që ka shpërthyer Rusia prej disa vitesh kundër Ukrainës.
Së fundi, më 23 maj 2024 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën se pikërisht në Ballkan, në Srebrenicë të Bosnjës, është kryer gjenocid nga Serbia. Ka dhe gjenocid kundër shqiptarëve, që duhet ndëshkuar në të njëjtën mënyrë. Serbia po vijon të kërcënojë çdo ditë se është e gatshme që kur t’i leverdisë asaj të nisë ushtritë e veta kundër Kosovës për të kurdisur sherre e gjenocide të reja. Përballë këtij kërcënimi të vazhdueshëm mbi Kosovën, Europa nuk rrezaton praktika demokratike, por vetëm lëshon fjalë të zbrazëta për vlerat e demokracisë që zbehen kudo, pa mbështetur viktimën (Kosovën) dhe të drejtën. Europa dhe pjesa e botës, që jemi mësuar ta cilësojmë si demokratike, flasin për partneritet me vendet e tjera, por në realitet kërkojnë prej tyre nënshtrim dhe servilizëm. Walden Bello ka bërë një konstatim domethënës: “Mungesa e stabilitetit dhe hegjemonizmi i padiskutueshëm shpesh e kanë bërë punën e vet. Por, edhe kur mbështetet mbi një forcë dërrmuese, ky hegjemonizëm i pakontestuar është kalimtar. Sikurse e kemi parë në Europën napoleoniane, fuqitë e vogla mund të gjykojnë se një periudhë nënshtrimi është e domosdoshme gjatë një kohe të shkurtër, por ato e dinë se kjo është rrënuese për to në afat të gjatë. Servilizmi nuk është gjë tjetër, veçse një ftesë për agresione të reja”.
Sot shqiptarët janë shumë të ndarë në gjykimet e tyre rreth çështjeve të tilla. Në Shqipëri kjo ndarje shfaqet jo vetëm në debate të rëndomta, por dhe në qëndrimet politike qeveritare. Servilizmi i qeverisë shqiptare ndaj politikës që ndjek Serbia për t’u bërë “hegjemonja e vogël e Ballkanit” bie më dukshëm në sy, por nuk mund të shpërfillet as ringjallja e lakmive të njohura greke që të plotësojë krahun jugor të darës serbo-greke për shtrëngimin e Shqipërisë. Shqipëria po del hapur të bashkëpunojë me Serbinë, për t’i shtrënguar lakun në fyt shtetit të Kosovës dhe për të ndaluar zgjimin e frymës e organizimit politik kombëtar tek shqiptarët e Malit të Zi e të Maqedonisë, në një kohë që po harron të shtrojë si duhet problemin e të drejtave e të interesave të popullsisë shqiptare në Çamëri e Serbi. Prandaj politika e Tiranës, hëpërhë, duket sikur gëzon vlerësim nga qendrat e politikës europiane, por në thelb ajo nuk mund të jetë e tillë për shumë kohë. Prandaj edhe shqiptarët e trullosur në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë e Mal të Zi nuk duhet të kënaqen vetëm se politika e Tiranës po ia shton vështirësitë shtetit të Kosovës.
Si përfundim duhet thënë se nuk është punë e lehtë të ndërtohet një demokraci për të gjithë shqiptarët, kur vetë ata janë të shtrënguar ose dhe të dëshiruar të ruajnë elementë kombëtarë krejt të ndryshëm në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Serbi, Maqedoni e Greqi.
Në Serbi, Mal të Zi e Maqedoni përpjekjet e shqiptarëve duhet të jenë të tilla që ata të dalin nga pozita e qytetarit të dorës së dytë e të tretë, e që janë vijimësisht nën sulm të drejtuar kundër identitetit të tyre. Pjesëmarrjet në qeverisjet e vendeve përkatëse janë kryesisht në shërbim të plotësimit të makiazhit të demokracisë për ato vende për t’ua lehtësuar raportin me Europën dhe vendet e tjera demokratike. Në Kosovë demokracia rrezikohet të kthehet kokëposhtë me presionin për bosnjakëzimin e shtetit të Kosovës, që nëse pranohet, do të jetë demokraci nën mëshirën e elementit serb ose po e pagëzojmësi demokracia zajedniciane. Në Shqipëri po ashtu fenomeni i demokracisë ka kthyer kah drejt restaurimit të autokracisë, me prirje të theksuar centralizimi politiko-ekonomik. Shqiptarët në Greqi janë në pozitë edhe më të mjerueshme, sepse as nuk përmenden.
Prandaj çështja kombëtare shqiptare nuk duhet konsideruar thjesht një endërr nacionaliste, por dukshëm përbën kushtin që shqiptarët të shndërrohen në Ballkan në një element me forcë dhe peshë që nuk mund të shpërfillet. Mbi këtë bazë do të kemi mundësinë ta ndërtojmë edhe demokracinë tonë, për të mirën tonë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X