loader image
October 5, 2024

Momenti post-politik: si po vdes demokracia në Shqipëri

Shqipëria ka hyrë në një fazë kritike të zhvillimit politik ku ndërthurja gjithnjë e më e madhe e partisë në pushtet me aparatin shtetëror, fuqizimi i kontrollit të partisë mbi jetën politike, institucionale, ekonomike dhe kulturore të vendit dhe qendërzimi i partisë rreth figurës së kryeministrit Edi Rama, kombinuar me mungesën e mekanizmave efiçentë për kufizimin e pushtetit dhe përjashtimin efektiv nga pjesëmarrja politike të gjysmës së popullsisë me të drejtë vote, kanë krijuar një sistem të butë autoritar që riprodhon vetveten në kushtet e depolitizimit të jetës politike.

Shkruan: Mentor BEQA, Tiranë

Steven Levitsky and Daniel Ziblatt, në librin Si vdesin Demokracitë, shkruajnë se demokracitë shpesh vdesin jo nëpërmjet grushteve të shtetit ose revolucioneve të dhunshme, por nëpërmjet një procesi të ngadaltë e të vazhdueshëm që sjell erozionin e normave demokratike dhe mekanizmave të kufizimit të pushtetit. Në këtë artikull, argumentoj se sistemi ynë përmban në vetvete tharmin e dështimit duke u përqendruar në tre faktorë themelorë që rrezikojnë seriozisht demokracinë keqfunksionale shqiptare: (I) partitokracia; (II) depolitizimi i jetës publike; dhe (III) kufizimi strukturor i pjesëmarrjes politike.

1) Shkencëtari politik italian Mauro Calise, në veprën Dopo la partitocrazia: L’Italia tra modelli e realtà, e përkufizon partitokracinë si një formë qeverisjeje ku partitë politike kanë ndikim përcaktues mbi institucionet shtetërore dhe proceset e vendimmarrjes. Në një partitokraci, partitë nuk janë thjesht mjete për konkurrencën zgjedhore, por janë të rrënjosura në sistemin politik dhe kontrollojnë aspekte kyçe të qeverisjes. Ky dominim shpesh çon në një situatë ku udhëheqësit dhe strukturat e partive eklipsojnë institucionet dhe mekanizmat e tjerë demokratikë, si gjyqësori dhe shërbimi civil, duke rezultuar në përqendrimin e pushtetit brenda aparatit të partisë.
Calise argumenton se partitokracia sjellë katër pasoja të rëndësishme për qeverisjen demokratike:
1. përqendrimin e pushtetit, duke zbehur rolin e aktorëve dhe institucioneve të tjera demokratike.
Shqipëria vjen nga një traditë e përqendrimit të pushtetit politik në një parti të vetme. Kalimi në një sistem shumëpartiak ishte menduar si rrugë drejt demokratizimit, por përqendrimi i pushtetit mbetet sfidë e vazhdueshme, me partitë politike që ushtrojnë ndikim kontrollues mbi institucionet shtetërore. Partitë politike ushtrojnë pushtet joproporcional mbi institucionet shtetërore, jetën politike dhe sferën ekonomike e kulturore. Kjo është mundësuar nga mungesa e mekanizmave institucionalë për ta kontrolluar pozitën e partive politike në sistem, duke nxjerrë në pah dobësinë e brendshme të arkitekturës kushtetuese që sjell mosfunksionimin e sistemit të kontrollit dhe balancave. Kur një parti politike vjen në pushtet, ajo fiton kontroll mbi pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Partitë politike i zgjedhin anëtarët e parlamentit, të cilët më pas e zgjedhin kryeministrin dhe qeverinë, si dhe shumicën e trupave në organet gjyqësore. Edhe drejtuesit e institucioneve të pavarura emërohen nga parlamenti, i cili kontrollohet nga partitë politike. Kjo gjendje i ka lejuar partitë politike të kenë ndikim të pashembullt mbi vend, i cili përkeqësohet më tej nga një media dhe shoqëri civile e dobët ose e kooptuar. Kjo situatë është problematike pasi do të thotë se pushteti i qeverisë në Shqipëri është i pakontrolluar dhe një parti mund të ushtrojë një kontroll të paimagjinueshëm mbi shoqërinë nëse gëzon mbështetje të gjerë popullore ose, në një mënyrë ose tjetër, e vjedh atë mbështetje. Shqipëria është një shtet unitar, që do të thotë se qeveria qendrore ka pushtet të pakufizuar, dhe parlamenti është njëdhomësh, që do të thotë se një legjislaturë e vetme mund të kontrollojë gjithçka.

2. patronazhimin dhe klientelizmin, rast në të cilin ndikimi i partive krijon mjedise ku rrjetet patronazhiste dhe klienteliste lulëzojnë, duke minuar meritokracinë në administratën publike;
Demokracia e patronazhit është ajo formë e funksionimit të sistemit politik ku ata që janë në pushtet angazhohen në shpërndarjen e personalizuar të burimeve shtetërore, kontrollin e aparatin shtetëror, shpërblimin e mbështetësve, miqve dhe të afërmve me vende pune, kontrata, përfitime ose avantazhe të tjera, me qëllim maksimizimin e votave. Politika e patronazhit dëmton cilësinë e qeverisjes pasi promovon favorizimin dhe nepotizmin mbi kompetencën dhe integritetin. Ajo dobëson kontrollin dhe balancat institucionale duke promovuar besnikërinë ndaj individëve në vend të respektimit të parimeve ose normave. Në kontekstin e Shqipërisë, veçanërisht dy zgjedhjet e fundit kanë ngritur shqetësime se vendi ka hyrë në një fazë të avancuar të demokracisë së patronazhit. Partia Socialiste, nën udhëheqjen e kryeministrit Edi Rama, po ndërlidh gjithnjë e më shumë interesat e partisë me ato të shtetit. Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR ka paraqitur gjetje kritike, duke folur për prova të “keqpërdorimit të burimeve shtetërore në nivel qendror dhe lokal”, “pretendime për presion ndaj punonjësve të sektorit publik dhe votuesve” dhe “akuza për blerje votash”.

3. reduktimin e llogaridhënies, ku ndërthurja e partisë me shtetin mjegullon mekanizmat e llogaridhënies, duke e bërë më të vështirë për qytetarët që të mbajnë përgjegjës udhëheqësit për veprimet e tyre;
Reduktimi i llogaridhënies, ku ndërthurja e partisë me shtetin mjegullon mekanizmat e llogaridhënies, e bën më të vështirë për qytetarët që të mbajnë përgjegjës udhëheqësit për veprimet e tyre. Qytetarët shqiptarë kanë forma të kufizuara për të vendosur qeverinë përballë llogaridhënies.
I) Nëpërmjet opozitës. Në kushtet kur opozita është e kompromentuar ose e dobët, ky mekanizëm nuk funksionon. Opozita duhet të luajë një rol kritik në mbikëqyrjen e qeverisë dhe në ngritjen e çështjeve të rëndësishme që prekin interesat e publikut. Megjithatë, kur opozita është e përçarë, e pafuqishme ose e manipuluar nga interesa të ndryshme, aftësia e saj për të ndikuar dhe për të kërkuar llogaridhënie është e kufizuar. Në Shqipëri, kjo situatë është bërë më e dukshme, ku opozita shpesh është e paaftë të ushtrojë presion të efektshëm ndaj qeverisë.
II) Nëpërmjet referendumeve. Në Shqipëri, një traditë e tillë praktikisht nuk ekziston. Referendumet janë një mjet i rëndësishëm për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në vendimmarrje dhe për të kërkuar llogaridhënie nga qeveria. Megjithatë, mungesa e një kulture të konsoliduar të referendumeve dhe barriera ligjore e procedurale për organizimin e tyre bëjnë që ky mekanizëm të jetë pothuajse inekzistent në Shqipëri.
III) Nëpërmjet medias dhe shoqërisë civile. Kur këto janë gjerësisht të kooptuara nga pushteti, ky mekanizëm po ashtu nuk funksionon. Media dhe shoqëria civile luajnë një rol kyç në informimin e publikut dhe në mbajtjen e qeverisë në llogaridhënie. Megjithatë, kur media është e kontrolluar nga interesa politike ose ekonomike dhe kur shoqëria civile është e dobët ose e manipuluar, aftësia e tyre për të ndikuar në transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë është e kufizuar. Në Shqipëri, shumë media dhe organizata të shoqërisë civile janë të varura nga mbështetja financiare ose ndikimi politik, gjë që ndikon në pavarësinë dhe objektivitetin e tyre.
Në këto kushte, qeveria kontrollon dhe vendos përpara përgjegjësisë vetveten. Ndërthurja e partisë me shtetin krijon një ambient ku mekanizmat e llogaridhënies janë të dobët dhe të mjegulluar. Kjo situatë i lejon qeverisë të operojë pa frikën e mbajtjes përpara të përgjegjësisë, duke reduktuar kështu cilësinë e demokracisë dhe duke rritur rrezikun e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.

4. dominimin e plotë të politikë-bërjes, që sjell prioritarizimin e interesave të partisë mbi interesat publike.
Dominimi i plotë i politikëbërjes nga partia sjell prioritarizimin e interesave të partisë mbi interesat publike. Shqipëria vjen nga një traditë ku Partia kishte rolin udhëheqës të vendit në të gjitha pikëpamjet. Në periudhën e regjimit komunist, nuk kishte dallim ndërmjet popullit, partisë dhe udhëheqësit; ato ishin një tërësi e pandarë. Kjo reminishencë është bërë gjithnjë e më prezente në aktualitetin politik në Shqipëri. Kryeministri Rama flet gjithnjë e më shumë për Partinë Socialiste si partia e vetme që bën shtet, duke sugjeruar se legjitimiteti dhe kapaciteti për të qeverisur janë ekskluzivisht atribut i partisë së tij. Kjo retorikë përforcohet nga figura të tjera të larta të Partisë Socialiste, të cilët kanë theksuar përparësinë e partisë ndaj shtetit. Një diskurs i tillë jo vetëm që minon parimet e një demokracie pluraliste, por edhe krijon një mjedis politik të qendërzuar rreth partisë në pushtet. Kur partia qeverisëse merr një rol të tillë dominues, politika publike fillon të reflektojë interesat e partisë më shumë sesa nevojat dhe interesat e qytetarëve. Vendimet politike, shpeshherë, merren për të konsoliduar pushtetin e partisë dhe për të mbajtur besnikërinë e mbështetësve të saj, në vend që të adresojnë çështjet themelore që prekin jetën e përditshme të qytetarëve. Për më tepër, dominimi i politikëbërjes nga partia qeverisëse ka ndikuar në funksionimin e institucioneve shtetërore. Institucionet që duhet të jenë të pavarura dhe t’i mbështesin interesat publike, si gjykatat, organet e zbatimit të ligjit dhe agjencitë rregullatore, shpesh janë të politizuara dhe veprojnë sipas udhëzimeve të partisë, siç e elaboruam më sipër. Kjo e ka dobësuar sundimin e ligjit dhe e ka rritur mundësinë për abuzim me pushtetin.

2) Shqipëria po kalon një moment postpolitik pas një procesi të gjatë të depolitizimit të jetës politike. Depolitizimi, si një fenomen politik, përfshin zhvendosjen e çështjeve politike nga sfera publike drejt trajtimit teknokratik dhe administrativ, duke eliminuar kështu antagonizmin dhe konkurrencën politike. Chantal Mouffe, një nga teoricienet kryesore të këtij koncepti, e thekson rëndësinë e pluralizmit antagonist, ku konfliktet dhe kundërshtitë politike janë thelbësore për një demokraci të shëndetshme. Mouffe argumenton se demokracia nuk mund të ekzistojë pa pranuar dhe përfshirë konfliktet politike, të cilat krijojnë hapësirë për diversitetin e mendimeve dhe debatit.
Sipas Mouffe, depolitizimi ndodh kur këto konflikte dhe antagonizma minimizohen ose eliminohen krejtësisht në favor të një konsensusi të rremë të arritur përmes qeverisjes teknokratike dhe administrative. Ky konsensus i rremë shpesh përdoret për të mbajtur një status quo politik, duke shtypur zërat disidentë dhe duke shmangur debatin e hapur politik. Për Mouffe, kjo formë e depolitizimit çon në një demokraci të dobët dhe jofunksionale, ku mungon sfida dhe antagonizmi i nevojshëm për zhvillimin dhe përparimin politik.
Deri në vitin 2013, Shqipëria kishte një traditë të fortë të debatit politik, qoftë në Parlament apo në sferën publike, përfshirë median. Megjithatë, nën udhëheqjen e kryeministrit Edi Rama, kjo traditë është çmontuar sistematikisht. Rama ka imponuar një narrativë (jo)politike përmes kontrollit në rritje mbi median dhe burimet e tjera të krijimit të narrativave. Duke dominuar kanalet përmes të cilave ndodhin debatet politike, Rama ka transformuar diskursin politik në një mjet për forcimin e pushtetit të tij, duke zëvendësuar debatin e mirëfilltë politik me një narrativë të kontrolluar dhe homogjenizuar që përjashton zërat kundërshtarë.
Opozita në Shqipëri është margjinalizuar sistematikisht, duke u perceptuar gjerësisht si një strukturë e prapambetur e jetës shoqërore dhe politike. Ndërsa opozita mban një farë përgjegjësie për mangësitë e saj, faktori kryesor i delegjitimimit të saj ka qenë kontrolli hegjemon i ushtruar nga Edi Rama dhe Partia Socialiste mbi sferat politike, shoqërore dhe ekonomike të vendit. Përmes një narrative të kontrolluar dhe lëvizjeve politike strategjike, administrata e Ramës e ka formësuar me sukses perceptimin publik, duke e paraqitur opozitën si joefektive dhe regresive, duke kontribuar kështu në një mjedis politik ku konkurrenca e mirëfilltë dhe antagonizmi janë praktikisht joekzistente.
Edi Rama, i cili ka një sfond si artist, është pozicionuar në qendër të jetës estetike dhe kulturore të Shqipërisë. Ndikimi i tij shtrihet përtej politikës në sferën e artit dhe kulturës, ku ai shpesh shihet si figura qendrore. Kjo hegjemoni kulturore ka çuar në një situatë ku kundërshtarët përjashtohen efektivisht nga narrativa. Politikat dhe iniciativat kulturore të qeverisë shpesh theksojnë kontributet artistike të Ramës, duke krijuar një personazh të një lideri që është jo vetëm politikisht, por edhe kulturalisht i pazëvendësueshëm. Ky totalizim i jetës estetike dhe kulturore nën udhëheqjen e Ramës kontribuon më tej në depolitizimin e shoqërisë shqiptare.
Ky moment postpolitik në Shqipëri, i karakterizuar nga asgjësimi i antagonizmit politik, është rezultat i drejtpërdrejtë i narrativës hegjemone të krijuar nga kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste. Përmes depolitizimit diskursiv të jetës politike, delegjitimimit të opozitës dhe totalizimit të jetës estetike dhe kulturore, Rama ka grumbulluar sasi të paparë pushteti. Kjo ka çuar në një mjedis politik që kujton të kaluarën totalitare të Shqipërisë, ku angazhimi demokratik dhe konkurrenca e mirëfilltë janë minuar rëndë.

3) Shqipëria ka ndërtuar një sistem politik jopërfaqësues që dekurajon angazhimin politik, në rastin më të mirë, dhe, në rastin më të keq, përjashton efektivisht gjysmën e popullsisë së Shqipërisë me të drejtë vote nga pjesëmarrja në zgjedhje. Ky fenomen është rezultat i disa faktorëve, duke përfshirë pamundësinë e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të votuar shkatërrimin e mekanizmave të karrierës që sjell mosqarkullimin e elitave politike dhe shkatërrimin e besimit tek procesi politik.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi për zgjedhjet e vitit 2023 se nga 3.65 milionë votues të regjistruar, vetëm 38.22 për qind ose 1.4 milionë qytetarë votuan. Kjo shifër sugjeron një pjesëmarrje të ulët, por realiteti është më kompleks. Është thelbësore të merret parasysh se gati gjysma e qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote jetojnë jashtë Shqipërisë. Nivelet e larta të emigracionit kanë reduktuar ndjeshëm numrin e votuesve rezidentë në Shqipëri. Sipas INSTAT-it, popullsia rezidente e Shqipërisë në vitin 2022 ishte rreth 2.8 milionë, me rreth 600,000 banorë nën moshën 18 vjeç dhe, për rrjedhojë, të papërshtatshëm për të votuar. Këto të dhëna e reduktojnë numrin e votuesve rezidentë në afërsisht 2.2 milionë. Numri real i rezidentëve në Shqipëri është edhe më i ulët. Të dhënat e censusit të fundit që priten të publikohen këtë muaj (qershor 2024) pritet të tregojnë situatën reale të popullsisë rezidente (besohet të jetë ndërmjet 1.8 dhe 2.2 milion banorë). Duke marrë parasysh nivelin e lartë të emigracionit, shkalla reale e pjesëmarrjes në zgjedhje e popullsisë rezidente është midis 70-80 për qind, pjesëmarrje e lartë për zgjedhjet lokale. Kjo, në fakt, e përforcon faktin se sistemi politik është thelbësisht i korruptuar pasi incentivizon pjesëmarrjen në zgjedhje të votuesve të kontrollueshëm, ndërkohë që përjashton pjesën tjetër të popullsisë.
Sistemi politik aktual në Shqipëri është ndërtuar në mënyrë të tillë që shkatërron mekanizmat e karrierës dhe promovimit të elitave politike. Figura historike të politikës shqiptare, si Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama, kanë dominuar skenën politike për më shumë se tre dekada. Edi Rama, kryeministri aktual dhe lideri i Partisë Socialiste, ka arritur të mbajë një pozicion të fortë në politikën shqiptare që nga fundi i viteve të ‘90-ta. Këto figura politike e kanë dominuar skenën politike shqiptare, duke penguar qarkullimin e elitave dhe promovimin e të rinjve në politikë. Shkatërrimi i besimit tek procesi politik është një tjetër faktor që ka kontribuar në krijimin e një sistemi politik jopërfaqësues në Shqipëri. Pjesëmarrja e ulët e votuesve, veçanërisht midis të rinjve (në zgjedhjet e fundit nga 122,545 votues me të drejtë vote për herë të parë, vetëm 16,628 ose 13.5 për qind votuan) sugjeron një shkëputje të thellë nga procesi politik dhe një mungesë besimi tek institucionet dhe aktorët politikë.
Si përfundim, Shqipëria ka hyrë në një fazë kritike të zhvillimit politik ku ndërthurja gjithnjë e më e madhe e partisë në pushtet me aparatin shtetëror, fuqizimi i kontrollit të partisë mbi jetën politike, institucionale, ekonomike dhe kulturore të vendit, qendërzimi i partisë rreth figurës së kryeministrit Edi Rama, kombinuar me mungesën e mekanizmave efiçentë për kufizimin e pushtetit dhe përjashtimin efektiv nga pjesëmarrja politike të gjysmës së popullsisë me të drejtë vote kanë krijuar një sistem të butë autoritar që riprodhon vetveten në kushtet e depolitizimit të jetës politike.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X