loader image
December 3, 2024

Diplomaci pa histori

Historia njerëzore nuk është vetëm histori e paqes, demokracisë, mjedisit, ngrohjes globale, klimës, lirive dhe të drejtave. Është edhe histori e luftërave, krijimit dhe shembjes së mbretërive, perandorive, regjimeve totalitare, sistemeve të drejta e të padrejta të qeverisjes. Është histori e popujve të fuqishëm dhe popujve të dobët, e popujve me vetëdije të fortë kulturore, po edhe e popujve që janë asimiluar e kanë humbur identitetin e tyre në rrjedhën e kohës historike.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Shtetarët që nuk njohin historinë dhe përpiqen për diplomaci pa histori, janë të paracaktuar të sjellin një diplomaci qesharake ose të hyjnë në rrugë pa krye, duke i dëmtuar interesat e vendit. Edhe pse në pamje të parë udhëtohet në një mjedis njëngjyrësh, dalëngadalë – duke e zbërthyer dritën nën prizmin e rrethanave ku janë ngjizur e zhvilluar ngjarjet historike – do të arrijmë në përfundimin se historia nuk është lënda e mërzitshme, ku rrëfehen përralla e histori pa vlerë, por hapësirë ku njerëzit kanë treguar vlerat ose antivlerat e tyre. Nuk duhet harruar se rezultati i qëndrimeve ose vendimeve të marra në çaste të caktuara nga figura historike nuk mund të shkojnë në përputhje të plotë me të ardhmen e panjohur, prandaj shpesh do të gjejmë edhe vendime për të cilat është paguar shtrenjtë më pas, veçanërisht në rastet kur drejtuesit e shtetit kanë krijuar hendek mes vetes dhe jetës së përditshme të njerëzve që qeverisin.

Sot mund ta lexojmë më kthjellët të shkuarën nëse sytë dhe zemrat nuk na i kanë zënë favoret dhe elozhetë e atyre që as në të kaluarën e as në të tashmen nuk kanë dashur e nuk duan të na shihnin e të na shohin të zhvilluar e të dritësuar. Diplomacia është një zonë klimatike e paqëndrueshme. Nëse për të llogaritur temperaturën ditore duhen bërë katër matje në ditë nga specialistët përkatës, në diplomaci duhet të bësh matje edhe kur fle gjumë. Dhe, për këtë duhen specialistët përkatës. Nuk mund të jesh profesionist i diplomacisë pse ke lexuar libra më shumë se të tjerët. E shumta mund të jesh një teoricien katedrash. Nuk mund të jesh profesionist i diplomacisë vetëm sepse je aty si pasojë e paternalizmit dhe nepotizmit. Nuk mund të jesh profesionist i diplomacisë kur sapo ke dalë nga foleja universitare dhe je ende duke stërvitur krahët për të mësuar fluturimin, ndërkohë që rrotull vërtiten skifterë me mustaqe të thinjura e qime të kreshpëruara.

Historia njerëzore nuk është vetëm histori e paqes, demokracisë, mjedisit, ngrohjes globale, klimës, lirive dhe të drejtave. Është edhe histori e luftërave, krijimit dhe shembjes së mbretërive, perandorive, regjimeve totalitare, sistemeve të drejta e të padrejta të qeverisjes. Është histori e popujve të fuqishëm dhe popujve të dobët, e popujve me vetëdije të fortë kulturore, po edhe e popujve që janë asimiluar e kanë humbur identitetin e tyre në rrjedhën e kohës historike. Shqiptarët ia kanë dalë t’u rezistojnë kohërave dhe të mbërrijnë deri më sot me një histori dhe trashëgimi të krijuar mbi truallin ku jetojnë. U kanë mbijetuar dyndjeve barbare, Perandorisë Romake, dyndjeve sllave, Perandorisë Bizantine, bullgarëve, serbëve, anzhuinëve, venedikasve, Perandorisë Osmane (edhe raporti me Perandorinë Osmane ka patur uljet dhe ngritjet e veta), nacional-shovinizmit ballkanik të gjysmës së dytë të shek. XIX (i bekuar dhe nga qëndrimet e Fuqive të Mëdha), i mbijetuan luftërave ballkanike të fillimshekullit XX dhe traktateve të fshehta në dëm të interesave të tyre. I mbijetuan një prej regjimeve më të egra, më kundërnjerëzore që ka njohur njerëzimi për gati gjysmë shekulli. Nuk është pak për një popull të vogël numerikisht. Kjo i dedikohet vitalitetit të shqiptarit, fleksibilitetit të tij në raport me tri perandoritë e mëdha që kanë sunduar në territorin shqiptar dhe fatit.

Me zhvillimin e nacionalizmit dhe nisjen e procesit të shpërbërjes së brendshme të Perandorisë Osmane, shqiptarët do ta kuptonin qartë se cilët ishin në Ballkan e në Europë kundër interesave të tyre. Shqiptarët nuk duhet të harrojnë Naçertanian, Megali Idenë, Traktatin e Shën Stefanit, Kongresin e Berlinit, Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Traktatin e Fshehtë të Londrës, marrëveshjen Titoni- Venizellos, Konferencën e Jaltës dhe Potsdamit, kjo për të kujtuar se diplomacia ndërkombëtare e Fuqive të Mëdha nuk është treguar dashamirëse ndaj shqiptarëve, edhe pse shqiptarët kanë besuar dhe kanë patur pritshmëri të larta ndaj kësaj diplomacie. Henry Kissinger-i, në librin e tij “Diplomacia” (faqe 236, botimi shqip) thotë: “Besimi nuk është një mall me bollëk në diplomatët.”

Në diplomaci nuk ka miq të përhershëm dhe armiq të përhershëm. Kjo do të thotë që duhen peshuar mirë gjërat për qëndrimet që mbahen në arenën ndërkombëtare dhe të mos sillemi si vasalë të përunjur e të pafjalë. Periudha 1912-1944 ka qenë një periudhë e vështirë për shtetin shqiptar në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe konsolidimit politik të tij. Sado që u bënë përpjekje për modernizimin e shtetit dhe zhvillimin e tij, dalëngadalë ramë nën ndikimin e plotë italian dhe më 7 prill 1939 u pushtuam. Pas 1944-tës u orientuam plotësisht drejt botës komuniste, fillimisht drejt Beogradit, pastaj Moskës, pastaj Pekinit e, në fund, drejt Tiranës. Pas 1990-tës busulla u kthye drejt integrimit në BE dhe fuqizimit të marrëdhënieve me SHBA-në. Po kështu spikat edhe raporti shumë pozitiv me shtetin turk. Raporti i aleancave në ditët e sotme, po edhe si dikur, nuk varet vetëm nga njëra palë. Shqiptarët, po edhe popujt e tjerë ballkanikë, duhet ta kuptojnë se fqinjësia e mirë ndërtohet nga të gjithë dhe hapin e parë e të madh duhet ta bëjnë ato shtete që në të kaluarën kanë dashur të asgjësojnë ekzistencën e një shteti shqiptar. Vetëm kështu mund të mendojmë dhe jo të besojmë se do të ndërtohen raporte pozitive me fqinjët ballkanikë dhe ky raport pozitiv do t’i shërbejë më mirë integrimit në BE, të mbështetur edhe nga SHBA-ja.

Shteti shqiptar nuk duhet të besojë verbazi në dashamirësinë e diplomacisë së asnjë fuqie. Shteti shqiptar ka për detyrë të krijojë grupe lobimi në bashkëpunim me shqiptarët në Ballkan dhe me diasporën, në mënyrë që te shtetet që e kanë mbështetur historikisht çështjen shqiptare të shkojë gjithmonë fjala për ruajtjen e këtyre raporteve dhe fuqizimin e tyre. Me shtetet që në të kaluarën kemi pasur konflikte të hapura ose të fshehta, duhet lobuar që të ndërtohen ura të reja bashkëpunimi, duke parë drejt së ardhmes, por pa e harruar tërësisht të kaluarën, në mënyrë që të mos shfaqet sërish ana e errët e historisë atëherë kur je plotësisht i sigurt se asgjë nga e kaluara nuk ripërsëritet.

Përtej të gjitha aleancave, marrëveshjeve ose bashkëpunimeve rajonale e më gjerë, aleati më i madh i shqiptarëve duhet të mbetet interesi kombëtar. Dhe, për këtë duhet punuar fort, duke nxjerrë mësimet e nevojshme nga historia. Duhet punuar edhe më shumë, që gjykimi politik i shqiptarit të mos jetë emocional, por i shoshitur mirë, në mënyrë që në krye të punëve shtetërore, rrjedhimisht edhe në krye të diplomacisë, të mos ia behin arrivistë të përunjur, që u shërbejnë interesave meskine dhe shtetin e kanë si ena ku i lan duart ponc Pilati, për të dalë të pamëkatë para popullit.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X