“Njeriu zbuloi pikën arkimediane, por ai e përdori atë kundër vetes. Duket se ai ishte lejuar ta gjejë atë vetëm mbi bazën e këtij kushti.” (Kafka)
“Fakti i thjeshtë që fizikanët e ndanë atomin pa kurrfarë hezitimi në çastin që mundën ta bënin një gjë të tillë, ndonëse ata e panë qartë potencialin shkatërrues të jashtëzakonshëm të operacionit të tyre, tregon se shkencëtari si shkencëtar nuk përkujdeset aspak për mbijetesën e racës njerëzore mbi tokë, madje as për vetë mbijetesën e planetit.”
(Arendt, Pushtimi i hapësirës dhe përmasa njerëzore, përkth.: Krenar Hadëri)
Edison ÇERAJ, Tiranë
Tashma dihet se sot, sipas të dhanave të “superfuqive”, për herë të parë në historinë e tij mbi Tokë, njeriu ka në dorë mundësinë me e ba të pamundur jetën në të, nëpërmjet të ashtuquajturave armë të shkatërrimit në masë, siç është bomba atomike, por jo vetëm ajo. E paradoksi nxjerr krye me nji buzëqeshje kërcënuese kur kjo quhet edhe “arritje”. Arritje buzë greminës? Ky është telos-i i progresit?
Te filmi i fundit i Christopher Nolan-it, “Oppenheimer”, kur personazhi eponim takon presidentin Truman mbasi shpikja e tij e “suksesshme” ishte hedhë mbi Hiroshima e Nagasaki, në nji çast tronditjeje dhe dhimbjeje, shpikësi i thotë atij: “Ndiej se i kam duart me gjak!” Presidenti, me nji çehre të ftohtë e disi përbuzëse, i drejton shaminë-dekor të kostumit dhe i thotë: “Vërtet mendon se do t’ia dijë njeri se kush e shpiku bombën?!”
Shkencëtari ndien brejtje në ndërgjegje, ndërsa presidenti është i bindur për rolin e tij mesianik që i ka dhanë historia! “Ngjarje historike.” Çfarë formulimi hipnotizues! Çfarë marifeti legjitimues!
Njeriu me dhunti dhe, veçmas, shkencëtarët kanë qenë gjithnji nën presionin e tundimin për t’u (vetë)përdorë prej pushtetit, që ky i fundit të sigurojë edhe ma shumë pushtet. Dihet se kjo ka ndodhur përherë e do vazhdojë kështu.
Prandaj, përgjithësisht, shkencëtari i ka gjithmonë dyert e hapura nga pushteti, ndryshe nga artisti, “shpikjet” e të cilit nuk i bajnë punë pushtetit, në kuptimin e ngushtë të këtij të fundit.
Por, ka shpikje e shpikje, ka zbulime e zbulime, sikurse dhe shkencëtari, ashtu si çdokush tjetër, para së gjithash është njeri dhe mundet me cenu njeriun dhe ekuilibrat natyrorë përmes veprimtarisë së tij, veçanërisht kur ajo vihet në shërbim të nji pushteti të caktuar politik.
Është gati e pamundur me nxjerrë rregulla ose ligje të caktuara se ku duhet me ndalu shkencëtari apo se si e kujt mundet me ia vu në shërbim gjetjet/shpikjet e tij.
Ama, si gjithmonë, vjen nji çast kritik kur shfaqet përmasa etike/morale dhe ndërgjegjja ka dy rrugë: ose është e qetë ose “ndiej gjak nëpër duar”.
Pra, vjen ai moment kur pesha e besimit bahet përcaktuese, sepse jetën kanë të drejtë ta gëzojnë të gjithë pa përjashtim, e nga ky gëzim mund të privohen vetëm ata që e cenojnë atë, gja që është sanksionu në çdo kushtetutë.
Ligji dhe organet e zbatimit të tij ndërhyjnë dhe ndalojnë nji kriminel të caktuar, para ose pas krimit. Po si t’ia bajmë me atë që i shërben shkencës, ku në disa raste mundet me cenu jetën e miliona njerëzve?!
E kemi të freskët kujtesën me virusin Corona, me çfarë ndodhi në laboratorin e famshëm në Wuhan (nëse ka qenë vërtet kështu). A nuk vdiqën miliona nga ai kërkim shkencor që po zhvillohej atje?! A nuk u paralizua thuajse çdo veprimtari gati në krejt botën vetëm nga nji pasojë e këtij eksperimenti shkencor?! Çfarë kuptimi juridik e moral ka “gabimi njerëzor” kur mundet me i marrë jetën miliona njerëzve? Apo duhet të vazhdojmë të rrezikojmë me kërkime dhe eksperimente të tilla të rrezikshme që të përfitojë njerëzimi, siç thuhet shpesh, pavarësisht kostove?! Cili njerëzim, ndërkohë që ai është në rrezik të vazhdueshëm nga eksperimente të caktuar? Apo vetëm njerëzimi i projektuar i së ardhmes?
Kam pasur rastin me trajtu edhe ma parë këtë temë, ku kam shtru pyetjen se a mund ta justifikojë “e mira e përbashkët” nji provë/eksperiment shkencor i cili sjell nji bombë për të mirën e njerëzimit?!
Interesi thotë po, kurse e drejta ngulmon me jo.
Cilido qoftë qëllimi ose sado i lartë qoftë ai, nuk mund ta justifikojë nji vepër ose veprimtari që i shërben vetëm nji grupi ose nji interesi të ngushtë në kurriz të interesit të përbashkët.
Ajo që mbetet kyç në këtë pikë është se çdo shkencëtar ose kërkues duhet të jetë i ndërgjegjshëm se veprimi i tij mundet me qenë thikë me dy presa: mundet me rezultu shpëtimtar, siç ishte rasti me penicilinën, por, mundet me rezultu edhe shfarosës, siç jemi dëshmitarë të armëve të shkatërrimit në masë.
Por, kjo varet se kush është ma i randësishëm për vetë shkencëtarin: njeriu brenda tij apo profesioni jashtë tij.