loader image
December 22, 2024

Mangësitë e injoruara në shkollimin publik

Përmirësimet e vogla në komponentët e sistemit të shkollimit mund të mblidhen dhe në fund të rezultojë me një përmirësim të madh dhe kjo pastaj të dëshmohej në mënyrë empirike përmes një radhitjeje më të lartë nga PISA.

Rilind DAUTI, Shkup

Për arsimin ka shumë njerëz kompetentë: pedagogë, mësimdhënës, ekspertë të punësuar në Ministri të Arsimit, psikologë të fëmijëve… dhe këtyre më së shumti u ka hije për të folur për problemet në arsim dhe për të propozuar zgjidhje. Por, në këtë numër tematik, të nxitur nga një tjetër radhitje e PISA-s ku Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, dhe Maqedonia e Veriut janë renditur kah fundi, me siguri se nuk prish punë që për problemet në arsim të flet edhe dikush që tërë përvojën në shkollë e ka në shekullin XXI (nga v. 2002 kur hyra në klasë të parë e këndej), kështu që e ka më të afërt kujtesën e të qenit nxënës. Ndërkaq, për gjërat që ndodhin edhe gjatë aktualitetit në të cilin jetojmë informohem nga mediat dhe rrjetet sociale, ndërsa e kam fatin që në hap me kohën më mbajnë edhe anëtarë të farefisit që ulen në të dy anët e mësonjëtores: edhe nxënës edhe mësimdhënës.

Arsimi ka rëndësi themelore të zhvillimit të shtetit dhe përmirësimin e shoqërisë. Fatkeqësisht, ashtu siç është tani, por edhe si ka qenë në të kaluarën e afërt (si p.sh. në kohën time), lehtazi mund të hetohen probleme që e pamundësojnë arsimin cilësor. Fatmirësisht, mangësitë e shkollimit publik nuk i kanë penguar më vonë që të arrijnë sukses të lartë akademik dhe profesional ata që kanë qenë fëmijë të talentuar dhe nxënës me prirje për të mësuar. Megjithatë, sikur shkollimi të ishte më cilësor, do të ishte shumë më i lartë numri i maturantëve që punësohen në profesionet përkatëse menjëherë, si dhe i atyre që më vonë do të bëhen studentë të përkushtuar të fushës që kanë zgjedhur ta studiojnë dhe pas diplomimit të ishin kuadër cilësor në tregun e punës.

Kur me njerëzit flitet për problemet në arsim, krijohet një diskutim cilësor ku secili e jep kontributin e tij duke na e përkujtuar se fajin e ka edhe ky ose ai. Domethënë, për secilën palë relevante përmendet ndonjë pjesë e fajit: ministria, qeveria, kryetarët e komunave në pjesën e kompetencave në arsim, partitë politike si zgjedhës jozyrtarë të kuadrove në arsim, drejtorët e shkollave, mësimdhënësit, prindërit, në fund edhe vetë nxënësit. Kjo na bën ta kuptojmë se për problemet në arsim ka një rreth vicioz që e pamundëson që fajin ta drejtosh vetëm tek njëra prej palëve të shumta, gjë që e bën të vështirë edhe të zgjedhësh diçka prej nga t’ia fillosh të shkruash dhe të propozosh zgjidhje duke pretenduar që pas kësaj gjërat do të shkojnë për të mbarë. Por, çdo përmirësim i vogël është i mirëseardhur dhe ashtu si “gram strategjia” e Mazdas, që çdo komponenti të automjetit ia ulë peshën qoftë vetëm një gram dhe në fund zvogëlohen qindra kilogramë nga pesha e përgjithshme e tij, me çka dukshëm përmirësohen performancat e veturës, edhe përmirësimet e vogla në komponentët e sistemit të shkollimit mund të mblidhen dhe në fund të rezultojë me një përmirësim të madh dhe kjo pastaj të dëshmohej në mënyrë empirike përmes një radhitjeje më të lartë nga PISA!

Po ia filloj me klishenë që mësimdhënësi ua thotë nxënësve kur takohet me ta për herë të parë: “Me të mirin jam i mirë, me të keqin jam i keq.”

Pa hyrë në diskutime etike se a i ka hije mësimdhënësit që me nxënësin “e keq” të sillet në mënyrë reciproke apo duhet të jetë në nivel më të lartë se ai ose, madje, të përpiqet në përmirësimin e tij, e vërteta në praktikë është se edhe me të mirin shpesh veprojnë në mënyrë të gabuar, ndërsa me nxënësit problematikë tregojnë më shumë tolerancë seç duhet. Shpesh, mllefin e shkaktuar nga nxënësit zhurmaxhinj, e nxjerrin edhe tek nxënësit e urtë, duke i mëshuar kosës gjerë gjatë dënimit kolektiv. Ose, një numër të vogël problematikësh i lejojnë që ta marrin peng pjesën tjetër të klasës që duan ta dëgjojnë mësimin.

Edhe kur vjen puna te mësimi, e shkelin mantrën “me të mirin jam i mirë, me të keqin jam i keq”. Ndonjëherë, kur nxënësin e mirë e zënë të papërgatitur, tregohen shumë të vrazhdë. Por, shumicën e rasteve problemi është tek e kundërta: kur me të sillen më mirë seç duhet! Kështu, në vend se t’ia thonë të vërtetën, që “nuk paske mësuar”, e hanë trukun e tij kur përpiqet ta nxjerrë veten me filozofim në vend se duke u përgjigjur saktë. Në këtë mënyrë, shpërblehet hilja ndaj mësimit dhe tek nxënësit e shkëlqyeshëm nxitet përtacia ndaj të mësuarit në mënyrë konsistente.

Nga ana tjetër, ndodh që kur nxënësit e dobët ose mesatarë përpiqen pak më shumë se zakonisht, ndaj tyre tregohen më striktë seç duhet. I mbaj mend së paku dy raste kur nxënës që nuk shquheshin për nga mësimi, patën mësuar për t’u pyetur me notim dhe u patën dëshpëruar pa masë kur mësimdhënësi u dha katërshe në vend se 5. Por, kjo nuk ndodh shpesh. Gabimi më i shpeshtë në notim është që nxënësit mediokër i barazojnë me nxënësit e shkëlqyer. Kjo më së shumti ndodh në arsimin fillor, që nxënësit të cilët nuk shquhen për asgjë, në dëftesa suksesin e kanë 5.00 ose shumë të përafërt. Dhe, kur të tillët zënë vend të pamerituar në shkollimin e mesëm, figurojnë në ditar, por nuk shkojnë në shkollë ose janë në klasë, por nuk vërehen fare ose janë në klasë, por pengojnë duke bërë zhurmë.

Të gjithë në gjimnaz!

Dhe, kjo na sjellë edhe te një tjetër mangësi ekstreme e sistemit arsimor, pasoja e së cilës nuk vërehet te renditjet e PISA-s, por te diçka shumë më me rëndësi: te tregu i punës dhe ekonomia e shtetit në përgjithësi. Bëhet fjalë për numrin ekstrem të nxënësve që regjistrohen në gjimnaz, kjo si rezultat i një mendësie të trashëguar të “elitizmit”.

Ky shkollim i përgjithshëm nuk të përgatitë për asnjë vend pune, por është i menduar që pas tij të vazhdosh në studime. Ndërkaq, një pjesë e madhe, nëse jo shumica, e nxënësve që janë të regjistruar në gjimnaz, i çojnë kot katër vite të jetës së tyre (ndërsa dihet që koha është resurs i pakthyeshëm!). Këtyre nxënësve u bëhet dëm, duke i detyruar të ndjekin mësime që nuk do t’u bëjnë dobi në tregun e punës, nuk u ngjallin interesim ose që nuk kanë kapacitet për to. Dhe, si rezultat i këtij mosinteresimi për mësim, shpesh dinë ta pengojnë procesin arsimor me zhurmë dhe përpjekje për të rënë në sy. Të tillët, pas mbarimit të gjimnazit, vazhdojnë në universitet sa për ta pasur një diplomë, sepse asgjë akademike nuk u ngjall interesim, shkojnë marrin zanat me vonesë, pasi që 4 vite në gjimnaz i kanë çuar kot, punësohen në vende pune pa kualifikim dhe paguhen dobët ose marrin ndihma sociale si parazitë të shoqërisë.

Në fakt, shumë nga nxënësit e tillë janë të vetëdijshëm për limitimet e tyre ose që nuk e kanë merak mësimin! Më kujtohet në klasë të tetë, kur disa nxënës i pyetnin se ku do ta vazhdojnë shkollimin e mesëm (që tashmë ishte bërë obligues), përgjigjeshin me ironi “sredno uliçarsko” (“shkolla e mesme e rrugaçërisë”). Ndërkaq, në vit të katërt të shkollimit të mesëm, për studimet universitare ndonjë maturant përgjigjej se do të studiojë “kokërshpinologji” (të qenit shtrirë në “kokër të shpinës”, të mos bërit asgjë). Ky defetizëm tek nxënësit, mosbesim tek vetja dhe kjo fyerje e vetvetes, nuk është për t’u lavdëruar, por kjo tregon se nxënësit janë të vetëdijshëm për kapacitetet e limituara të vetat, ndërsa janë prindërit ata që insistojnë t’i çojnë në shkollim me më shumë prestigj shoqëror, por ku fëmijët e tyre janë të humbur fare.

Zgjidhja më e mirë për nxënësit e tillë do të ishte orientimi në shkolla të mesme profesionale, në të cilat merret zanat dhe menjëherë pas diplomimit (ose edhe duke qenë nxënës) mund të gjejnë punë të përshtatshme.

Fatkeqësisht, tek ne shkollat e tilla vuajnë nga stigma që aty shkojnë “ngelafçat” dhe se aty nuk mbahet kurrfarë mësimi. Për këtë arsye prindërit insistojnë t’i çojnë në gjimnaz (ose shkollë të mesme ekonomike dhe juridike, që kohën e sotme po ashtu nuk mjafton, por prapëseprapë nevojitet të vazhdohet në arsimin universitar). Prandaj, që prindërit të jenë të qetë me vetveten, fëmijëve të tyre duhet t’u bëhen testime të hollësishme përpara se t’u thuhet e “vërteta e hidhur” që fëmija i tyre nuk është i përshtatshëm për studime universitare, kështu që më mirë të shkojë në shkollë të zanatit. Megjithatë, kjo nuk duhet t’u pamundësojë nxënësve të tillë t’i ndjekin studimet universitare nëse gjatë shkollimit të mesëm tregojnë rezultate të jashtëzakonshme. Mund të paraqitet ndonjë “talent i vonuar”, që do të shkëlqente në studimet universitare.

Një qasje e kujdesshme duhet të zbatohet edhe me fëmijët që vuajnë nga probleme të caktuara zhvillimore, si vështirësitë në të folur ose disleksia. Shkollat duhet t’i ndihmojnë ata t’i kapërcejnë vështirësitë e tyre, sepse te ta mund të fshihet ndonjë talent gjigand. Për shembull, si fëmijë, Albert Einstein-i kishte vështirësi në të folur, ndërsa miliarderi Richard Branson si nxënës vuante nga disleksia. Pra, shkollat duhet të jenë veçanërisht mbështetëse ndaj nxënësve të tillë.

Tolerancë e tepruar nga të gjithë

Fatkeqësisht, me nxënësit e dobët (qofshin ata me probleme zhvillimore, qofshin pa asnjë problem, por që thjesht nuk e duan mësimin), mësimdhënësit heqin dorë menjëherë në vend se të përpiqen t’i nxjerrin prej gropës së mosdijes. Kështu, ndaj tyre e përdorin edhe një tjetër klishe: “Mjafton të vini me rregull dhe të rrini urtë gjatë orës, sepse një dysh (notën më të vogël kaluese) e keni të siguruar nga unë.” Kjo garanci se do ta kalojnë lëndën nëse janë të disiplinuar, nuk vjen vetëm nga dëshira për ta nxitur respektimin e rregullshmërisë në orë dhe qetësinë në klasë, por edhe nga diçka tjetër: mëshira e mësimdhënësit ndaj nxënësit dhe prindit të tij që sakrifikon për ta çuar në shkollë. Mëshira është tipar i mirë, por mëshira e tepruar di të jetë shkaktare e anomalive që te kombet e zhvilluara janë të papranueshme. Është pikërisht kjo arsyeja përse i tolerojmë shitësit që e zënë rrugën dhe u bëjnë konkurrencë jolojale tregtarëve që paguajnë tezgë dhe taksa në treg (“ka dalë ta fitojë kafshatën e gojës”). Është pikërisht kjo mëshirë përse tolerojmë zgjerim të banesave dhe ngritje pa standard të kateve shtesë të shtëpive (“e marton djalin dhe s’ka mundësi me e qitë n’shpi t’veten, s’ka gajle që ia ka bo ni dhomë çaty”).

Pikërisht nga mëshira e tepruar tolerohen edhe gabimet në shkollimin publik. Jo vetëm tek dhënia e notave më të larta pa meritë (që u bëjnë konkurrencë jolojale nxënësve meritorë), por edhe tek qasja ndaj disa të punësuarve si mësimdhënës.

Shpesh njerëzit e nënvlerësojnë kapacitetin e fëmijëve për t’i vështruar gjërat dhe një nga këto është aftësia e fëmijëve për ta detektuar kualitetin e mësimdhënësit. Fëmijët shumë mirë e dinë se cili mësimdhënës nuk e zotëron lëndën për të cilën është thirrur të ligjërojë, që nuk ka interesim për të dhënë mësim, që është përtac, që paaftësinë e vet e mbulon me shaka ose me histori personale dhe që ankesën për zhurmë e shfrytëzon si pretekst për të mos mbajtur mësim. Por, nëse fëmijët janë të pamëshirshëm ndaj mësimdhënësit duke bërë zhurmë, duke e përqeshur ose duke e emërtuar me nofka tallëse, asnjë nxënës nuk dëshiron të bëhet shkak që një arsimtar i dobët të lëshohet nga puna, prandaj edhe nuk ankohen për të. Njëjtë as kolegët arsimtarë dhe drejtorët e shkollave nuk bëjnë asgjë. Nga mëshira e tepruar, as ata nuk duan ta lënë pa punë ndonjë arsimtar ose profesor të dëmshëm ndaj nxënësve.

Puna në arsim jo si mision

Por, as mësimdhënësit e mirëfilltë nuk janë imunë prej gabimeve të shpeshta. Më poshtë janë disa shembuj.

Nuk e di a veprojnë ende kështu, por deri në vitin 2014, kur isha maturant, profesorët ende e shfrytëzonin metodën e diktimit të mësimit për ta shkruar në fletore, që prej saj të mësojmë për notë. Domethënë, nga 40-45 minuta, një pjesë e madhe e orës shkonte për diçka që shumë lehtë mund të kryhej përmes grupit të klasës në Facebook ku mund të shpërndahej mësimi, përmes e-mailit ose, thjesht, përmes fotokopjimit që ka kosto të shpërfillshme. Duke qenë aq arkaikë, pa nevojë lodheshin nxënësit fizikisht dhe nuk kishte shumë kohë për diskutim të mësimit.

S’bën pa u përmendur as meraku i bashkimit ad hoc të klasave. Domethënë, kur mungon ndonjë profesor dhe ora e paraparë për të është e lirë, profesori tjetër bën zëvendësim duke i bashkuar dy klasa që me ta ta mbajë të njëjtën orë përnjëherë, ashtu që të shkojë në shtëpi më herët. Është mirë që njeriu të jetë praktik dhe është e kuptueshme dëshira për t’u kthyer sa më shpejtë në rehatinë e shtëpisë, por nëse me 36 nxënës mezi mbahet mësim, atëherë çfarë cilësie ka mësimi me mbi 70 nxënës përnjëherë? Me më pak se 40 minuta, sepse shumë kohë është shpenzuar nga ardhja e nxënësve të klasës tjetër bashkë me karriget e tyre dhe aty ku kanë ardhur nuk kanë bankë para vetes, sepse janë të zëna nga nxënësit e klasës nikoqire?!

Përpos këtyre që janë gabime në aspektin arsimor, tek shumë mësimdhënës shpesh hetohen edhe gabime në anën edukative të procesit edukativo-arsimor. Për shembull, çfarë shembulli u jep fëmijëve një profesor që i përgojon kolegët e tij? Të njëjtit kolegë me të cilët përshëndetet në korridor, pi kafe në sallën e profesorëve dhe me të cilët udhëton nëpër seminare? D.m.th., fëmijët i mëson që të aktrojnë mirësjellje para syve të dikujt, por prapa shpine lirisht flisni kundër tij?

Ka edhe mësues që nxënësve u japin shembull të paragjykimeve primitive dhe të diskriminimit, duke shprehur haptazi neveri ndaj nxënësve që vijnë prej fshatit ose duke refuzuar të bëhen kujdestarë të ndonjë klase me arsyetimin se ajo klasë është e mbushur me katundarë.

Pastaj vjen “mësimi” i të qenit cinik: “unë për vete e kryej punën time (e ligjëroj mësimin) dhe e marr një rrogë, a ju n’daç msojni, n’daç mos msojni”. Kjo qasje nonshalrante, kjo moskokëçarje, fillimisht shkaktohet prej “zemrës së plastë” nga numri i stërmadh i nxënësve që fare nuk u intereson mësimi, por edhe prej reduktimit të arsimit nga mision për fisnikërimin e njeriut dhe përparimin e popullit në një vend të thjeshtë pune.

Shumë njerëz kanë shprehur bindjen që arsimi paralel në Kosovë gjatë okupimit serb të viteve ’90 ishte më cilësor sesa pas çlirimit. Ngjashëm ekziston bindja edhe te shqiptarët në Maqedoni të Veriut për Universitetin Shtetëror të Tetovës, që gjatë ilegales ishte më cilësor sesa pas legalizimit në vitin 2004. Në shikim të parë duket e pamundur që mësimi nëpër shtëpi me klasa të improvizuara të jetë më cilësor se ai në objekte zyrtare me kushte normale. Por ka një shpjegim shumë të mirë për këtë. Duke e pasur mbi kokë një shtypës, te shqiptari vlonte motivi që përmes arsimimit të rritet kapaciteti i popullit, dhe të tregohet superioritet intelektual ndaj shtypësit që e ka në dorë aparatin shtetëror represiv. Por, pas çlirimit ose legalizimit, ka humbur ky motiv i fortë. Nxënësit dhe studentët i bëjnë hile mësimit, sepse duan të kalojnë më lehtë, prindërit i japin zor që fëmija i tyre suksesin zyrtar ta ketë shumë më të lartë seç e meriton, ndërsa shumë të punësuar si mësues janë aq matrapazë, sa nuk do t’u besohej as të shitnin zarzavate në treg, e lëre më atyre t’u lihet në dorë edukimi i fëmijëve që janë e ardhmja e popullit.

Megjithatë, edhe arsimtarët më të mirë, pa vetëdije, e normalizojnë në psikikën e nxënësit një ves tepër të keq të njeriut: mashtrimin. Këtu nuk është fjala vetëm për dënimin e pamjaftueshëm të atyre që zihen me “presh në dorë” duke kopjuar gjatë testit, por edhe duke u treguar me nxënësit më “të mençur” seç duhet. Për shembull, për arsyetimin e mungesave, ka ndonjë kujdestar klase që shprehet “mua nuk më intereson a je me të vërtetë i sëmurë, më mjafton vërtetimi nga mjeku si dokument”. Pra, në vend se ta edukojë fëmijën që gënjeshtra dhe josinqeriteti janë të gabuara dhe një ditë do të kesh pasoja prej tyre, mësuesi i tregon fëmijës që nuk i bëhet vonë nëse je manipulues, por mjafton unë ta kem një mbulesë para autoriteteve që janë mbi mua. Pra, kemi të bëjmë edhe me një simptomë tjetër të argumentit të mësipërm që arsimi më nuk shihet si mision me ndjeshmëri të veçantë, por pozita e mësuesit tashmë perceptohet thjesht si një pozitë e nëpunësit shtetërorë, ku mjafton të jesh në rregull me dokumentet nëse eventualisht duhesh të japësh llogari para zyrtarëve administrativë ose inspektues. E nxënësit le të bëjnë çfarë të duan. “Ju mësimin e keni për vete, e jo për mua.”, është një klishe tjetër, me të cilën shprehin shpërfillje ndaj nxënësve që nuk shquhen për mësim.

Gabime sistemore dhe shprehi tjera

Por, ashtu siç është tani, sistemi arsimor nuk është adekuat as ndaj nxënësve shembullorë. Edhe nxënësi më i përkushtuar ndonjëherë ka nevojë për pushim, por nuk ka ditur pa pasur detyra shtëpie. Disa nga këto detyra janë edhe përtej kapacitetit të nxënësit më të mirë në klasë, me çka e detyron që edhe ai të bëhet hileqar, duke kërkuar nga prindi ose ndonjë i afërm tjetër që t’ia kryejë atë detyrë. Përpos detyrave të shtëpisë, kjo hetohet edhe te temat për hartim. Shumë nga këto tema janë joadekuate për një fëmijë ose që kërkojnë shumë hulumtim paraprak. Por, pjesa më e madhe e temave të hartimeve janë të bazuar në lektyrat që nxënësit i kanë pasur për obligim për t’i lexuar. Pra, të gjithë nxënësit u dashka të bëhen kritikë letrarë?

Pastaj çështje e veçantë është përzgjedhja e lektyrave. Gjithmonë kam qenë i bindur se shumica e librave që nxënësit detyrohen për t’i lexuar janë të papërshtatshme për ta. Janë të pakuptueshme, janë me tema të rënda dhe vetëm për të rritur ose janë të mërzitshme dhe leximi i tyre është torturë në vete. Prandaj, së fundi, u befasova për të mirë kur e pashë që edhe një intelektual i njohur si Milazim Krasniqi shprehi kundërshti për përzgjedhjen e veprave për lektyra shkollore. “Mbesa ime mbrëmë po më tregonte se e ka pasur lektyrë veprën “Odiseu” të Homerit dhe se nuk e ka kuptuar. Tash në radhë e kishte veprës ”Këngët e Milosaos” të Jeronim De Radës. Si është e mundshme që të torturohen nxënësit e klasës së tetë me këso veprash, të cilat me vështirësi i kuptojnë edhe studentët e letërsisë? Nuk e kam të qartë se a janë padijshëm apo janë të korruptuar ata që e kanë hartuar atë program mësimi të letërsisë. E sigurt është që kjo është në dëm të nxënësve.”

Mbase pikërisht kjo është arsyeja përse edhe në testin e PISA-s për lexim shqiptarët kanë dalë shumë dobët. Nuk mund të jetë shkaku “ne shqiptarët nuk lexojmë sa duhet” kur e ke parasysh se çfarë librash voluminozë dhe me çfarë tematike janë të detyruar të lexojnë nxënësit shqiptarë. Krahasuar me veprat e tilla, testi për lexim i PISA-s duhet të jetë shumë më i lehtë! Por, ka ndodhur e kundërta: nga leximi mekanik i veprave të tilla të pakuptueshme, nxënësit nuk i kanë zhvilluar sa duhet aftësitë e të kuptuarit të mirëfilltë të fjalës së shkruar, kështu që hasin në vështirësi edhe kur materiali tekstual që e kanë para syve është shumë më i thjeshtë dhe i lehtë se, fjala bie, “I huaji” i Albert Kamysë. Dhe, kjo nuk hetohet vetëm te 15-vjeçarët që i janë nënshtruar testit të PISA-s, por edhe te të rriturit! Vështirë se ka ndonjë autor të publicistikës ose që poston statuse në Facebook, të cilit nuk i ka ndodhur së paku një herë që ndonjë lexues e ka kundërshtuar jo pse nuk pajtohet me atë që e ka shkruar, por sepse e ka huqur poentën e tekstit! E kjo mund të ketë edhe pasoja mbi reputacionin e njerëzve! Duke nisur prej librave, kolumnave, e deri te tekstet e shkurtra në rrjetet sociale, përmes leximit të hovshëm dhe moskuptimit të asaj që ka dashur ta thotë autori, njerëzit pa faj shpallen tradhtarë, spiunë, të prapambetur, ekstremistë dhe etiketime tjera të rënda.

Lektyrat e vështira në lëndën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe janë njëri problem, por edhe te lëndët tjera ka anomali, sepse vetë librat shkollorë kanë shumë gabime! Për shembull, më kujtohet në shkollë fillore se si në librat e gjeografisë, të botuara pas vitit 2000, shkruante se në këtë ose atë qytet të Maqedonisë punojnë këto ose ato fabrika, ndërsa në realitet këto fabrika ishin mbyllur bashkë me firmën që ka falimentuar qysh në vitin 1990! Apo “perla” tjetër, që kryeqytet i Gjermanisë nuk figuronte Berlini, por Boni!

Në kohën e sotme, kur shkenca çdo ditë del me ndonjë zbulim revolucionar, kushedi çfarë anakronizmash ende figurojnë si të vërteta në librat tanë shkollorë. Pastaj çuditemi që nxënësit tanë kanë dalë dobët në pjesën e shkencës të testimit të PISA-s!

Të gjitha këto që u thanë ishin kryesisht kritika ndaj mësimdhënësve dhe sistemit arsimor, por s’bën pa u përmendur as faji i prindërve që nuk u intereson fare për sjelljen dhe performancat e fëmijëve të tyre në shkollë. Gjejnë kohë për gjithçka, përpos që të shkojnë në mbledhje prindërore të thirrur nga kujdestari i klasës, ku është edhe fëmija i vet. Disa nëna ua humbin bijave kohën e çmuar, duke i detyruar t’i bëjnë punët e shtëpisë dhe t’i shërbejnë mysafirët, ndërsa disa baballarë i çojnë djemtë të punojnë ndonjë punë fizike (në RMV është legal punësimi i të miturve mbi 15 vjeç).

Huqje në gjetjen e fajtorëve?

Nga ana tjetër, ka prindër që nga kujdesi i tepruar bëjnë panikë nga gjëra që nuk janë aq të dëmshme sa mendojnë. Shembulli kryesor është frika nga teknologjia. Dikur ishte televizori, pastaj kompjuteri, ndërsa sot janë celularët “e mençur”. Por, e vërteta është se nuk ka asnjë nxënës të dhënë pas mësimit që për hir të argëtimit nga ekrani është i gatshëm ta sakrifikojë suksesin në shkollë. Kur edhe i rrituri ka nevojë për relaksim e argëtim, si mund të presësh që prej tyre të heqë dorë fëmija? Apo të shtiresh si prind strikt, duke menduar se mund t’ia kufizosh vetëm në 2 ose 3 orë në ditë? Kështu, teknologjia gjithmonë ka qenë një gogol që i ka defokusuar nga problemet e vërteta në procesin edukativo-arsimor që shkaktojnë dëm.

Në këtë shkrim u përmendën shumë nga këto anomali për të cilat kam qenë dëshmitar okular ose për të cilat jam i njoftuar përmes të tjerëve. Nëse pedagogët dhe ekspertët e tjerë të arsimit mendojnë se këto janë çështje teknike, raste të rralla ose imtësi të shpërfillshme, në rregull, meriton më shumë respekt mendimi i atyre që zyrtarisht janë të thirrur për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e procesit edukativo-arsimorë, por a thua dështimi i nxënësve shqiptarë në testimet e PISA-s është vetëm dështim personal i tyre apo turpi i këtyre nxënësve e nxin edhe faqen e atyre që janë mbi ta, që kanë përgjegjësi zyrtare për formimin e personalitetit të tyre?

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X