loader image
February 22, 2024

Eksperimentet që e plandosën arsimin!

Ngecjet serioze në cilësinë e arsimit tonë para së gjithash janë peng i eksperimenteve të njëpasnjëshme, që janë bërë dhe vazhdojnë ende të bëhen në të gjitha nivelet arsimore. Hapja e shteteve tona të reja me një demokraci eksperimentale në vitet e ‘90-ta të shekullit të kaluar solli shumësi modelesh dhe politikash arsimore, të cilat e dezorientuan gjithë sistemin arsimor. Sa niste një model i caktuar, ende pa përfunduar mirë, fillonte tjetri dhe ngelte në gjysmë, varësisht nga ndryshimi i pushteteve politike, duke e sjellë kështu gjithë sistemin arsimor në një kaos të paparë.

Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Performanca shumë e dobët në mënyrë të vazhdueshme e dijeve të rinisë tonë shkollore dhe asaj studentore është një shqetësim gjithnjë e në rritje. Nga viti në vit bie cilësia në arsimimin e gjeneratave të reja, sidomos në vendet tona ballkanike, duke ngritur një sërë dilemash për rrugën drejt së cilës po shkojmë si shoqëri.

Faktorët që kanë ndikuar në prishjen e balancave në sistemin tonë arsimor janë të shumta, por fakti që në tri dekadat e zhvillimeve demokratike gjendja shkon e bëhet gjithnjë keq e më keq, është koha e fundit që duhet ngritur boritë e alarmit.

Eksperimentet në arsim

Arsimi, pa mëdyshje, është një nga sferat më të ndjeshme të shoqërisë, meqë është pjesë e pandashme e çdo njeriu, e çdo familje, e çdo lagje, e çdo fshati, qyteti e shteti. Dikush është nxënës, dikush student, dikush mësues, dikush prind, dikush familjar i nxënësit, dikush administrator ose drejtues i politikave arsimore. Pra, çdo njeri dhe çdo familje është pjesë e pamohueshme dhe e pandarë e zinxhirit të gjatë arsimor. Prandaj, është e patjetërsueshme që çdo hallkë e këtij zinxhiri të jetë e fortë nëse dëshirojmë të kemi arsimim më cilësor dhe ngritje zhvillimore pozitive të shoqërisë.

Në të vërtetë, ngecjet serioze në cilësinë e arsimit tonë para së gjithash janë peng i eksperimenteve të njëpasnjëshme, që janë bërë dhe vazhdojnë ende të bëhen në të gjitha nivelet arsimore. Hapja e shteteve tona të reja me një demokraci eksperimentale në vitet e ‘90-ta të shekullit të kaluar solli shumësi modelesh dhe politikash arsimore, të cilat e dezorientuan gjithë sistemin arsimor. Sa niste një model i caktuar, ende pa përfunduar mirë, fillonte tjetri dhe ngelte në gjysmë, varësisht nga ndryshimi i pushteteve politike, duke e sjellë kështu gjithë sistemin arsimor në një kaos të paparë.

Mossigurimi i kushteve të nevojshme për punë normale nëpër shkolla e universitete, të cilat shpeshherë u ndodhën jashtë sistemeve shtetërore, pa salla e kabinete, pastaj rritja enorme e numrit të nxënësve e studentëve, mungesa e kuadrit të mirëkualifikuar etj., solli një sërë devijimesh të pariparueshme deri në ditët e sotme.

Kuadrot partiake

Një nga gjynahet më të mëdha të partive politike në këto tri dekadat e fundit është ndërhyrja e tyre e paskrupullt në përcaktimin e kuadrove, që do të bartnin mbi supe ardhmërinë e shoqërisë.

Emërimi politik i drejtuesve të pamerituar nëpër institucionet arsimore, ndërhyrja e drejtpërdrejtë e politikës gjatë të gjitha punësimeve të kuadrit arsimor (madje edhe të mirëmbajtësve të higjienës nëpër institucione edukative-arsimore), bëri që të mos kemi njerëzit e merituar aty ku e kanë vendin. Njerëzit e tillë të pamerituar, për të qenë pjesë e sistemit edukativo-arsimor, rritën dhe edukuan gjenerata të tëra të cilat tash ua kthejnë shoqërisë po atë “llum” që e kanë vjelë gjatë arsimimit të tyre nga pararendësit. Dhe, kjo e keqe vazhdon të përsëritet në mënyrë ciklike nga viti në vit e nga gjenerata në gjeneratë. Njerëzit e pamerituar, me libreza partiake, punësohen nëpër institucione edukative-arsimore dhe universitare, kurse ata të merituarit rrinë në shtëpi dhe detyrohen të bëjnë punë krahu për ta mbajtur familjen. Këta të fundit janë kandidatë potencialë për të emigruar në vendet perëndimore, atje ku gjejnë një meritokraci të theksuar dhe jetë më të dinjitetshme. Zaten, pjesa dërmuese e emigracionit tonë janë pikërisht kjo kategori e bashkatdhetarëve të cilët këtu nuk kanë mundur të sistemohen në asnjë mënyrë, ndërsa në diasporë kanë hapur faqe të reja historie suksesi!

Orientimet profesionale

Çështje shumë e rëndësishme në këtë sistem të dobët arsimor është orientimi jo i duhur i nxënësve për përgatitjet e tyre më të larta profesionale. Është e çuditshme se si të gjithë nxënësit më të shkëlqyer këtu domosdoshmërisht orientohen nëpër drejtimet e shkencave mjekësore, pa marrë parasysh faktin nëse ata kanë ndonjë interes të dalluar për një drejtim të tillë apo jo. Një nxënës super i talentuar i cili ka afinitet më të madh, ta zëmë, për shkencat politike, shkon e bëhet mjek! Në vend se të studiojë shkencat politike dhe profesionalisht të përsoset në atë fushë në të gjitha etapat e karrierës së tij, ai pjesën më të rëndësishme të jetës e kalon në studime të gjata dhe të vështira të shkencave mjekësore, për t’iu rikthyer prapë politikës, por tani në mënyrë amatore. Me përjashtime shumë të rralla, një kuadër të tillë nuk mund të jetë plotësisht i suksesshëm në asnjërën sferë, duke qëndruar me një këmbë në mjekësi e me tjetrën në politikë.

Ose një shembull tjetër, ka shumë nxënës të shkëlqyeshëm të cilët detyrohen nga prindërit ose rrethi i tyre që të shkojnë e të studiojnë drejtime të cilat konsiderohen si më profitabile, në vend se të studiojnë ato drejtime të cilat mund të jenë më atraktive për ta, si për shembull drejtimet pedagogjike-arsimore.  Si rezultat i kësaj, tani vite e dekada me radhë kemi një situatë shumë paradoksale, kur në drejtimet e tilla më së shumti shkojnë të studiojnë nxënësit e dyshave dhe treshave, të cilët me rezultate edhe më të dobëta në fakultet më pas kthehen nëpër shkolla dhe na i mësojnë dhe edukojnë gjeneratat e reja! Për më keq, është kjo periudha kur arsimi i mesëm u bë i detyrueshëm, duke humbur kuptimin dhe rëndësinë e profesioneve ose zanateve praktike që merreshin më herët nëpër punëtori të ndryshme artizanale. Kur arsimi i mesëm u bë obligativ dhe masiv njëkohësisht, mungesa e kushteve dhe e kuadrit cilësor akademik nëpër shkolla çoi në uljen drastike të cilësisë. Të njëjtët nxënës të cilët mbarojnë shkollën e mesme pa asnjë përjashtim (meqë tani nuk ka shans që ta përsërisin vitin), masivisht iu qasën dhe vazhdojnë t’u qasen katedrave universitare. Kryerja e një fakulteti u bë si një modë për të rinjtë, si një lloj obligimi dhe si vizë për të marrë një vend pune në administratën shtetërore përmes aktivizimit nëpër parti politike të pushtetit. Shumica e tyre, madje, as nuk u turpëruan fare për t’u anëtarësuar nëpër parti politike maqedonase, në emër të interesit personal dhe një vendi të punës. Këtu rrëshqitën thellë madje edhe shumë ish luftëtarë të vitit 2001, të cilët e ndryshuan kahen për 180 shkallë dhe u kthyen në prehrin e armiqve të dikurshëm.

E ardhmja?!

Thënia e mençur e revolucionarit dhe luftëtarit të madh të lirisë, Nelson Mandela, se “Arsimimi është arma më e fuqishme, të cilën mund ta përdorni për ta ndërruar botën” është e vlefshme përgjithmonë, për të gjitha kombet dhe shoqëritë e botës. Arsimimi është rruga më ideale për dalje nga errësira në dritë, prandaj është i nevojshëm investim shumë e shumë më i madh në edukim dhe arsimim.

Nuk mund të kemi një të ardhme më të ndritur nëse të gjithë fëmijët parashkollorë nuk arrijmë t’i përfshijmë nëpër kopshte me kushte optimale. Nuk mund të kemi një të ardhme më të ndritur nëse fëmijët tanë mësojnë nëpër shkolla të improvizuara nëpër kontejnerë, me kushte të shekullit XIX ose, akoma më keq, nëse atyre u pamundësohet ta ndjekin mësimin në gjuhën e tyre amtare, siç vazhdon të ndodhë edhe sot e kësaj dite në Maqedoninë e Veriut. Nuk mund të kemi një të ardhme më të ndritur nëse nuk krijojmë një model strikt të seleksionimit të nxënësve në bazë të afiniteteve të tyre për shkollimin e mëtejshëm, bazuar në aftësitë, meritat dhe rezultatet e treguara gjatë shkollimit paraprak. Nuk mund të kemi një të ardhme më të ndritur nëse shefat e partive politike bëjnë seleksionimin e drejtorëve, mësuesve e profesorëve të shkollave dhe institucioneve të larta arsimore-shkencore.

Dhe, nuk mund të kemi një të ardhme më të ndritur nëse të gjithë nxënësit që e kryejnë shkollimin e mesëm mendojnë se mund dhe duhet të kryejnë edhe fakultete, magjistratura dhe doktoratura, vetëm e vetëm për të zënë nga një vend pune më solid, e jo për të dhënë kontributin e sinqertë për ta ndryshuar për së miri të ardhmen e tyre dhe të gjeneratave që vijnë pas.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X