loader image
November 21, 2024

Kush e ka shkruar Mesharin e Gjon Buzukut?

Diagnoza e arsimit shqip në Maqedoninë e Veriut e ka emrin e saktë “Mesharin e Gjon Buzukut e ka shkruar MarLin Barleti”. Pavarësisht emrit të përveçëm, informacioni i rëndësishëm se ai është profesor universitar, për ta kuptuar kështu se rezultatet e testimit PISA nuk janë të rastësishme.

Zeqirija IBRAHIMI, Shkup

Më 17 janar 2018 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë po shënohej 550-vjetori i vdekjes së Skënderbeut. Ishte ngjarje e një rëndësie të veçantë. Shënimi i 500-vjetorit në ish Jugosllavi, më 1968, thuhej se kishte qenë motiv i madh për konsolidimin kombëtar të shqiptarëve në atë federatë. Kësaj radhe ishte instituti ku punoj, në cilësi të bashkorganizatorit, që po e shënonte këtë datë në parlamentin republikan të Maqedonisë. Si punëtor shkencor i Institutit, më duhej të shkoja në këtë solemnitet. Por, nuk i kisha bërë as tre muaj qëkur kisha dhënë dorëheqje nga detyra e deputetit dhe për shumë gazetarë akoma perceptohesha si deputet. Prandaj, kur në hyjre një gazetar me mikrofon në dorë dhe me kamerë mbi supe ma preu udhën, u desh t’ia shpjegoj se nuk isha aty në cilësi të politikanit, por vetëm si hulumtues shkencor dhe punonjës i Institutit. “Nuk kam pyetje politike, por shkencore.”, më tha ai. Pasi rashë dakord të përgjigjem, më pyeti për vitin e lindjes dhe të vdekjes së Skënderbeut. Pasi iu përgjigja, e pyeta se pse kjo çështje? Ai më shpjegoi se ka dalë aty t’i pyesë deputetët shqiptarë thjesht për ta parë nivelin e tyre të njohurive të historisë shqiptare, veçmas mbi Skënderbeun, sepse po shënohej një përvjetor aq i rëndësishëm. Kjo më intrigoi edhe më shumë dhe më bëri ta pyes se si janë përgjigjur deputetët e tjerë shqiptarë. “Vetëm një deputet deri tash e ka ditur përgjigjen e saktë. Ti je i dyti.”, m’u përgjigj ai.

Ndonëse kronikën televizive nuk e kishin lënë të emetohej, sepse kishte pasur huqje të shekujve të jetës së Skënderbeut dhe gazetari ishte prekur për këtë kufizim të redaksisë, lajmi i keq mbeti se përfaqësuesit e popullit, që çirren me emrin e sheshit “Skënderbeu”, që përkulen para përmendores së Skënderbeut në Shkup dhe që e mbajnë shpatën në dorë për t’i vrarë “hordhitë orientale”, nuk e dinin një informacion aq elementar të historisë sonë kombëtare – vitlindjen dhe vitvdekjen e Kryeheroit.

Se ka më keq se mosnjohja e historisë u kujdes të na bindte një politikan tjetër shqiptar në Maqedoni, i cili në një pyetjen e një gazetareje se “Çfarë është më e rëndë, 1 kg hekur apo 1 kg pambuk?”, pa kurrfarë hezitimi u përgjigj: “Natyrisht, 1 kg hekur.”

Megjithatë, të dyja këto raste nuk janë asgjë në krahasim me informacionin që e na jep mbi gjendjen e arsimit shqip në Maqedoni intervista e një ish zëvendësministri shqiptar, përndryshe profesor universitar. Në pyetjen se “Kush është autor i Mesharit?”, ai me një prepotencë, duke shpjeguar se sa ka degraduar arsimi dhe se shumë studentë nuk e dinë as këtë pyetje, do të përgjigjej: “Mesharin e Gjon Buzukut e ka shkruar MarLin Barleti”. Ky është kulmi. Një profesor universitar, që shfaq mendjemadhësi dhe gati ofendim se studentët janë injorantë, duke pretenduar vetë dituri, le që nuk e di se kush e ka shkruar veprën e parë në gjuhën shqipe, le që nuk e di se Barleti nuk ka shkruar shqip, le që nuk e di se emri i Barletit nuk është MarLin, por Marin, por ai shpërfaq edhe probleme logjike – ai thotë se “Mesharin e Gjon Buzukut e ka shkruar MarLin Barleti.”, që është njësoj sikur të thotë dikush “Iliadën e Homerit e ka shkruar Shekspiri”. Kjo nuk është vetëm mosnjohje e letërsisë, por edhe mungesë logjike. Sepse në kohën që e shpreh posesivitetin e një vepre për një person (Meshari i Buzukut, Iliada e Homerit, Hamleti i Shkespirit), si mund të thuash se autor i saj është dikush tjetër? Kjo është përtej.

Sidoqoftë, nuk janë me rëndësi emrat e përveçëm të politikanëve që e kanë huqur me shekuj ditëlindjen dhe ditëvdekjen e Skënderbeut, nuk është me rëndësi as emri i politikanit që mendon se 1 kg hekur është më i rëndë se 1 kg pambuk, madje as i politikanit (profesorit universitar) që nuk e di as kuptimin e fjalisë që e flet, as informacionin themelor mbi veprat e para të humanistve shqiptarë e as informacionin mbi veprat e autorëve që i kanë shkruar veprat e para në gjuhën shqipe. Me rëndësi është vetëm një gjë – këto janë dëshmi me të cilat ne mund ta kuptojmë se cila është gjendja intelektuale e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Fati i mirë në këtë fatkeqësi është se nuk kemi shumë media dhe nuk kemi gazetarë që dinë të zbulojnë këso margaritarë, sepse shembuj të këtillë mund të kemi pa fund. (Për korrektësi më duhet të shpjegoj se nuk kam relacione personale me këta politikanë dhe nuk dua të krijoj oponencë me këso argumente, por po i marr si shembull vetëm për ta ilustruar një dukuri.)

PISA në terrenin shqiptar

Arsyeja që i rikujtova këto momente ishin rezultatet e testimit PISA, që u publikuan në fillim të dhjetorit të vitit 2023, në të cilat Maqedonia e Veriut (por, edhe Shqipëria e Kosova) ka dëshmuar se cilësia jonë në arsim lë shumë për të dëshiruar. Në fakt, pyetjet për Skënderbeun, ato për masën në fizikë ose ato për shkrimin e shqipes janë një trajtësim i testimeve PISA në mjedisin shqiptar. Ato flasin realisht se çfarë është duke prodhuar arsimi ynë. Njeriu mund të bëhët deputet, madje edhe profesor universitar, ndërsa të jetë një analfabet tipik funksional (person që di shkrim-lexim, por që nuk e kupton tekstin dhe nuk di ta interpretojë). Ky është niveli. Duke i parë të veshur bukur, me diksion prepotence, me arrogancë në komunikim, me vetëbësim të aktruar, ata shpesh ngjallin perceptimin se janë kremi i akademizmit. Fati i mirë që janë rrjetet sociale, që mos të mashtrohemi. Shembuj të këtillë kemi plot që nga klasa politike e deri te bota akademike. Kështu, një i a.q. gjuhëtar, që gjithë jetën ka mbajtur lëndë të albanologjisë dhe që tash ankohet pse nuk bëhet akademik, kur e uron Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në FB, shkruan “50 vjet drejtËshkrim”. Të mbash mësim të gjuhës shqipe për 40 vjet jetë, madje edhe në universitet, dhe të mos e mësosh se fjala drejtshkrim nuk ka Ë në trup të fjalës, kjo është vërtet injorancë. I bie se ky “albanolog” nuk e ka pasur në dorë kurrë as Drejtshkrimin e gjuhës shqipe, as Fjalorin drejtshkrimor.

Prandaj, në frymë të proverbit shqip, pas kësaj mund të themi “Ra testi PISA dhe e njohëm injorancën tonë.”, ndërsa në gjuhën e Skënderbeut këtë do ta rimodelonim në semantostilemën “Injorancën nuk e solli testi PISA. Atë e gjeti në mesin tonë”.

Nga diagnoza na terapi

Duke iu falënderuar deputetëve që bëjnë huqje shekullore të jetës së Skënderbeut, atyre që nuk kanë njohuri elementare për temën e masës në fizikë, atyre që nuk kanë njohuri themelore për shkrimin e shqipes ose edhe atyre albanologëve që nuk e dinë as trajtën e saktë të fjalës drejtshkrim, ne vetëm e kemi konstatuar saktë se në çfarë derexheje jemi. Thjesht, diagnoza e arsimit shqip në Maqedoninë e Veriut e ka emrin e saktë “Mesharin e Gjon Buzukut e ka shkruar MarLin Barleti”. Pavarësisht emrit të përveçëm, informacioni i rëndësishëm se ai është profesor universitar, për ta kuptuar kështu se rezultatet e testimit PISA nuk janë të rastësishme.

Natyrisht, arsye ka plot: tranzicioni, e kaluara komuniste, probemet politike, problemet ekonomike, beteja për arsim shqip, eksperimentet me modelet arsimore, ndikimi i sektorit civil, mungesa e investimeve në arsim, politizimi dhe partizimi i arsimit, ndryshimi i prioriteteve në jetën e njeriut modern, zhvillimi teknologjik, inteligjenca artificiale, rrjetet sociale…, por asnjëra prej këtyre arsyeve të qëndrueshme nuk është e mjaftueshme për të na e lejuar luksin të pajtohemi me këtë gjendje.

Ne, shqiptarët, jemi mësuar që të mburremi me “instiktin e mbijetesës” (Hysamedin Feraj) dhe këtë mburrje e kemi bartur edhe në arsim e kulturë. Kështu, shqiptarët vazhdojnë të mburren me numrin e universiteteve e instituteve, me numrin e studentëve e të profesorëve universitarë, me numrin e botimeve e të disertacioneve, ndërsa familjet shqiptare akoma i varin diplomat në mur, ndërsa nxjerrin fotografi në rrjete sociale me diploma në dorë të fëmijëvë të tyre, për të dëshmuar ndonjë sukses, ndonëse të gjithë parametrat botërorë flasin se arsimi ynë nuk është kurrfare. Kështu, nuk është sekret më se matura shtetërore në  RMV është bërë një formalitet, ku profesorët u ndihmojnë nxënësve për të kopjuar, ngase nuk duan të lejojnë që nxënësit e tyre të dalin keq dhe ashtu të jenë pasqyrë e keqe e profesorëve të tyre. Sepse, sipas informacioneve relevante që i kemi nga Qendra e Provimeve Shtetërore, nëse nuk do të kishte kopjim, maturantët e shkollave të mesme në RMV nuk do të kalonin as 80 për qind, ndërsa ata që do të kalonin nuk do të dilnin me notë mesatare mbi 2-3.

Gjithë kjo duhet të na bindë se koha është për një ridefinim të arsimit. E para e punës është ta pranojmë se jemi shumë keq dhe të mos mburremi me injorancën tonë. Vetëm pasi ta kemi pranuar gjendjen, mund ta mendojmë rrugëdaljen. Pasi ta kemi konstatuar dhe pranuar këtë fakt të dhimbshëm, detyra e ardhshme është të përpilojmë strategji se çfarë duhet të bëjmë. Fjala bie, Singapori, që disa vite me ardhë del i pari në PISA, suksesin e ka arritur për më pak se 50 vjet me një punë këmbëngulëse dhe investim të përkushtuar në arsim. Pra, kurrë nuk është vonë.

Në këtë kontekst gjëja e parë që duhet ta definojmë është se cili është qëllimi i arsimit te ne: duam profesionistë të mirë, shërbyes të tregut të punës, mendimtarë të lirë, të suksesshëm në karrierë, njerëz që luftojnë për njohjen e të vërtetës dhe të mbrojtjes së saj apo njerëz që do të angazhohen për virtytizimin e vetes dhe të shoqërisë?! Varësisht nga përcaktimi i këtij synimi, që sigurisht nuk e përfshin vetëm një përgjigje, duhet ta përcaktojmë edhe cilës ide/ideologji i shërben ai arsim? Çfarë produkti pritet të dalë nga arsim? Ne e dimë se cili ka qenë produkti i arsimit komunist në Shqipëri, por edhe në Jugosllavi, por e shohim edhe sot se cili është produkti i arsimit me nuanca liberale, i cili më të rëndësishme e kanë bërë temën e relativizimit gjinor e relativizimin e familjes sesa, fjala bie, mësimin e formulës kimike të ujit ose veprës së parë të shkruar në gjuhën shqipe. Prandaj, duhet ta dimë se çfarë brezi duam të kemi nesër, që për të të investojmë sot. Vetëm pasi ta kemi definuar këtë, vijmë te tema e teksteve shkollore, te mënyra e përgatitjes së arsimtarëve/profesorëve, të tema e mësimdhënies, te kualifikimi e trajnimi i arsimtarëve, te këmbimi i përvojave e i kuadrove, te digjitalizimi, te rrjetëzimi i shkollave, te testimet ndërkombëtare, te vlera e diplomës në botë, te buxheti që e ndan shteti për arsimin, te depolitizimi i arsimit etj.

Ndonëse duken tema të gjera dhe të rënda, një komb serioz, që dëshiron ta projektojë të ardhmen e vet, duhet ta dijë se pa ndryshime rrënjësore në sistemin arsimor nuk mund të presë suksese. Kjo nënkupton se edhe një shtet nuk do të ketë as mirëqenie ekonomike e as progres tjetër shoqëror nëse nuk investon në arsim. Qytetarët e një shteti janë produkt i arsimit dhe kulturës që e ka ndërtuar ai shtet. Prandaj “Nuk lind Betoveni në Rahovec”, thoshte Teki Dervishi. Urtia popullore këtë e ka përkthyer në “Çfarë mbjell, do të korrësh”. Nëse mbjell elb, mos prit të dalë grurë!

Arsimi kombëtar

Përveç testimeve ndërkombëtare, që janë të detyrueshme për ta parë nivelin e arsimit tonë, shqiptarëve u duhet ta organizojnë edhe një “PISA shqiptare”. Duke qenë një komb i ndarë në disa shtete në Ballkan, në emër të integrimit brendakombëtar, shqiptarët do të duhej ta kenë një testim për nxënës të shkollave të mesme ose për studentë për ta parë nivelin e kulturës kombëtare shqiptare, qoftë kjo në njohjen e gjuhës shqipe, historisë, letërsisë, muzikës, etnologjisë, folklorit e jetës sociale. Nëse duam të kemi arsim kombëtar, duhet të projektojmë edhe testime kombëtare, për ta matur zhvillimin e kombit dhe për të pasur evaluim të kombndërtimit. Kjo, natyrisht, kërkon programe mësimore të përbashkëta në lëndët e sipërpërmendura, trajnime për arsimtarët/profesorët, tekste shkollore të përbashkëta, libra digjitalë e biblioteka digjitale, këmbim të kuadrit mësimor dhe të nxënësve/studentëve etj.

Kur këtë temë e kthejmë në terrenin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, duhet të konkludojmë se duhet t’i japim fund mburrjes me simbolikën ose me objektet, ndërsa në realitet të na ndodhë analfabetizmi funksional.

Ndonëse shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e kanë drejtuar disa herë Ministrinë e Arsimit, për fat të keq akoma kemi probleme themelore, si ajo në Komunën e Çashkës (komunë rurale afër Velesit), në të cilën pengohet arsimi fillor shqip. Por, kjo nuk është arsye që të mos kemi ambicie të larta për zhvillimin e arsimit shqip. Duke jetuar në kohën e epokës digjitale, të cilën Harari e quan “Homo deus”, arsimi shqip në Maqedoninë e Veriut përfundimisht duhet të dalë nga mburrja e mbijetesës, për të kaluar në strategjinë e suksesit dhe konkurrencës me botën. Në të kundërtën, PISA mund të na emërtojë edhe me domethënien shqipe të kësaj fjale.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X