loader image
November 8, 2024

Përse shkollat njëgjinore prodhojnë rezultate më të mira?

Sipas të dhënave federale të Qendrës Kërkimore të Arsimit, në vitin shkollor 2014/2015, në SHBA kishte 283 shkolla publike njëgjinore, në krye të së cilës gjindej Teksasi dhe Florida me nga 29 secila, kurse në vitin 2017 funksiononin më shumë se 1000 shkolla të tilla publike njëgjinore, duke përjashtuar shkollat për të mitur, shkollat alternative, të arsimit special dhe shkollat profesionale. Sipas kësaj analize, vetëm shtatë shtete nuk kishin shkolla të tilla publike.

Shkruan: Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork

A mund ta imagjinoni të hyni në një shkollë dhe aty të gjeni vetëm vajza ose vetëm djem? Kështu dukej shkolla njëgjinore, tërësisht normale, deri në fundin e shekullit XIX, kur ishte praktikë e zakonshme e edukimit, veçënarisht në arsimin e mesëm dhe të lartë, si karakteritikë e shkollës së vjetër tradicionale. Çështë e vërteta, në Perëndim meshkujt ishin të vetmit që kishin akses të gjerë në shkollë, edhe pse në shumë vende shkollimi i organizuar ishte i kufizueshëm dhe jo i disponueshëm për shumicën e fëmijëve, veçënarisht të vajzave!

Ndryshe ishte situata në Lindje. Gratë e Indisë së lashtë, për shembull, gëzonin një status të lartë dhe në mesin e tyre kishte shumë intelektuale të njohura. Ndërsa Rig Veda përmend emrat e poeteve femra, deri në vitin 800 para erës sonë, të tilla intelektuale kishte disa gra studiuese të përmendura edhe në Upanishade. Në vendet islame të mesjetës, edukimi i vajzave konsiderohej si e drejtë universale e botës njerëzore. Urdhri i parë kuranor “mëso…” binte njëjtë si për djemtë, ashtu edhe për vajzat, të cilat jo vetëm që arsimoheshin, por ishin edhe themeluese të universiteteve të asaj kohe. Njëri prej universiteteve më të vjetra të botës u themelua në Maroko në vitin 859 nga një grua (Fatima el-Fihri), që u bë i famshëm për studime shkencore, filozofike dhe islame.

Shkollat e para që u krijuan në Amerikë nga kolonët puritanë u modeluan sipas shkollave në Angli, të cilat jodomosdoshmërisht ishin njëgjinore, por të cilat ishin krijuar kryesisht për edukimin e meshkujve të bardhë e të krishterë [Public School Review, 20.05.2022]. Ndonëse ishin të pakëta, lëvizjet feministe bënë të mundur hapjen e institucioneve edukative edhe për vajzat, të cilat deri atëherë atëherë konsideroheshin inferiore kundrejtë djemve. “Seven Sisters College” dhe “Salem College” (Karolina Veriore) ishin institucionet e para shkollore (njëgjinore) në Amerikë për vajzat, të themeluara në vitin 1772, për të vazhduar më pastaj me institucionet e para mjekësore “Female Medical College” në New England (1848) dhe me “Woman’s Medical Collage” në Pensylvania (1850) [Peitzman: 2000, f. 1]. Këto u ofruan grave një shans për arsim, në një kohë kur atyre iu mohua qasja në institucionet e zakonshme arsimore, gjë që kishte bërë më parë Zvicra. Shekulli XIX disi solli idetë moderne që e përkufizonte arsimin si një e drejtë dhe jo si një privilegj të disponueshëm vetëm për një elitë të vogël. Rritja e sekularizimit në shekullin XX kontribuoi dukshëm në absorbimin e shkollave të përbashkëta, të cilat funksionuan në varësi të situatave fetare, sociale dhe financiare të rajoneve të caktuara.

Ndonëse shkollat e përbashkëta u shfaqën në Amerikë në shekullin XVIII, për t’u bërë më të theksuara pas Luftës Revolucionare (1763-1783), pjesëmarrja e vajzave ishte më e rrallë, deri në vitin 1918, kur u miratuan ligje që kërkonin nxënësit e moshës fillore të ndiqnin shkollën [Current History, #239/1961, f. 9-14]. Deri në dekadën e shtatë të shekullit XX, shkollat publike njëgjinore që gëzonin të drejtën e marrjes së fondeve federale mund të funksiononin, për sa kohë që ato shkolla drejtonin paralele të dy gjinive ose paralele të përbashkëta (djem e vajza). Përveç kësaj, shkollat e tilla duhej të plotësonin disa kushte dhe kritere, që çdo paralele njëgjinore të bazohej në një objektiv të rëndësishëm arsimor; që objektivat të zbatoheshin në mënyrë të barabartë; që regjistrimi i studentëve në një paralele njëgjinore të ishte tërësisht vullnetar dhe që të siguroheshin paralele të barabarta njëgjinore [Public School Review, 24.05.2023].

Çështja ndryshoi thelbësisht në vitin 1972, kur në SHBA u miratuan Amendamentet Arsimore, përkatësisht rregullorja e IX, që qartësonte dhe modifikonte rregullat që kishin të bënin me shkollat, klasat dhe aktivitetet jashtëshkollore në shkollat publike fillore dhe të mesme. Meritën për këtë e kishin grupet feministe, të cilat pretendonin se me këtë po ndalonin “diskriminimin” mbi baza gjinore në programet dhe aktivitetet arsimore në shkollat publike që merrnin fonde federale [New York Times, 25.10.2006]. Kjo bëri që shkollat publike njëgjinore të mbylleshin ose të fillonin integrimin e shkollave të përbashkëta, për të mbetur kështu vetëm shkollat private dhe fetare, dominuese të arsimit njëgjinorë në Shtetet e Bashkuara.

Shkollat e përbashkëta publike u përballën me probleme të ndryshme disiplinore dhe me rezultate të ulëta akademike. Në vitet e 1990-ta “Shoqata Amerikane e Grave Universitare”, nxori një raport të quajtur “Shortchanging Girls, Shortchanging America”, i cili ngriti ndërgjegjësimin e publikut për mënyrat dhe rezultatet e ulëta të vajzave në matematikë dhe shkencë në paralele të përbashkëta [Public School Review, 27.03.2023]. Dëshmi të tilla dolën edhe nga studimi “National Association for Singlesex Public Education” i qershorit të vitit 2005, dalë nga Universiteti “Cambridge”. Fokusi i publikut filloi të zhvendosej edhe drejtë mënyrës se si djemtë ishin të mangët dhe të pa suksesshëm në sistemin e shkollave të përbashkëta publike dhe se si ato në krahasim me vajzat mbeteshin më mbrapa në shkallën e diplomimit, si në shkollë të mesme ashtu edhe në kolegje. “New York Times Magazine” kishte publikuar një raport, sipas të cilit truri i djemve dhe i vajzave që ndiqnin mësimet në paralele njëgjinore, prireshin dhe zhvilloheshin pozitivisht, një argument më shumë përse sistemi arsimorë duhej të zhvillohej ndryshe nga që ishte zhvilluar deri tani (me gjini të përziera) [Public School Review, 27.03.2023]!

Vendimi i Gjykatës së Lartë në vitin 1996, mori në konsideratë ankesat për lejimin e shkollave njëgjinore, ndërsa në vitin 2001 pasoj akti “No Child Left Behind”, për reforma të sistemit edukativ, ku u deklarua se edukimi njëgjinor mund të përfitonte fonde federale të arsimit, por ligjvënësit lanë që detajet të përpunoheshin në rregullore, të cilat u nxorrën në vitin 2006 dhe u sqaruan kushtet për ofrimin e klasave njëgjinore dhe aktiviteteve jashtëshkollore. Kjo erdhi si rezultat i preokupimit, angazhimit dhe rritjes së kërkesave për shkolla të tilla njëgjinore. Akti autorizoi distriktet e shkollave lokale që përdorin fondet federale për “programe inovative të ndihmës”, përfshirë edhe shkolla publike tërësisht njëgjinore ose me paralele të tilla [Public School Review, 24.05.2023]. Falë këtyre reformave, shkollat publike njëgjinore në Amerikë u shtuan dukshëm.

Numri i prindërve që po kërkonin arsimin vullnetar njëgjinorë për fëmijët e tyre, sugjeron se kjo lëvizje do të vazhdonte gjithnjë e më shumë të rritej. Ato nuk prisnin dhe nuk dëshironin studime dhe debate të stërzgjatura, por ishin të bindur se mjedisi arsimorë njëgjinor, do t’u jepte fëmijëve të tyre mundësi për suksese më të mira.

Prindërit, mësuesit dhe nxënësit në qarkun shkollor “Greene County” të Gjeorgjias (SHBA), u befasuan kur dëgjuan se shkollat e tyre po përqafonin edukimin njëgjinorë në masë të madhe. Bordi i shkollës vendosi njëzëri, që duke filluar nga vjeshta e vitit 2008, të gjitha klasat në të gjitha shkollat e qarkut do të jenë klasa njëgjinore. Ky veprim u ndërmor për të luftuar problemet e rëndësishme të këtij distrikti shkollor rural, të tilla si rezultatet e dobëta të testeve, rritja e shkallës së braktisjes, arrestime studentësh dhe shtatzënitë adoleshente. Shkolla në fjalë renditej në vendin e 332 dukshëm nën mesatare nga 369 që kishte Gjorgjia. Sipas planit, vajzat dhe djemtë e shkollave fillore nga klasa 7 deri në 12 do të ndjekin klasa të veçanta. Greene County është sistemi i parë i tërë shkollor në SHBA që konvertohet në arsim njëgjinorë.

Po këtë vit (2008) në qytetin Hartford (Connecticut) u hap shkolla e parë publike njëgjinore. Sipas New York Times, kjo ishte një mënyrë kundërvënëse për t’iu adresuar problemeve disiplinore që rënduan dukshëm shkollat e përziera publike, por edhe për të përmirësuar shkallën tejet të ulët të diplomimit. Pedagogët arsyetuan këtë vendim për shërimin e të çarave aktuale, për nevojën e eleminimit të shpërqëndrimeve dhe për të përmirsuar nivelin tejet të dobët arsimorë . “The New York Times” raportonte se kishte në funksion 48 shkolla publike me paralele njëgjinore, që ishte një rritje prej më shumë se 2000 për qind në krahasim me vitin 1995, kur i gjithë vendi kishte vetëm dy shkolla publike njëgjinore [Public School Review, 27.03.2023].

Këto ide u pritën me reagime të ndryshme pro dhe kundër. Ndërsa njëra palë ishin optimistë se ndryshimi do të përmirësonte performancën e vajzave dhe të djemve, pala tjetër u indinjuan dhe u nevrikosën duke pohuar se do të largoheshin nga ky qark! Megjithatë, shkollat njëgjinore u përhapen në gjithë vendin. Sipas të dhënave federale të qendrës kërkimore të arsmit në vitin shkollorë 2014/2015, në SHBA kishte 283 shkolla publike njëgjinore, në krye të së cilës gjindej Teksasi dhe Florida me nga 29 secila, kurse në vitin 2017 funksiononin më shumë se 1000 shkolla të tilla publike njëgjinore, duke përjashtuar shkollat për të mitur, shkollat alternative, të arsimit special dhe shkollat profesionale. Sipas kësaj analize, vetëm shtatë shtete nuk kishin shkolla të tilla publike. Analiza e të dhënave federale të Qendrës Kërkimore të Arsimit më 2 Nëntor 2017, pohoi se 75 për qind të shkollave publike njëgjinore ishin të vendosura në zonat urbane e rurale dhe vetëm 12 për qind në zonat periferike. Prej 283 shkollave të tilla, 170 ishin për djem dhe 113 për vajza, megjithatë, vajzat ishin më shumë se djemtë të regjistruara në shkolla të tilla publike: 21.000 kundrejtë 17.000!

Nga një studim i bërë me pjesëmarrjen e 4944 studentëve, rezultoi se 39 për qind e tyre që ndjekin shkollat njëgjinore, kanë probleme më të pakta në mungesë stafi, raporte më të larta nxënës-mësues dhe nivele më të larta të angazhimit prindëror. Të tilla rezultate ka dhënë edhe një studim i sponsoruar nga qeveria amerikane në vitin 2008, në të cilin u shpjeguan përfitimet prej shkollave publike njëgjinore: redukton ngacmimin seksual midis nxënësve, zvogëlon paragjykimet seksuale në ndërveprimet mësues-nxënës, promovon një ndjenjë komoditeti midis studentëve dhe stafit, redukton problemet e sjelljes së nxënësve dhe përmirëson vetëvlerësimin e studentëve, përmirëson arritjet akademiker të tyre, u ofron më shumë mundësi lidershipi, si dhe u lejon më shumë mundësi për të ofruar udhëzime sociale dhe morale [Riordan: 2007].

Dy “taborret” e ndara pro dhe kundër shkollave të tilla, u munduan të paraqesin faktet dhe kundërfaktet e veta për avantazhet dhe disavantazhet. Sipas “taborrit” të parë, teoria e edukimit njëgjinorë, si për djemtë ashtu edhe për vajzat, rezultoi të jetë pozitiv, për shkak të dallimeve aktuale dhe mënyrës se funksionon truri i tyre. Në rastin kur janë në paralele të veçanta, mësuesit mund t’u përshtaten metodave të tyre të mësimdhënies, për të përfituar nga teknikat e veçanta të të mësuarit të djemve dhe vajzave. Për shembull, vajzat priren të preferojnë punën në grup, ndërsa djemtë janë më shumë të motivuar nga konkurrenca. Për më tepër, studentët nuk shpërqendrohen vazhdimisht nga anëtarët e gjinisë së kundërt dhe as nuk ndikohen nga veshjet dhe “aktrimet” e tyre, pasi të dhënat përqëndrohen më shumë rreth djemve adoleshentë të shpërqëndruar më shumë se vajzat në shkolla të përbashkëta [American Economic Journal, #7(3)/2015]. Sipas një analize të bërë në Angli, kjo ishte kështu pasi:  “Ekziston një pikëpamje që vajzat, nëse ka djem përreth, do të mendojnë vetëm për këtë dhe nuk do të përqendrohen në mësime dhe nëse djemtë kanë vajza për rreth, ata do të bëjnë të njëjtën…” [The Guardian, 15.11.2019].

Akademia e Përgatitjes Urbane të Çikagos krenohej me disa statistika të jashtëzakonshme përmirësimi të paraleleve njëgjinore në një shkollë publike, të njërës nga lagjet e qytetit! Në vitin 2006, vitin e parë të hapjes, nxënësit që morën pjesë, kishin një nivel të mjerueshëm prej 4 për qind të leximit. Në kohën kur kjo u konvertua në shkollë njëgjinore dhe kur diplomuan katër vite më pas, 100 për qind e tyre u pranuan në kolegje ose universitete dhe shumë nga ata iu ofruan bursa akademike. Ndonëse në këtë përmirësim mund të kishin ndikuar edhe faktorë të tjerë, rezultati gjithsesi ishte pozitiv [American Psychological Association, #2/2011]. Këtë e dëshmon edhe raporti shkollor i vitit 2023, që flet për rezultatin pozitiv nga përvoja e shkollës së mesme “Jefferson” në Illinois, ku pas vetëm një gjysmë semestri (të hapjes) me klasa vullnetare njëgjinore të klasës së 7-të dhe të 8-të, u raportuan nota më të larta, frekuentim më i mirë dhe më pak probleme për të gjithë nxënësit. Për më tepër, vajzat u përmirësuan dukshëm në lëndët shkencore dhe matematikë, kurse djemtë në shkrim-lexim [Bulletin of Psikology, #36/2010].

Tom Carroll, kryetar dhe themelues i “Brighter Choice Charter School for Boys” dhe “Brighter Choice Charter School for Girls” në Albany, thotë se rezultatet e testeve të publikuara së fundmi nga shkollat me paralele njëgjinore, performuan sukses shumë më të mirë në krahasim me paralelet e përbashkëta [Public School Review, 27.03.2023]. Të tilla rezultate u gjetën edhe në Irlandë në vitin 2018, kur një përqindje e lartë e fëmijëve të shkollave të mesme njëgjinore treguan rezultate të befasishme të larta të fëmijëve në shkolla me paralele njëgjinore në shkencë, letërsi dhe art, krahasuar me paralelet e përbashkëta [British Educational Research Journal, 15.12.2022].

Michael Gurian dhe Kathy Stevens, në studimin “With Boys And Girls In Mind”, të botuar në “Educational Leadership” (2004) flasin për lehtësinë e mësuesve në përgatitjen e mësimeve të përshtatshme për nxënësit me klasa njëgjinore, si dhe lidhjen më të afërt të mësuesit me nxënësit. Sipas tyre, ndërsa djemtë kuptojnë më mirë përmes aktiviteteve fizike, vajzat preferojnë më shumë ndërveprimet dhe diskutimet. Studimi thotë se teknologjitë e reja të skanimit PET dhe MRI zbulojnë ndryshime strukturore dhe funksionale në trurin e djemve dhe vajzave. Me më shumë zona kortikale të përkushtuara ndaj funksionimit verbal, kujtesës sensuale, qëndrimit ulur, dëgjimit, tonalitetit dhe bisedave mendore, ndërlikimet e leximit dhe shkrimit bëhen më të lehta për trurin e femrës. Djemtë që anashkalojnë të menduarit e tyre kanë nevojë për gjendje pushimi për t’u rimbushur dhe përdorin më shumë zona kortikale të trurit për funksionimin hapësinor-mekanik.

Ka edhe një arsye tjetër që studiuesit mendojnë që paralelet njëgjinore janë të domosdoshme dhe të suksesshme. Një studim i vitit 2007, i udhëhequr nga një ekip shkenctarësh të Institutit Kombëtar të Shëndetit Mendorë, ka gjetur një fenomen interesant që lidhet me zhvillimin e trurit tek fëmijët. Duke përdorur 829 skanime të trurit, të mbledhura gjatë dy viteve nga 387 subjekte prej 3 deri në 27 vjeç, studiuesit gjetën disa dallime të jashtëzakonshme. Lobi okupital, për shembull, ai që lidhet më shumë me përpunimin vizual, tregon zhvillim të shpejtë tek vajzat 6 deri në 10 vjeç, ndërsa djemtë pas moshës 14 vjeç. Studime të tjera kanë treguar gjithashtu pabarazi në përpunimin e gjuhës midis gjinive, duke arritur në përfundimin se zonat gjuhësore të trurit në shumë djem 5-vjeçarë duken të ngjashme me ato të shumë vajzave 3-vjeçare [Developmental Neuropsychology, #3/2011].

Një dëshmi të ngjashme e ka sjellur edhe psikologia e Universitetit Stanford, Dr. Carol Dweck, në hulumtimin e saj. Sipas asaj, mentalitetet e ndryshme gjinore bëjnë të mundur rezultate pozitive vetëm në paralele njëgjinore. Mësuesit mund të përdorin strategji të posaçme mësimore ndryshe me vajzat dhe ndryshe me djemtë, por kjo mundësi u jepet vetëm në paralelet njëgjinore, sepse perfomansa të veçanta kërkojnë gjini të veçanta. Si rezultat: “Shkollat njëgjiniore krijojnë mjedise më të relaksuara, me më pak stereotipa gjinore dhe kanë nevoja më të përshtatshme për interesat e studentëve” [USNews, 13.01.2022]. Arsyeja e gjithë kësaj mbështetet në faktin se vajzat dhe djemtë janë të ndryshëm neurologjikisht dhe mësojnë shumë ndryshe nga njëri-tjetri. Sipas studimit “How The Brain Learns: New And Exciting Findings”, të zhvilluar në konferencën ASAIHL në Singapur më 2014, Dr. Sousa argumentoi se djemtë zhvillojnë aftësitë vizuale, hapësinore dhe kohore më shpejt se vajzat, kurse vajzat fitojnë aftësitë e gjuhës së folur më shpejt se djemtë. Në një shkollë njëgjinore vajzat mund të eksplorojnë aftësitë me ritmin e tyre pa pasur nevojë të konkurrojnë me djemtë dhe anasjelltas.

Dr. Leonard Sax, në librin “Girls on the edge” [Basic Books 2020], ka vënë në dukje se edukimi njëgjinorë është treguar i suksesshëm në zgjërimin e horizontit të studentëve dhe në inkurajimin që ato të eksplorojnë prirjet dhe interesat e tyre, pa u ndjerë të kufizuar nga stereotipat gjinorë. Për më shumë, sikurse pohon psikologia Dr. Lisa Damour, “studentet duken shumë më të fokusuar në shkollë, ato nuk shpërqendrohen nga djali i lezetshëm në korridor dhe nuk shqetësohen se si duken apo çfarë kanë veshur” [Revista espanola de pedagogía, #267/2017]. Ngjashëm nga një studim i vitit 2003, i bërë nga Universiteti i Virxhinias në krye me Dr. Abigail Norfleet James, rezultoi se në shkollat me paralele njëgjinore djemtë kishin dy herë më shumë gjasa të ndiqnin interesa në lëndë të tilla si arti, muzika, drama dhe gjuhët e huaja, në krahasim me ato që ndiqnin në shkollat e përbashkëta [Psychology of Men and Masculinity, #2/2003].

Oponentët natyrisht kanë pikëpamje të tjera të kundërta. Provat që tregojnë përparësitë e këtyre shkollave ata i paraqesin si të luhatshme dhe të paqarta, duke poseduar kështu “provat” e tyre, të cilat nuk kanë gjetur ndonjë ndryshim. Për më tepër, kërkimet në këtë fushë kanë tendencë të përqendrohen në një numër të vogël vendesh, për faktin se në shumicën e vendeve shkollat njëgjinore janë selektive dhe numri që i ndjek ato është i vogël [Science, #333/2009]. Sipas tyre, paralelet njëgjinore janë “politika” të ndarjes dhe jo të bashkimit, sepse “të mësuarit vetëm me njerëz të së njëjtës gjini, mund të përbëjë problem sapo të lind nevoja për të bashkëvepruar me gjininë e kundërt” [USNews, 13.01.2022]. Ata vënë në dyshim se ndarja në paralele njëgjinore mund të jenë shkak i një suksesi më të mirë! Edukimi njëgjinor shpie një hap mbrapa nga përfitimet e fituara me vështirësi të mëdha nga lëvizja feministe dhe kjo do të bëhet shkak i pabarazisë në vendin e punës, pasi paralelet e ndara do t’i përforcojnë stereotipat gjinorë [Public School Review, 24.05.2023]. Në këtë mënyrë ato do të hasin në vështërsi pas përfundimit të shkollës, jo vetëm në vendin e punës, por edhe në jetën e tyre private si të rritur! I këtij mendimi është studimi “Sex segregation in schools detrimental to equality”, i botuar në “Science Daily” [#333/2011], i cili pretendon se ndarjet e tilla nuk i socializojnë studentët të jenë më pak seksistë! Në lidhje me këtë, revista “Science” citon psikologë dhe edukatorë, të cilët shpërfillin provat për funksionin e edukimit njëgjinorë dhe thonë se institucionet e tilla nxisin seksizmin, që sipas tyre pengon mjedisin pozitiv të të mësuarit! Brenda këtij debati hyjnë edhe “provat e forta për pasojat negative të ndarjes sipas gjinive”, si dhe “dëmin kolateral të kësaj ndarjeje”. Organizata e Bashkimit për të Drejtat Civile pretendojnë, madje, se edukimi njëgjinor është jokushtetues dhe ka ngritur padi kundër shkollave që e kanë ofruar këtë mundësi.

Çështja e edukimit njëgjinor mund të jetë e diskutueshme për shumë amerikanë, pasi numri i shkollave të tilla është ende relativisht i vogël, megjithatë tendenca drejt edukimit njëgjinor vazhdon, e krahas kësaj vazhdon edhe rritja e debateve nëse kjo është mënyra më e mirë për arsimimin e fëmijëve? Sot, edukimi njëgjinor është më i përhapur në vendet anglishtfolëse, si: Malajzia, Anglia, Hong Kongu, Afrika e Jugut dhe Australia, ku janë të lidhura kryesisht me sektorin privat, por gjithashtu edhe në vendet muslimane, ku shkollat publike dhe ato private janë të ndara sipas gjinisë. Së fundi, shihet një përhapje e gjërë në Kili, në Irlandë, në Izrael dhe në Singapor. Në Tajlandë, Trinidad dhe Tobago, shkollat njëgjinore priren të tërheqin femra më të pasura. Pyetja, megjithatë, është e hapur: “Përse shkollat njëgjinore prodhojnë rezultate më të mira” dhe “a duhet institucionet tona ta ndjekin shembullin e suksesit”!?

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X