loader image
November 21, 2024

Barbarizmi i Banjskës, vetëm një hallkë zinxhiri të barbarizmave serbe kundër shqiptarëve

Historikisht, ishte viti 1826 kur Anglia dhe Franca pranuan kërkesën e M. Obre­no­­viqit (1780-1860) dhe kur soldateska serbe pushtoi Banjskën, Deçanin, Graçanicën, etj., duke dëbuar ose konvertuar shqiptarët dhe duke ua shembur tempujt e tyre [“Letopis Gračanički”, Gračanica 1995]. Duke ndjekur vijën historike nga kjo kohë, kur Perandoria Osmane ishte në prag të falimentimit total, sllavët shkaktuan pesë periudha barbarizmash mbi myslimanët në përgjithësi dhe mbi shqiptarët në veçanti.

Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork

Në koleksionin e fjalëve të urta të Sami Frashërit thuhet se “Po të mos kishte gënjeshtra shumë kredi e myshterinj, askush nuk do të gënjente”. Ndoshta prej kësaj urtësie i ka lindur ideja edhe babait të letërsisë serbe, Dobrica Qosiqit (1921-2014), i cili duke parë se ka mjaft myshterinj tek bashkëkombësit e tij, i inkurajonte të gënjejnë për të mashtruar veten, për “bamirësi”, për “njerzillëk”, për hir të lirisë, sepse në fund të fundit: “Gënjeshtra është formë e patriotizmit tonë. Është dëshmi e zgjuarsisë (intelegjencës) sonë të lindur. Ne gënjejmë në mënyrë krijuese, fantastike, mjeshtërore”! Duke qenë se ai ishte edhe politikan në pozitën e kryetarit të parë të Jugosllavisë së tretë [Islami:2003, f.56], e njihte mirë rëndësinë e gënjeshtrës në politikat që ka zhvilluar Serbia në dy shekujt e fundit, duke futur dhe duke mbajtur në “valle” si Akademinë e Shkencave ashtu edhe Kishën Ortodokse Serbe!

Gënjeshtrën më të madhe që ata “kanë gatuar’ ndonjëherë, në proporcion me shqiptarët, është “shqiptarizimi i shqiptarëve”, një teori kjo e falsifikuar dhe e mbështetur fuqimisht nga shumë autorë serbë, që ka sajuar mitin se, pas Betejës së Kosovës (1389), filloi ndryshimi i “strukturës politike dhe shpirtërore” të serbëve, përmes islamizimit dhe shqiptarizimit të tyre në Kosovë, të cilët me përkrahjen e “autoriteteve turke” u bënë shumicë dhe u zgjeruan, duke detyruar “largimin e popullatës serbe” dhe duke ua përvetësuar pasuritë e tyre! Kështu, sipas historianit të kishës, Slijepçeviq: “serbët e mbetur dhe të rrethuar prej tyre, u detyruan të pranonin Islamin, traditat dhe gjuhën e këtyre shqiptarëve të ardhur” [Laffan: 1989, f.126].

Ndërsa një grup historianësh pretendojnë se mbretëria dushaniane (1331-1355) i çoi shqiptarët drejt zhdukjes, grupi tjetër merret me “miqësitë” serbo-shqiptare deri me paraqitjen e nacionalizmit serb dhe veçanërisht deri në pretendimet politike dhe mediale të kohëve të fundit. Siç pandeh D. Tucoviq, elita e gabuar politike serbe, me shtypin e tij borgjez: “krijuan një kullë të tërë opinionesh të pavërteta dhe tendencioze për shqiptarët dhe politika pushtuese e Serbisë me metodat e saj barbare duhej t’i mbushte shqiptarët me urrejtje të thellë ndaj nesh” [“Sabrana Dela Dimitrije Tucovica”, Beograd 1980, f.107]. Përndryshe – pohojnë këto të fundit – familjet e njohura sunduese dhe fisnike serbe e shqiptare ishin të lidhura ngushtë përmes martesave politike. Dy personalitetet më të përfolura shqiptare që i lidhin me serbët janë “shenjtorja serbe” Angjelina dhe familja e Kastriotëve. Angjelina ishte bija e Gjergj Komnenit, e cila u martua me despotin serb Stefan Brankoviq, që ishte baxhanak me Skënderbeun, nëna e të cilit ishte Vojisllava (Tripalda), bija e fisnikut serb nga Donji Pollogu i Maqedonisë. Gjyshi i tij mbante një emër serb [Branilo], ashtu siç e mbanin edhe vëllezërit e tij [Stanisha, Reposh dhe Konstandin]. Motrën e tij, Marijen, e martoi me Stefan Cërnojeviqin e Zetës, ndërsa djalin e tij, Ivanin, me Irenën, që ishte e bija e Lazar Brankoviqit [Lopandić:2019, f.8-11]. Për më tepër, deri në fund të shekullit XIX, edhe kishat dhe manastiret e Kosovës ishin kisha ortodokse dhe jo kisha serbe, që ruheshin dhe frekuentoheshin edhe nga shqiptarët.

Të njëjtit autorë thonë se gjithçka u përmbys me krijimin e nacionalizmit serb, duke krijuar teori të shpifura në shekullin XIX, teori të mbështetura fuqimisht nga Jovan Tomiqi, Vladan Gjorgjeviqi, Jovan Cvijiqi, Jovan Haxhivasileviqi etj. [Malcolm:1998, f.196-199], për të cilët një pjesë të fajit e bartë edhe katolicizmi si “aleat sekret i islamit” dhe “tradhtar i kryqit”, që tentoi vazhdimisht “konvertimin e ortodoksëve në fenë katolike” [Carter & Norris:1996, f.12,13]! Për më tepër, Marko Markoviqi e hedh poshtë tezën e prejardhjes ilire të shqiptarëve dhe këmbëngul se “deri në shekullin XVII nuk kishte shqiptarë” [Marković:1995]! Një “kor” i tërë historianësh serbë e kanë mbështetur këtë tezë, duke e arsyetuar me konvertimin e dhunshëm në Islam dhe në shqiptarë, se këta të fundit: “nuk kanë ekzistuar si popull”, se nuk janë as “arbanasë”, as “arnautë” e as “albanezë”, por “serbë të pastër” të konvertuar në fenë islame [Oraovac:1999], përkatësisht në shqiptarë! Në këtë kontekst, rol të rëndësishëm kanë luajtur orientalistët serbë, të cilët vazhdimisht i kanë vënë vaj zjarrit, duke formuar kështu imazhe stereotipe mbi myslimanët në përgjithësi dhe mbi shqiptarët në veçanti, duke i trajtuar si faktor të huaj inferiorë dhe kërcënues [Cigar:2003, f. 17], si kanibalistë, njerëz me bishta, bastardë të egjër, banditë, egërsira gjakpirëse, lëkurëkuq europianë, hajna kuajsh, hajdutë, plaçkitës, tipa rrenacakë etj. [“Serbia e Shqiptarët”, Prishtinë 2011, f.170].

Terrenin e kishin përgatitur me kohë. Sociologu Peter Gay thotë se Vladan Gjorgjeviqi, që ua kishte vendosur shqiptarëve edhe “bishtin”, ishte ndoshta i fundit që shprehu imagjinatën e tij raciste [Gay:1993, f.82]. Pretendimi i pamatur i Bizmarkut se “nuk ka komb shqiptar” [Peackok:1914, f.176] dhe i atyre që e pranonin si “komb të çorientuar” të cilët “në spitale rrihnin mjekët që po u ndihmonin” [Baring:1913, f.176], u përdor si ‘kredi’ për mbrojtjen e racizmit të tyre si një “popull i shenjtë”, të cilët ishin të përballur me pasardhës banditësh nga vende të ndryshme të Ballkanit [Lane:1922, f.14-15] ose, siç i quante princi Aleksie Karagjorgjeviq, “egërsira nga të cilët duhet të spastrohet Europa” [Pirraku: 2003, f.21].

Në një formulim përmbledhës, Porta e Lartë, në bashkëpunim me kishën romake dhe shqiptarët, bashkëvepruan në konvertimin e serbëve, pasi ata, duke qenë or­todoksë, nuk ishin gjë tjetër, veçse “serbë të shqiptari­zuar”, të cilët sipas Cvijiqit e Haxhivasileviqit u “shqiptarizuan” ose u “arnautizuan” kur u bënë myslimanë [Hadživasiljević: 1909]! Natyrisht, ne duhet t’i marrim në konsideratë gënjeshtrat e këtyre “shkencëtarëve”, të cilat edhe pse të shpifura fund e krye, u kanë shërbyer dhe po u shërbejnë për të arsyetuar mëkatet e tyre, që kanë kryer kundrejt “të shqiptarizuarve” në shekuj.

Prova e fundit e sulmit terrorist serb në Banjskë të komunës së Zveçanit (Mitrovicë), më 24 shtator 2023, nuk duhet të na habisë, por duhet të na mësojë për metodat “demokratike” të funksionimit politik serb, të cilët edhe kur dështojnë në planin “A”, e kanë të përgatitur planin “B” për ta fajësuar viktimën! Barbarizmat e këtilla nuk janë të parat dhe nuk do të jenë të fundit. Kjo nuk është një provë e re, por një vazhdimësi provash, të cilat pas shembjes së Perandorisë Osmane, për fatin tonë të keq, janë treguar “të suksesshme” jo vetëm në teori, por edhe në praktikë. Nuk ka rëndësi nëse në krye të qeverisë serbe qëndron dora e djathtë e Millosheviqit, i cili në kushte normale duhej të ishte në Hagë, sepse sipas asaj që kemi mësuar nga e kaluara jonë, cilido që të ishte në vendin e tij, sado opozitarë të paraqitej, kundrejt Kosovës do të vepronte njësoj.

Historikisht, ishte viti 1826 kur Anglia dhe Franca pranuan kërkesën e M. Obre­no­­viqit (1780-1860) dhe kur soldateska serbe pushtoi Banjskën, Deçanin, Graçanicën, etj., duke dëbuar ose konvertuar shqiptarët dhe duke ua shembur tempujt e tyre [“Letopis Gračanički”, Gračanica 1995]. Duke ndjekur vijën historike nga kjo kohë, kur Perandoria Osmane ishte në prag të falimentimit total, sllavët shkaktuan pesë periudha barbarizmash mbi myslimanët në përgjithësi dhe mbi shqiptarët në veçanti.

Barbarizmi i parë ngjau në fillim të shekullit XIX, u quajt “spastrimi turqve” dhe u shkaktua ndërmjet viteve 1804 dhe 1826, si pa­­sojë e Kryengritjes së Parë dhe të Dytë Serbe, për formimin e shtetit nacional, të inkurajuar dhe fuqimisht të mbështetur nga Rusia. “Spastrim” ishte një term letrar, i përdorur më parë nga Vuk Karaxhiqi (1787-1864), pikërisht për spastrimin e Beogradit prej “turqve”, në vitin 1806, me 75 për qind myslimanë, kryesisht shqiptarë [Lieberman:2013, f.10]. Në biografinë zyrtare të Karagjorgjit, Konstandin Nenadoviqi thotë se, pas marrjes së Beogradit, serbët “i prenë turqit kudo që i gjetën, pa kursyer as të plagosurit, as gratë, as fëmijët… dhe u kursyen vetëm ata që premtuan se do të kryqëzohen” [Nenadoviq:1971, f.166]. Deri në vitin 1826, shumë rajone përreth, përfshirë Uz­hicën, Shabacin etj., e pësuan të njëjtin “fat”!

Barbarizma e dytë u zhvillua ndërmjet viteve 1830 dhe 1867 dhe u njoh si “kryqëzimi i të turqizuarve”. Ishte ende aktiv urdhri i Millosh Obrenoviqit (1780-1860), kur më 1832 kishte thënë që të gjithë myslimanët (shqiptarë ose boshnjakë) që do të kapeshin “ territorin e Serbisë”, të rriheshin me nga 25 goditje shko­pi, si dënim pse ata “nuk kishin ditur të luftonin për lirinë e tyre” [Brestovci:1983, f.48] dhe se “merita e madhe i takonte atij që bëhej shkak për zhdukjen e sa më shumë shqi­p­ta­rëve“! Gjatë kësaj kohe, në kushtet e një dimri të ftohtë, u nxorën nga shtëpitë e tyre rreth 300.000 shqiptarë të Top­licës, Ko­sa­o­ni­cës, Pustarekës etj., që banonin në rreth 700 lokalitete, prej të ci­lave rreth 640 ishin plotësisht shqiptare ose me shumicë shqiptare [Pirraku: “Letër e hapur Grupit G-7+1”]. Masakra e njohur në fshatin tërësisht shqiptar të Medunit, rreth vitit 1857, ishte vetëm një pjesë e këtij plani [Bytyçi:2009, f.69]

Gjenocidi i radhës u zhvillua ndërmjet viteve 1876 dhe 1878, e njohur si “shfarosja e myslimanëve”, rezultat ky i politikës së Malit të Zi, që kishte për synim shtrirjen ter­r­it­o­ri­­ale në drejtim të Bosnjës, Hercegovinës, Shqipërisë Veri­ore, Sa­nx­hakut, Kosovës dhe bregdetit, natyrisht me përkrahjen dhe inkura­jimin e Rusisë, e cila përmes Serbisë planifikonte të vendoste kontroll të plotë në Ballkan. Kjo ishte “beteja e fundit për Serbinë, nga Andrija në Ballkan” – Mali i Zi i takonte “serbizmit” dhe të gjithë ata që mund të mendonin se i ta­konte ve­tes akuzoheshin për tradhti [Andrijašević:2007, f.16]! Finalja e kësaj rezultoi me zgjerimin territorial nga 5.937 km2 sa kishte, në 15.017 km2, duke i dhënë edhe një popullsi shtesë prej 43.700 banorësh [Brill:1936], pa llogaritur të dëbuarit. Deri në këtë kohë, Serbia kishte masakruar dhe dëbuar me terror rreth 350.000 shqiptarë të 545 fshatrave shqiptare të Sanxhakut të Nishit, Leskovcit, Top­licës, Kurshumlisë, Prokuplës, Pusta Rekës, Vrajës etj., duke shkatërruar të gjitha xha­­mitë, teqetë, tyrbet dhe varrezat [Tirta:2006, f.121]. 117.000 prej këtyre u vendo­sen si muhaxherë në Vi­lajetin e Kosovës, deri në barbarizmat e radhës. Këtë e ndihmuan dukshëm jo vetëm vendimet e Kongresit të Berlinit, por edhe marrëveshja sekrete ndërmjet Serbisë dhe Austrisë, një marrëveshje e nënshkruar nga ministri i Ja­sh­t­ëm serb M. Mijatoviq, që të ndërpresë agjitacionin e saj në Bosnjë, me kusht që Austria ta përkrahë në pretendimet te­rri­to­ri­ale të “Serbisë së Vjetër” (Kosovës) deri te Lugina e Vard­arit [Prothero:1913, f.403].

Barbarizma e katërt i përket Luftës së Parë dhe të Dytë Ballkanike (1912-1913), që jorastësisht u njoh si “dita e kiametit në tokë”. Ndërsa shqetësimi për mundësinë e krijimit të një shteti shq­iptar me shumicë myslimane ishte shtuar, shtetet ortodokse ballkanike ia shp­allën Perandorisë “kryqëzatën e shenjtë”, ku në shënjestër përsëri do të mbeteshin shqiptarët. “The New York Times” njo­f­tonte se si mijëra shqiptarë myslimanë, mes tyre gra e fëmijë, ishin masakruar prej ushtrisë serbe dhe “të dehur me fitoren e tyre, deklaruan se qetësimi më i efe­k­t­sh­ëm i Shqipërisë është zhdukja totale e shqiptarëve mysliman, por nuk u kursyen as katolikët”. Një mjek i “Kryqit të Kuq” tregonte për “Daily Telegraph” se si shqiptarët “vriteshin pa mëshirë…”, ndërkohë që “Humanite” e Parisit raportonte për “pla­­çkitje, djegie e vrasje masive të popullatës shqiptare”. Në shkrimin “Akuza që ulërijnë” Leo Freundlih jepte gjithashtu dëshmi për shfarosjen kolektive të shqiptarëve në vjeshtën e 1912-tës: vetëm në Veriun e Shqipërisë mbi 250 mijë shqip­ta­rë­ ishin masakruar [Bislimi:2011, f.226]. Po të shihen me kujdes edhe të dhënat e gazetës “Riget”, “Raihspost”, Albanische Correspondenz”, “Daily Telegraph”, “Deutsches Vilksblatt”,Raihspost“etj., do të kuptohet qartas se nën pushtetin policor e ushtarak, për t’i shpëtuar vdekjes, 12 mijë shqiptarë “vullnetarisht” kaluan në ortodoksi (deri në mundësinë e rikthimit)! Ushtaraku Gjor­gje Shekularac e gënjente Europën se shqiptarët “po shprehin dë­shi­rë të kalojnë në fenë ortodokse” [Pirraku: 2003, f.22]. Bilanci: 220.000 shqiptarë të vrarë ose të vdekur nga mundimet e luftës dhe 281.747 të dëbuar deri në vitin 1914.

Barbarizmat vazhduan gjatë mbretërisë SKS, brenda së cilës jeta e shqiptarëve nuk kishte asnjë vlerë, deri në shembjen e saj në vitin 1941. Komiteti “Mb­rojtja Kombëtare e Ko­so­vës” ia kishte dërguar “Konferencës së Paqes” në Paris emrat e 12.346 të vrarëve në periudhën te­tor 1918 – dhjetor 1921 [Culaj:1997, f.171]. Ndë­r­kaq, ndërmjet vitit 1918-1924 fli­tej për zhdukjen në flakë të 182 fshatrave të Kosovës: vetëm në Drenicë ishin lik­uiduar 815 fëmijë nën mo­shën 10-vjeçare [Bajrami:1995, f.75]! Pak a shumë kështu ishte gjendja edhe nëpër viset e tjera të Kosovës! Duke qenë se prova e konvertimit “vullnetar” nuk i dha re­zu­l­ta­tet e planifikuara, strategjia e tyre përmes këtyre makabreve të ushtruara mbi ta do të realizohet me dëbimin e tyre të organizuar, organizim që kishte filluar nga çereku i fundit i shekullit XIX, kur përmes dëbimeve kishin boshatisur “Mbi 100 fshatra shqiptare të luginës së Toplicës e të Vranjës të dëbuar nga Serbia në mënyrë të pamëshirshme” [Pllana:1980, f.141].

Në barbarizmat e Luftës së Dytë Botërore (1941-1945), kur popujt e Jugosllavisë po shkonin drejtë “vëllazërim-bashkimit”, sipas disa të dhënave, soldateska serbe i likuidoi 106.000 qenie njerëzore, ndër të cilët 47.300 shqiptarë, pa dallim moshe e gjinie [Pirraku:1993], të dhëna që mund të jenë më të larta në ndonjë kërkim studimor, duke u pajtuar me urtësinë popullore se “ajo që nuk është shkruar, nuk ka ngjarë”. Po veprohej fuqimisht për të jetësuar shpresën e madhe të gjeneralit Luba Novakoviq (1883-1943), i cili më 12 shtator 1941 i shkruante Ko­sta Peçanit (1879-1944) për dëshirën që në Kosovë “të mos mbetej asnjë plis i bardhë” ose të poetit Mita Popoviq (1841-1888) i cili ëndërronte që “Stambolli të bëhej i serbëve”! Janë për t’u përmendur fjalët e Hoxhë Iljas Brojës, i cili duke parë dhe duke i njohur barbarizmat e herëpashershme të serbëve kundër shqiptarëve, në vitin 1946 u thotë: “Ju jeni të pabesë. Ne sikurse të gjithë shqiptarët tjerë, s’kemi çka presim tjetër prej jush, pos plumbit e thikës pas shpine. Po na vrisni, keni vra edhe shumë të tjerë para nesh, e do të vazhdoni edhe më vonë me krime, por mashtroheni se mund ta zhdukni këtë popull, se mund ta shtypni shpirtin liridashës të tij. Ne ua kemi lënë amanet brezave, sikurse të parët tanë që na lanë neve, që të mos kenë besë në sojin tuaj”!

Konstatimi i Brojës natyrisht lidhet me raportet që me luftërat ballkanike, me Luftën e Parë Botërore, me krijimin e Jugosllavisë së Versajës (SKS) më 1918 [Tomasevic: 2008., f.2], me ligjin për Reformën Agrare (1919) [Lita: 2016], me Traktatin e Lozanës (1923), me Ligjin e Kolonizimit (1933), me Konventën e vitit 1938, me Luftën e Dytë Botërore (1939-1945), me Lëvizjen e RezistencësKaçake”, me “Paktin Ballkanik” (1953) etj. Këto raporte na thonë se vetëm ndërmjet viteve 1919-1940 nga Kosova në Turqi u shpërngulën 276.489 shqiptarë (f.20), ndërkohë që në pronat e tyre u vendosen 85000 kolonistë sllavë [Bajrami:1995, 20] Në vitin 1948, 98.000 myslimanë (shqiptarë e boshnjakë) u deklaruan “turq”, që të shpëtonin duke migruar në Turqi [Roux:1992, f.155], ndërkohë që pesë vite më vonë (1953), kjo shifër ishte shumëfishuar në 260.000 [Kirisci:2000, f.61–78]. Raportet gjithashtu flasin për 452.371 shqiptarë të shpërngulur ndërmjet viteve 1952 dhe 1965. Çubrilloviqi (1897-1990) ishte i sigurt se shpërngulja e shqiptarëve nuk do të prodhonte asnjë reagim në arenën ndërkombëtare, ashtu si nuk prodhoi as në shpërnguljen e çifutëve nga Gjermania dhe as të miliona njerëzve nga Rusia [Islami: 2003, f.38]!

Barbarizmat e fundit serbe i kemi përjetuar edhe ne në Luftën e Tretë Ballkanike (1992-2001), në Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoni. Janë po ato “strategji” gjenocidale, që serbët vazhduan t’i zbatonin me përpikëri nga këshillat e Nje­go­shit, Grashaninit, të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe të orientalistëve serbë të Akademisë Serbe të Shken­cave (ASSH)! Programi politik serb “Naçertania” (1844) synonte të krijonte një “perandori të krishterë”, një plan ambicioz për zgjerimin e shtetit serb në kufijtë e Serbisë dushaniane mesjetare [Glenny:2007, f.46], duke përdorur si justifikim përkatësinë fetare myslimane për t’i shfarosur shqiptarët [Bajrami:1995, f.34]! Në realizimin e këtij programi ndihmoi dukshëm edhe Europa, ngase nga Shqipëria Osmane, e cila përbëhej prej katër vilajeteve me një territor prej 90.100 km2, ajo lejoj të krijohej një Shqipëri e cunguar, me 28.500 km2, sa kishte vetëm Vilajeti i Manastirit! Është po ajo që në “Paqen e Bukureshtit” ia njohu Serbisë të drejtën për pushtimin e territoreve shqiptare.

Qoftë për elitën politike, qoftë për atë intelektuale, qoftë për elitën kishtare, qoftë për shumicën e popullatës së rëndomtë, Millosheviqi, Karaxhiqi, Mladiqi, Arkani e të gjithë kriminelët e tjerë të kësaj lufte, ishin “ajka” e popullsisë dhe patriotizmit serb! Në krye të xhelatëve është Millosheviqi, që komandoi e dha urdhra për të marrë qindra e mijëra jetë njerëzish, duke u për­betuar në ekranet televizive mbi “të drejtën ndërkombëtare”, mbi “agr­es­io­nin ndaj vendit të tij”, mbi “integritetin”, mbi “legjitimitetin” e dokrra të tjera të fabrikuara në skutat e errëta të famëkeqes UDB. Drenica, Kosharja, Rahoveci, Prekazi i Skënderajt, Pri­sht­ina, Gjakova, Reçaku… ishin tablo të betejave të përg­j­a­ksh­me, të një lufte të tmerrshme, të sakrificave dhe të privacioneve të një populli të vënë përballë dhunës dhe makiner­isë ushtarake të krimit.

Bilanci ende jo i plotë vetëm për Kosovën: 800.000 të dëbuar, 15.000 të vra­rë e të masakruar, ndër të cilët 2.400 luftëtarë, të tjerët (90 për qind) ci­vilë të paarmatosur. Rreth 20.000 nëna e motra shqip­tare të dhu­nuara, 3.000 të zhdukur, shumica e të cilëve janë gjetur nëpër varreza masive në Serbi, pa ditur për fatin e 2.087 të tje­rë­ve. U dogjën, u rrënuan ose u granatuan mbi 218 xhami, u dogjën më shumë se 1.100 ve­nd­banime, pjesërisht ose tërësisht, u shkatërru­an mbi 200.000 shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente të kul­turës e të his­to­ri­së, objekte kulturore-shkencore, etj., shu­më prej të cilave kanë qenë nën mbikëqyrjen e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike [Dituria Islame #216/2008]. Rrënimi i monumenteve kulturore historike, si për shembull i 218 xhamive, i kompleksit memorial të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, zhdukja e busteve të figurave të shquara të rilindësve tanë dhe ndërrimi i gjithë onomastikës së Kosovës, kishte për qëllim ringjalljen e miteve kishtare serbe dhe serbizimin e plotë të Kosovës [Islami:2003, f. 85]!

Situata aktuale e konfliktit serbo-shqiptarë në Kosovë është futur në një drejtim nga i cili askush nuk mund ta parashikojë fundin. Tensionet e acaruara ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës (NATO-s), lufta e terrori gjithnjë më i përshkallëzuar në Lindjen e Mesme dhe ngjarje të tjera mund ta ndryshojnë situatën globale brenda një kohe të shkurtër ose, së paku, ta largojnë vëmendjen nga problemet që kanë lënë pezull në Kosovë. Njëanshmëria e faktorit ndërkombëtarë është problem shtesë, por i vazhdueshëm, i problemeve të pazgjidhura serbo-shqiptare. Ata kanë pasur mundësi disa herë ta shohin e ta kuptojnë se zgjidhja e problemit të Kosovës nuk kalon nga Serbia, por, përkundrazi, ajo është vetë problemi. Për fatin tonë të keq, njëanshmëri të këtilla janë vërejtur në të gjitha periudhat. Ndërhyrja e faktorit ndërkombëtarë në luftën e fundit në Kosovë nuk duhet të na habisë, ashtu siç nuk duhet të na habisë as lënia pezull e problemeve brenda saj! Çfarë mund të presim nga faktori ndërkombëtar në një kohë që ajo lihet e vetmuar edhe nga aleatët e saj natyralë!?

Ne s’kemi pse ja drejtojmë gishtin askujt veç vetes, sepse po të ndjekësh debatet në ekranet tona, një pjesë e madhe e debatuesve të lënë përshtypjen se më fajtore është qeveria e Kosovës sesa qeveria e Serbisë për situatën e krijuar!? Tek i ndjek, të lihet përshtypja se sot në Kosovë ka liri të shprehjes, por ka pak gazetarë të lirë. Ata janë pengje të sistemit të kaluar, të padronëve të jashtëm (qoftë edhe të Serbisë), të nëntokës politike dhe agjendave të tyre, por edhe të narkomanisë dhe ideve të çmendura! I keni parë si sillen rreth e rrotull “muhabetit” duke thënë “përballë individëve të armatosur” në vend të emërtimit që kanë “terroristë e kriminelë”. Koha do të dëshmojë shumëçka nga ato që ne sot nuk i dimë ose nuk duam t’i besojmë, por nuk guxojmë të mos e njohim historinë dhe të mos mësojmë prej saj, që ajo të mos na përsëritet.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X