Që ta kuptojmë sa është i shprehur korrupsioni në një vend, duhet ta shohim sa janë transparente institucionet. Ku mungon transparenca, aty shpërthen eksplozivi i korrupsionit, që i dëmton shtyllat e një shoqërie, shteti, perandorie. Aty minohet demokracia, pengohet zhvillimi ekonomik, nuk funksionon sistemi gjyqësor dhe as administrata publike. Aty kemi shoqëri të robëruar…
Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë
Korrupsioni është armiku i padukshëm i çdo shteti, i cili nuk luftohet me armë dhe ushtri. Përgjatë historisë, ky armik i padukshëm shkatërroi në heshtje shtete dhe perandori.
Një legjendë thotë se kur perandori Justinian e mësoi se gruaja e tij, Theodora, bënte tregti pa dijeninë e tij, urdhëroi të fundosej anija e saj me të gjitha mallrat që tregtonte. Justiniani besonte se qeverisësi s’guxonte të merrej me tregti.
Historia jep shembuj të panumërt, duke filluar nga lashtësia, për pushtetarë që e keqpërdorën pushtetin dhe për shkak të tregtisë harruan të qeverisnin…
II.
Korrupsioni është temë e shumë veprave artistike dhe filozofike. Madje, janë shkruar edhe histori të korrupsionit.
Dante Aligieri, te Komedia Hyjnore, i vendosi të korruptuarit në rrethin e tetë të ferrit. Ai i konsideroi të korruptuarit si mëkatarët më të mëdhenj.
Hasan Zyko Kamberi, te Paraja, shkroi për korrupsionin që e kishte mbërthyer gjithë shoqërinë, duke filluar nga mbreti për të vazhduar me vezirin, prijësit fetarë, myftiun, myderrizin, kadiun, pashallarët dhe bejlerët, të cilët ia dinin “kimenë parasë”. Sipas poetit, në një shoqëri të korruptuar “paraja të bën sulltan / paraja të kurdis divan / paraja çdo hall dërrmon”. Ajo e bën edhe “botën avare”. Në gjuhën e sotme do të thotë se paraja të jep pushtet, të bën të rëndësishëm dhe t’i zgjidh edhe problemet që mund t’i kesh me ligjin.
“Eja të të lavdëroj me përulësi, i dashur ryshfet”, shkroi me ironi Majakovski. Sipas George Orwell-it, pushteti, mbi të gjitha, e korrupton njeriun në planin moral.
Në vitin 2015 artisti polak Wieslaw Adamski e krijoi skulpturën “Qytetari Vlapko”, që e simbolizon zyrtarin e korruptuar. “Qytetari Vlapko” paraqitet lakuriq, me syze, mustaqe e mjekër, duke e drejtuar gishtin e njërës dorë te pëllëmba e dorës tjetër. Pra, kërkon t’i dhurojnë diçka. Pranë këmbëve të tij është eksplozivi, që pritet të shpërthejë çdo çast. Është eksplozivi i korrupsionit.
III.
Për korrupsionin janë sajuar shumë përkufizime. Sipas përkufizimit themelor, korrupsioni është shpërdorim i funksionit publik për përfitime të paligjshme. Korrupsioni është përkufizuar edhe si papastërti shpirtërore dhe morale.
Që ta kuptojmë sa është i shprehur korrupsioni në një vend, duhet të shohim sa janë transparente institucionet. Ku mungon transparenca, aty shpërthen eksplozivi i korrupsionit, që i dëmton shtyllat e një shoqërie, shteti, perandorie. Aty minohet demokracia, pengohet zhvillimi ekonomik, nuk funksionon sistemi gjyqësor dhe as administrata publike. Aty kemi shoqëri të robëruar…
IV.
Institucione prestigjioze ndërkombëtare e përsërisin shpesh se në Maqedoninë e Veriut dhe në shtetet e rajonit problem kryesor është korrupsioni. Sepse të korruptuarit bëjnë gjithçka. Ata bashkëpunojnë edhe me djallin për përfitime ose për t’i ikur ndëshkimit.
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) e zgjeron listën e “personave të padëshirueshëm” nga rajoni. Këto vendime i kanë trazuar “notuesit” nëpër fonde publike, që s’i japin llogari askujt.
“Lista e të padëshirueshmëve”, që “përkthehet” si “listë e të korruptuarve”, ua ka trazuar gjumin zyrtarëve, oligarkëve, gjyqtarëve. Francezët thonë: “Jastëku më i rehatshëm është ndërgjegjja e pastër”.
Të korruptuarit nuk shqetësohen se s’do ta vizitojnë Amerikën, sepse edhe këtu jetojnë si në Dubai, kurse paratë i ruajnë diku tjetër. Ata shqetësohen për “karrierat” e tyre. Nëse e humbin fuqinë politike, janë të pambrojtur. Më së paku nga himnizuesit dhe vartësit e tyre…
V.
Sapo u shpallën “të padëshirueshmit”, institucionet e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut filluan ta flaknin përgjegjësinë nga vetja. Se këtu askush s’ka faj. Të gjithë janë të pafajshëm. Fajtorë janë vetëm ata që s’kanë bërë faj.
Me t’u shpallur emrat e parë në listën amerikane, filluan të trazoheshin organet e drejtësisë. Pse kjo ngutje? A nuk dëshmon kjo se sistemi i drejtësisë është ngulfatur nga politika?
Në një sistem shtetëror, ku dënohen të pafajshmit dhe vjetrohen lëndët për krime të rënda penale e amnistohen fajtorët, nëse e kërkon të drejtën e cenuar, do t’i ngjash shërbëtorit Jernej nga vepra e Ivan Cankarit. Jerneji kot e kërkon të drejtën e tij, duke u endur nga njëri institucion te tjetri. Në endje e sipër, ai e kupton se kudo ka korrupsion material dhe moral.
VI.
Aty ku s’ka drejtësi, s’ka as paqe. Ku s’ka drejtësi, s’ka politikë, e cila përkufizohet si arritje e paqes ndërmjet njeriut dhe shoqërisë.
Në shoqëritë ku favorizohen të korruptuarit e servilët dhe ku cenohet shteti i së drejtës, s’mund të kërkojmë autonomi sferash shoqërore. Aty mund të mbijetosh duke u shtirur dhe duke u nënshtruar. Nëse je pjesë e sistemit, mbrohesh edhe nëse je fajtor. Nëse e kundërshton sistemin, je viktimë edhe nëse je i pafajshëm.