Vjedhja nuk po bëhet vetëm nga paratë e taksapaguesve të Maqedonisë së Veriut, por edhe prej atyre të shteteve të huaja që vijnë në këtë shtet në formë të donacioneve dhe ndihmave të organizatave ndërkombëtare. Informatat dhe akuzat e fundit në lidhje me shfrytëzimin e jashtëzakonshëm të fondeve publike nga anëtarët e familjes së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, janë një tregues tjetër se në çfarë gjendje ka arritur korrupsioni tek drejtuesit politikë të shqiptarëve, madje pikërisht prej një figure si Ali Ahmeti, që askush nuk e priste prej tij.
Shkruan: Selim IBRAIMI, Uashington
Korrupsioni politik është një koncept i ndërlikuar për t’u definuar qartë. Një përkufizim i duhur i korrupsionit politik kërkon një qasje të shumëllojshme. Nikollo Makiaveli (1469-1527), diplomat dhe politikan italian, e cilësoi korrupsionin si “rënie të virtytit midis zyrtarëve politikë dhe qytetarëve”. Korrupsioni politik nënkupton përdorimin e fuqisë politike për të përfituar të mira nga paratë publike në dëm të qytetarëve. Në Ballkanin Perëndimor, tashmë tre dekada politika e ka bërë të veten, duke mos lënë vend pa shkatërruar. Filloi me privatizimin e ndërmarrjeve publike dhe në fund mori formë tjetër – atë të keqpërdorimit të parasë publike të kthyer në kapital në duart e familjeve të lidhura ngushtë me anëtarët e qeverisë, partive politike dhe të rrethit të liderëve.
Ajo që vazhdon të debatohet dhe që ngre shqetësime të përditshme është se deri kur të zgjedhurit me votat e qytetarëve do ta keqpërdorin pushtetin për qëllimet e tyre personale, familjare dhe të partisë. Në Ballkanin Perëndimor, nëse përqendrohemi në hapësirën ku jetojnë shqiptarët, qysh më herët populli i vuajtur nga shtypja dhe dhuna shtetërore ka qenë i detyruar të japë ryshfet për një vend pune, shërim në ndonjë spital, në gjykatë dhe në shumë raste tjera kritike është detyruar të shesë gjithçka vetëm për t’u shëruar ose për ta paguar ndonjë gjykatës. Shqiptarët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në një farë detyrimi që pa dhënë para nuk mund të lëvizin asgjë në Maqedoninë e Veriut. Në fakt, përveç palës maqedonase që e ka pushtetin absolut, një bllokadë e madhe në këto dy dekada e më shumë po vjen edhe nga partitë politike shqiptare pjesëmarrëse në qeverinë e Shkupit. Të ardhurat publike të mbledhura nga qytetarët, zyrtarët e lartë të qeverisë, të partisë, individë që qëndrojnë afër kryetarit të partisë, familjarë e miq, e kështu me radhë, kanë hyrë në një garë se kush do të mund ta varfërojë sa më shumë popullin e dërmuar nga vjedhja dhe e keqja.
Ndikimi politik në shpërndarjen e fondeve publike
Realiteti është i tillë, që morali ose virtyti njerëzor tek politikanët tanë është mbuluar me dyfytyrësinë e tyre për t’u pasuruar sa më shumë me fondet publike në shpinë të taksapaguesve. Rastet e fundit në radhët e BDI-së në Maqedoninë e Veriut, me donacionet dhe akuzat për keqpërdorimin e fondeve në favor të familjarëve të ngushtë të kryetarit, Ali Ahmeti, tregon se në çfarë gjendje ka arritur korrupsioni politik. Duke favorizuar anëtarët e ngushtë të familjes me tenderë shtetërorë, është ndërtuar një rrjet i madh korporatash, që kanë vendosur rregulla të pashkruara në dëm të kompanive tjera. Gjithashtu, kur flitet për korrupsionin politik, me rëndësi është të theksohet se populli nuk është kundër së drejtës që familjet e zyrtarëve qeveritarë dhe të partive politike të mos merren me biznese dhe të ushtrojnë veprimtari tjera ekonomike. Këtu duhet bërë dallimin në mes shtetit dhe të drejtave themelore. Në Maqedoni të Veriut dhe, në përgjithësi, në Ballkan, për arsye të njohura vija ndarëse nuk respektohet dhe do të jetë vështirë të bëhet në të ardhmen një ndarje të tillë, pasi janë partitë politike, bashkë me financuesit e tyre, që nuk e dëshirojnë këtë ndarje. Se në çfarë gjendje është Maqedonia e Veriut, më shumë flasin rastet e fundit të spitalit modular në Tetovë dhe të dy fatkeqësive njerëzore, të autobusit të kompanisë “Besa” dhe “Durmo Turs”, ku humbën jetën dhjetëra persona të pafajshëm. Për fat të keq, edhe në këto raste shteti dhe një dorë e fshehtë po tallet me provat. Për më shumë, gjykatat e të gjitha niveleve, prokuroria, policia dhe Sigurimi i Shtetit nuk janë aspak në gjendje të mirë. Në fushën e arsimit, ndikimi politik ose korrupsioni politik e ka dëmtuar aq shumë atë, saqë nuk mund të përmirësohet me vite. Jemi dëshmitarë që drejtues të institucioneve zgjidhen në mënyrë të padrejtë dhe si të pakualifikuar për të udhëhequr dhe marrë përgjegjësi. Nën ndikimin e partive politike, ata kanë një mbështetje të fuqishme dhe shumë vështirë mund të largohen nga pozitat e fituara nga partia. Siç dihet, partitë politike ose ministrat që qëndrojnë më gjatë në pushtet, kanë gjasa të jenë të përfshirë në afera të ndryshme korruptive dhe të ushtrojnë më tepër ndikim në ndarjen e fondeve dhe, njëkohësishta ta rrisin nepotizmin. Informatat dhe akuzat e fundit në lidhje me shfrytëzimin e jashtëzakonshëm të fondeve publike nga anëtarët e familjes së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, janë një tregues tjetër se në çfarë gjendje ka arritur korrupsioni tek drejtuesit politikë të shqiptarëve, madje pikërisht prej një figure politike si Ali Ahmeti, që askush nuk e priste prej tij. Megjithatë nga bombat e plasura prej ish-kryeministrit Zoran Zaev mund të zbulohet një profil tjetër i liderit Ali Ahmeti ose profili i vërtetë i tij krahasuar me paraqitjet e tija publike.
Pse nuk ekziston qendra hibride që “sulmon” BDI-në?
Absurdi më i madh është se zyrtarë të lartë të BDI-së, në përpjekje për të mohuar skandalet e fundit, dhe duke synuar devijimin e interesit të publikut rreth akuzave për keqpërdorime, kanë prodhuar një fantazi ose një tregim se “diku në Maqedoni të Veriut ekziston një qendër hibride që po e sulmon partinë (BDI) dhe shqiptarët”. Në realitet, kritikat dhe sulmet ndaj BDI-së kanë një bazë dhe janë të mbështetura në raporte kredibile. BDI-ja ka thënë se “disa nuk janë të kënaqur me pushtetin ekonomik dhe financiar të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut”. Realiteti është më ndryshe – shqiptarët nuk kanë kurrfarë pushteti ekonomik dhe financiar. Ky pohim të zyrtarëve të BDI-së dhe të kryetarit Ahmeti rreth “fuqisë ekonomike” shqiptare nuk ka si të interpretohet ndryshe e vetëm si një mbulesë dhe defokusim i opinionit për fondet e tyre financiare të përqendruara vetëm tek anëtarët e familjes dhe zyrtarët e partisë. Andaj pushteti ekonomik i shqiptarëve është më i vogël në krahasim me paratë dhe fondet e oligarkëve shqiptarë ose të partisë së Ahmetit.
Në një tribunë të mbajtur në Shkup, zyrtarë të Komisionit për Antikorrupsion deklaruan se “lufta e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut është vetëm deklarative”. Bashkësia Ndërkombëtare, bashkë me mediat e mbështetura po nga taksapaguesit amerikanë dhe të BE-së, për habi, në vend që të qortojnë, korrektojnë dhe të jenë të vendosura që qeveria përfundimisht të merret seriozisht me korrupsionin politik, edhe ata janë kthyer në përkrahës të mëdhenj të së keqes. SHBA-ja dhe BE-ja, si duket, vetëm sipërfaqësisht janë të përkushtuara në presionin ndaj qeverisë dhe qeverive ballkanike në luftën kundër krimit politik. Vakumi, si nga jashtë dhe brenda, në luftën kundër manipulimeve të fondeve publike e ka sjellë shoqërinë në këtë gjendje që nuk ka zgjidhje. Debati për konflikt interesi, nepotizëm dhe keqpërdorim të fondeve publike pa gjykata të pavarura, nuk do të ketë asnjë rezultat as në Maqedoni të Veriut dhe as në rajon.
Për të ardhur keq kanë mbetur vetëm qytetarët e dëmtuar dhe familjet e prekura nga tragjeditë dhe rastet e montuara gjyqësore. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal i japin fund shpresës se në Maqedoni të Veriut një ditë do të bëhet më mirë. Paradoksi është se janë krijuar rrethana të mira për qeveritarët, anëtarët e ngushtë të partive, familjeve dhe grupeve të interesit që të kenë kalim të lirë para ligjit në emër të unitetit kombëtar dhe anëtarësimit në BE. Natyrisht, vjedhja nuk po bëhet vetëm nga paratë e taksapaguesve të Maqedonisë së Veriut, por edhe prej të atyre të shteteve të huaja, që vijnë në këtë shtet në formë të donacioneve dhe ndihmave të organizatave ndërkombëtare.
Në fund, derisa do ta kemi këtë gjendje shoqërore, do të jetë rëndë që shtetet, si të llojit të Maqedonisë së Veriut, të kenë ligje, zyrtarë me nder dhe virtyte njerëzore, e mos të flasim për përparim kombëtar. Më keq se kaq është kur në emër të luftës dhe dëshmorëve, shitet patriotizëm, ndërsa pa kurrfarë turpi dhe të drejte djersa e qytetarëve kthehet në pasuri personale dhe familjare.