loader image
November 23, 2024

Kur dosjet përdoren si armë

Shërbimet sekrete në vendet socialiste, ku përfshihet Jugosllavia dhe Shqipëria, kanë pasur qëllime tjera nga ato të Perëndimit. Shërbimet socialiste kanë përhapur më shumë frikë te popullata se që e kanë ruajtur vendin nga “armiku”. Me këtë frikë është tentuar ruajtja e pushtetit komunist dhe për këtë arsye KGB-ja, UDB, STASI, Sigurimi e ndonjë tjetër kanë qenë të tmerrshme për popujt e këtyre vendeve.

Shkruan: Daut DAUTI, Londër

Zgjedhjet e vitit 1997 sollën ndryshime të mëdha shoqërore dhe politike në Britani të Madhe. Në pushtet erdhi një frymë e re laburiste me kryeministër Tony Blairin, i cili për sekretar të brendshëm, pozitën e dytë më të rëndësishme në qeveri, e emëroi aktivistin e dalluar partiak, Jack Straw. Dy vite më vonë (1999) doli në shesh një informatë, që për publikun e gjerë mund të ishte habi, por jo për një grup të ngushtë të laburistëve. Një ish agjent i shërbimit sekret britanik në pension bëri me dije se MI5 kishte dosje për Jack Straw. Dosja ishte e viteve të ‘70-ta, kur Jack Straw ishte student i drejtësisë në University of Leeds. Sipas dosjes, Strawi në ditët e tija studentore, kur ishte edhe kryetar i unionit të studentëve dhe majtist, kishte ushtruar “aktivitet politik subversiv”. Pra, ishte ngritur një dyshim serioz kundër tij. Si shtesë, agjenti deklaroi se informatat për dosjen e tij ishin mbledhur në mënyrë jo të besueshme dhe joligjore. Por, në këtë botë gjërat ndryshojnë aq shumë, saqë tashti Jack Straw, duke qenë sekretar i punëve të brendshme, ishte edhe shef i sigurimit sekret MI5. Tashti, ky shërbim e kishte pyetur Jack Strawn, shefin, nëse dëshironte ta shihte dosjen. Straw ishte përgjigjur negativisht dhe mes tjerash kishte shtuar: “Mendoj se ndaj kësaj dosje unë nuk duhet të kem të drejta më shumë se ndonjë qytetar tjetër në këtë pozitë”.

Por, arsyeja e vërtetë që Straw nuk e shikoi dosjen e tij, mund të jetë fakti që doli më vonë në shesh. Vet Straw, sa ishte këshilltar i kryeministrit Harold Wilson, e kishte lexuar dosjen e dashnores së udhëheqësit liberal, Jeremy Thorpe. Kjo ishte bërë “për çështje sigurie”, por në realitet ishte për shikim të mundësisë së diskreditimit të rivalit politik. Straw në viti 2018 e tregoi këtë rast dhe deklaroi se ishte tronditur nga përmbledhja e detajeve më të imta të jetës, përfshirë edhe marrëdhëniet seksuale. Kjo ishte e padrejtë, sipas tij, dhe ndoshta Straw nuk ka dashur t’i shoh detajet e ngjashme edhe në dosjen e tij.

Kur flitet për shërbimin sekret britanik, ne e dimë që fjala është për agjencinë më të justifikuar të spiunazhit në botë. Por, edhe kjo agjenci drejtohet nga qeveria, që do të thotë se mund të keqpërdoret nga politika për qëllime të kundërta për të cilat është formuar dhe duhet të funksionojë. Sa jemi te ky shërbim, duhet përmendur edhe një rast. MI6 është shërbim për siguri jashtë shtetit britanik, kurse MI5 për sigurinë e brendshme. Në arkivin shtetëror britanik (National Archives) që gjendet në Londër, ekzistojnë dy dosje të cilat MI6 i ka përpiluar. Njëra dosje  që titullohet “Albanian Nationalism in Yugoslavia” (Nacionalizmi Shqiptar në Jugosllavi) dhe është e hapur, por nuk ofron shumë gjëra nga ato që dihen, ndërsa dosja tjetër, e përmbledhur nga MI6, me titull “Activities of the Yugoslav Dissidents” (Aktivitetet e Desidentëve Jugosllavë), duket se përmban shumë sekrete, pasi që ka të bëjë me aktivitetin e desidentëve jugosllavë dhe aktivitetin e UDB-së kundër këtyre grupeve në Europë. Kjo duhet të jetë interesante, pasi që dihet që ka të bëjë me vrasjen e desidentëve kroatë dhe shqiptarë. Kësaj dosjeje nuk do t’i hiqet embargoja deri në vitin 2040-të.

Arsyeja e moshapjes së dosjes në fjalë është se ‘Ligji mbi Mbrojtjen e të Dhënave (1998) në Britani të Madhe e ndalon hapjen (publikimin) e informatave personale nëse ato janë kundër arsyes së mbledhjes së tyre ose nëse subjekti (MI6) zyrtarisht ka bërë me dije se hapja e tyre mund të dëmtojë ose të shkaktojë rrezik ndaj jetës së personave që përmenden apo mund të shqetësojë shoqërinë dhe të destabilizojë edhe situatën politike.

Kështu është me dosjet e shërbimit sekret në Britani të Madhe, ku kësaj pune i kushtohet kujdes i madh. Megjithatë, siç u pa më lart, politikanët edhe në këtë vend, mund t’i (keq) përdorin këto dosje.

Tashti, pyetja që parashtrohet në lidhje me keqpërdorimin e dosjeve në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri është esenciale. Kosova duhet të përjashtohet nga ky rast, për arsye se nuk ka dosje për të kaluarën, sepse ato i ka marrë Serbia. Por, ky është një problem tjetër, ndoshta edhe më i madh, për arsye se dosjet që ekzistojnë mund të përpunohen në Beograd, me qëllim që të shkaktohet ndonjë pasojë te ndonjë individ ose grup individësh, e cila gjë pastaj krijon reflektime edhe më gjerë në shoqëri. Intervenimi i pushteteve të sotme ose i individëve në dosjet ekzistuese të kohës së socializmit në shumë raste është bërë me dije nga shtypi se ka ndodhur në Beograd e Tiranë.

Shërbimet sekrete në vendet socialiste, ku përfshihet Jugosllavia dhe Shqipëria, kanë pasur qëllime tjera nga ato të Perëndimit. Shërbimet socialiste kanë përhapur më shumë frikë te popullata se që e kanë ruajtur vendin nga “armiku”. Me këtë frikë është tentuar ruajtja e pushtetit komunist dhe për këtë arsye KGB-ja, UDBa, STASI, Sigurimi e ndonjë tjetër kanë qenë të tmerrshme për popujt e këtyre vendeve. Pos tmerrit, këto vende me këto shërbime kanë shpërndarë edhe informatat apo dezinformatat për lansimin e ideve dhe përgatitjen e dëgjueshmërisë së masave.

Shërbimet sekrete të vendeve të ndryshme bashkëpunojnë, deri në një masë, në shkëmbimin e informatave. Nuk është për t’u habitur nëse një bashkëpunim i tillë ka ekzistuar mes UDB-së dhe Sigurimit të Shqipërisë socialiste. Por, ajo që është më e rëndësishme është fakti i infiltrimeve që shërbimet bëjnë në njëra-tjetrën. Ekziston një lloj gare për këto infiltrime, për shkak se aty janë informatat.

Puna ose rezultati i shërbimeve sekrete nuk dihet kurrë plotësisht. Kjo është për arsye se kjo veprimtari nuk është publike dhe shumë dosje nuk hapen kurrë. Në arkivat e të gjitha vendeve mungojnë dosjet, së paku të kohës së një shekulli, nga të cilat historianët do të kishin qasje në to. Informatat kryesore merren nga njerëzit që kanë punuar në këto shërbime dhe që shkruajnë libra për këtë gjë. Ta zëmë, organizimi dhe veprimtaria e KGB në Europë u bë me dije, në masë të madhe, kur Vasili Mitrokhin, shef i departamentit për zbulime të jashtme, iku në Angli si agjent i dyfishtë që ishte. Pastaj, ai e botoi librin e tij “The Mitrokhin Archive” dhe publiku u njoh me natyrën e KGB-së.

Në Shqipëri dhe vendet që dolën nga ish Jugosllavia është më se e nevojshme hapja e dosjeve dhe studimi serioz shkencor i UDB-së dhe Sigurimit. E kaluara ka qenë e vështirë dhe njohja e kësaj pune do ta lehtësonte të ardhmen. Por, sërish pyetja që shtrohet është: si bëhet kjo punë që është shumë e vështirë?

Ajo që dihet është se njerëzit që kanë punuar në shërbime sekrete të vendeve socialiste kanë përparuar me shpejtësi të madhe në shoqërinë postkomuniste. Ata sot janë njerëzit më të pasur dhe më me pushtet që nga Rusia e deri në Shqipëri. Kjo është për shkak se këta njerëz kanë disponuar me armën më të fuqishme: informatën sekrete. Me këtë “armë” ata e kanë ditur rrugën dhe i kanë kërcënuar pengesat, kurse viktimat kanë mbetur viktima.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X