Shqiptarët asnjëherë, në aspektin normativo-juridik, nuk ka qenë të emërtuar si pakicë. Dokumentet themeltare të shtetit bashkëkohor të Maqedonisë së Veriut, aktet më të larta në periudhën e komunizmit dhe pluralizmit i kanë përkufizuar si kombësi, nacionalitet dhe bashkësi? A ka ardhur koha që ky status të ndryshojë, duke ua njohur shtetformësinë në kuptimin kushtetues? A duhet partitë shqiptare të mendojnë për opsione të reja mbi modelimin e sistemit juridiko-kushtetues? A ka hapësirë për hapjen e temës së ridefinimit të Maqedonisë së Veriut si shtet?
Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup
Elitat politike në Maqedoninë e Veriut, shqiptare dhe maqedonase, gjithmonë kur kanë nevojë të rrisin rejtingun e tyre para zgjedhësve ose kur tentojnë të kamuflojnë ndonjë krizë, më së shpeshti ekonomike ose edhe politike, e rishfaqin në debatin publik çështjen (e pazgjidhur) historike – statusin juridiko-kushtetues të shqiptarëve. Natyrisht, kur janë në pozita të opozitës, këtë çështje e tematizojnë hapur dhe pa dilema, ndërsa me t’u futur në pushtet, çështjes i rreken me eufemizma ose me “llafe të buta”.
Statusi, çështje për përfitime politike dhe zgjedhore
Kjo çështje, ka qenë substanca e veprimit të partive politike shqiptare që nga vitet ‘90-ta, pra që nga themelimi i Partisë së Prosperitetit Demokratik e, më vonë, Partisë Demokratike Shqiptare. Madje, si refuzim ndaj sistemit shtetëror dhe politik, që shqiptarëve u siguronte status të cunguar juridiko-kushtetues ndodhi edhe lufta e vitit 2001! Edhe pas kësaj lufte, statusi i shqiptarëve nuk u rrumbullakua, nuk u përmbyll, por ngeli një temë e hapur, së cilës me standarde të dyfishta i qasen edhe partitë maqedonase, varësisht nëse janë në pushtet ose në opozitë. Madje, edhe kur e trajtojnë gjoja statusin e bashkësive më të vogla etnike, duke shfaqur kujdes ose vëmendje më të madhe për ta, ekuacioni përfundimtar i diskursit politik mbi këtë temë është tendenca që statusi i shqiptarëve të mbetet i pandryshuar dhe statik, përkatësisht në korniza të paracaktuara kushtetuese. Gjithë investimi i elitës politike dhe kulturore maqedonase bëhet që maqedonasit ta ruajnë superioritetin mbi shtetformësimin, ndërsa shqiptarët të mos arrijnë synimin që de jure të bëhen komb shtetformues, pasi de fakto (demografikisht dhe ekonomikisht) dhe me pjesëmarrjen në jetën institucionale, sidomos në qeverisjen e vendit, edhe pse vetëm në aspektin sasior, ofrojnë dëshmi se janë të tillë!
Modeli kroat i VMRO-DPMNE-së i bën pakicë shqiptarët!
Edhe pse debati për ndryshimet kushtetuese është i fokusuar tek përfshirja e pakicës bullgare në kushtetutë, kreu i opozitës politike maqedonase, Hristijan Mickoski, doli me një ide të re mbi dukjen e preambulës së re të kushtetutës. Sipas tij, ideja e qeverisë për kopjimin e modelit kroat mund të shërbejë si bazë që partia e tij e djathtë, VMRO-DPMNE, t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese, për të cilat nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve. Në fakt, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, e ka përmendur modelin kroat të preambulës, pasi në të numërohen shumë pakica, të cilat akti më i lartë shtetëror i Kroacisë i quan kombëtare autoktone.
Në Preambulën e Kushtetutës së shtetit kroat thuhet: “Duke u nisur nga faktet historike të paraqitura dhe parimet përgjithësisht të pranuara në botën moderne…, Republika e Kroacisë themelohet si shtet kombëtar i popullit kroat dhe shtet i pjesëtarëve të pakicave kombëtare autoktone: serbëve, çekëve, sllovakëve, italianëve, hungarezëve, hebrenjve, gjermanëve, austriakëve, ukrainasve, rusëve dhe të tjerë, të cilët janë shtetas të saj, të cilëve u garantohet barazia me qytetarët e kombësisë kroate dhe ushtrimi i të drejtave kombëtare në përputhje me normat demokratike dhe të vendeve të botës së lirë.”
Mickoski, duke dashur të poentojë politikisht tek elektorati i vet, ka pranuar se është i gatshëm të pranojë modelin kroat, i cili do t’i përfshinte bullgarët e Maqedonisë së Veriut në kushtetutë, por si pakicë. Me statusin e njëjtë, hiç më pak e as më shumë, kjo preambulë kushtetuese do t’i përkufizonte edhe shqiptarët. Tendencë për minimizim kaq të madh të statusit të shqiptarëve nuk ka pasur ndonjëherë në historinë më të re të Maqedonisë së Veriut, edhe atë në 32 vitet e pluralizmit. Ka pasur mendime dhe qëndrime të ndryshme mbi statusin e shqiptarëve, por asnjëra nga partitë e mëdha maqedonase, qoftë Lidhja Socialdemokrate, qoftë VMRO-DPMNE-ja, nuk e kanë pasur guximin të kërkojnë që shqiptarët të emërtohen si pakicë.
Modeli kroat nuk ka bazë historike dhe juridiko-kushtetuese
Ideja e Mickoskit nuk ka bazë politike dhe, si e tillë, është avulluar politikisht, pasi edhe po të kishte 80 deputetë, nuk do të ndërmerrte një hap të këtillë. Ky hap do t’i hapte rrugë federalizimit të vendit, sepse shqiptarët do t’i përgjigjeshin “nënçmimit” juridik me opsione të reja politike, që do ta tejkalonin Marrëveshjen e Ohrit.
Partitë shqiptare reaguan, duke hedhur poshtë qëndrimin e Mickoskit, madje duke ofruar edhe modelin belg ose zviceran, që janë koncepte legjitime të ndërtimit të sistemit në një shtet shumetnik, por nuk nënvizuan se me modelin kroat partia e tij me të dyja këmbët kërkon shfuqizimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe hap rrugë për marrëveshje të re politike!
E dyta, propozimi i Mickoskit nuk është i argumentuar në dimensionin historik, gjithnjë duke marrë për bazë aktet më të larta juridike, që pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nuk është i justifikuar as me sistemin aktual juridiko-kushtetues.
Shqiptarët asnjëherë, në aspektin normativo-juridik, nuk ka qenë të emërtuar si pakicë dhe as nuk e kanë vënë në dyshim pranimin e mundshëm të këtij statusi. Dokumentet themeltare të shtetit bashkëkohor të Maqedonisë së Veriut, aktet më të larta në periudhën e komunizmit, kushtetuta e vitit 1946, më vonë ndryshimet kushtetuese të miratuara me konsensus të gjerë në vitin 1974, i kanë përkufizuar shqiptarët si kombësi (për të bërë dallimin nga fjala komb), ndërsa maqedonasve u është njohur e drejta e shtetformësisë si komb maqedonas. Bëhet fjalë për përkufizim unikal dhe jokonvencional kushtetues, i panjohur në të drejtën ndërkombëtare, ngjashëm siç është në preambulën e vitit 1991 edhe emërtimi nacionalitet (për të bërë dallimin nga nacioni [nation], termi ndërkombëtar për kombin). Përfundimi i konfliktit të armatosur në vitin 2001 solli Marrëveshjen e Ohrit, e cila do t’i përkufizojë shqiptarët si bashkësi (etnike), ndërsa në preambulë do të quhen “pjesë e popullit shqiptar”, ngjashëm siç emërtohen të gjitha bashkësitë e vogla etnike. Komunistët dhe neokomunistët, po ashtu edhe etnonacionalistët maqedonas, kanë bërë beteja të mëdha politike që shqiptarët t’i lënë me status të ndërmjetëm, jo të plotë shtetformues, me status që ua garanton rendin e dytë në “hierarkinë” e konstitucionalizmit.
20-përqindëshi të shkojë në histori si formulim jofatlum
Tani, kur po zhvillohet debati për ndryshimet kushtetuese, partitë shqiptare duhet të kushtëzojnë miratimin e tyre me heqjen e formulimit “20 për qind” për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe.
Këtyre ditëve, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani doli me deklaratën, në të cilën tha se “procesi aktual për ndryshime kushtetuese nuk duhet të rëndohet me çështje të tjera politike, të cilat mund ta polarizojnë edhe më shumë shoqërinë”. Pra, sipas Osmanit, ndryshimi formal (nominal) i statusit të shqiptarëve na qenka çështje që e vështirëson procesin integrues, por nuk shpjegon se kur do të ketë moment më të volitshëm politik që të ndodhë ky ndryshim. Ndryshe, Aleanca për Shqiptarët, edhe pse deklaroi se deklarata e ministrit të saj të Drejtësisë, Krenar Lloga, se duhet të ketë edhe ndryshime kushtetuese në favor të shqiptarëve është nxjerrë nga konteksti, doli me qëndrim të qartë dhe të prerë se 20-përqindëshi duhet të hiqet. Ngjashëm kanë reaguar edhe dy partitë tjera, Alternativa dhe Lëvizja BESA, madje duke e vënë si kusht dhe jo vetëm si kërkese politike.
Përderisa partitë shqiptare nuk po dëshmojnë se kanë kapacitet politik për ta ndryshuar statusin formalo-juridik të shqiptarëve, duke e ngritur nga bashkësi në komb, e pakta që mund të bëhet është heqja e 20-përqindëshit, sepse është formulim i pakuptimtë, meqë reflekton praninë statistikore të shqiptarëve dhe jo praninë e tyre reale autoktone demografike në shtet.