loader image
November 21, 2024

Strategjia serbe e ripërsëritjes së Donbasit në Kosovë

Elementë të veprimit të dikurshëm rus në Donbas, Serbia po mundohet t’i manifestojë me shfrytëzimin e dobësive të Kosovës në bisedime, duke i bërë barrikadat si pikë të nxehtë të pozicionit serb dhe përdorimin e serbëve në veri. Përsëritja e strategjisë dhe taktikave ruse në Kosovë është jo vetëm një alarm për ekipin negociator të BE-së, që po mbajnë anën serbe, por edhe për politikën e Departamentit të Shtetit ndaj Ballkanit Perëndimor.

Selim IBRAIMI, Uashington

Dhjetë muaj qëkur Rusia e sulmoi Ukrainën, organizatat radikale serbo-ruse janë tashmë në kufi të Kosovës. Protesta dhe dhuna e fundit në pikat kufitare në mes Serbisë dhe Kosovës janë dëshmi se ‘proxy’ aleatët e Rusisë janë të përqendruar në këtë pjesë të rajonit dhe të interesuar të jenë në shërbim të politikës pansllaviste për destabilizimin e rajonit të Ballkanit dhe, në veçanti, të Kosovës. Në fakt, tensionet në veri janë shkas për qeverinë serbe dhe presidentin Aleaksandar Vuçiq që të mbajë në kontroll bisedimet dhe fundi të jetë mundësisht i favorshëm për anën serbe. Qeveria qendrore në Prishtinë nuk e shtrin sovranitetin në këtë pjesë të Kosovës dhe do të jetë e detyruar që në bazë të Rezolutës 1244 dhe në koordinim më NATO-n, të hartojë një strategji se si të largohen barrikadat e serbëve dhe rusëve radikalë në veri. Duhet të jemi realistë se ish qeveritë e mëparshme kosovare dhe aktualja shumë pak kanë punuar me KFOR-in. Armiqësitë në mes vete janë shkas që Kosovës sot i imponohet Asociacioni, që është i barabartë me një autonomi serbe brenda Kosovës. Tani qeveria në Prishtinë nuk ka shumë opsione rreth veriut dhe Asociacionit që vazhdimisht po kërkohet nga diplomatë të BE-së dhe më ashpër nga SHBA-të. Pasi koha nuk po punon për Kosovën, në Uashington, ku lobi serb ka pas vetes mbi dhjetë senatorë amerikanë në shërbim të politikës dhe interesave serbe në Kosovë dhe në rajon, detyrimisht kërkohet një konsensus kombëtar në Kosovë – në mes qeverisë së Kurtit dhe opozitës për të përballuar jo vetëm Serbinë, por edhe bashkësinë ndërkombëtare.

Escobari kundër Kurtit: opozita kosovare në Uashington merr mësime të rrëzimit të pushtetit

Në realitet, afrimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe opozitës është larg, pasi dy liderët e opozitës kosovare, ai i PDK-së dhe LDK-së, pas takimit të fundit në Departamentin e Shtetit Amerikan me Gabriel Escobarin dhe pas kthimit në Kosovë, nuk janë më të interesuar për një bashkim të forcave. Më shumë po duken disa shenja se më mbështetjen e SHBA-së, opozitarët kosovarë janë të interesuar ta rrëzojnë qeverinë Kurti II, ndërsa më vonë gjatë procesit, Escobari dhe diplomatët europianë, të përfshirë në bisedime të formojnë Asociacionin Serb.  Këtu SHBA-ja ka interesa të veçanta dhe më shumë po lufton për një Serbi jashtë Rusisë, por pasi burokratët në Uashington veprojnë ndaj Serbisë me recetat diplomatike të viteve të ‘50-‘60-ta të shek.. 20, nuk duhet të presim diçka madhështore në ndonjë ndryshim të shpejtë të qasjes së Uashingtonit ndaj Asociacionit dhe Serbisë. Kjo mbetet shqetësuese për kosovarët dhe politikën e qeverisë në Prishtinë, e cila duket e paralizuar dhe pa energji se si të përballojë jo vetëm europianët, por kësaj here edhe amerikanët në krye me Escobarin. Qasja aktuale e qeverisë dhe opozitës kosovare mund të konsiderohet si e rrezikshme, pasi nuk arrijnë të bindin aktorët e huaj për nevojën e largimit të barrikadave serbo-ruse si pjesë e lojës për një konflikt të ri në Ballkan me përmasa të kufizuara. Këtë gjë Kosova dhe diplomacia e saj ende nuk po e bëjnë. Do të jetë e kushtueshme për sovranitetin e Kosovës gjatë 2023-tës po qe se do të vazhdohet me këtë qasje diplomatike ndaj qendrave ku Kosova ka mundësi të ndikojë nëpërmes miqve të saj.

Radikalët serbo – rusë në veri

Pasi shumica e forcave radikale serbe dhe ruse janë në veri të Kosovës, disa jashtë territorit dhe brenda, për të njohur gjeografinë e veriut, kjo njëherazi mund të jetë arsye për Beogradin që të shfrytëzojë strategjinë ruse të Donbasit në veri të Kosovës ose edhe në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo do të ishte një luftë e gjatë e Serbisë për të marrë këto territore me të gjitha mjetet. Disa elementë të veprimit të dikurshëm rus në Donbas, Serbia po mundohet t’i manifestojë me shfrytëzimin e dobësive të Kosovës në bisedime, duke i bërë barrikadat si pikë të nxehtë të pozicionit serb dhe përdorimin e serbëve në veri. Përsëritja e strategjisë dhe taktikave ruse në Kosovë dhe në Bosnjë është jo vetëm një alarm për negociatorët e BE-së që po mbajnë anën serbe, por edhe për politikën e Departamentit të Shtetit ndaj Ballkanit Perëndimor, e cila qëllimisht, sipas analistëve, është duke ua lënë në dorë radikalëve serbo-rusë ripërsëritjen e Donbasit në Ballkan, pra në veri të Kosovës ose, më vonë, në Bosnjë. Kjo është e turpshme dhe jashtë çdo logjike të gjeopolitikës moderne për një shtet si SHBA, e cila pa vëmendje ka hyrë në lojën serbo-ruse në Kosovë dhe në Ballkan. Uashingtoni po përdor të kaluarën historike të veprimit të qeverisjes së Trumanit dhe Eisnhowerit me ish RSFJ-në, si një model aktual me Serbinë e Vuçiqit dhe me shpresë të largimit serb nga Rusia. Ka gjasa në këtë pikë që SHBA-ja të arrijë disa objektiva të kufizuara gjeopolitike, por Serbia do ta shfrytëzojë në maksimum Uashingtonin dhe në fund do të vazhdojë të qëndrojë afër Rusisë dhe Kinës.

Çfarë mund të bëjë më shumë Kosova?

Qeveria e kryeministrit Kurti në fillim të vitit 2023 duhet të angazhojë urgjentisht lobistë amerikanë në Kongres për të rishqyrtuar punën e diplomatëve amerikanë në dialogun serbo-kosovarë, ku po ata diplomatë po mbajnë haptazi anën e Serbisë. Është e pamundur të arrihet një marrëveshje me kategori të diplomatëve të tillë që në zemër dhe dashuri e kanë Serbinë dhe popullin serb. Ndërsa, nga ana tjetër, duke e minuar sovranitetin dhe territorin e Kosovës, dëshirojnë të kënaqin interesat e Beogradit. Një gjë e pazakontë po ndodhë me diplomacinë amerikane. Ajo nuk është e kohës së Morgentahut dhe George Kenanit. Pas aneksimit të Krimesë dhe shpalljes së republikave pro ruse të Donteskut dhe Luhaneskut, qeveria amerikane dhe BE e kanë kundërshtuar pavarësinë e tyre. Ndërsa me taktizimet e fundit ndaj Kosovës dhe Bosnjës, vetvetiu po bëjnë nxitjen e emocioneve të shpalljes së pavarësisë të etnisë serbe në Kosovë. Specialistja e inteligjencës  Suzana Starikov thotë se në Bosnjë, pretendimi territorial serb qëndron tek uria e Serbisë për territore. “Sipas logjikës serbe aty ku jetojnë serbët, qoftë vetëm 2%, shteti serb dëshiron të ketë territore (asociacione)”. “Ku janë parimet multikulturore, etnike të BE-së dhe të SHBA-së?” Sipas Starikov-it, “BE-ja duhet t’i kushtojë vëmendje zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, të vlerësojë saktë situatën në veri të Kosovës”. “Serbia kërkon territore të fqinjëve”. Për të parandaluar këtë aventurë perëndimore në Kosovë, duhet një rregullim të shpejtë të qëndrimit amerikan dhe aktiviteteve të diplomatëve në rajon. Ndryshe, me këto sjellje në Kosovë shumë shpejt, bashkë me grupet radikale, mund të kemi një shpërthim të kufizuar të konfliktit. Ky është skenari më i besueshëm deri më tani, pasi të gjitha rrethanat brenda dhe jashtë Kosovës po e shpejtojnë këtë skenar dhe pakënaqësi serbe në veri. Qeveria në Prishtinë duhet të veprojë shpejt ose do të duhet të pajtohet me fatin që si shtet i pafuqishëm për të vendosin të huajt dhe forcat radikale paraushtarake.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X