Mendimet e mia i ngacmuan veçanërisht fjalët përmbyllëse të editorialit: “Viti 2022. Kosova sërish në agjendën ndërkombëtare. Natyrisht, jo se dikush e vriste mendjen shumë, por njësoj si në vitin 1878, Rusia po kërcënon Perëndimin”. Në këtë fjali bëhet një paralelizëm shumë domethënës, që do ta gjenim edhe në fjalën që mbajti në Kuvendin e Shqipërisë presidenti i Gjermanisë, Shtajnmajer, kur lëshoi edhe një herë direktivën gjermane “Nuk është koha për formula nacionaliste”, paçka se vetë gjermanët me të tilla formula kanë operuar e vazhdojnë të operojnë.
Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë
Kjo pyetje më lindi kur lexova në revistën e muajit dhjetor 2022 shkrimin “Kosova në kërkim të sovranitetit” dhe, veçanërisht, editorialin “Kosova, plaga që po mbahet hapur” (pra jo “ka mbetur hapur”). Z. Ismail Sinani, në editorial, ka prekur disa arsye kryesore për të cilat çështja shqiptare në tërësi ka mbetur ende vajtueshëm në mes të rrugës. Kjo temë edhe më herët është shtjelluar nga këndvështrime të kundërta. Ka pasur shtjellime e parashtrime të drejta, por dhe debate ballafaquese lidhur me mësimin e historisë së zgjimit kombëtar shqiptar, krijimin e një shteti sovran shqiptar jo sa për erudicion, por edhe për frymëzim e mobilizim politik në zgjidhjen e detyrave që nxjerr koha e sotme për shqiptarët. Në kryartikullin e përmendur Aty janë rreshtuar mjaft elementë që ndihmojnë për të perceptuar më mirë tablonë e zymtë që po krijon një aktivizim i ri shqiptar e ndërkombëtar, që të goditet edhe një herë rëndë arritja më e madhe historike e shqiptarëve – çlirimi e pavarësimi i Kosovës në vitet 1999 dhe 2007-2008.
* * *
Mendimet e mia i ngacmuan veçanërisht fjalët përmbyllëse të editorialit: “Viti 2022. Kosova sërish në agjendën ndërkombëtare. Natyrisht, jo se dikush e vriste mendjen shumë, por njësoj si në vitin 1878, Rusia po kërcënon Perëndimin”. Në këtë fjali bëhet një paralelizëm shumë domethënës, që do ta gjenim edhe në fjalën që mbajti në Kuvendin e Shqipërisë presidenti i Gjermanisë, Shtajnmajer, kur lëshoi edhe një herë direktivën gjermane: “Nuk është koha për formula nacionaliste”, paçka se vetë gjermanët me të tilla formula kanë operuar e vazhdojnë të operojnë. Në editorial z. Sinani vazhdon: “Kosovës sërish i imponohen kushte sikur shqiptarët të kenë shkuar në Serbi për të dhunuar mijëra gra, të kenë vrarë 14000 persona të kenë rrëmbyer 1600, persona. Tani, për dallim nga koha e Kongresit të Berlinit, kur elita shqiptare ishte mbledhur rreth Lidhjes së Prizrenit, ka disa zëra nga mesi ynë që flasin me gjuhën e Beogradit. Akuzojnë gjithë ata që duan të shpëtojnë diçka nga shtetsia e Kosovës qoftë përmes pengimit të Zajednicës, qoftë përmes shtrirjes së sovranitetit në në gjthë territorin…”. Nga këto rreshta unë mendoj se mund të nxirren disa tema therëse për t’u trajtuar, si për demaskimin e zërave shqiptarë që tingëllojnë sipas shijeve të Beogradit, ashtu dhe për prirjet në diplomacitë perëndimore që çështja shqiptare të trajtohet më shumë në funksion të rregullimeve e të prishjeve të ekuilibrave me Rusinë e Serbinë, edhe kur në Ukrainë Rusia ka ndërmarrë luftën agresive.
Ndërkaq fjalia përmbyllëse e editorialit ka një qasje më specifike: “Shqiptarët edhe një herë do të duhet të përcaktohen nëse duan ‘një fund me dhimbje, apo një dhimbje pa fund?’”. Unë çmoj se kjo është tema e parë që duhet trajtuar, jo në një numër, por në disa numra që të merret vesh qartë se ku qëndron njëri e ku qëndron tjetri. Sipas mendimit tim, duhet bërë një përqasje e pikëpamjeve, qëndrimeve e veprimeve të atyre krerëve elitarë shqiptarë në vitin 1878, që sendërtuan programin e vetëm kombëtar shqiptar, me një veprimtari konkrete, siç ishte tubimi i përbashkët që u organizua më 27 nëntor 2022 në sallën e Kuvendit të Shqipërisë me deputetë të të dy parlamenteve shqiptare. Ky i dyti kishte një vlerë simbolike të pamohueshme se ndodhte për herë të parë në historinë politike e veprimtaritë shtetërore të shqiptarëve pas Lidhjes së Prizrenit, por nuk ngjalli dot emocione e shpresa në lartësitë e Lidhjes, edhe pse ky është një imperativ i kohës. Në Tiranë oratorët që morën fjalën nuk paraqitën ndonjë platformë të përbashkët, nuk bënë ndonjë gjest mobilizues në frymën e mbledhjes së dikurshme të Prizrenit. Secili prej tyre tha ato që i interesonin për politikë personale e partiake ose tarafore të ditës ose për të treguar “sjellje politikisht korrekte” para vëzhguesve ndërkombëtarë.
Edhe një herë kryeministri i Shqipërisë dha një shembull që nuk duhet ndjekur, kur fjalën e tij e kishte ndërtuar si vazhdim i një manie akuzuese ndaj gjithë historisë së shtetit shqiptar që pas shpalljes së tij dhe që prej disa kohësh letrarizon politikën e diplomacinë që të maskojë antipolitikën e antidiplomacinë që bën në emër e në dëm të shqiptarëve. Kësaj here, ai për fjalën e tij ishte armatosur më agresivisht se kurrë me sarkazmin letrar që bënte para 100 vitesh shkrimtari Faik Konica, kur në zymtësinë e tij e zinte inati me të gjithë shqiptarët, me pari e me vegjëli. Rama donte të thoshte, nëpërmjet inatit të Konicës, se pas Ismail Qemalit e deri tek Edi shqiptarët nuk kanë pasur as shtet e as qeverisje për të qenë.
Mua më duket se fjalia e fundit nga citati i sjellë më lart nga revista “Shenja” ka brenda enigmat kombëtare, gjëegjëzat politike, dallaveret diplomatike (jo të autorit, por të realiteteve shqiptare të shkuara e të sotme), për të cilat prej kohësh shqiptarët tashmë janë përcaktuar në shumë raste pa rënë ende në një mendje midis tyre. Prandaj ende mund të ketë vend për debate se çfarë është detyrë parësore më konkrete, duke u nisur nga sqarimi i koncepteve e nocioneve se çfarë mund të quhet “një fund me dhimbje” dhe sa funde të tilla duhet të përjetojnë shqiptarët që të gjejnë prehje(!). Edhe deri tani janë përdorur shpesh termat “shqiptarët duhet të dinë se do të vihen përballë vendimesh të dhimbshme”. Shqiptarët duhet të debatojnë rreth asaj se si e përfytyrojnë dhe a duhet ta pranojnë në këtë fazë të historisë së tyre konceptin që të quhet “fund me dhimbje”? Përse ata duhet të shpresojnë se kështu shpëtojnë nga “dhimbjet pa fund”(!) Historia tregon se sprova të tilla u janë imponuar disa herë shqiptarëve dhe nuk u kanë sjellë ndonjë rezultat të madh.
Në të vërtetë, shqiptarëve as nuk u ka propozuar kush ndonjë model të “fundit me dhimbje” për dhimbjet e tyre të pafundme të deritanishme, as u është bërë e qartë se çfarë do të ndodhë me ta po të zgjasë procesi i “dhimbjes pa fund”. Këto procese nuk varen vetëm nga shqiptarët. Armiqtë e shqiptarëve nuk e pranuan në Rambuje, në mars të vitit 1999, “përfundimin me dhimbje” të luftës së tyre çlirimtare dhe rintegrimin e tyre në Serbi, që të shpëtonin nga dhimbjet pa fund me të cilat kërcënoheshin. Por, Serbia as me këtë nuk u kënaq. Armiqtë e shqiptarëve ende nuk kanë shpjeguar se kur mund të quhet se ka ardhur momenti që shqiptarët të pajtohen me “fundin e dhimbshëm” dhe përse pas kësaj duhet të besojnë se do të jetojnë pa dhimbje duke mbetur ende shqiptarë(!)
Në tetor 2022 dy gazetarë turq me qëndrim në Bosnjë-Hercegovinë më kërkuan një bashkëbisedim për zhvillimet ballkanike. Nuk e kuptova nëse u pëlqeu pikëpamja ime se “Open Ballkan” është një sajesë që do të përdoret për realizimin e një plani të hershëm të zhdukjes së identitetit shqiptar në hapësirën ballkanike. Por, disa ditë më vonë, miku im z. Elvis Hoxha më tregoi se në librin e tij “Parapolitik” të sapobotuar, trajton tezën se fqinjët sllavo-ortodoksë të shqiptarëve nuk heqin dorë nga synimi për të shuar jo vetëm qenien, por dhe konceptin “jam shqiptar” që të qetësohet Ballkani. Predikimet se shqiptarët duhet të çlirohen nga “ideja e të qenit shqiptar” (sepse këtë emërtim ua paskan imponuar me dhunë pushtuesit osmanë, sikurse dhe fenë islame) dhe të rikthehen në “arbërit e kohës së paraskënderbegiane” në Shqipëri i dëgjojmë edhe nga njerëz me pretendime si “intelektualë të shquar”.
Por, më mirë t’i qëndrojmë më pranë problemit të politikës serioze që ka të bëjë. Këto kohët e fundit mbi shqiptarët, sidomos mbi shtetin e Kosovës, po ushtrohen trysni që të bëjnë sakrifica të reja për të mos lejuar të përshkallëzohen tensionet në Ballkan. Kritizerëve shqiptarë, që bashkohen me zëra të tillë, mund t’u thuhet: “Bashkohuni njëherë të gjithë dhe formuloni qartë vërejtjet e propozimet tuaja se çfarë do të bënit ju po të qeverisnit ose në rastin që faktori ndërkombëtar vendos vërtet të mënjanojë qeverisjen e tanishme dhe gjithë forcat politike të Kosovës dhe të trajtojë gjetjen e ujdive të reja shqiptaro-serbe, vetëm me shoqërinë civile, sikurse është pëshpëritur kërcënueshëm kohët e fundit. Le të na shpengojnë qartë kritizerët e qeverisjes Osmani-Kurti se ku i shohin ata se janë të fshehura rezervat e fundit të lëshimeve që mund t’i bëhen Serbisë që ajo të ngopet dhe faktorët ndërkombëtarë të kënaqen se u arrit “kompromisi magjik shqiptaro-serb”, që vetë ndërkombëtarët nuk kanë qenë në gjendje ta përshkruanin saktë deri tani.
Prandaj, së pari duhet të përcaktohet cili është “vendimi i dhimbshëm” që do t’u kërkohet shqiptarëve të pranojnë për të siguruar në këmbim dashamirësinë e gatishmërinë serbe për ujdi afatgjata dhe për të kënaqur faktorët ndërkombëtarë deri në atë pikë sa shqiptarëve të mos u ngarkojnë më sakrifica të reja dhe të mos ndjejnë edhe më tutje dhimbjet e kompromiseve të pranuara. Atyre që qortojnë pikëpamjet e nacionalistëve shqiptarë se në rrethanat që janë krijuar historikisht midis dy kombeve është e padobishme të bësh demagogji për pajtimin e tyre (të paktën në një të ardhme të afërt) tani kemi si kudërvënie dhe fjalët e një diplomati të njohur, ish-përfaqësuesit të OSBE-së në Shqipëri e në Kosovë, Daan Everts, kur komenton e krahason dy raportet e përgatitur nga shërbimi i tij se çfarë u bënë serbët shqiptarëve dhe pastaj shqiptarët serbëve. Ai ka arritur në përfundimin se: “Të dy raportet tregojnë vërtet sa e helmët, hakmarrëse, traumatizuese ka qenë dhuna etnike. Dhe, sa e vështirë ishte e do të jetë të përpiqesh dhe të arrish pajtim të përhershëm dhe marrëdhënie të mira fqinjësie midis serbëve e shqiptarëve” (“Të ruash paqen në Shqipëri e në Kosovë. Reagimi ndaj konfliktit dhe ndërhyrjes ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor 1997-2002”. Tiranë 2022, f. 93).
Cili mund të jetë “vendim i dhimbshëm” për shqiptarët që mund të çojë në kapërcimin e kësaj gjendjeje sot ose në kohë të afërt? Çuditërisht për herë të parë jemi ndeshur me një “propozim konkret” serb (gazeta “Sot”, më12 dhjetor 2022): “Daçiq zbulon tri vijat e kuqe të Serbisë. Nuk do ta tolerojmë Kosovën në rast se i shkel ato: 1. Nuk duam negociata të reja për Marrëveshjet e Brukselit dhe Bashkimin e Komunave Serbe; 2. Nuk duam Kosovën në OKB; 3. Duam siguri të serbëve në Kosovë e Metohi”. Pra, Serbia nuk do shtet të pavarur të Kosovës. Atëherë, si mund të ketë politikanë shqiptarë që t’i kërkojnë Kosovës të shkojë në “Ballkanin e hapur” në këto kushte(!). Pastaj a mund të merren këto “vija të kuqe” që i vendosen Kosovës si fundi i kërkesave të dhimbshme që duhet të plotësojnë shqiptarët? Në deklaratat e ish-presidentit amerikan, Bill Klinton, në kohën e fushatës së bombardimeve ajrore kundër Serbisë më 1999, theksohej ideja se: “Strategjia e z. Millosheviq ishte ndërtuar mbi synimin për të përfunduar spastrimin etnik e pastaj për të përçarë unitetin e NATO-s” (gazeta “Telegraf më 14 dhjetor 2022). Pra, për shqiptarët ishte “strategji gjenocidale”. Serbia, siç po e dëshmon edhe tani në fund të vitit 2022, nuk ka hequr dorë nga kjo.
Serbia u ofron shqiptarëve si zgjidhje të përkohshme të ekuacionit “një fund me dhimbje ose dhimbje pa fund”, një “Rambuje të dytë”, pasi edhe Kosova të ketë pranuar, sikurse Shqipëria, të rreshtohet në Serbinë e Madhe të quajtur “Open Balkans”. Serbët, në mendësitë e tyre politike e kanë të ngulitur thellë se shqiptarëve mund t’u rezervojnë vetëm një fund: të mos jenë komb e shtet më vete në Ballkan. Në një kohë kur analisti amerikan Janush Bugaski ka botuar një libër të tërë për zhbërjen e mundshme të Rusisë, Serbia shton këmbënguljen për të qenë pjesë shtetërore e Rusisë.
Për fat të keq, strategjinë e “skeletizimit” të pavarësisë së Kosovës nuk e zbatojnë vetëm Serbia, drejtuesit e Kremlinit e të disa shteteve të tjerë të lidhur pas tyre, që i janë kundërvënë haptazi që në fillim pavarësimit të Kosovës. Këtë strategji po e ndjekin edhe diplomatë europerëndimorë, që kanë pranuar në kohë të ndryshme detyrën për të ndihmuar në jetësimin sa më korrekt të kësaj pavarësie, në bazë të rregullimeve që tashmë ishin vendosur në rrugë diplomatike shumëpalëshe, pas një procesi të gjatë e të ndërlikuar diplomatik. Nuk u ka hije teknokratëve të diplomacisë europerëndimore, që kanë bërë karrierë për vite me radhë si zbatues të “Planit Ahtisari”, të sillen si “peshkaqenët” në tregimin e Heminguejt për të skeletizuar pavarësinë e Kosovës.
Daniel Serveri ka theksuar qartë, kohët e fundit, se “Serbia ka lëvizur përfundimisht në drejtim të Rusisë, madje edhe gjatë luftës në Ukrainë. Perëndimi e ka humbur Serbinë deri tani… Vuçiqi po ndjek ‘botën serbe’ për të vënë nën kontrollin e Beogradit popullsitë serbe në vendet fqinje Ai ia ka arritur kësaj në Kosovë, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinë. Duke u përpjekur të qetësojë Beogradin Amerika nuk do të fitojë asgjë”. Nga këto zhvillime shqiptarët kanë humbur shumë. Prandaj kanë arsye të frikësohen se edhe më tej mund t’u sugjerohen “miqësisht” “vendime të vështira” dhe ndonjë “fund i dhimbshëm”. Prandaj është e domosdoshme që Shqipëria t’i japë fund sa më shpejt lojës me “Ballkanin e hapur”.
Pas shuarjes së shpejtë të jehonës së mekur që në fillim të “Euorropamës së Tiranës” (takimit në nivel të lartë të BE-së me Ballkanin Perëndimor më 6 dhjetor 2022) Kosova dhe Shqipëria e panë veten në pozitë tejet të pakëndshme, madje kërcënuese, të rritjes njëherësh të presioneve nga Serbia në veri dhe Greqia në jug, që shqiptarët të pranojnë sa më parë “dy Zajednica”. Sipas modelit të “Zajednicës” (Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë) edhe Greqia nëpërmjet kryeministrit Micotaqi, gjatë një vizite të tij në zonat greqishtfolëse në Jug të Shqipërisë, kërkoi hapur dhe mori njëfarë pëlqimi paraprak nga kryeministri i Shqipërisë Rama, që të organizohet një asociacion i komunave greqishtfolëse në Shqipëri që të gëzojë të drejtën e vetëvendosjes. Kështu, kombi shqiptar mund ta shohë veten shumë shpejt haptazi në darën e re të dy “Zajednicave”, njëra serbe e tjetra greke.
E vërteta e dukshme dhe e pandryshueshme edhe gjatë zhvillimeve më të fundit është se Serbia e Greqia me shqiptarët nuk synojnë e nuk kërkojnë marrëveshje të përhershme, të drejta e të qëndrueshme. Ato interesohen vetëm për marrëveshje që të krijojnë shkase për sa më shumë mosmarrëveshje të reja. E ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe shqiptaro-greke nuk do të jetë ashtu siç kanë qejf ta perceptojnë ose ta pikturojnë shqiptarët e indoktrinuar me panballkanizëm dhe me europianizëm iluzor.