loader image
July 26, 2024

Portretizimi i shqiptarit në kulturën serbe

Aleksandar Pavlloviqi, në librin e botuar nga Qendra Multimediale, “Shqiptari Imagjinar simbolika e Kosovës dhe figura e shqiptarit në kulturën serbe”, paraqet disa fakte ndryshe të marrëdhënieve shqiptaro-serbe gjatë historisë nga ato që i dëgjojmë nga media ose analiza mainstreem ditore. Ai është i mendimit se deri në fillim të shekullit XIX perceptimi i figurës së shqiptarit në epikën gojore nuk ka qenë me përmbajtje armiqësore, për faktin se në këtë periudhë Kosova ende nuk ishte çështje territoriale për Serbinë.

Nexhmedin ADEMI, Preshevë

Fuqitë e mëdha, në periudha të ndryshme të historisë, e kanë pozicionuar Ballkanin si zonë periferike të interesave gjeostrategjike. Popujt ballkanikë periudhat e paqes nuk i kanë përdorur për zhvillim e progres, pajtim e mirëqenie afatgjate. Përkundrazi, në kohë të paqes, heshturazi kanë kultivuar ndjenjën shoviniste, dëshirën për dominim, agresion dhe grabitje të territoreve. Gjeografia e Ballkanit është europiane. Europianët i kanë shikuar ballkanasit, kulturalisht, ndryshe nga vetja. Aspirata e popujve ballkanikë tani është dizajnuar si mendim programatik për të qenë pjesë e kontinentit të vjetër. Të zhgënjyer për moskonkretizimin e idesë integruese, në sjelljen e tyre joeuropiane ka një fakt – ata mbeten të prirë për të kultivuar urrejtjen e ndërsjellë. “Assesi ta realizojnë aspiratën integruese derisa t’i mbërrijnë dimensionet e masakrave europiane”, shkruan Maria Todorova te “Ballkani Imagjinar”. Të dënuar me fatin të jetojnë në nënqiellin e përbashkët, por me kontradikta e mosbesim të madh reciprok në këtë cep të tokës po jetojnë shqiptarët dhe serbët! Është interesant të shikohet narracioni i ndërtimit të marrëdhënieve të serbëve me shqiptarët gjatë historisë, pra diskursi që i ka përcaktuar këto marrëdhënie, oscilimet e portretizimit të shqiptarit në kulturën serbe etj. Mund të flitet edhe për portretizimin e serbit në kulturën shqiptare, por meqë pretendimet territoriale dhe qëndrimet agresive si projeksione ideologjike, kulturore e politike historikisht kanë qenë të serbëve ndaj shqiptarëve, për studimin shkencor më e rëndësishme është të shikohet si shpërfaqet ky narracion mbi shqiptarin në kulturën serbe.

“Armiku historik”

Kur flitet për marrëdhënien shqiptaro serbe, në diskursin publik krijohet një bindje se mosbesimi dhe armiqësia shqiptaro-serbe është historike, e ndihmuar edhe me shpjegime metafizike hyjnore. Në të vërtetë, nuk ka armiqësi eternale historike, por ka regjime, elita që ushqejnë armiqësi mes popujve, për shkak të ambicieve për dominim, eksploatim dhe zgjerim të territoreve.

Aleksandar Pavlloviqi, në librin e botuar nga Qendra Multimediale, “Shqiptari Imagjinar simbolika e Kosovës dhe figura e shqiptarit në kulturën serbe”, paraqet disa fakte ndryshe të marrëdhënieve shqiptaro-serbe gjatë historisë nga ato që i dëgjojmë nga media ose analiza mainstreem ditore. Ai është i mendimit se deri në fillim të shekullit XIX perceptimi i figurës së shqiptarit në epikën gojore nuk ka qenë me përmbajtje armiqësore, për faktin se në këtë periudhë Kosova ende nuk ishte çështje territoriale për Serbinë. Studimet tregojnë se perceptimi mbi shqiptarin e egër, barbar, armiqësor ka ndryshuar pas përpjekjeve nacional-romantike serbe për ta konsideruar Kosovën si krijimtari kolektive serbe në shërbim të ndërtimit të identitetit nacional shtetëror serb. Kosova, fillimisht, hyn në diskursin nacional-romantik serb në fillim të shekullit XIX si një simbol poetik, e tek në fund të këtij shekulli si një çështje territoriale, madje fare në fund si qëllim lufte, kjo varësisht nga nevojat për t’i përdorur teknikat në shërbim të krijimit të identiteteve nacionale, që në fund të fundit, sipas Gellnerit, Andersonit, janë konstrukte imagjinare të modernitetit etj. Nacional-romantizmi serb i ka rritur dozat e përfshirjes së elementeve të epikës, etnosit, udhëpërshkruesve, traditës orale, këngëve kishtare të eposit kosovar të lidhura me figurën e princ Llazarit dhe mitin mbi Betejën e Kosovës, ku ushtarët serb pranuan të sakrifikoheshin për mbretërinë qiellore në vend të asaj tokësore, kjo sipas narracionit romantik.

Ja disa shembuj se si figura e shqiptarit portretizohej në kulturën serbe para periudhës nacional-romantike, kur Serbia nuk kishte pretendime territoriale ndaj pjesëve jugore, Anamoravës, Maqedonisë dhe Kosovës. Në fillimet e tyre, dy shkrimtarët të nacionalizmit serb, Vuk Karaxhiq dhe Iija Garashanin, nuk i vendosën shqiptarët në qendër të shkrimeve të tyre. Për më tepër, në kuadër të atyre pak referencave modeste ndaj shqiptarëve, të dy autorët shfaqin respekt par ta si trima. Ata e theksojnë frymën luftarake, heroizmin e malësorëve shqiptarë në Mal të Zi dhe në veri të Shqipërisë, si dhe aty-këtu aleancën e përbashkët të luftës kundër turqve osmanë. Garashanini, në planin sekret të botuar në Naçartanien e njohur, ëndërronte në fillim përtëritjen e perandorisë mesjetare serbe drejt Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe një pjese të Hungarisë. Konsolidimi i Perandorisë Austro-Hungareze i shoi shpresat për realizimin e kësaj ëndrre romantike. Kështu, nacional-romantikët serbë e ndryshuan kursin. Ata u detyruan të krijojnë narracione historike, këngë kreshnike kishtare, epika kosovare, për të drejtën e tokave të premtuara në pjesën jugore, siç është Kosova e Maqedonia, thekson Pavlloviqi në librin e tij. Obradoviqi është nga të parët që në përshkrimet e tij “Jeta dhe Përjetimet”, në vitin 1783, evakuon kujtime për atë “komb trim dhe ato vise të mrekullueshme”, që i kishte njohur gjatë qëndrimit të tij midis shqiptarëve gjatë vitit 1769. Ka edhe të tjera shënime që shqiptari nuk stigmatizohet me stereotipa që jemi mësuar t’i lexojmë rëndom. E tillë është kënga gojore e Mark Kraleviqit me Muso Kasexhiun, një dyluftim i zhvilluar me shumë respekt për njëri-tjetrin, pastaj tradita gojore pozitive e Kanunit të Lekë Dugagjinit e shikuar me respekt dhe besnikëria e shqiptarit në përshkrimet e Mark Millanit etj.

Deri këtu kemi mesazhe pajtuese, për t’ia lëshuar rendin pastaj diskursit nacionalist, i cili përshkruhet ma akte të dhunshme, përleshje dhe mosbesim në marrëdhëniet shqiptaro serbe. Kjo gjuhë e urrejtjes dhe mallkimit zë fill pikërisht në gjysmën e dytë të shekullit XIX e deri sot, pasi Kosova konsolidohet në simbol kyç nacional, në shërbim të identitetit nacional dhe shtetëror serb.

Pushtimi poetik i Kosovës

Para se Kosova të bëhet pretendim territorial dhe qëllim lufte, ajo u pushtua me anë të traditës gojore, folklorit dhe këngëve kreshnike, që i referoheshin epikës kosovare serbe. Në kohën kur u shuan shpresat për zgjerim territorial drejt pjesëve nën administrimin e Austro-Hungarisë, fokusi për zgjerim u zhvendos drejt jugut, Kosovës dhe Metohisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë së veriut. Në këtë kohë, ideologu i nacional-romantizmit serb, përkrahësi i ekspansionizmit serb, kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe, rektor i Universitetit të Beogradit dhe themelues i gjeografisë serbe, Jovan Cvijiq (1865-1927), nevojën për zgjerim e justifikonte me atë se Serbia “është një vend gati i rrethuar, ndërsa ne jemi një i burgosur, i cili duhet të marrë frymë, t’i zgjerojë mushkëritë për të mbijetuar”.

Në këtë periudhë filloi të ndërtohet diskursi publik se shqiptari është më i keq se turku osman, se dhuna dhe pushtimi osman është më i butë se pushtimi i shqiptarëve ndaj serbeve. Shqiptarët arnautë shikoheshin si mbetje osmane, pasi e pranuan fenë e pushtuesit dhe në këtë drejtim janë më të këqij se pushtuesi. Prandaj, rezistenca e filluar ndaj pushtuesit osman duhet të vazhdojë edhe ndaj mbetjeve osmane, shpesh të cilësuar si arnautë, thoshte Cvijiqi.

Nga këngët kryesore të cilat besohet se i kanë kontribuar konstruksionit identitar nacional serb për ta dëshmuar të drejtën historike, religjioze mbi Kosovën janë ato të tubuara nga Vuk Karaxhiqi, Sima Milutnoviqi, Njegoshi etj. Një perceptim të tillë mbi epikën popullore, si një shprehje e veçantë kolektive e vetëdijes nacionale, e kanë përforcuar pasardhësit e Karaxhiqit. Ajo që mund të konstestohet në këtë mes është origjina e këtyre këngëve, e cila në disa raste nuk shkon më shumë se deri në gjysmën e shekullit XVII. Pavlloviqi e përmend se origjina e këtyre këngëve është përmbledhje nga lahutarët profesionistë të “akademisë së Irigut”. Në këtë akademi tuboheshin këngëtarë e lahutarë të verbër, të cilët këndonin këngë kushtuar lavdisë serbe në Betejën e Kosovës dhe martirizimit të Princ Llazarit. Pas shpërnguljes së madhe, të pretenduar, serbe nga Kosova, tërë infrastruktura shpirtërore kishtare serbe ishte vendosur në manastire e kisha të ndërtuara në Frushka Gorë. Aty ruhej trashëgimia shpirtërore serbe. Nuk është se i ka prishur shumë punë Karaxhiqit dhe të tjerëve origjina e këngëve epike serbe për Kosovën serbe. Në të vërtetë, ato mund të ishin vetëm rrëfime të një ndërmarrjeje institucionale të folklorit dhe trashëgimisë orale e fillimit të shek XIX, para se të jenë burimore të lidhura me ngjarjet e më hershme. Për Habermasin, manipulimi i traditës nga nacional-romantikët në ndërtimin e miteve dhe konstruksioneve ideologjike nuk është në kundërthënie me etikën shkencore. Është interesant se miti i Kosovës në fund të shekullit XIX dhe XX luan një rol të rëndësishëm edhe në ideologjinë jugosllave në përpjekje për të ngjizur një konstruksion të ri identitar nacional – panjugosllavizmin. Kroatët Gërga Martiq dhe Armin Paviq i përpunojnë këngët e tyre për t’i përbashkuar në një ep unik – “Këngët popullore për betejën e Kosovës në vitin 1389”. Dubrovnikasi Ivo Vojnoviq e vuri në skenë dramën e tij “Vdekja e Nënës Jugoviq”, këngë e shkruar me motive kosovare, e cila promovonte solidaritetin serbo-kroat. Skulptori kroat Ivan Meshtroviq, udhëheqës i idesë së jugosllavizmit, e kishte dhënë idenë e disenjimit të tempullit monumental të Shën Vidit, ku do të shënoheshin emrat e heronjve të Betejës së Kosovës. Përpjekje të ngjashme ka pasur edhe në kulturën hungareze të përvetësimit të mitit mbi Betejën e Kosovës, sikur ka filluar kjo të provohet edhe nga shqiptarët nga fillimi i shekullit XX e këndej.

Narrativa socialdemokrate antiluftarake ndaj shqiptarëve

Në kohën e Mbretërisë Serbo Kroato Sllovene, në diskursin nacional serb, Kosova ishte qëllim lufte dhe pushtimi. Kurikula shkollore, propaganda e shtypit të kohës dhe shteti jepte kushtrimin për pushtimin e “tokës së premtuar”. Kisha serbe ishte vendosur në shërbim të një fushate psikologjike për indoktrinimin e turmave për rivendosjen e së drejtës historike – pushtimin e Kosovës. Gjatë gjithë luftës, gazeta “Politika”, në kolonën e saj të rregullt, raportonte: “Beogradi për luftë”. Edhe gazetat e tjera proqeveritare shkruanin për entuziazmin dhe heroizmat e vullnetarëve në luftën e Kosovës.

Në një gjendje të kushtrimit historik për territor, luftë e gjak, lëvizja socialdemokrate majtiste në Beograd angazhohej për ta denoncuar këtë propagandë të një nacionalizmi të shfrenuar. Kjo lëvizje po i denonconte vrasjet, krimet, internimet dhe gjenocidin e ushtrisë serbe në Kosovë. Në këtë drejtim, gazeta “Radniçka Novina”, me tekstet e Tucoviqit, Novakoviqit dhe Vasiqit, të ndikuar nga idetë majtiste, po provonin të argumentonin se kjo është luftë imperialiste, që po krijonte një hendek në mes shqiptarëve dhe serbëve. Kjo lëvizje angazhohej për një projekt të një federate ballkanike, të bazuar mbi bashkëpunimin dhe barazinë e popujve të Ballkanit. Dimitrije Tucoviqi po ofronte një projekt mbi idenë e grupimit politik dhe ekonomik për të gjithë popujt e Ballkanit, në bazë të demokracisë së plotë dhe barazisë sociale brenda një federate të republikave.

Libri i Aleksandër Pavlloviqit, i përmendur më lart, është një përpjekje për të na përballur me një të vërtetë tjetër nga ajo e historiografisë zyrtare në marrëdhëniet shqiptaro serbe. Në dritën e realiteteve të reja, kur procesi i pavarësisë së Kosovës është fakt i përfunduar, libri ofron shkëndija shprese për të ofruar një qasje tjetër në ndërtimin e këtyre marrëdhënieve, i dekonstruktuar nga ideologjia nacional-romantike dhe mitike mbi Kosovën.

Armiqësia serbo-shqiptare nuk është historike dhe sui generis vetëm për këta dy popuj. Në histori ngjashëm ka pasur armiqësi edhe mes popujve tjerë, madje ka qenë edhe më e theksuar, por që sot jetojnë dhe ndërtojnë ardhmëri të përbashkëta. Afër i kemi, por nuk dëshirojmë të marrim përvoja pozitive nga ta, edhe pse dëshirojmë të integrohemi në familjen europiane.

E vështirë është ta mendosh se fati i këtij libri dhe i atyre që besojnë në pajtimin e popujve ta ketë fatin e atij që flet të vërtetat në mesin e të verbërve. Pavarësisht të vërtetës që i flet, gjithçka është e pabesueshme. Megjithatë, urat e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe pajtimit nuk kanë alternativë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X