loader image
May 24, 2024

Zoti ia ka shpallur njeriut tre Libra

Kështu, nëse e rrumbullakojmë këtë që thamë më sipër, duke u bazuar në ajetet e lartpërmendura, mund të themi se Zoti ia zbulon njeriut shenjat e Tij në tre nivele: në Libër, në Univers dhe në vetë Njeriun. Por, radhitja më e saktë do ishte së pari Universi, më pas Libri dhe më në fund Vetja e njeriut, ngase njeriu së pari vjen në kontakt me shenjat e Universit, më pas me shenjat e Librit dhe më në fund fillon t’i vërejë shenjat në Vetveten e tij.

Shkruan: Muharem JAHJA, Gostivar

Në të vërtetë, titulli më i saktë i këtij shkrimi do të ishte “Zoti i shpall njeriut tre Kur’ana”, kjo në trajtën e kohës së tashme. Se pse ashtu do të ishte më i saktë, këtë do ta shohim më poshtë. Së pari le ta shohim se cilat janë librat e shenjtë të shpallur nga Zoti dhe çfarë kuptimi gjuhësor kanë emrat e këtyre librave. Libri i parë, i shpallur nga Zoti profetit Musa a.s., është Tevrati ose, në versionin biblik, Torah. Kuptimi gjuhësor i këtij emri në hebraisht është “ligj, udhëzim, sheriat”. Libri i dytë është Zeburi ose, në versionin biblik, Psalteri ose Psalmet. Ai i është shpallur profetit Davud a.s. Kuptimi gjuhësor i Zeburit është “këndime (ilahije) dhe lavdërime për Zotin”. Libri i tretë nga Zoti, i shpallur Isait a.s., është Inxhīli, versioni biblik i të cilit në gjuhën shqipe është Ungjilli, një emër i huazuar nga latinishtja (Evangelium), që nga aspekti gjuhësor e ka kuptimin “lajm i mirë, sihariq ose myzhde”. Ndërkaq libri i katërt, siç dihet, është Kur’ani, i shpallur profetit të fundit, Muhammedit a.s., me të cilin merr fund edhe cikli profetik, si dhe cikli i shpalljeve hyjnore. Edhe nga gjuhëtarët pse ka shpjegime të ndryshme për kuptimin etimologjik të fjalës “Kur’an”, mendimi më i përhapur dhe më i pranuar është se rrjedh nga rrënja “k-r-a”, nga e cila rrjedh edhe folja “kare’e” që do të thotë “me lexue; me mbledh”. Nëse merret parasysh se fjala “Kur’an” është në formë të infinitivit, sipas shumicës së filologëve, Kur’an do të thotë “Lexim” ose, nëse e marrim me kuptimin e dytë, mund të themi “Përmbledhje”.

Për ta pasqyruar më mirë këtë që e thamë më sipër, këtë mund ta shprehim edhe në formë tabelore:

 Versioni kur’anorVersioni biblikKuptimi gjuhësorEmri i profetit
1.TevratiToraLigj fetar, sheriatMusa a.s.
2.ZeburPsalmet, PsalteriLëvdime me melodi, ilahijeDavudi a.s.
3.InxhiliUngjilli, EvangeliumSihariq, lajmë i bukurIsai a.s.
4.Kur’aniLeximMuhammedi a.s.

 

Çdokush që e ka lexuar Kur’anin, madje edhe vetëm njëherë, ka vërejtur se në Kur’an ka ajete që kanë të bëjnë me Sheriatin (ligjin fetar), ajete që janë madhërime e lavdërime për Zotin, po ashtu edhe recitimi i Kur’anit është melodik, njësoj si Zeburi, ndërsa një ndër emrat e Kur’anit është edhe “Bushrā”, që do të thotë sihariq, myzhde ose lajm i mirë, pikërisht si kuptimi i fjalës Inxhil. Me fjalë të tjera, mund të thuhet se Kur’ani është përmbledhës i kuptimeve kryesore të emrave të shpalljeve të mëparshme, me çka ndoshta përputhet me kuptimin e dytë të fjalës “Kur’an”, pra “Përmbledhje”.

Nëse i analizojmë kuptimet gjuhësore të emrave të librave të shenjtë, do të vërejmë se të gjithë kanë një konotacion religjioz, përveç Kur’anit, që e ka kuptimin lexim ose përmbledhje. Fjala “lexim” në shikim të parë është një fjalë e përgjithshme dhe neutrale, që nga çdokush mund të kuptohet, një kuptim i thjeshtë i aktit të leximit, që mund të jetë leximi i ndonjë libri, tregimi ose mbishkrimi etj. dhe nuk ofron fare ndonjë konotacion religjioz ose enigmatik. Shtrohet pyetja se pse Zoti, për shpalljen e Tij të fundit, ka zgjedhur një emërtim kaq të thjeshtë si “Leximi” (Kur’an)?! Edhe pse e dimë se Kur’ani ka edhe emërtime të tjera, që bartin në vete një mesazh ose një simbol teologjik, si Furkan (Mjet dallues i së vërtetës nga gënjeshtra), Huda (Udhërrëfyes), Bushra (Sihariq), Nur (Dritë) e shumë të tjerë, pse nuk mori një emër nga këta, që ka konotacion religjioz dhe ka një simbolikë, por thjesht u quajt “Lexim” – Kur’an?!

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le t’i referohemi pak edhe etimologjisë dhe semantikës. Kur’ani, siç e dimë, përbëhet nga 114 sure, ndërsa suret përbëhen nga ajete. Fjala “ājet” në gjuhën shqipe shpesh përkthehet si varg, por ky përkthim nuk është krejt i saktë, ngase varg në gjuhën arabe quhet “bejt”. Ndërkaq, nga aspekti kuptimor, fjala “ājet”, sipas filologëve arabë, do të thotë “shenjë”. Sa për ilustrim po e marrim ajetin e parë të sures Jusuf: “Elif. Lamë. Ra. Këto janë ajetet e librit të qartë” (Përkth. Sherif Ahmeti). Të njëjtin ajet Hasan Nahi e përkthen me: “Elif. Lamë. Ra. Këto janë vargjet e librit të qartë”. E nëse këtë ajet e përkthejmë me kuptimin e tij burimor, atëherë na del kështu: “Elif. Lamë. Ra. Këto janë shenjat e librit të qartë”. Pra, çdo fjali, gjegjësisht çdo varg në Kur’an, është shenjë dhe ajo shenjë në gjuhën arabe quhet ajet, pra nuk quhet as fjali (xhumleh) e as varg (bejt). Rrjedhimisht, Kur’ani është një “Përmbledhje Shenjash” – (siç e pamë më lart, “Përmbledhje” ishte një ndër dy kuptimet e fjalës Kur’an). Nga kjo na del se kur ne e lexojmë Kur’anin, në fakt i lexojmë shenjat.

Tani le ta shohim nga aspekti semantik se çfarë nënkuptojnë fjalët “shenjë” dhe “lexim”, për t’i kompletuar kështu premisat që nevojiten për t’iu përgjigjur pyetjes së mësipërme. Fjala shenjë, nga aspekti semantik, nënkupton një objekt, një fjalë a një gjest, që na përcjell një informacion, një kuptim, një udhëzim ose një porosi. Për ilustrim mund t’i marrim shenjat e trafikut, të cilat na informojnë, kanë më së pakti një kuptim dhe na udhëzojnë që ta arrijmë cakun e udhëtimit. Pra, një shenjë patjetër në vetë të përmbaj një kuptim, një udhëzim ose një porosi. Në të kundërtën, nuk mund të konsiderohet si shenjë. Sinonimet e fjalës “shenjë” janë simbol, mesazh, kuptim e të ngjashme. Veç kësaj, mund të thuhet se fjala “shenjë” është një “term i përgjithshëm” (hipernim), i cili i përmban në vete kuptimet si simbol, mesazh, kuptim, udhëzim etj. Pra, një shenjë simbolizon diçka, jep një mesazh, mban në vete më së paku një kuptim dhe mund të udhëzojë në diçka. Nga kjo del se Kur’ani është një “Përmbledhje shenjash” ose “Përmbledhje simbolesh”. Shenjat ose simbolet duhet t’i lexojmë dhe t’i kuptojmë se çfarë tregojnë ato ose çfarë simbolizojnë, çfarë mesazhe na japin ose në cilin drejtim na udhëzojnë. Përndryshe, nëse nuk jemi në gjendje t’i lexojmë ato dhe t’i kuptojmë saktë, atëherë ato shenja janë të pavlera për ne edhe pse qëndrojnë para nesh. Ato janë aty, përpara syve tanë, por paaftësia jonë për t’i lexuar e kuptuar ato nuk na sjell ndonjë dobi në udhëtimin tonë. Kjo na detyron të merremi edhe me kuptimin dhe semantikën fjalës “lexim”, për ta kuptuar se si duhet lexuar shenjat. Këtë do ta bëjmë më poshtë, por së pari ta shohim se çfarë na thotë ende Zoti në Kur’an për “shenjat” (ar. ājet shum. ājāt).

Zoti në shumë vende në Kur’an, siç e pamë edhe më lart (12:1), vargjet e Kur’anit i emërton me ājāt, pra shenja. Ndërkaq, jo vetëm vargjet e Kur’anit i emërton me shenja, por edhe shumë gjëra tjera. Fjala “ājet”, së bashku me shumësin e saj “ājāt” në Kur’an përmendet më tepër se 350 herë, që mbase mund të jetë edhe fjala më e përmendur në Kur’an, që është edhe një arsye më tepër të merremi më për së afërmi me këtë fjalë dhe ta shohim se cilat gjëra të tjera Ai i emërton si shenja. Në suren “Rūm”, duke filluar nga ajeti 20 e deri në ajetin 25, tema kryesore janë shenjat e Zotit. Për hir të pasqyrimit, këtu po i citojmë sipas përkthimit të Hasan Nahit dhe më pas do t’i i analizojmë:

“20. Një prej shenjave të Tij është që Ai ju krijoi prej dheut, pastaj ja, tashmë ju jeni njerëz të shpërndarë në të gjitha anët. 21. Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë. 22. Ndërmjet shenjave të Tij janë krijimi i qiejve e i Tokës dhe shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja. Pa dyshim, në këtë ka shenja për ata që dinë. 23. Të tjera shenja të Tij janë gjumi juaj natën e ditën dhe kërkesa e juaj nga dhuntitë e Tij. Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që dëgjojnë. 24. Gjithashtu, prej shenjave të Tij janë paraqitja e vetëtimës si frikë e shpresë dhe dërgimi i shiut prej qiellit, që nëpërmjet tij të gjallërohet toka pas shkretimit të saj. Sigurisht, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë. 25. Dhe një prej shenjave të Tij është që qiejt dhe Toka qëndrojnë sipas urdhrit të Tij, pastaj kur t’ju thërrasë Ai, me një të thirrur, ju përnjëherë do të dilni nga toka (të ringjallur).”

Nga ajetet e cituara shohim se Zoti i konsideron shenja të Tij krijimin e njeriut nga dheu dhe shpërndarjen e tij në të gjitha anët e botës, krijimin e bashkëshortit/bashkëshortes dhe dashurinë mes tyre, krijimin e tokës dhe të qiejve, shumëllojshmërinë e gjuhëve, që nënkupton se çdo gjuhë është një shenjë e Zotit, si dhe të racave. Madje, edhe gjumi që e bëjmë është një shenjë, njësoj si edhe mundimi ynë brenda ditës. Jo vetëm kaq, por edhe dukuritë natyrore, si vetëtima, shiu dhe ringjallja e tokës nëpërmjet shiut, janë nga shenjat e Tij. Natyrisht, jo çdokush mund t’i lexojë e t’i kuptojë këto shenja, ngase sipas Kur’anit këto janë shenja vetëm për njerëzit “që mendojnë” (ja’kilūn), “që dëgjojnë” – ia vënë veshin (jesma’ūn) dhe “kuptojnë” (jefkahūn).

Në ajetin 162 të sures “Bakarah”, këmbimi i natës me ditën, anijet që lundrojnë nëpër det, uji i zbritur nga qielli, gjithfarë gjallesash të shpërndara nëpër tokë, pra çdo gjallesë, si edhe erërat e retë që qëndrojnë midis qiellit dhe tokës, të gjitha këto – thotë Zoti – janë shenja për njerëzit që mendojnë. Në ajetet e ndryshme në Kur’an si shenjë janë edhe dielli, hëna, yjet, kalkulimi i viteve, deti, toka, bimët e çdo lloji, pemët e perimet, kafshët dhe gjithçka që ka krijuar Ai në tokë me ngjyra të ndryshme (16:13). Me një fjalë, nëse e lexojmë Kur’anin me kujdes, do të shohim se gjithçka në ekzistencë dhe në këtë universe është një shenjë në vete. Këtë më së miri e shpreh ajeti kur’anor 41:53:

“Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai është e vërteta. Vallë, a nuk të mjafton ty që, Zoti yt është Dëshmues i çdo gjëje?!”

Pra, pikërisht siç është Kur’ani një “Përmbledhje shenjash”, ashtu edhe universi në realitet është një “Përmbledhje shenjash”. Nga kjo del konstatimi se libri ose Kur’ani i dytë i shpallur njeriut është vet Universi që na rrethon dhe në të cilin edhe gjendemi, kjo ngase ashtu si të gjitha vargjet e Kur’anit që janë nga një shenjë, ashtu edhe të gjitha krijesat në kozmos janë nga një shenjë. Pra, përpara kemi një Kur’an në formë të librit dhe një Kur’an në formë të Universit. Në të parin shenjat janë fjalët e Zotit, por edhe në të dytin shenjat janë fjalët e Zotit, ngase të gjitha krijesat, sipas Kur’anit, janë nga një fjalë e Zotit, sepse Ai krijon me fjalë duke thënë “Bëhu! Dhe bëhet!” (Kun fe-jekun).

Tani, cili është Kur’ani i tretë? Para se ta zbulojmë Kur’anin e tretë, të bëjmë një digresion të rëndësishëm sa i përket Kur’anit të dytë, pra Universit! Disa nga këto shenja në univers janë më të mëdha e disa më të vogla, disa më të rëndësishme e disa më pak të rëndësishme, disa janë të qarta, mbartin vetëm një kuptim, ndërsa disa janë më të ndërlikuara dhe mbartin më shumë kuptime (Krahaso 3:7). Por, një shenjë pa dyshim se është më e madhe, më e rëndësishme dhe më e ndërlikuar nga të gjitha shenjat në këtë univers. Vallë, cila është ajo shenjë? Sipas asaj që jep të kuptohet nga Kur’ani, shenja më e madhe e Zotit në univers pa dyshim është vetë NJERIU! Se pse është njeriu shenja më e madhe e Zotit, këta do ta shtjellojmë më poshtë. Por, tani kërkohet nga ata që më e dinë dhe e pranojnë se njeriu është shenja më e madhe e Zotit ta imagjinojnë se si do të ishin raportet ndërnjerëzore nëse besimtarët do të këmbenin dhe komunikonin mes vete vazhdimisht me bindjen se përballë tyre qëndron SHENJA MË E MADHE E ZOTIT, pra njeriu?! Dhe, si do të sillej njeriu nëse e di se ai vetë po ashtu është shenja më e madhe e Tij?! Çfarë respekti meriton kjo shenjë sipas pozitës që e ka në oqeanin e shenjave?! Po ashtu, si do të ishte raporti i njeriut me natyrën, me kafshët, me bimët dhe me mjedisin e tij nëse ai do të ishte i vetëdijshëm se të gjitha ato janë shenjat e Zotit?!

Sa i përket Kur’anit të tretë ose, thënë ndryshe, “Përmbledhjes së tretë të Shenjave” ose “Vendshfaqjes së tretë të Shenjave”, pasi që “Vendshfaqja e parë e Shenjave” është Kur’ani si libër dhe “Vendshfaqja e dytë e Shenjave” është Universi (Kur’an), shtrohet pyetja cila është Vendshfaqja e tretë? Vendshfaqjen e tretë përsëri na e zbulon ajeti i lartpërmendur 41:53:

“Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai është e vërteta. Vallë, a nuk të mjafton ty që, Zoti yt është Dëshmues i çdo gjëje?!”.

Si dhe në ajetet:

Në tokë ka shenja për ata që besojnë me bindje, po edhe në vetët tuaja –  a nuk e shihni vallë?!” (51:21-22).

Pra, Zoti i shfaq (i zbulon) shenjat e Tij në Libër, i shfaq në hapësirat tokësore e qiellore dhe i shfaq ato në vetveten tonë. Si rrjedhim, kemi një Kur’an si libër, një Kur’an si univers dhe një Kur’an si vetja jonë. Ose, sipas premisave të mësipërme, “Një Përmbledhje shenjash në libër”, “Një përmbledhje shenjash në univers” si dhe “Një përmbledhje shenjash në vetveten tonë”. Sikur që Libri dhe Universi që janë vendshfaqje dhe bartëse të shenjave të Zotit, edhe vetja e njeriut është po ashtu Vendshfaqja dhe është bartëse e shenjave të Zotit, qoftë njeriu i vetëdijshëm për këtë ose jo. Sikur që ka njerëz që janë të pavetëdijshëm për shenjat në Kur’an dhe të pavetëdijshëm për shenjat e Zotit në Univers, edhe pse shenjat janë aty, po ashtu ka edhe njerëz që janë të pavetëdijshëm për shenjat e Zotit në vetveten e tyre, të pavetëdijshëm për shfaqjen e tyre tek vetvetja e tyre, edhe pse ato shfaqen pandërprerë. Nëse, në bazë të asaj që u tha më sipër, themi se bartësit e fjalëve të Zotit janë Libri, Universi dhe Njeriu, nuk mund të kalojmë pa e përmendur hadithin e Pejgamberit a.s. “Eshrāfu ummetī hameletu’l-Kur’ān”, që në përkthim do të thotë: “Më të nderuarit e ymmetit tim janë bartësit e Kur’anit”. Shumica e komentatorëve të këtij hadithi thonë se fjala “bartësit e Kur’anit” ka për qëllim hafizët, pra ata që e kanë nxënë Kur’anin përmendësh, por në dritën që u tha më lart dhe duke e marrë para sysh se Pejgamberit i është dhënë “xhevāmiu’l-kelim”, që mund të përkthehet si “dhunti për të shprehur shumë kuptime me pak fjalë”, mund të thuhet se “bartësit e Kur’anit” janë edhe ata që bëhen të vetëdijshëm për shfaqjen e shenjave të Zotit në vetveten e tyre. Duke qenë bartës i fjalës së Zotit, i shenjave të Zotit, njeriu është Kur’ani që ec, qoftë i vetëdijshëm për këtë apo jo. Rrjedhimisht, mospërfillja dhe mosrespektimi i njeriut që qëndron përpara nesh do të thotë mospërfillje ndaj bartësit të Kur’anit, mosrespektim ndaj Shenjës më të Madhe të Zotit, pra njeriut, mëkëmbësit të Zotit në tokë. Kjo pozitë e të qenit “mëkëmbës i Zotit në tokë (2:30)” dhe se gjithçka në tokë e qiej është krijuar dhe është vënë në shërbim të këtij “mëkëmbësi” është edhe një tregues se njeriu është shenja më e madhe e Zotit. Në fund të fundit, njeriu bart në vete një Frymë nga Shpirti i Zotit (15:29) dhe vetëm atij, për dallim nga të gjitha krijesat e tjera, iu kanë mësuar të gjithë emrat (2:31), qoftë ai i vetëdijshëm për këtë pozitë që e ka apo jo.

Kështu, nëse e rrumbullakojmë këtë që thamë më sipër, duke u bazuar në ajetet e lartpërmendura, mund të themi se Zoti ia zbulon njeriut shenjat e Tij në tre nivele: në Libër, në Univers dhe në vetë Njeriun. Por, radhitja më e saktë do ishte së pari Universi, më pas Libri dhe më në fund Vetja e njeriut, ngase njeriu së pari vjen në kontakt me shenjat e Universit, më pas me shenjat e Librit dhe më në fund fillon t’i vërejë shenjat në Vetveten e tij. Themi “zbulon” në trajtën e kohës së tashme, ngase këto shenja na shpallen vazhdimisht ose, thënë më saktë, kuptimet e tyre na zbulohen gjatë gjithë jetës tonë. Ashtu siç na zbulohen vazhdimisht kuptimet e gjërave dhe ngjarjeve në Univers, ashtu na zbulohen edhe kuptimet e ajeteve (shenjave) të Kur’anit, sikurse na zbulohen edhe kuptimet e shenjave (ajeteve) që shfaqen në veten tonë. Por, siç thamë më lart, këto shenja Zoti ua zbulon vetëm atyre që mendojnë, dëgjojnë ose kuptojnë. Edhe pse këto shenja vazhdimisht zbulohen ose shfaqen në tre nivele, “shumica e njerëzve nuk ua vënë veshin shenjave të Zotit” (10:92).

Tani le të merremi pak me semantikën e fjalës “lexim”, që është edhe kuptimi i fjalës Kur’an. Nëse e pyesim një fëmijë, që sapo i ka mësuar shkronjat, se ç’është leximi, përgjigjen që do ta marrim nga ai me siguri do të ishte se “lexim do të thotë me i lidh shkronjat”, që s’është fare gabim, ngase duke i lidhur shkronjat me njëra-tjetrën ashtu formohet fjala. E njëjta gjë vlen edhe për leximin e të rriturve, me një dallim se të rriturit në vend që të krijojnë lidhje mes shkronjave, ata krijojnë lidhje mes fjalëve dhe koncepteve. Pra, akti i leximit nënkupton krijimin e lidhshmërisë ndërmjet fjalëve dhe kuptimeve të tyre, duke krijuar në kokën tonë një kuptim më të thelle sesa vetë fjalët ose konceptet një nga një. Këtu duhet përmendur se edhe vetë fjalët nga një aspekt janë simbole, pra shenja, ngase përmbajnë në vete më së paku një kuptim. Sipas kësaj, mund të thuhet se lexim d.m.th. krijim i lidhjes mes shenjave të ndryshme. Ai që ka më tepër aftësi të krijojë lidhje te ndryshme dhe më të thella ndërmjet fjalëve dhe koncepteve, ai e kupton një tekst të lexuar më mirë sesa të tjerët që nuk e kanë këtë aftësi. E njëjta gjë vlen për të gjitha tekstet, siç që vlen edhe për Kur’anin. Ai që arrin të krijojë lidhje konceptuale ndërmjet fjalëve të ajeteve dhe gjithashtu zotëron aftësi të krijojë edhe lidhje ndërmjet ajeteve të ndryshme brenda Kur’anit, ai e kupton Kur’anin më mirë se ata që nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë. Më tutje, ai i cili arrin të krijojë lidhje dhe raporte mes ajeteve (shenjave) të Kur’anit dhe mes ajeteve (shenjave) të Universit, duke i vërejtur paralelet mes dy Kur’anëve, e kupton më mirë edhe Kur’anin, por edhe Universin, më mire se ai i cili nuk është në gjendje ta bëjë këtë. Dhe, më në fund, atij të cilit i jepet aftësia të krijojë lidhje dhe raporte mes ajeteve të Kur’anit, ajeteve të Universit dhe ajeteve që i shfaq Zoti te vetë njeriu, duke i vërejtur paralelet dhe korrelacionet mes të triave, e kupton Kur’anin në mënyrë më të kompletuar, e kupton Universin ende më mirë sesa herët e para, siç e kupton dhe e njeh tani edhe vetveten më mirë. Njohja e vetvetes gati në të gjitha traditat shpirtërore zë vend të lartë. Gjithashtu, edhe në traditën e Islamit njohja e vetvetes zë një vend qendror, ndërsa bazohet në hadithin e Pejgamberit (a.s.): “Kush e njeh veten, e ka njohur Zotin e tij (Men arafe nefsehu, fe-kad arafe rabbehu)”. Pra, kush arrin ta lexojë Kur’anin në tre nivele, i rrokë kuptimet e Kur’anit në mënyrë më të kompletuar dhe kështu ia del ta njohë edhe vetveten në mënyrë më të përkryer.

Ky proces i leximit të shenjave në tre nivele bëhet ashtu që së pari e vërejmë një ngjarje ose ndonjë paradigmë në botën e jashtme, pra në Univers, për të cilën e gjejmë edhe refleksionin e saj në ndonjë ajet kur’anor ose, e kundërta, më pas atë që e kemi vërejtur në botën e jashtme dhe në Kur’an e vërejmë edhe në botën tonë të brendshme dhe kështu krijohet korrelacioni mes të tre niveleve dhe, rrjedhimisht, mesazhi i dhënë nga ajeti (shenja) në fjalë bëhet i qartë për ne dhe kështu na e lehtëson rrugëtimin drejt qëllimit. Të mos harrojmë se leximi i shenjave, sado qoftë i rëndësishëm, nuk është qëllim në vete, por është mjet. Sikur që rruga e drejtë nuk është qëllimi, por mjeti që na sjell drejt qëllimit, ashtu edhe leximi i shenjave është mjet që na e lehtëson rrugëtimin dhe qëndrimin mbi rrugën e drejtë për të mos devijuar nga qëllimi i udhëtimit. Sa ma mirë dimë t’i lexojmë shenjat, aq më lehtë mund të ecim në rrugën e drejtë dhe aq më shpejt mund ta arrijmë Qëllimin.

Tani të themi nja dy fjalë edhe për aktin e leximit, që është kuptimi i fjalës Kur’an. Në thelb, akti i leximit të Kur’anit është akt i leximit të shenjave. Gjithë kjo që u tha më sipër na jep të kuptojmë se pse Zoti e ka emërtuar shpalljen e Tij të fundit me Lexim dhe pse fjala e parë e kësaj shpalljeje është “Lexo” (ikr’a) – sepse leximi është arti më i lartë që i është dhënë njeriut: Mëshiruesi, e mësoi [njeriun] Kur’anin (leximin e shenjave – vër. M.J.)Er-rahmān, al-leme’l-kur’ān” (55:1,2), pra, e mësoi atë leximin e shenjave. Ky ajet na tregon se aftësia për leximin e shenjave të Zotit është latente te çdo njeri. Me fjalë të tjera, Kur’an d.t.th. art i leximit të shenjave të Zotit dhe ky art është më i kompletuar kur lexohet në tre nivele njëkohësisht dhe këtë art ia mëson njeriut vetëm Mëshiruesi, ngase Ai është i cili e mëson njeriun atë që nuk e di (96:5), i lartësuar qoftë Allahu Sunduesi i Vërtetë dhe mos nxito me Leximin (Kur’anin) para se të përfundojë shpallja e tij dhe thuaj: O Zoti im më shto me dije! (20:114).

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X