loader image
April 22, 2025

Zërat në shkretëtirë dhe çrregullimi global

Tani, në kohën e një çrregullimi global, fjalën kryesore e kanë fuqitë e mëdha. Popujt e vegjël janë spektatorë. Janë të përjashtuar nga mundësia që t’u japin leksione “të mëdhenjve”, edhe nëse e drejta mund të jetë në anën e tyre. Popujt e vegjël janë në paradhomë dhe jo në tavolinën e negociatave. Aty i presin vendimet e fuqive të mëdha, për të cilat shpesh nuk vlejnë parimet morale, por vetëm interesat e mëdha, që shkaktojnë edhe konflikte të mëdha. Popujt e vegjël kanë nevojë për aleatë të mëdhenj.

Salajdin SALIHU, Tetovë

Mjafton të fillojë dhe gjithçka mund të shkojë në theqafje… Bota duket se gjendet përpara kësaj sfide, përpara një çrregullimi global. Situata bëhet më kaotike dhe më e paparashikueshme. Kemi plasaritje edhe në aleancat e natyrshme shumëvjeçare. Liderët europianë sot flasin për “hyrje në epokë të re” (Emannuel Macron), për “mbrojtje me çfarëdo çmimi qoftë” (Friedrich Merz) apo për “programe stërvitjeje ushtarake në shkallë të gjerë”, si pasojë e situatës së sigurisë në Europë (Donald Tusk). Ushtarakë me grada të larta nuk e përjashtojnë një luftë të madhe në vitet e ardhshme.

Pas luftës në Ukrainë po ndryshon edhe qasja e liderëve të shteteve më të mëdha europiane. Të rënë në një delir të ëmbël dhe të bindur për një paqe të përjetshme, ata pushuan së parashikuari ditën e sotme. Ndryshe nga politikanët, shumë mendimtarë e shkrimtarë europianë e paralajmëruan atë që do të ndodhte, por ishin “zëra në shkretëtirë”.

Manifesti për Europën

Sot, bashkë me tronditjet globale, kemi forcim të ekstremizmit të djathtë. Këto lëvizje përdorin diskurs demonizues kundër “të huajve” edhe pse ata janë integruar dhe kontribuojnë për shoqëritë europiane.

E djathta e moderuar ndryshon nga lëvizjet e ekstremit të djathtë, që janë të afërta me Rusinë. Pikërisht te përplasjet brenda shoqërive europiane i vari shpresat Putini para fillimit të agresionit rus në Ukrainë.

Kundër formave të ndryshme ekstremiste patën reaguar shkrimtarët dhe intelektualët më të njohur nëpërmjet “Manifestit për Europën”. Manifesti, që u firmos nga Milan Kundera, Bernard – Henri Levy, Adam Mihniku, Orhan Pamuku, Adam Zagajevski, Mario Vargas Llosa, Ismail Kadare etj., i bënte ftesë botës intelektuale europiane që të dilte prej “kullës së fildishtë” dhe të ndikonte në politikën lokale, rajonale dhe europiane. Zëri i elitës intelektuale nuk guxonte të ishte i mefshtë. Kjo mefshtësi i ka kushtuar shtrenjtë Europës, ku ndodhën luftëra të tmerrshme, ndër më të tmerrshmet në historinë e botës.

Derisa zëri i mendimtarëve nuk dëgjohet, populistët dhe ksenofobët na orientojnë drejt “botës së mbyllur”, por Europa, si projekt, nuk e duron mbylljen. Ajo kërkon përkushtim dhe investim të përhershëm në bashkëpunim, dialog, hapje, ide të reja.

Personalitetet që e firmosën manifestin kanë dhënë kontribut të madh për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave europiane dhe për dialogun ndërmjet kulturave, kombeve dhe qytetërimeve.

Europa, sipas Bernard – Henri Lévyt, duhet të jetë hapësirë për koalicione kulturore, ku secila kulturë do ta ruajë origjinalitetin e saj. Milan Kundera besonte se shumëllojshmëria kulturore ishte vlera më e madhe europiane. Mario Vargas Llosa theksoi se projektet nacionaliste mbështeten vetëm te njeriu që udhëhiqet nga pasioni dhe jo nga idetë.

Vizioni i Zagajevskit

Poeti dhe eseisti polak Adam Zagajevski (1945 – 2021), para shumë vitesh, paralajmëroi se Europës së përgjumur i mungonin politikanët e mençur. Ai sinjalizoi se rrojmë në kohë të trishtë, sepse po rikthehen nacionalizmi dhe racizmi. E keqja mund të mposhtej vetëm duke mos i harruar katastrofat që ndodhën në të kaluarën.

Në sprovën “Europa jonë”, ai kërkoi që fjalën kryesore mos ta kishin vetëm politikanët, por edhe shkrimtarët e mendimtarët.

Zagajevski e ëndërroi një Europë solidare, që s’do t’i harronte rrënjët dhe gjeniun e saj krijues; do të punonte pareshtur për t’i fituar zemrat e qytetarëve të saj; nuk do të linte hapësirë për ksenofobinë, nacionalizmin dhe për anët e errëta të kapitalizmit. Në të kundërtën, do të ishte vetëm “trillim mahnitës”.

Zagajevski kërkoi që Europa Lindore dhe Qendrore të trajtoheshin “si pjesë përbërëse të një organizmi më të madh kulturor dhe jo si tokë e gjerë, e harruar dhe monotone”. Gjithashtu ai e kritikoi pasivitetin dhe paaftësinë e Europës për t’u dëshmuar kundër tmerreve që ndodhnin në kontinent dhe në botë. Ky pasivitet, sipas tij, ndodhte sepse elitat politike dhe intelektuale, siç tha, “i duan fjalët, por nuk dihet nëse i duan njësoj edhe veprat”.

Sipas Zagajevskit, qytetar europian është ai që beson tek Europa; që e kujton pjesën madhështore dhe të tmerrshme të historisë europiane; që nuk vuan nga mendjemadhësia dhe arroganca; që i respekton arritjet e iluminizmit, por pa harruar mesjetën; që e di se Europa ka nevojë për mendimin analitik, por edhe për lutjet, shkencat ekzakte e muzikën dhe nuk është shumë optimist për të ardhmen e politikës së jashtme europiane. Qytetari europian, nëse vjen nga “Europa e vjetër dhe e pasur”, nuk duhet të mbajë qëndrim patronizues ndaj europianëve “të rinj dhe më të varfër”, ndërkaq nëse vjen nga “Europa e re” duhet të jetë i vetëdijshëm se, përveç privilegjeve, ka edhe përgjegjësi. Qytetari europian është ai që lexon poezi, filozofi, teologji, romane serioze, histori dhe dëgjon muzikë. Dhe, ai duhet të lexojë poezi, sepse “demokracia ka nevojë për ndihmë, për një zë që vjen nga një shtresë më e thellë e realitetit”. Europa, sipas Zagajevskit, kishte diçka më shumë sesa struktura dhe legjislacioni i BE-së. Kjo ishte Europa që “jeton në rrugët e ngushta të qyteteve të vjetra dhe në mendjet e njerëzve”.

Ai paralajmëroi edhe për rrezikun rus. Rusia sot e shtrin ndikimin e saj edhe në Ballkan nëpërmjet shërbimeve të ndryshme, politikanëve autoritarë dhe të korruptuar. Në shtetet ku ka shkallë të lartë korrupsioni, krim të organizuar, ku nuk sundon ligji, aty krijohet hapësirë optimale për shtrirje të ndikimit rus, sepse të korruptuarit bashkëpunojnë me çdokënd për interesat e tyre. Të tillët gjithmonë i valëvisin flamujt e moralit dhe atdhedashurisë.

Paralajmërimi i Mihnikut

Disidenti Adam Mihniku, që mendon se Europa është projekt që bazohet mbi vlerat themelore të lirisë dhe demokracisë, paralajmëroi se në Europë ndodhin dy procese: i integrimit dhe i dezintegrimit. Dezintegrimi ishte pasojë e rritjes së nacionalizmit, i cili rritet si pasojë e pasigurisë. Në kohë pasigurie përkatësia bëhet mburojë dhe njëfarë sigurie.

Ai paralajmëroi se rreziku më i madh për demokracinë dhe për Europën ishte Putini, të cilin ai e krahasoi me Korleonen. “Presidenti rus, Vladimir Putin sillet si bos mafie. Duke e pushtuar dhe aneksuar Krimenë, ai ia drejtoi armët ruse Ukrainës dhe tha: ose sovranitetin territorial ose jetën. Deri tani, strategjia e tij ka funksionuar dhe Putini e di këtë. Bosët e mafies shpeshherë kanë fat të palumtur dhe unë nuk mendoj se Putini do të gjejë fat më të mirë në fund. Fatkeqësisht, shumë njerëz do të lëndohen ndërkohë, madje edhe ata që tani e mbështesin.” Mihniku nuk u pajtua as me metodat europiane për zbutjen e Putinit, sepse “ai është politikani që e ka aventurizmin dhe teprimin si stil jetese”.

Edhe mendimtarë të tjerë e parathanë se Europa ishte në krizë; se i mungonin zgjidhjet kundrejt sfidave, me të cilat përballej; se sfidohej nga populistët, ekstremistët, ksenofobët, zëri i të cilëve fuqizohet gjithnjë e më shumë në organet e vendimmarrjes politike.

Popuj në paradhomë

Tani, në kohën e një çrregullimi global, fjalën kryesore e kanë fuqitë e mëdha. Popujt e vegjël janë spektatorë. Janë të përjashtuar nga mundësia që t’u japin leksione “të mëdhenjve”, edhe nëse e drejta mund të jetë në anën e tyre. Popujt e vegjël janë në paradhomë dhe jo në tavolinën e negociatave. Aty i presin vendimet e fuqive të mëdha, për të cilat shpesh nuk vlejnë parimet morale, por vetëm interesat e mëdha, që shkaktojnë edhe konflikte të mëdha.

Popujt e vegjël kanë nevojë për aleatë të mëdhenj. Kjo vlen edhe për shqiptarët. Nuk do të dëshiroja të jemi në situatën kur do të duhej të zgjidhnin nëse do të ishim me Amerikën apo me Europën, sepse janë aleatët e natyrshëm.

Mjerisht, në këtë kohë, shumica e liderëve shqiptarë kanë prioritete të tjera. Ata merren me përfitimet ditore dhe nuk dinë ta lexojnë kohën që e jetojmë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X