Shlit-i e shqyrton pretendimin e gabuar të femrave perëndimore, të cilat e mendojnë veten baras me meshkujt, ndërsa vetë kanë nevojë për to dhe kanë dallime të lindura që nuk mund të anashkalohen. Në fakt, Shlit-i e konsideron mbulesën islame si ideal të humbur, pa të cilën njeriu nuk mund të përballojë nevojat e veta natyrore. Ajo nuk tregon pakujdesinë e burrit ndaj gruas, por i jep asaj kuptimin dhe rëndësinë e vlerave që posedon, duke i kufizuar shikimet që e konsiderojnë si një vegël për plotësimin e nevojave të veta personale.
Hajrudin. S. MUJA, Nju-Jork
Të gjendur ndërmjet metodave imponuese me pikëpamje të devijuara politike, ekonomike, intelektuale, sociale e kulturore, me një metodë mashtrimi, sprove e frikësimi, sot në mesin e njëmijë e një problemeve të pazgjidhura, “pushtetarët” dhe “intelektualët” kërkojnë shfrytëzimin e një tiranie të hapur, përmes sanksionimit të “ligjeve” shtetërore, me të cilat tentojnë t’ua ndalojnë vajzave të mbuluara hyrjet në shkolla publike! Një breshëri shkrimesh e debatesh kanë përfshirë sërish hapësirën e madhe mediatike dhe janë degraduar në nivelin më të neveritshëm.
Shumë “analistë” të cilët nuk mund të distancohen nga veset e trashëguara të monizmit, që atyre u pëlqen ta quajnë “laicizëm”, shprehin haptas injorancën e tyre se shamia nuk është obligim fetar, por një “rrezik” në referencë me një “Udhëzim Administrativ” të lëshuar nga Ministria e Arsimit të Kosovës më 28 Janar 2014, i barasvlershëm me narkotizmin, duhanin dhe armët e zjarrit! Ata, me mendësi të huazuar mesjetare, kërkojnë të na bindin se janë të vetmit njerëz “normalë” dhe po nuk mendove si ata, je nën ndikimin e “lavazhit ideologjik të mendjes” ose “një e keqe kombëtare” që duhet fshirë një herë e mirë! Tendencat e këtilla datojnë nga fillimet e nacionalizmit shqiptar, kur disa zëra të mekur e shihnin fenë e shumicës shqiptare jo vetëm si pengesë për shkëputjen nga shteti osman, por edhe për vetë patriotizmin shqiptar! U rritën pastaj gjatë sistemit monist, për të na sjellë sot retorikat islamofobe se një shami në kokën e një vajze shqiptare na qenka një synim për “shkombëtarizimin e shqiptarëve!” Është guxim prej budallai të përjashtosh dikë nga bashkësia kombëtare, qoftë për shkak të fesë, qoftë të ndonjë karakteristike tjetër personale. Një mendësi e tillë është mendësi çubrilloviqiane, e përgatitur në “kuzhinat” e Akademisë Serbe se: “Shqiptarët janë shumë të ndjeshëm kur është fjala për fenë (Islame), prandaj ata duhet të ngacmohen në këtë pikë”! Nuk e ka thënë Sokrati kot se: “Injoranca është origjina e gjithë të këqijave”.
Për ata që mbulesa është detyrim fetar, ndalimi i saj në shkolla publike paraqet problem serioz dhe cenim të drejtash elementare për jetë, siç është shkollimi. Ata janë të bindur se nënat më të mira dalin nga respektuesit e këtij rregulli dhe jo nga “të lirat që bëjnë çfarë të duan me jetën e tyre”. Ata mendojnë se bartja e shamisë është nën kompetencën e individit dhe jo të shtetit, aq më tepër kur kushtetuta u thotë se “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”. Mesazhi i parë i saj është vendosja për të hyrë në një jetë në pajtueshmëri me Zotin dhe dëshira e saj për t’u vlerësuar në bazë të veprave dhe virtytit dhe jo në bazë të bukurisë, elegancës dhe paraqitjes seksuale. Ata e shohin mbulesën si një “pjesë e gurit të çmuar, të cilën jo gjithkush mund ta prekë”.
Në të gjitha vendet normale të botës është e drejtë elementare që si prind t’u japin fëmijëve të tyre shkollim, edukatë, kulturë, fe e traditë, çfarë ata konsiderojnë se është më e dobishme për vetë fëmijën e tyre. Dhe, këtë të drejtë ekskluzive imponuese mbi fëmijën e gëzojnë për faktin se fëmija është i paaftë të japë gjykim të drejtë mbi veten. Nuk kërkojnë të mbulojnë askënd, por thjesht kërkojnë të zbatohet ligji dhe të jepen mundësi të barabarta për të gjithë. Në këtë mënyrë, shqiptarët sërish dalin të ndarë në “ne” dhe “ata”, ndarje që dëmtojnë dhe rrezikojnë frymën e përfolur të bashkëjetesës fetare dhe kohezionin shoqëror të shqiptarëve. Ata, me të drejtë, habiten përse nuk ndiqet shembulli i Perëndimit në këtë çështje.
Ç’është e vërteta, mbulesa e vajzave në Perëndim u përshkallëzua dukshëm me rritjen e kërkesave për mbulesën në nivel botëror. U morën vendime dhe propozime legjislative në disa vende të Europës, për ta ndaluar atë në institucione shkollore e qeveritare. Në mënyrë të pavetëdijshme konkluduan për “të çliruarit e grave nga mbulesa në aspektin social, për ta bërë të barabartë me burrat”, në kohën kur ajo edhe si e zbuluar nuk gjeti barazi me burrin as në aspektin politik, as në atë ekonomik, financiar, juridik e madje as në pagë. Por, Perëndimi, në pajtim me ligjin, së fundmi e kuptoi dhe e zgjidhi çështjen. Italia, edhe pse një vend me lidhje të forta me Kishën Katolike, shamitë e myslimaneve i lejoi në ambientet e shkollave dhe në zyrat publike, pasi “ato nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë publike”. Kur i kishin paraqitur kërkesën për ndalimin e mbulesës ish-ministrit të Brendshëm italian – Xhuliano Amato, ai i pati kundërshtuar me arsyetimin se “edhe Marija (e pikturuar në kishë) mban mbulesë”. Gjykata e Lartë e Gjermanisë ka lëshuar vendim, sipas të cilit mësueseve myslimane u lejohet bartja e shamive, sepse kjo “nuk dëmton vlerat e Kushtetutës Gjermane”. Gjykata e Apelit në Bruksel ka anuluar ndalesën e shamisë në shkolla, pasi “nuk bien në kundërshtim me parimet e neutralitetit dhe nuk përbëjnë provokim apo kërcënim publik” [Shadid & Koningsveld: 1995]. Në Danimarkë është e lejuar që mësueset dhe nxënëset të mbajnë shami në klasat e shkollave [Nielson: 1995]. Gjykata Britanike ka sjellë vendimin “për pjesëmarrjen e religjioneve” në sferat publike (1998), duke argumentuar se nuk ka pengesë për funksionimin e duhur të institucioneve. Në Amsterdam në vitin 1999, Komisioni për Trajtimin e Barabartë siguroi garancinë e lirisë së besimit, sepse ndalimi i shamisë do të përbënte diskriminim direkt [Economist, 25.10.2003]! Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Kanada ka lejuar nxënëset me shami, duke potencuar se institucionet sociale duhet të luajnë një rol kyç në integrimin social dhe jo t’i margjinalizojnë individët, duke i përjashtuar nga edukimi publik.
Derisa në Kosovë, edhe pse me shumicë dërrmuese myslimane [Račius: 2018], tentojnë të privojnë nga e drejta e shamisë në institucione publike, në pjesën tjetër të botës, ndonëse me shumicë dhe traditë të krishterë, kanë qindra raste të punësimeve të grave me shami në institucione publike dhe administrative dhe nuk ka të tilla shqetësime. Në vendin laik ku jetoj unë, liritë fetare dhe mbajtja e shamisë është e garantuar. Ato nuk diskriminohen as në shkollë, as në punë, as në administratë! Për të siguruar mirëqenien e grave myslimane, profesori i kimisë në Universititin e Meryland-it, Amar Johar, i ka hyrë një aventure interesante për përgatitjen dhe modelimin e një shamie islame, që të jep një ndjenjë flladi të freskët, të bërë nga pëlhura të rehatshme si mëndafshi dhe lloje të tjera!
Si Kongresi Amerikan, ashtu edhe Dhoma e Përfaqësuesve Anglezë, në poste të larta administrative kanë gra me shami. Sameera Fazili me shami u emërua zëvendësdrejtore e Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në Britaninë e Madhe Fatima Manji me shami u bë drejtuese e edicionit të lajmeve në Channel 4 News (2016)! Në Singapur Halima Yaqoub me shami u zgjodh Presidente prej vitit 2017. Modelen Mariah Idrissi-n nuk e pengoi shamia që të arrijë famën e saj dhe as Raffia Arshad-in të bëhet gjykatëse e rangut të lartë në Angli. Shamia nuk e pengoi kongresmenen amerikane, Ilhan Omar, as reporteren televizive Tahera Rahman, as ambasadoren e UNICEF-it, Halima Aden dhe as atleten, Ibtihaj Muhammed, që ta fitojë medaljen e bronzit në lojërat olimpike të 2016-tës.
Të marrish njëanësinë dhe qëndrimin negativ ndaj mbulesës, vështruar në këndin religjioz, nuk do të thotë të jesh vetëm kundër Islamit! Meqenëse modestia ka qenë normë morale dhe njerëzore e shoqërisë, gruaja ka qëndruar e mbuluar, pavarësisht kulturave dhe civilizimeve nëpër të cilat ka kaluar [Gafney: 2008; Meyers: 2005; Shama: 2010]. Në traditat e hershme hebraike, për shembull, mbulesa e gruas ka qenë urdhër i pazëvendësueshëm religjioz, që paraqiste mënyrën më efikase të luftës kundër lakuriqësisë dhe tradhtisë bashkëshortore, kurse në anën tjetër bënte pasqyrimin e grave të devotshme e fisnike [Elior: 2010]! Profesori i Universitetit “Yeshiva”, Rabini Menachem M. Brayer (1922-2007) në librin “Jewish Woman in Rabbinic Literature” [Gruaja çifute në librat e rabinëve (1985)], pasqyron rregullin e grave çifute, të cilat publikisht vendosnin mbulesë në kokë, ngandonjëherë duke e mbuluar edhe fytyrën dhe duke lënë vetëm njërin sy të lirë! Me këtë rast, Brayer-i citon thënie të rabinëve të vjetër, të cilët nuk i shihnin të pëlqyeshme gratë çifute që ecnin me kokë të zbuluara, ndërkohë që mallkonin meshkujt që lejonin gratë t’u duken flokët e tyre, pasi dukja e flokëve të saj sillte varfëri [Barland: 2008]! Gratë e zbuluara nuk mund të recitonin lutjet, ndërkohë që ligji i traditës dënonte me “400 zuzimë” secilën grua që dukej e zbuluar në publik. Kjo ishte pamja e femrës hebreje deri në shekullin XIX, kur jeta e tyre u përzie me kulturat laike [Brayer: 1986].
Në traditën e hershme të krishterë, mbulesa e gruas kishte një rëndësi të veçantë, por njëkohësisht edhe një Urdhër Ungjillor [Cohick: 2009]. Vetë Pali, të cilin shumë studiues e konsiderojnë si “themelues të Krishterimit” [Grant: 1982], në letrën drejtuar Korintasve [II/5-6, 13] shkruante: “po ndodhi që ndonjë grua nuk do të mbulojë kokën, le të qethet e le të përjashtohet…”! Në këtë vështrim, mbulesa e gruas paraqiste shenjën e autoritetit të burrit, i cili ishte imazhi dhe lavdia e Zotit mbi gruan që qe krijuar prej dhe për mashkullin. Për këtë edhe Shën Tertuliani, në librin e tij të famshëm “Për të mbuluarit e virgjëreshave”, shkruante: “vini mbulesat kur dilni jashtë në rrugë… kur jeni në kishë… në mes të të huajve… edhe kur jeni mes vëllezërve…” Këtë urdhër e zbatojnë edhe sot gratë e amishëve dhe menonitëve [Johnson – Weiner: 2006]. Sinonimi i gruas së devotshme të krishterë është nëna e Jezusit – Marija (Meriemja), e cila natyrisht ishte e mbuluar, gjë të cilën të krishterët nuk e mohojnë, por mburren. Edhe në këtë kontest mund të merren për këshillë citatet ungjillore: “Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr, që ndërrojnë hidhësirën në ëmbëlsi dhe ëmbëlsinë në hidhësi!”.
Nga këndvështrimi islam, mbulesa nuk është ‘simbol”, sepse simboli është shprehje e koncentruar e një ideologjie ose etnie (sikurse flamuri), që e ka të përcaktuar ngjyrën, formën dhe përmasat. Nuk është uniformë, sepse uniforma është kod veshjeje për të gjithë njëlloj, me formë, stil e ngjyrë të njëjtë. Nuk është as shprehje e koncentruar e Islamit, sepse është thjesht një element i tij. Ajo ka një rol shumë më të rëndësishëm qendror në sistemin e vlerave islame të etikës dhe edukimit, në avancimin e karrierën e ngritjes së nivelit të lartë arsimor-universitar dhe në kontributin e zhvillimit shoqëror. Në Islam, pozita e femrës është veçanërisht e mbrojtur me postulatat kuranore, ndërkohë që rregullat e veshjes janë përcaktuar për të dy gjinitë. Mbulesa e grave në Islam konsiderohet detyrim për mbrojtjen e nderit, pozitës dhe zhdukjes së dukurive negative [Shafi: 2010]. Mbulesa, pra, nuk është kufizim i të drejtave të saj, por mbrojtje nga poshtërimi dhe nënçmimi që mund t’i bëhet, mënyra më e sigurt për ndërprerjen e të gjitha formave të lakuriqësisë, por edhe mbrojtje e vetë mashkullit për të mos rënë në të ndaluarat [Kurani, 24: 30-31]. Thënë ndryshe, vajza me mbulesë është “mollë e ndaluar” për të degjeneruarit.
Kot lodhen që në Islam të gjejnë gjurmë të urrejtjes ndaj femrave. Burri këtu e gjen qëllimin e tij vetëm tek gruaja dhe e lartëson veten vetëm përmes saj. Për njeriun e martuar, Profeti tha se e ka ruajtur gjysmën e besimit. Martesa është akt i cili i jep formë konkrete rregullimit të ekzistencës, ndërsa seksualiteti i jep domethënie të re [Aouaiaia: 2007]. Vetë intimiteti (në martesë) paraqet detyrim hyjnor [Bouhdiba: 2001], ndërkohë që detyrimi i mbulesës për gruan është ta mbrojë nderin dhe dëlirësinë jo vetëm të sajën, por edhe të burrave të cilët ua lëshojnë sytë grave! Identiteti që i sjell mbulesa një gruaje myslimane është identitet moral, përderisa heqja e mbulesës e krahason atë me të pamoralshmet! Në këndvështrimin bektashian, qëllimi i mbulesës myslimane është nderi dhe jo cipa materiale – mjafton që gruaja të jetë e ndershme dhe s’ka nevojë të mbulojë bukuritë e saja që ia ka dhënë Zoti [Frashëri: 2000].
Mbulesa e femrave shqiptare, në kuptimin kombëtar, qoftë ato myslimane, qoftë të krishtera, nuk ka qenë as e huaj, as e re dhe as e pazakontë, por pjesë e identitetit, e kulturës dhe e traditës së tyre. Në rajone të ndryshme ato vinin shami të ndryshme, pavarësisht në kishin qëllime fetare apo jo. Ne kemi mjaft të dhëna nga udhëpërshkruesit e hershëm. Në vitin 1851, për shembull, poeti Edward Lear në kujtimet e tija për Shqipërinë thotë se “Të gjitha gratë në Berat ishin të mbuluara” [Lear: 1851]. Ndërsa në gazetën e shkrimtarit anglez Charles Dickens, udhëpërshkruesja Cashel Hoey tregon se si “një udhëtar i vjetër dhe i rryer e di mjaft mirë se (në Shqipëri) gratë janë të mbuluara”. Këtë e kishte vërejtur edhe Henry Fanshawe Tozer kur e kishte vizituar qytetin e Beratit më 1868, ku gratë e krishtera kishin adoptuar veshjet e grave myslimane: “U befasova nga pamja e një gruaje, hipur mbi një kalë të zi, hedhur mbi flokë një vello të ngushtë dhe mbi supe një mantel të zi, veshje kjo karakteristike e grave myslimane në këto treva. Më kishin thënë edhe më parë që këtej edhe gratë e krishtera visheshin si ato myslimane…” [Tozer: 1869]
Në periudhën e Rilindjes Kombëtare, konsulli i Austrisë në Shkodër – Ippen, i përshkruante femrat e Anës së Malit (Ulqin): “Të mbështjella me shami të bardha, saqë vetëm sytë i kanë jashtë. Përveç kësaj, i gjithë shtati u është i mbuluar edhe me një çarçaf të bardhë, të madh” [Degrant: 1901; Pallegrini: 1906]. Në një enciklopedi katolike të vitit 1913 thuhej se “Gratë muhamedane dhe ato të krishtera të Shkodrës dalin vetëm të mbuluara” [Herbermann & Aloysius: 1913]. Prezenca e shamisë e, madje, edhe e ferexhesë, nuk mungon as në fotot e Marubit, që portretizojnë gruan shqiptare, qoftë ajo myslimane ose e krishterë. Veshja e gruas shqiptare shihet edhe tek pikturat e shumta, si në ato të Eugene Delacroix e shumë kartolina e fotografi të tjera të bëra në Shqipëri e në Kosovë gjatë shekujve XIX-XX.
Shamia në kokën e gruas shqiptare imponon respekt në shumë piktura të realizuara nga autorët shqiptarë (si p.sh. Koli Idromeno, etj.) gjatë epokës së realizmit socialist, tek të cilët janë pikturuar femrat shqiptare me shami, duke vënë në spikamë gjithashtu se shamia e gruas shqiptare nuk është vetëm traditë e myslimaneve, por edhe e katolikeve dhe ortodokseve. Nga ana tjetër, në muret e Ministrisë së Rinisë, Kulturës dhe Sporteve në Tiranë, si dëshmi ndaj shenjtërisë që mbartë shamia në vete, qëndrojnë të ekspozuara disa foto të hershme të femrave shqiptare (me shami dhe ferexhe), përkrah fotove të pazarit dhe çarshisë së Shkodrës. Kështu, pavarësisht se tradita e “shamisë shqiptare” të të tria përkatësive religjioze semite vijnë nga Lindja (sikurse qeleshja me xhamadanin), ato tashmë janë bërë pjesë e kulturës së shqiptarëve.
Përpjekja për ta ndaluar ligjërisht mbulesën e femrave te shqiptarët nuk është e re. Disa vite para se “qeveria osmane” ta anulonte institucionin e “Shejhu‘l-islamit” [dela Roka: 1994], te shqiptarët ishte paraqitur një aleancë Kombëtare Myslimane (1921) që synonte shkëputjen nga ky institucion [Popoviq: 1986], kurse nga kalifati zyrtarisht u nda më 1923, me Kongresin e Parë Mysliman dhe me zgjedhjen e Myftiut të Madh të Shqipërisë në Tiranë. Ky reformacion kërkonte të ndalonte me ligj poligaminë (që fare nuk ekzistonte), ndërkohë që në parlamentin shqiptar kërkoheshin nocione që gratë myslimane të autorizoheshin të bënin të njëjtën jetë si të grave të krishtera [dela Roka: 1994], një kërkesë e mbështetur edhe nga mbreti Zog. Rezultati i kësaj do të shënohej në korrespondencën diplomatike të përfaqësuesit gjerman në Tiranë, kur me rastin e vitit të ri u paraqit gruaja e parë myslimane në Shqipëri në një danc publik: “Zonja Bloshmi, bashkëshortja e bukur e një deputeti dhe motra e saj, kërcyen pa perçe dhe me fustane të shkurtra”, të cilën perëndimorët e quanin “përparim” [The Muslim World, #13/1923].
Në këtë kohë, një debat i madh ishte ndezur në tentimin e “kemalizimit” të vendit, kur vetë mbreti Zog e kishte sanksionuar edhe me ligj veshjen e gruas myslimane. Komuniteti Mysliman ishte i ndarë në këtë debat, por i tërë debati dhe skizma sillej rreth çështjes së perceptimit të ferexhesë dhe perçes (mbulimit të fytyrës) dhe jo lidhur me mbulimin e kokës. Megjithatë mbulimi i gruas shqiptare persistonte prandaj në vitin 1935, një udhëtar anglez nëpër Shqipëri shkruante se: “Nga 70% të myslimaneve [të Shqipërisë], të cilët fenë e marrin seriozisht – shumë nga gratë vazhdojnë të mbulohen” [Newman: 1945]. Një ndërmarrje e këtillë nuk e kishte penguar as Iliaz Vrionin – ambasadorin e Shqipërisë në Paris, që në Xhaminë e Parisit në vitin 1930, të deklaronte se Shqipëria “është fortesë e Islamit tradicional në Europë”.
Më pas, një tentim serioz të çrrënjosjes së mbulesës së gruas (myslimane ose të krishterë) brenda politikës shqiptare lëshonte “britmat e luanit” për të miratuar një ligj, që do të ndalonte përdorimin e mbulesës, një reagim i ashpër dhe më i theksuar nga shkodranët. Por, për qeverinë “përdorimi i çarçafit (mbulesës) do të ndalohet në rast nevoje edhe me forcë, sepse është në kundërshtim me ligjin, sepse është antishoqëror, sepse ndihmon në lidhjen e martesave ndërmjet personave që nuk njihen, sepse rrënjos konceptin se gruaja duhet të jetë skllave dhe se duhet t’i shërbejë ekskluzivisht burrit…” [dela Roka: 1994]. Kjo do të vazhdonte egërsisht nga regjimi fashist italian, kur zëvendësmbreti fashisti italian, gjeneral Jocomoni, më 7 prill 1942 lëshoi urdhrin: “U ndalohet grave që të mbulohen kur janë në rrugë. Çdo person i mbuluar do të shikohet si i dyshuar dhe patrulluesit e kanë autoritetin që të ndezin zjarr mbi të, pa paralajmërim” [Pearson: 2006]. Mbulesa e gruas myslimane shqiptare kishte vazhduar të jetë e pranishme edhe përballë ndalesës së dhunshme që i bëhej. Kështu, në një raport të UNESCO-s të vitit 1953, thuhej për gratë shqiptare se ato janë ende “të mbuluara nga koka deri te këmbët”, gjë që tregon për rezistencën e bërë karshi ligjit.
Por, luftën kundër saj do ta vazhdojë regjimi komunist me një egërsi më të gjallë e me një interval më të gjatë kohorë, që do të jetë e tensionuar sidomos prej vitit 1967, kur për shqiptarët ndaloi çdo shprehje të lirisë fetare, ndërkohë që në anën tjetër të kufirit, nën ish federatën e Jugosllavisë, ngjante e njëjta gjë. Ambasadori i Britanisë në Beograd, në një raport të arkivuar drejtuar Foreign Office-it, tregon se si në Asamblenë e Përgjithshme të Jugosllavisë, deputetët e Serbisë “i duartrokitën gjatë suksesit që kishte pasur gjatë implementimit të ndalesës së mbulesës në provincën e Kosovës“, e cila natyrisht banohej nga shqiptarët.
Kujt do t’ia merrte mendja se edhe sot, tridhjetë vjet pas asaj periudhe të trishtë moniste, shqiptarët do të mbajnë të njëjtat qëndrime, por me mundësi e ashpërsi më të madhe zhurmuese. Një pjesë e tyre, aq e kompleksuar dhe inferiore kundrejt perëndimorëve, e kanë absorbuar mendësinë se për të qenë tamam “europian” duhet të jesh sa më pak “mysliman” dhe aq më pak praktikant! Duhet të çlirohesh nga “shtypja” që i bën Islami gruas si qytetare e rangut të dytë, e detyruar të mbulohet! Mendësi mesjetare këto të huazuara për ta paraqitur Islamin si një fe shtypëse dhe për “ta liruar” gruan nën emrin e “civilizimit” e të “emancipimit” në një kohë kur po i bëhet asaj degradimi më i madh që i është bërë ndonjëherë në gjithë historinë njerëzore [Ernst: 2005]. A e kanë pyetur ndonjëherë veten këta se përse në shtetet perëndimore ekzistojnë kolegje të veçanta për meshkuj dhe të tjera të veçanta për femra? Ç’është ky indiferentizëm ndaj veshjeve skandaloze që po përfshin çdo shkollë e çdo familje? Kush do t’i paguajë pasojat e këtyre shthurjeve, nëse jo vetë ajo?!
Për ta përfytyruar më mirë një shami në kokën e një gruaje, le t’i referohemi një studimi objektiv “A Return to Modesty – Discovering a Lost Virtue” [Kthim në modesti – Zbulimi i një virtyti të humbur], të autores amerikane Wendy Shalit (New York 2000). Fillimisht, autorja i thotë lexuesit se: “qëllimin nuk e kisha që t’u propozoja grave për të mbuluar trupin e tyre, por për t’ua tërhequr vërejtjen atyre që nuk mendojnë dhe nuk flasin tjetër veç për bukurinë e tyre”! Duke qenë në një kohë kur edhe në Amerikë shamia konsiderohej si një “skandal”, autorja fton lexuesin që mbulesën ta marrë më me seriozitet, sepse është një çështje me rëndësi të madhe, që mund të ndryshojë shumë gjëra! Ajo analizon shoqërinë e grave amerikane, e cila si pasojë e veshjes së papërshtatshme, të përdorimit të bukurisë për qëllime propagandistike në filma dhe televizion, u bë shkak për zhdukjen e vlerave e, si rrjedhojë, edhe për shtimin e dhunës dhe mundimeve tek vajzat e reja. Në referencë sjell qytetin Nju-Jork, ku për çdo vit 54.000 adoleshente të moshave 15-16 vjeçare mbeten shtatzëna!
Shlit-i, gjithashtu, e shqyrton pretendimin e gabuar të femrave perëndimore, të cilat e mendojnë veten baras me meshkujt, ndërsa vetë kanë nevojë për to dhe kanë dallime të lindura që nuk mund të anashkalohen. Në fakt, Shlit-i e konsideron mbulesën islame si ideal të humbur, pa të cilën njeriu nuk mund të përballojë nevojat e veta natyrore. Ajo nuk tregon pakujdesinë e burrit ndaj gruas, por i jep asaj kuptimin dhe rëndësinë e vlerave që posedon, duke i kufizuar shikimet që e konsiderojnë si një vegël për plotësimin e nevojave të veta personale. Natyrisht, është konstatim i saktë që gruaja është biologjikisht më ndryshe nga burri. Ajo dhe burri i saj kanë pozita të njëjta, por detyra të ndryshme, vlera të njëjta, por aftësi të ndryshme, të barabarta, por me role të ndryshme. Për më tepër, këtu nuk ekziston koncepti i fajësisë së mëkatit fillestar mbi gratë!
Në esencë, studimi i Shlit-it mbi mbulesën vë në qendër të vëmendjes rëndësinë që ka në pastërtinë morale, në turpin që e mbron gjatë periudhës së pjekurisë seksuale dhe në zgjidhjen e partnerit të saj të jetës. Mbulesa islame – thotë ajo – është vetëm një rregull modest që e përgatit atë në udhëtimin jetës dhe e fton vazhdimisht në refuzimin e një jete të degjeneruar. Njeriu nuk është një kompjuter që pranon të ndjekë rregullat e thata, kurse gruaja arrin përsosmërinë përmes mbulesës dhe vetëm përmes saj i plotëson zbrazësitë e jetës.
Një konstatim të ngjashëm e ka dhënë edhe Robin West nga “George Town University”, i cili në analizën e shkurtër të studimit të Shlit-it, pohon se me vënien e mbulesës, jo vetëm që zgjohet mendja, por vendoset gurthemeli i një jete të shëndoshë dhe të një martese të qëndrueshme si burim të lumturisë, përballë errësirës dhe zbrazësisë si pasojë e jetës së shthurur jostabile.
Një trajtim të këtillë për mbulesën e bën edhe Katherine Bullock në studimin “Rethinking muslim women and the veil” (2003). Ajo, fillimisht, tërheq vëmendjen në pretendimet e gabuara të kulturës perëndimore, pretendime shterpe të cilat e konsiderojnë mbulesën si “shtypëse dhe padrejtësi ndaj gruas myslimane”. Këto pretendime – thotë ajo – e kanë fillin në kohët koloniale, kur perëndimorët e konsideronin mbulesën si kundërshti të autoritetit të tyre dhe vë në argument dëshmitë dhe argumentet e fabrikuara perëndimore “në lidhje me shtypjen e femrës për shkak të mbulesës”. Heqja e mbulesës nga koka e gruas myslimane ishte përqendrimi kryesor i sistemit perëndimor, për të civilizuar (lexo: kolonizuar) vendet e huaja. Pas kolonizimit (nëse kolonizimi vërtet ka përfunduar!), heqja e mbulesës në Europë mbeti një shenjë “civilizuese”! Një pjesë e studimit të Bullock-ut është pjesa kritike, e cila i referohet feministes marokiane, Fatima Mernissi [“The veil and the male elite – a feminist interpretation of women’s right in Islam” (1991)] dhe perceptimit të saj për mbulesën si “shtypëse e gruas”! Bullock-u provon faktin se pikëpamjet e Fatimas mbi mbulesën janë pikëpamje të saja personale dhe nuk kanë të bëjnë fare me realitetin jetësor të një femre të mbuluar myslimane.
Në konkluzion, Bullock-i tregon se si mbulesa mbetet një mburojë e rezistencës kundrejt kulturës kapitaliste përballë mentalitetit të kohëve moderne, që ka impakte detrimentale për mëvetësinë dhe shëndetin fizik të gruas. Ajo, gjithashtu, përballet edhe me një aspekt thuajse të harruar të mbulesës, që është një rit i ngjashëm me namazin, një akt përmes të cilit shprehet bindja ndaj urdhrit të Zotit dhe në përkujtimin e të tjerëve, se vlera nuk bazohet në paraqitje, por në veprime. Me konkludimin se mbulesa në Islam është një simbol që e formëson gruan në personalitet më shumë se në një objekt seksual, ajo e përfundon studimin Bullock.