loader image
April 22, 2026

Tribunë përbashkuese autorësh

Revista “Shenja” e sfidoi kapërcyellin kohor në zhvillimin e medias në të dy mënyrat: me profesionalizmin e vet, duke ndërtuar një mozaik të qëndrueshëm nga numri në numër dhe, e dyta, me shkathtësinë menaxheriale për ta mbajtur të gjallë në tregun medial, si një nga detyrat më të vështira të kohës, sidomos për shkak të rënies së tirazheve të botimeve të shtypura, që në Kosovë rezultoi me shuarjen e plotë të tyre.   

Daut DAUTI, Shkup  

Maqedonia e Veriut është një vend i vogël në çdo pikëpamje krahasuar me cilindo vend tjetër të botës që ka ndonjë milion më tepër banorë. Për shkak të specifikave që e lidhin me faktin e të qenit vend që ka dalë nga një shtet komunist, për shkak të perimetrave të ngjashme, i mbetet të krahasohet vetëm me shtetet e fqinjësisë: vend në tranzicion (të cilit tranzicioni po i zgjat më shumë se kudo tjetër), vend “i përhershëm” në zhvillim, vend që dikur me shumë kushte për prodhime bujqësore por që edhe prodhonte në degë tjera, tash më tepër tregton dhe, si fund i kësaj, vend me treg të vogël… 

Ky fakti i fundit – i tregut të vogël, është një determinante që hyn edhe në fushën e medias, që në masë të madhe është faktor ekzistencial. Për këtë aspekt më vonë… 

Për krahasim, do të ndalesha te trekëndëshi fqinjësor Shqipëri-Maqedoni-Kosovë, për një përshkrim të shkurtër të zhvillimit të medias. Kosova dhjetëvjeçarin e parë të pluralizmit u gjet nën okupim, andaj nën okupim u gjetën edhe mediat, u mbyll “Rilindja”, u mbyllën radiot e televizionet. Pas çlirimit, u themeluan shumë gazeta të reja, pastaj përjetuan bum edhe televizionet. Në Shqipëri, bumi medial postkomunist u shpreh së pari te gazetat dhe revistat, kurse bumi te radiot dhe televizionet erdhi më vonë. Në Maqedoni pati problem në transformimin e gazetave që ishin me financim shtetëror dhe ky proces zgjati më shumë se një dekadë(!), derisa u paraqitën gazetat e para të pavarura (“Dnevnik” e disa tjera në gjuhën maqedonase dhe “Fakti”, e më vonë edhe të tjera) dhe revista javore, dyjavore e mujore profilesh të ndryshme. Disi paralelisht u zhvilluan edhe mediat elektronike. 

Sot kemi një situatë interesante që ka lidhje edhe me tregun e ngushtë që përmenda. Në Kosovë nuk ka më gazeta ditore po as revista të shtypura, ndërsa ka, si gjithkund tjetër, si rezultat i zhvillimit të mediumeve të reja, portale pa numër. Në Shqipëri, për shkak të tregut më të madh dhe potencialit ekonomik krahasuar me dy fqinjët tjerë, ka ende gazeta që shtypen (por jo të gjitha që kanë qenë në fillim dhe jo me tirazhet e dikurshme dhjetëmijëshe si “Koha Jonë”), ka revista dhe, kuptohet, televizione me potencial të madh dhe, normalisht, pa numër portale. Edhe në Maqedoni të Veriut ende shtypen gazetat, por më pak se më herët, pasi janë shuar shumë prej tyre. Televizionet janë ato që kanë qenë me ndonjë plus më tepër, përveç të parit, A1-shit, që u mbyll nga qeveria e Gruevskit, kurse nga magazinet politike pothuajse ka mbetur vetëm “Fokusi” i Nikolla Mlladenovit, që e mbijetoi edhe vdekjen e themeluesit të vet, si një kuriozitet. 

Pikërisht për shkak të këtij fakti, është shumë domethënës ky jubile i “Shenjës”, që arriti për 15 vjet ta gjejë mënyrën e ekzistimit të vet, duke sfiduar edhe tregun e ngushtë, edhe shpërqendrimin e vëmendjes së lexuesve te mediat tjera dhe rrjetet sociale, prandaj për shumë lexues të apasionuar është një çudi që një revistë ta gjejnë në qoshqe, e jo ta lexojnë vetëm në rrjetet sociale dhe internet. 

Revista “Shenja” e sfidoi kapërcyellin kohor në zhvillimin e medias në të dy mënyrat: me profesionalizmin e vet, duke ndërtuar një mozaik të qëndrueshëm nga numri në numër dhe, e dyta, me shkathtësinë menaxheriale për ta mbajtur të gjallë në tregun medial, si një nga detyrat më të vështira të kohës, sidomos për shkak të rënies së tirazheve të botimeve të shtypura, që në Kosovë rezultoi me shuarjen e plotë të tyre.   

Në aspektin profesional, “Shenja” ka ndërtuar një koncept unikal, duke aplikuar një temë bosht të një numri, aspekte të të cilit kap çdo autor në veçanti. Një orientim a kallëpizim ose një kaos i organizuar, ku secili autor ndërlidhet me temën bosht me këndvështrimin e vet, rezulton çuditërisht me një larmi brenda saj, ku asnjë autor praktikisht nuk është i njëjtë me tjetrin! Sepse, secili është i lirë ta kapë atë aspekt që për të është më i afërt dhe që më së shumti ka njohuri. Nëse e shikojmë në një kontekst krahasimtar, çdo numër i revistës duket si përmbledhje tekstesh nga ndonjë konferencë shkencore, ku secili autor jep këndvështrimin e vet. Kështu ka ndodhur me tema të cilat kanë qenë aktuale në një periudhë konkrete gjatë një dekade e gjysmë, e sidomos në temat e vitit të kaluar, ku janë trajtuar ngjarje apo personalitete historike ose dhe zhvillime më të reja në shqiptari ose dhe nga bota. 

Një kualitet tjetër i madh i revistës “Shenja”, gjatë gjithë këtyre viteve, ka qenë përfshirja e autorëve nga të gjitha trojet shqiptare, me gjithë ata që janë në diasporë. Jo që këtë formulë nuk e zbatojnë edhe në media të tjera, sepse këto barriera kaherë janë rrënuar, por te “Shenja” është me rëndësi shumësia: kaq autorë nga gjithandej shqiptarisë, bashkë në një vend, në më shumë se 100 faqe revistë, nuk mund të haset askund tjetër. Së këndejmi, ka bashkuar edhe tregjet mediale që ndaras janë shumë të ngushtë. Përtej tregut, kuptohet, është edhe ndërkomunikimi i shqiptarëve i të gjitha këtyre hapësirave. 

Kjo që u tha rreth konceptit redaktorial dhe autorëve ka prodhuar tekste me shumë vlerë dhe interes për lexuesin, por që, siç më kanë thënë ndonjë lexues, ka dhe një hendikep, për të cilin redaksia mund ta marrë në shqyrtim: boshti tematik brenda një muaji e kufizon trajtimin e shumë temave që mund të jenë po ashtu atraktive për lexuesin gjatë të njëjtës periudhë, e ku dhe shumë autorë ndoshta do të kishin pasur dëshirë t’i trajtojnë, ndonëse shpesh dhe na është thënë si autorë që edhe mund të dalim nga korniza e temës së caktuar. Kjo rruga e dyta ndoshta do ta kishte larguar nga koncepti bazë, por do ta kishte afruar më tepër te magazinat klasikë, me më shumë rubrika (politikë, histori, ekonomi, kulturë…), kjo dhe si një mundësi nëse vjen në shprehje “shterimi” tematik, që objektivisht mund të ndodhë. 

Redaksia, me vetë faktin që e ka ecur me sukses këtë rrugë 15vjeçare, mund të qëndrojë në formulën e suksesit të deritashëm ose dhe të bëjë ndonjë kthesë konceptuale që do ta freskonte.  

Një urim i sinqertë që të vazhdojë të na bashkojë si autorë, lexues e si shqiptarë (por ndonjëherë edhe më gjerë), është e pakta që mund t’i dëshirojmë. Për më tepër, një dëshirë për ta mbajtur kursin për shtigje edhe më të gjata! 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X