Reagimi i qeverisë së Kosovës është një habi për Perëndimin. Kjo është për shkak se nuk janë mësuar të hasin në kundërshti në udhëheqjen e Kosovës. Në realitet, edhe më herët qeveritë e tjera të Kosovës kanë tentuar të ushtrojnë ndikim në pjesën problematike të veriut, por iniciativat kanë përfunduar shpejt me intervenimin e Perëndimit. Kësaj here duket se kjo qeveri nuk e ka ndër mend të lëshojë pe e t’ia lehtësojë Perëndimit punën, e cila do të përfundonte në dëm të Kosovës.
Shkruan: Daut DAUTI, Londër
Edhe pse po mbushen 24 vjet nga çlirimi nga okupimit serb, shtrirja e sovranitetit shtetëror të Kosovës është duke u vënë në pikëpyetje. Gjithnjë e më shumë, aleatët që e ndihmuan çlirimin dhe më vonë edhe themelimin e shtetit të Kosovës, janë duke i bërë presion qeverisë së Kosovës për një lloj kompromisi në fushën e sovranitetit.
Edhe pse ka kaluar gati një çerek shekulli, situata nuk është më e volitshme se në pranverën e vitit 1999, kur së bashku me çlirimin, lindi problemi i një pjese të veriut të Kosovës. Të gjithë janë në dijeni se veçimin e kësaj pjese nga tërësia e Kosovës e iniciuan francezët. Por, nuk janë fajtorë vetëm francezët për shkak se ata nuk do të kishin mundësi që këtë gjë ta bënin kundër pëlqimit të fuqive tjera, veçanërisht SHBA-së. Me pajtimin e të gjithëve, kjo pjesë e veriut u bë mjet për kërcënimin e qeverisë së Kosovës dhe njëkohësisht për joshjen e qeverisë serbe në Beograd.
Perëndimi vazhdimisht e ka shantazhuar, madje edhe kërcënuar, Prishtinën me humbje të kësaj pjese, nëse bëhet e padëgjueshme. Në të njëjtën kohë, po me këtë mjet ose metodë, Veriun e ka përdorur si grep për Beogradin, po ashtu për dëgjueshmëri. Hilet e rrezikshme që i inicioi Franca tashti kanë dalë sheshit për të shkaktuar konflikt politik, me potencial edhe më të rrezikshëm. Kjo është për shkak se qeveria e Kosovës, e prirë nga kryeministri Albin Kurti, nuk e ka ndër mend t’i nënshtrohet dëgjueshmërisë së themeluar. Presioni, siç dihet, po i drejtohet qeverisë së Kosovës përmes Asociacionit të Komunave Serbe. Por, loja politike tashti e ka kaluar kufirin e kësaj teme. Masat e qeverisë së Beogradit për të shkaktuar incidente në Kosovë po hasin në kundërreagim nga qeveria në Prishtinë. Duket se është një lojë që përfshin garën në arrestime të të dy palëve. Por, në këtë garë vërehet një dallim i madh mes “garuesve”, për shkak se masat e Beogradit, siç është rrëmbimi i tre policëve, mobilizimi i ushtrisë dhe organizimi i dhunës së grupeve kriminale serbe, janë të paligjshme. Në anën tjetër, edhe nëse nuk e pëlqeni politikën e Albin Kurtit, reagimin e qeverisë së tij nuk mund ta cilësoni si antiligjor ose antikushtetues. Përkundrazi, qeveria e Prishtinës është duke e ushtruar të drejtën dhe detyrimin kushtetues.
Reagimi i qeverisë së Kosovës është një habi për Perëndimin. Kjo është kështu për shkak se nuk janë mësuar të hasin në kundërshti në udhëheqjen e Kosovës. Në realitet, edhe më herët qeveritë e tjera të Kosovës kanë tentuar të ushtrojnë ndikim në pjesën problematike të veriut, por iniciativat kanë përfunduar shpejt me intervenimin e Perëndimit. Kësaj here duket se kjo qeveri nuk e ka ndër mend të lëshojë pe e t’ia lehtësojë Perëndimit punën, e cila do të përfundonte në dëm të Kosovës. Prishtina e sheh kërkesën e Beogradit si heqje dorë nga pjesa veriore dhe shtrirje të kufizuar të pushtetit në einklava, gjë të cilën nuk mund ta bëjë asnjë pushtet në mënyrë vullnetare. Natyrisht që Asociacionin e Komunave Serbe nuk e refuzon qeveria e Kosovës, por çështja përqendrohet në faktin se cila do të jetë forma ose kompetencat e tij.
Në luftën e dyfishtë (mbrojtja e sovranitetit dhe ruajtjen e aleatëve), qeveria e Kosovës nuk është duke u përplasur vetëm me Serbinë dhe faktorin ndërkombëtar, por edhe me një pjesë të mediave përbrenda Kosovës, madje edhe me udhëheqjen e qeverisë së Shqipërisë. Disa media, në mënyrë të çuditshme, kanë marrë pozitë kundërshtuese, saqë qeveria i ka cilësuar sikur që kanë dalë në anën e Serbisë. Në Kosovë, si politika, ashtu edhe mediat, janë ndërtuar mbi të njëjtën bazë – dëgjueshmëri ndaj Perëndimit, që thjeshtësohet si bindje ndaj Amerikës. Këto media, të ndërtuara dhe ushqyera me paratë ndërkombëtare dhe me ato të bizneseve vendase, tentojnë ta bindin opinionin se në asnjë mënyrë e asnjë qeveri nuk duhet ta kundërshtojë Amerikën, pa marrë parasysh qëndrimin që paraqet kjo fuqi. Zaten, ky është qëllimi i ndërkombëtarëve dhe bizneseve dhe disa njerëzve e grupeve të rehatuara, që thirren në dobi të ruajtjes së gjendjes ekzistuese. Por, a garanton paqe gjendja ekzistuese dhe a është ky interesi i përgjithshëm që mediat duhet ta mbrojnë dhe a do të lëshojë pe Qeveria e Kosovës para këtij presioni? Vështirë të besohet në përgjigje pozitive. Por, një gjë duket se është e qartë: Qeveria e Kosovës kërkon zgjidhje të shpejtë të problemit. E çfarë do të jetë zgjidhja, kur momentalisht kjo qeveri nuk ka përkrahje të aleatëve të dikurshëm, përjashto Britaninë e Madhe? Shto këtu edhe presionin mospajtues të faktorit të brendshëm, shpresat nuk janë të mëdha. Prandaj, gjërat mund të zhvillohen në mënyrë të paparashikueshme dhe të marrin kahe në të gjitha drejtimet e mundshme.
Pra, skenarët janë të shumtë, por tri janë kryesore. I pari dhe më i dëshiruari duket të jetë përfundimi i problemit në atë mënyrë që Serbia do ta pranojë një zgjidhje e cila e ruan territorin e Kosovës siç ekziston dhe duke ia njohur subjektivitetin ndërkombëtar. Kjo zgjidhje ideale duket se është shumë larg, pasi që Serbia është duke dhënë shenja se kurrë nuk do të pajtohet me një gjë të tillë, që është kundër programit dhe aktivitetit të saj politik e diplomatik. Serbia as që e ka fshehur qëllimin dhe angazhimin e saj për dështimin e shtetit të Kosovës. Sidomos tashti kur edhe aleatët e Kosovës shihet se anojnë nga Serbia. Duhet vetëm t’i dëgjoni deklaratat e ndërmjetësuesve Borell dhe Lajçak, për t’u bindur se funksioni i tyre më nuk është ndërmjetësues, pasi që kanë dalë haptazi kundër qëndrimit të Kosovës dhe në favor të Serbisë. Roli i këtyre dyve është komprometuar aq shumë, saqë është çudi pse Qeveria e Kosovës ende pranon të dialogojë me Serbinë përmes tyre.
Varianti i shkëmbimit të territoreve, edhe pse kundërshtohet pothuaj nga të gjithë, kurrë nuk është e as nuk duhet të jetë i përjashtuar. Në realitet është zgjidhja më e mirë që ekziston. Problemi qëndron në faktin se faktori ndërkombëtar nuk është i gatshëm ta pranojë këtë zgjidhje për shkak se i nxjerrë shumë punë dhe mendon se me këtë krijon precedent të rrezikshëm për shtetet tjera ose ish republikat e RSFJ-së.
Varianti më i keq, por po ashtu i mundshëm, është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Ky variant nuk është i keq, për shkak se kështu rrumbullakohet procesi i “bashkimi kombëtar”, por për shkak të mënyrës se si përfundon kjo punë “bashkimi” do të bëhej në rast se bashkësia ndërkombëtare e vazhdon përkrahjen ndaj Serbisë deri në atë pikë, saqë do ta trimëronte Beogradin të intervenonte ushtarakisht për ta okupuar pjesën veriore. Dhe, duhet supozuar se në këtë rast nuk do të intervenonte KFOR-i. Kosovës do t’i duhet të luftonte me Serbinë dhe KFOR-in, e cila gjë nuk bëhet. (Kjo është arsyeja pse Kosovës nuk i është lejuar ndërtimi i një ushtrie të mirëfilltë). Me këtë rast Perëndimi do të hiqte dorë nga projekti i tij (Kosova) dhe të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare do të binin përtokë. Kështu do të zhvlerësohej Rezoluta 1244, Marrëveshja e Kumanovës, Marrëveshja e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës, ndërsa Kosovës nuk do t’i mbetej asnjë rrugë tjetër, pos të bashkohet me Shqipërinë, të cilën gjë nuk mund ta ndalë askush. Thënë në mënyrë ironike, ky do të ishte bashkimi që dikur e proklamonte Albin Kurti me Vetëvendosjen e tij. Por, ky nuk është bashkim, pasi që Lugina e Preshevës do të mbetej në Serbi dhe banorët e saj, nga presioni i Beogradit, do të detyroheshin të shpërngulen në Kosovë ose gjetiu në Shqipëri. Ky është varianti që do të prodhonte pasoja të rënda dhe, për këtë arsye, duhet të shpresojmë se nuk do të ndodhë.
Megjithatë, nuk është larg mendsh as ky variant. Nëse problemi nuk zgjidhet brenda mandatit të Biden-it dhe nëse zgjedhjet e ardhshme në SHBA i fiton Donald Trump, ky është variant pothuaj i garantuar. Për të besuar në këtë të keqe nuk duhet të shkojmë më larg se te vizita e para disa ditëve e Grenell-it në pjesën veriore të Mitrovicës, ku ai ishte mysafir i Listës Serbe dhe i cili tani më haptas ka dalë në anën e Serbisë. Frika nuk është e paarsyeshme nëse besohet se ky është varianti që do ta zbatojë Trump-i. Pra, shpresa është e varur në një zgjidhje të shpejtë nga kjo administratë amerikane dhe në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme të Biden-it nëse çështja shtyhet. Zaten Kosova gjithmonë ka jetuar me shpresë.