loader image
December 14, 2024

Tokë për paqe, Jerusalemi dhe kthimi i refugjatëve – nga aparteidi dhe pushtimi në pavarësi

Sionistët ishin laikë, ata nuk besonin në Zot, por megjithatë e kthyen Zotin në instrument për të marrë sa më shumë territore në Palestinë, me qëllim të krijimit të një shteti për popullin hebre. Ata, duke shfrytëzuar lidhjen e fortë emocionale, simbolike, historike dhe fetare midis popullit hebre dhe Sionit (një nga emrat e Jerusalemit), e kthyen aspiratën përfundimtare për t’u kthyer në Sion si një pretendim të ligjshëm.

Gerta ZAIMI, Tiranë

Sulmi i Hamasit me datë 7 tetor duket sikur e ka ndryshuar tërësisht panoramën politike në Lindjen e Mesme. Akordi i mundshëm mes Arabisë Saudite dhe Izraelit bllokohet, gjithë korniza e akordit të Abrahamit në fakt vihet në diskutim dhe përfshirja në konflikt e më shumë aktorëve rajonalë është e mundshme.

Pa dyshim që akti i Hamasit kundrejt civilëve të paarmatosur në Izrael është akt terrorist. Asnjë argument nuk mund ta justifikojë si akt brutal. Por, pyetjet që lindin janë disa… Ku fillon zanafilla e këtij konflikti? A mund të shihet ky akt si një fenomen i shkëputur i të tanishmes duke harruar kontekstin? A është e pranueshme një përgjigje e tillë disproporcionale dhe kolektive kundër popullit palestinez nga ana e ushtrisë izraelite? A nuk është edhe kjo përgjigje një akt terrorist shtetëror kundër çdo norme të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut? Edhe lufta i ka rregullat e saj dhe normat ndërkombëtare mbi të cilat bazohet. Të paktën në kohët moderne, kur ekzistojnë qartësisht ligjet dhe organizatat ndërkombëtare.

Çdo përgjigje që do të jepet nuk mund të jetë e plotë përballë një konflikti që daton të paktën 75 vjet, ku rastet e humbura për të gjetur një zgjidhje kanë qenë të shumta. Gjithsesi, edhe nëse Izraeli mendon të kthejë Gazën në Grozny, ashtu siç po duket, kur të mbarojë gjithçka esenca do të mbetet po e njëjta: çështja e pavarësisë së mohuar të një shteti palestinez, e pushtimit izraelit dhe nevoja nga të dy palët e pranimit të tjetrit.

Vizionari i shtetit hebre ishte Theodore Herzl, një gazetar hebre vjenez, i cili në 1896 shkroi një broshurë me titull “Shteti Hebraik”, që përshkruante idenë e tij për një shtet hebre, ndërtimin e një shoqërie hebraike kombëtare përmes një emigrimi masiv, të planifikuar drejt një destinacioni të përcaktuar për këtë qëllim nga ligjet ndërkombëtare. Sipas tij çështja hebraike “është një problem kombëtar dhe, për ta zgjidhur, para së gjithash duhet ta bëjmë një çështje politike universale, e cila do të duhet të zgjidhet në kuvendin e popujve të qytetëruar”.

Në pamundësi për të qeverisur lëvizjen sioniste që kishte lindur, ajo që Theodor Herzl arriti në fakt ishte organizimi për sa i përket dukshmërisë së jashtme, duke e bërë atë një faktor të mundshëm dhe të arritshëm në politikën ndërkombëtare.

Për shumë hebrenj në atë kohë sionizmi mbetej i huaj, duke mos parë as domosdoshmërinë dhe as avantazhet e një zgjedhjeje që do të nënkuptonte emigrimin në një tokë të largët dhe të huaj.

Vetëm pas Kongresit të parë sionist më 1897 dhe themelimin e organizatës së parë sioniste fillon koordinimi dhe u hartua një program i cili e përcaktoi objektivin e Sionizmit si “krijimin e një shtëpie kombëtare të garantuar nga ligji publik për popullin hebre në Palestinë”. Mjetet u identifikuan në “ripopullimin” e asaj toke, që lëvizja e sapolindur kishte identifikuar. Kështu, ndërmjet viteve 1881 dhe 1903, midis 20 mijë dhe 30 mijë hebrenj u përpoqën të vendoseshin në Palestinë, duke ndjekur propozimin sionist.

Sionizmi në fakt ishte një lëvizje laike, por që bënte thirrje ndaj premtimit hyjnor për hebrenjtë, atë të Jerusalemit si toka e premtuar për ta. Sionistët ishin laikë, ata nuk besonin në Zot, por megjithatë e kthyen Zotin në instrument për të marrë sa më shumë territore në Palestinë, me qëllim të krijimit të një shteti për popullin hebre. Ata, duke shfrytëzuar lidhjen e fortë emocionale, simbolike, historike dhe fetare midis popullit hebre dhe Sionit (një nga emrat e Jerusalemit), e kthyen aspiratën përfundimtare për t’u kthyer në Sion si një pretendim të ligjshëm.

Nëse do të duhej të caktohej një datë për fillimin e konfliktit, do të duhej filluar në vitin 1917. Më 2 nëntor 1917 ishte “Deklarata Balfour”, një letër qëllimesh, e nënshkruar nga kreu i Ministrisë së Jashtme Britanike, në të cilën ai u shpreh në emër të “Qeverisë së Madhërisë së Tij” në favor për krijimin “në Palestinë të një shtëpie kombëtare të populli hebre”. Deklarata Balfour ishte një dokument i paprecedentë në të drejtën ndërkombëtare dhe ua hapi rrugën konflikteve të ndryshme në lidhje me interpretimin e tij.

Në vitin 1917, hebrenjtë ishin vetëm 10 për qind e popullsisë, ndërsa arabët ishin 90 për qind. Hebrenjtë zotëronin vetëm 2 për qind të tokës, por megjithatë ndërhyrja e Britanisë i mundësoi lëvizjes sioniste të fillonte marrjen sistematike të territoreve në Palestinë me forma nga më të ndryshmet (blerje, marrje de facto, krijimin e kushteve për braktisje, etj).

Megjithatë, 1948-ta, viti kur krijohet shteti i Izraelit i njohur nga Kombet e Bashkuara dhe shënon luftën e parë arabo-izraelite, ishte një pikë kthese në historinë moderne të Lindjes së Mesme. Kufijtë e 1949-tës janë të vetmit kufij të njohur ndërkombëtarisht që Izraeli i ka pasur ndonjëherë dhe që konsiderohen si legjitimë. Shteti që lindi në vitin 1948 kishte një diversitet dhe fragmentim të madh nga çdo profil: etnik, fetar, politik, kulturor. Në dhjetë vitet e para përthithi shpejt hebrenjtë nga pothuajse e gjithë bota dhe, me kalimin e viteve, pa edhe ndryshimin morfologjik të tij. Ata erdhën nga Europa Veriore, Mesdheu e Lindja e Mesme, secili me një bagazh të ndryshëm, për t’u integruar në ndërtimin e shtetit hebre. Në sfond të shtetit të ri do të mbetet prezenca e qytetarëve të tjerë, johebrenjve, atyre palestinezëve që nuk kishin marrë rrugën e mërgimit, por që kishin mbetur dhe ishin bërë qytetarë të një rangu të dytë të një shtet që nuk e ndjenin si të tyrin. 1948-ta do të jetë viti i pavarësisë për izraelianët, por dhe ai i katastrofës ose Nakbës për palestinezët. Tre të katërtat e një milion palestinezëve, më shumë se gjysma e popullsisë arabe, u bënë refugjatë dhe emri Palestinë u fshi nga harta.

Misioni i sionizmit, në thelb një lëvizje kolonialiste, ishte krijimi i një shteti hebre nacionalist, në sa më shumë territor palestinez, duke dëbuar në masë palestinezë nga atdheu i tyre dhe duke shkatërruar fshatrat e tyre gjatë atij procesit.

Menjëherë pasi Izraeli shpalli shtetin e ri, njësitë e ushtrive të vendeve fqinje arabe erdhën për të luftuar për kombin palestinez. Lufta e vitit 1948-tës përfundoi me forcat izraelite që morën nën kontroll afërsisht 78 për qind të Palestinës historike. Pjesa e mbetur, prej 22 për qind, ra nën administrimin e Egjiptit dhe Jordanisë.

Në një mënyrë të vazhdueshme, midis dhjetorit të vitit 1947 dhe fillimit të vitit 1950, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë arabe, që banonte në territoret e Palestinës së Mandatit, i braktisi tokat e origjinës. Kombet e Bashkuara vlerësuan se rreth 711 mijë njerëz vendas u larguan, u evakuuan ose u detyruan të largohen me forcë nga shtëpitë e tyre.

Në anën tjetër, vazhduan përpjekjet për të sjellë hebrenjtë nga katër anët, duke përfshirë edhe ata nga bota arabe, në Izrael. Nuk ka një shifër të saktë, por mendohet se diku nga 670 mijë deri 866 mijë individë u larguan nga vendet arabe në ketë periudhë kohe, duke çuar në dyfishimin e popullsisë izraelite dhe ndryshimin e demografisë.

Ndërkohë do të fillonte një përpjekje sistematike për të fshirë identitetin arab, kulturën, folklorin dhe gjuhën arabe. Në këto kushte, komuniteti arab po vuante pasojat e këtyre përpjekjeve, si mbylljet e shkollave, spitaleve, tkurrjen e tregtisë, papunësinë dhe varfërimin në rritje. Braktisja e elitave palestineze drejt vendeve të tjera arabe o gjetkë ishte në origjinë jo vetëm të proceseve të rrënimit të strukturës shoqërore të bashkësisë së vjetër arabe palestineze, por edhe të valës pasuese të refugjatëve. Popullsia palestineze që largohej, ndryshe nga çka ndodhte me komunitetin hebre në Izrael, nuk do të gjente një atdhe askund. Ndërmjet viteve 1947 dhe 1949 vlerësohet se rreth 500 fshatra arabë u fshinë nga harta e vendit. Statusi i refugjatit u bë një status i përhershëm për palestinezët.

Viti 1948 shënoi kështu edhe lindjen e “refugjatëve” si një kategori themelore e konfliktit izraelito-palestinez, të cilët nuk do të gjenin dot një vend të ri, duke mbetur në një lloj mërgimi të përjetshëm.

Ndërkohë që dilnin gjithnjë e më shumë provat e tmerreve të kampeve të përqendrimit nazist dhe gjenocidit ndaj hebrenjve, Europa vetë dilte nga Lufta e Dytë Botërore e shkatërruar dhe me problemin e refugjatëve të brendshëm. Përballë 12 milionë gjermanishtfolësve, të cilëve iu desh t’i braktisnin tokat lindore në Europë dhe një numri të madh të qytetarëve sovjetikë që lanë vendet e tyre të origjinës midis viteve 1941 dhe 1945, peripecitë e arabëve dhe hebrenjve humbitnin rëndësinë reale në sytë e kancelarive europiane.

Për drejtuesit izraelit çështja e refugjatëve palestinezë nuk ekzistonte, duke u mohuar kthimin sipas të drejtës ndërkombëtare. Për ta ishin vetëm arabë të cilët mund të integroheshin në vendet e tjera ku kishin vajtur. Ligji për pronën e të munguarve, i miratuar në Izrael në mars të vitit 1950, kontribuoi në shndërrimin pronave të atyre që ishin larguar me detyrim pas 27 nëntorit të vitit 1947. Në pesë vitet e para të ekzistencës së Izraelit, të paktën 350 fshatra u kthyen në vendbanime të reja izraelite, ku ndërtimet u bënë në toka të konfiskuara sipas atij ligji. Ndërmjet viteve 1948 dhe 1966, pothuaj 1 milion e 600 mijë hektarë terren e ndërruan pronarin, duke kaluar në duart e hebrenjve. Ndërsa Ligji i Kthimit e bënte çdo hebre një qytetar të mundshëm izraelit, për arabët marrja e shtetësisë lidhej me lindjen, qëndrimin e vazhdueshëm ose natyralizimin. Dhe, ligji i vitit 1952, i cili i bëri organizatat sioniste organe institucionale gjysmëqeveritare, në fakt i përjashtoi arabët izraelitë nga përfitimi i një pjese të mirë të shërbimeve të tyre, veçanërisht në fushën sociale.

Derisa Izraeli ekzistonte me kufijtë e tij legjitimë të 1949-tës, lufta e vendeve arabe do të vazhdonte. Ndërkohë që palestinezët e Bregut Perëndimor morën pasaporta jordaneze, ata në Gaza, nën juridiksionin brutal egjiptian, u bënë apolid pa shtetësi. Jerusalemi, për statusin e të cilit nuk u arrit asnjë marrëveshje, u nda në dy qytete, me dy administrata të dallueshme dhe jordanezët e shpallën kryeqytetin e tyre të dytë.

Fati i refugjatëve u lidh më pas me çështjen tjetër madhore, e cila gjithnjë e ka kushtëzuar çdo përpjekje për negociata në zhvillim, atë të mungesës së njohjes arabe të Izraelit, pra të drejtën e tij për të ekzistuar.

Vitet e para të jetës së Izraelit ose ato të konsolidimit të tij, u shënuan gjithashtu nga një stabilitet thelbësor politik dhe institucional përballë ndryshimeve të forta sociale dhe demografike.

Lufta e qershorit 1967 ishte një tjetër pikë kthese historike në Lindjen e Mesme. U desh kjo luftë për të rihapur çështjen e synimeve territoriale dhe pretendimeve të Sionizmit dhe për të rikthyer në pamje të plotë thelbin kolonial të projektit. Izraeli i pushtoi Lartësitë e Golanit (territor sirian), Bregun Perëndimor nga Jordania dhe Gadishullin Sinai në Egjipt, duke fituar tokë tre herë e gjysmë më shumë sesa në vitin e krijimit të tij. Akoma më domethënëse, të paktën në nivel simbolik, ishte pushtimi i Jerusalemit Lindor. Brenda pak javësh, Knesseth-i, parlamenti izraelit, vendosi shtrirjen e administratës izraelite në pjesën lindore të qytetit. Për herë të parë Izraeli ndodhej në një pozicion nga i cili mund të fillonte akorde paqeje në shkëmbim të territoreve të pushtuara.

Mbreti Husein i Jordanisë, menjëherë pas përfundimit të armiqësive, i ofroi Izraelit paqe të plotë në rast të një tërheqje totale. Por, Izraeli nuk e pranoi këtë ofertë dhe do të fillonte ndërtimin e paligjshëm të vendbanimeve (kolonive) në Bregun Perëndimor, në Gaza dhe në Lartësitë e Golanit, kjo në kundërshtim me Konventën e katërt të Gjenevës.

“Toka e Izraelit” – nga deti deri në lum – ishte koncept dhe tashmë shteti i Izraelit mund të shtrihej duke përfshirë kështu Bregun Perëndimor. Fitorja ia dha forcën duke krijuar një shkrirje të nacionalizmit laik me atë fetar në krijimin e Izraelit të Madh.

Deri në fund të luftës, Izraeli kishte dëbuar 300 mijë palestinezë të tjerë nga shtëpitë e tyre. Vetëm një vit pas luftës së vitit 1967-të ishin ndërtuar gjashtë vendbanime izraelite në lartësitë siriane të Golanit. Deri në vitin 1973 Izraeli kishte krijuar 17 vendbanime në Bregun Perëndimor dhe shtatë në Rripin e Gazës.

Më 4 korrik 1967 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, duke dashur të nxjerrë në pah mospajtimin ndaj zgjedhjeve të bëra nga autoritetet izraelite, votoi me shumicë votash një mocion që i shpallte si pa efekte juridike vendbanimet e reja që po ndërtoheshin në tokat e pushtuara. Dhjetë vite më vonë, do të vinte në fuqi partia e djathtë, Likud-i, nën udhëheqjen e Menachem Begin-it. Likud-i do ta vuloste Bregun Perëndimor me emrat biblikë si Judea dhe Samaria dhe si pjesë integrale e Tokës së Izraelit (Eretz Yisrael). Sundimi i Likud-it pa një rritje masive në burimet e dedikuara për vendbanimet, duke inkurajuar ndërtimin e tyre në të gjithë Bregun Perëndimor.

Midis fundit të gushtit dhe 1 shtatorit 1967, në përfundim të samitit të Ligës Arabe të mbajtur në Khartoum, Sudan, liderët e pranishëm nënshkruan një rezolutë, që përktheu me fjalë të qarta refuzimin e tyre ndaj çdo marrëveshjeje me Izraelin. Ishte kjo doktrina e tre JO-ve: Jo paqes me Izraelin, Jo njohjes diplomatike të tij dhe Jo negociatave. Në thelb edhe një herë ajo tregoi dobësinë e palës arabe, që ishte në ngërç politik pas përfundimit të luftimeve, pa një strategji diplomatike.

Kërkimi për një kompromis në nivel ndërkombëtar bëri që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara më 22 nëntor të miratonte rezolutën 242, sipas së cilës parimi ishte se asnjë përvetësim territorial nuk ishte i mundur të bëhej me përdorimin e forcës. Nga kjo dolën dy premisa: se “do të duhej të bëhej tërheqja e forcave të armatosura të Izraelit nga territoret e pushtuara në konfliktin e fundit”. Premisa e dytë ishte “ndërprerja e manifestimeve të armiqësisë”, “respektimi i sovranitetit, integritetit territorial dhe të pavarësisë politike të çdo shteti në rajon dhe të drejtën për të jetuar në paqe brenda kufijve të sigurt dhe të njohur”.

Derisa Izraeli i përmbahej tekstit (dhe po ashtu edhe Jordania dhe Egjipti), Organizata për Çlirimin e Palestinës, e mbështetur nga Siria, e hodhi poshtë atë, pasi nuk i përmendi “palestinezët” si të tillë, por – përkundrazi – i zhvendoste ata në rolin e refugjatëve të thjeshtë. Nga ai moment do të fillonte lufta guerile palestineze, e cila tani më shumë se kurrë nga shumë njerëz shihej si alternativa e vetme ndaj fuqisë së Izraelit. Gjithë diskursi politik palestinez, që nga ai moment, u rrotullua rreth supozimit se ekzistonte një lidhje e pazgjidhshme midis krijimit të një atdheu dhe luftës së armatosur për ta ndërtuar atë. Pas një rruge të gjatë lufte guerile dhe rritjes së vendbanimeve izraelite në tokat e pushtuara, më 22 nëntor të 1974 dy rezoluta të Asamblesë së OKB-së e sanksionuan të drejtën e palestinezëve “për vetëvendosje pa ndërhyrje të jashtme” dhe “për sovranitet dhe pavarësi kombëtare”, ndërsa OÇP-ja e mori statusin e vëzhguesit të përhershëm në Kombet e Bashkuara. Që nga ai moment, në të gjitha dokumentet zyrtare të Kombeve të Bashkuara, Bregu Perëndimor dhe Gaza u përcaktuan si territore të pushtuara arabe.

Më 10 nëntor 1975 Asambleja e Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 3379, e cila e përkufizonte sionizmin si “një formë racizmi dhe diskriminimi racor”.

“Palestina” u bë zyrtarisht anëtare e Ligës Arabe më 9 shtator 1976, ndërsa OÇP-ja, si përfaqësi e njohur e një komuniteti kombëtar, mori pjesë në punën e OKB-së.

Rritja e vendbanimeve (kolonive izraelite) në territoret e pushtuara do të shoqërohej me përdorimin e terrorizmit nga galaktika e organizatave ushtarake palestineze. Në këtë kontekst arrin akordi i paqes me Egjiptin, në këmbim të të cilit Izraeli e ktheu Sinain. Për palestinezët ishte një zgjedhje sa e pakuptueshme, aq edhe e papranueshme, duke u ndjerë të braktisur ndaj fatit si të burgosur në tokën e tyre.

Më pas, qeveritë e Likud-it i përshpejtuan proceset e marrjes së tokës, pavarësisht se kujt i përkisnin ato. Mbi të gjitha, kontrolli i burimeve ujore ishte tejet i rëndësishëm. Në vitin 1987, 120 vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor dhe 12 në Gaza, në të cilat jetonin rreth 70 mijë njerëz, kontrollonin jo më shumë se 1.6 për qind të tokës së kultivuar, por deri në 42 për qind të sipërfaqes së ujitur.

Në territoret e pushtuara po ndryshonte edhe morfologjia e shoqërisë palestineze. Një brez i ri po rritej, bijë e disfatave të kaluara, në kërkim të identitetit të vet. 47 për qind e popullsisë së Bregut Perëndimor jetonte në zonat urbane. Ishte një shoqëri në tranzicion, e cila po kalonte transformimet që e përfshinin, por nuk ishte në gjendje të ishte protagoniste e fatit të saj.

Lindja e Hamasit

Në vitin 1987, me intifadën, ishte shfaqur një lëvizje e re politike – Hamas (Harakat al-Muqawama al-Islamiya / Lëvizja e Rezistencës Islame), e cila po mblidhte konsensus në rritje.

Hamasi, i lidhur me lëvizjen e Vëllazërisë Myslimane, ishte krijuar si një rrjet organizatash bamirëse dhe të mirëqenies, të cilat tashmë që nga vitet 1970-të, të drejtuara nga vende të tilla si Arabia Saudite, vepronin gjerësisht në shoqërinë civile palestineze. Hamasi do ta krijonte edhe strukturën e vet paraushtarake, e cila më vonë u bashkua në brigadat “Ezzedin al-Qassam”. Me intifadën e parë dhe mobilizimin kolektiv që rezultoi prej saj, lëvizja radikale u angazhua për të përfaqësuar ortodoksinë më të ashpër antisioniste.

Në fillim, Izraeli e mbështeti Hamasin, si kundërpeshë ndaj nacionalizmit laik të OÇP-së, të lëvizjes kombëtare palestineze. Politika e Izraelit ishte qartësisht “përçaj e sundo!”. Në janar të vitit 2006 zgjedhje të lira u mbajtën si në Bregun Perëndimor, ashtu edhe në Gaza, në të cilat Hamasi papritur fitoi ndaj Fatahut. Por, kur Hamasi e formoi qeverinë, Izraeli refuzoi ta njohë atë, ashtu si edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Një vit më vonë, në nëntor të 2007-tës, kur Fatahu dhe Hamasi formuan një qeveri të unitetit kombëtar, duke kapërcyer mosmarrëveshjet e tyre e duke u bashkuar, Izraeli bëri të pamundurën për ta minuar atë. Ashtu si do të bënte edhe në vitet në vazhdim.

Hamasi konsiderohet një organizatë terroriste nga Bashkimi Europian, Organizata e Shteteve Amerikane, Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Kanadaja, nga një gjykatë në Egjipt dhe nga Japonia, si dhe është i ndaluar nga Jordania.

Nga viti 2007 do të fillonte një bllokadë e fortë kundrejt Gazës nga ana e Izraelit: fondet ndërkombëtare që i jepeshin qeverisë palestineze do të ndërpriteshin, Lega Arabe po ashtu do të priste fondet e saj dhe UNRWA, agjenci e Kombeve të Bashkuara, do të ishte aktori i vetëm ndërkombëtar që do të jepte kontribut ekonomik për vite me radhë.

Ndërkohë, në vitin 1991 hebrenjtë e pranishëm në territore kishin arritur numrin prej 115 mijë, të cilëve iu shtuan rreth 100 mijë banorë në Jerusalemin Lindor dhe në afërsi.

Hamasi vazhdon të besojë se janë të vlefshme supozimet e statutit themelues të vitit 1988, të cilat e mbështesin asgjësimin e Izraelit dhe islamizimin total të Palestinës, por në maj të 2017-tës u shpreh me një dokument që deklaronte disponueshmërinë e tij për institucionin e shtetit të përkohshëm palestinez në zonën e përjashtuar nga linjat e armëpushimit të vitit 1949, pra në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Një pozicion i tillë, megjithatë, kuptohet si një fazë e ndërmjetme në rrugën drejt “çlirimit” të të gjithë territorit, pa e njohur, megjithatë, të drejtën e ekzistencës së Izraelit dhe pa u deklaruar në mënyrë eksplicite kundër vazhdimit të akteve terroriste.

Oslo 1993

Marrëveshja e Oslos në vitin 1993 e krijoi iluzionin se po bëheshin përpjekje serioze nga të dyja palët drejt një procesi paqeje përmes një tërheqjeje graduale të kontrolluar izraelite nga territoret e pushtuara. Por, ai do të dështonte. Sipas palës izraeliane kjo ndodhi sepse palestinezët iu kthyen dhunës dhe është terrorizmi ai që e shkatërroi marrëveshjen. Por, në fakt, nëse do vështrohet me kujdes ai moment, Izraeli linte në një paqartësi totale në çështjen e kufijve mes dy shteteve dhe atë të vendbanimeve, kthimin e refugjatëve dhe gjithashtu mungonte qartësia përsa i përket statusit të Jerusalemit.

Në 26 tetor 1994, Izraeli dhe Jordania nënshkruan traktatin e paqes, i cili u dha fund tensioneve gati pesëdhjetëvjeçare. Për Jerusalemin, do të thoshte siguria e kufirit lindor, e cila i shtohej asaj të marrë me marrëveshjen e vitit 1979 me Egjiptin, në kufirin jugor.

Fitorja në zgjedhjet politike të majit 1996 e Benjamin Netanyahu-t, liderit të Likud-it, pas një fushate elektorale që ishte ndërprerë pas vrasjes së Yitzhak Rabin-it, e zhvendosi qendrën e gravitetit të Izraelit përsëri në të djathtë, pas katër viteve të qeverisë laburiste. Benjamin Netanyahu e kishte refuzuar dhe kishte qenë kundër marrëveshjes së Oslos. Arsyeja kryesore sërish për të ishin vendbanimet. Likud-i nën Netanyahu-n ka ndërtuar vendbanime në të gjithë gjatësinë dhe gjerësinë e Bregut Perëndimor, në mënyrë që çdo kompromis territorial të bëhej i pamundur. Dhe sa herë që palestinezët arrinin të pajtonin mosmarrëveshjet e tyre, të formonin një qeveri të unitetit kombëtar, e cila përfshinte Hamasin dhe Fatahun, Izraeli ndërmerrte një operacion që e prishte qeverinë e unitetit kombëtar.

Pas viteve 2000

Në këtë tablo të zymtë, ku shenjat e armiqësisë pasuan njëra-tjetrën, Arabia Saudite në shkurt të vitit 2002 e rifilloi një plan paqeje – të miratuar më vonë nga Liga Arabe – i cili, i frymëzuar nga formula “toka në këmbim të paqes”, përfshinte njohjen arabe të Izraelit, por me kusht të bëhej tërheqja e Izraelit nga territoret dhe riatdhesimin e refugjatëve. Shumë pak, shumë vonë!

Nga viti 2005 Izraeli do të tërhiqej nga Gaza, por edhe kësaj radhe e bëri pa u akorduar me Autoritetin Palestinez, duke e legjitimuar në fakt kështu rolin e Hamasit. Pjesa tjetër e territoreve të pushtuara palestineze të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës, ku jetojnë rreth 5.1 milionë palestinezë, mbeten nën kontrollin ushtarak izraelit nën pretekstin e sigurisë. Jetët e tyre janë diktuara nga qindra postblloqe ushtarake, nga konfiskimi i tokës, nga kufizimet e lëvizjes, nga arrestimet pa gjyq, torturat, “vrasjet e synuara” të liderëve politikë, vrasjet pa kriter të civilëve, prishjet e shtëpive, një sistem lejesh të koduara me ngjyra dhe nga një Mur Ndarës që ka ndarë familjet dhe i ka cenuar territoret në pronësi të arabëve.

“Human Rights Watch”, në një nga raportet e tij të vitit 2021, i grupoi të paktën pesë kategori të “shkeljeve të mëdha të ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe ligjit humanitar” që e karakterizojnë pushtimin. Shkeljet janë vrasje të paligjshme, paraburgim abuziv, bllokadë e Rripit të Gazës dhe kufizime në lëvizjen palestineze, zhvillimi i vendbanimeve dhe politika diskriminuese që i vendos në disavantazh palestinezët.

Sot, të paktën 700 mijë kolonë izraelitë jetojnë në vendbanime vetëm herreje, të shpërndara në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor. Vendbanimet, të cilat shoqërohen me rrugë dhe infrastrukturë të ndërtuar posaçërisht për kolonët, kontrollojnë të paktën 40 për qind të sipërfaqes së Bregut Perëndimor. Si i tillë, Izraeli ka krijuar një realitet aparteidi në territoret palestineze, ku izraelitët dhe palestinezët jetojnë nën një sistem që privilegjon hebrenjtë mbi johebrenjtë. “Duke krijuar dy sisteme të veçanta për izraelitët dhe palestinezët, autoritetet izraelite shkelin gjithashtu ndalimin e ligjit ndërkombëtar për diskriminimin”, thuhet në një raport nga Instituti Europian për Marrëdhëniet me Jashtë me qendër në Londër, i publikuar këtë vit.

Nuk është ekzagjerim të thuhet se pushtimi e ktheu Izraelin në një shtet policor represiv. Fuqia politike e lobit të kolonëve, të cilët mbrohen nga ushtria dhe lejohen të kryejnë krime të vazhdueshme, është rritur fuqishëm. Kultura politike e kolonëve infektoi pjesën tjetër të trupit politik izraelit me intolerancë, fanatizëm fetar, ksenofobi dhe islamofobi. Qartësisht një grup etnik dominon fuqishëm mbi një grup tjetër. “B’Tselem”, një organizatë e respektuar izraelite për të drejtat e njeriut, lëshoi një dokument në janar të vitit 2021 me titull “Një regjim i supremacisë hebreje nga lumi Jordan deri në Detin Mesdhe: Ky është aparteid”.

Në të kaluarën, B’Tselem-i kishte raportuar vetëm për shkelje të të drejtave të njeriut në territoret e okupuara. Dokumenti i tij në vitin 2021 arriti në përfundimin se “Gjithë zona që e kontrollon Izraeli midis lumit Jordan dhe Detit Mesdhe qeveriset nga një regjim i vetëm që punon për të avancuar dhe përjetësuar epërsinë e një grupi mbi një tjetër. Nëpërmjet hapësirës inxhinierike gjeografike, demografike dhe fizike, regjimi u mundëson hebrenjve të jetojnë në një zonë të afërt me të drejta të plota, duke përfshirë vetëvendosjen, ndërsa palestinezët jetojnë në njësi të veçanta dhe gëzojnë më pak të drejta”.

“Human Rights Watch”, në raportin e tij, e përshkruan faktin që tre nga elementët e aparteidit sipas Statutit të Romës të Hagës ekzistojnë në Izrael: ruajtja e dominimit të një grupi racor mbi një tjetër, shtypja sistematike e grupit të margjinalizuar dhe akte çnjerëzore.

Një dekadë e gjysmë që nga viti 2007, kur Izraeli e filloi bllokadën kundër Gazës, nuk është bërë asnjë hap ose lëvizje drejt një zgjidhjeje paqësore të konfliktit. Ky është një konflikt politik dhe pa dyshim që akti i 7 tetorit të Hamasit është brutal dhe terrorist. Por, Izraeli ka përdorur dhe përdor vetëm forcë brutale ushtarake për të shtypur palestinezët në Bregun Perëndimor dhe në Gaza dhe asgjë tjetër përveç forcës brutale ushtarake.

Përgjigja e qeverisë së Izraelit në mënyrë kolektive dhe disproporcionale kundrejt civilëve në Gaza është qartësisht krim lufte. Dhe, kjo nuk është diçka e re. Sipas raportit “Goldstone” prej 575 faqesh, gjatë sulmit të parë izraelit ndaj popullit të Gazës në vitin 2008 dhe më pas në vitin 2009, i ka 33 episode ku me detaje jepen të dhënat për krimet e luftës dhe Izraelit nuk iu desh të paguante asnjëherë asnjë çmim për kryerjen e këtyre krimeve.

Sipas shifrave të dhëna nga Hamasi, aktualisht deri tash 15 mijë civilë kanë vdekur nga fillimi i bombardimeve dhe pushtimit në Gaza, prej të cilëve 6 mijë janë fëmijë. Gjithë kjo ndodh në një anshmëri evidente, të Perëndimit kah Izraeli, kryesisht SHBA-së dhe Britanisë, në emër të së drejtës për t’u mbrojtur.  Një anshmëri e tillë, mosmarrja e përgjegjësive për krimet e kryera, mosdhënia e llogarisë, në kushtet aktuale nuk i shërben gjetjes së zgjidhjes së konfliktit, demokracisë izraeliane, ligjit ndërkombëtar dhe vetë parimeve që shërbejnë si bosht i sistemit tonë demokratik.

Shumica dërrmuese e izraelitëve thonë se duan paqe dhe negociata me palestinezët: problemi është se si dhe me çfarë objektivi të saktë. Partitë e ndryshme politike izraelite kanë qëndrime të ndryshme për mënyrat dhe kohët e kompromisit për shtetin palestinez dhe territorin e tij, për vendbanimet, për të ardhmen e Jerusalemit, për të drejtën e kthimit të palestinezëve, kushte këto të nevojshme për ta arritur paqen.

Të gjitha konfliktet një ditë arrijnë fundin. Por, atij izraelito-palestinez ende nuk i dihet se kur. Pa dyshim se të dy popujt janë të destinuar për të bashkëjetuar me njëri tjetrin, duke ndarë territorin në të cilin jetojnë, por vetëm kur pushtimi, denigrimi dhe dehumanizimi i popullit palestinez të marrë fund dhe kur të dy popujt ta njohin ekzistencën e njëri-tjetrit, duke i lënë hapësirë reale politikës për të vepruar. Diku, dikur do të jetë kthimi në të ardhme.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X