Kultura masive që e adhuron rininë e shkujdesur dhe që imponon rinorizimin e masave nuk shfaqet për herë të parë në modernitet. Fashizmi e nazizmi nuk do të qe i mundur pa shkujdesjen e miliona pasuesve të Duçes e të Führerit, të cilët i votuan pa e vrarë mendjen, pra me shkujdesjen maksimale. Ta vëmë re këtu koincidencën me himnin fashist “Giovinezza”, një lavd i vërtetë për atë moshë, e cila u bindet me gëzim urdhrave të autoriteteve totale, pa hezitimin apo pikëpyetjet që do të vinin prej moshave më të pjekura.
Arbër ZAIMI, Tiranë
Sipas disa gojëdhënave, ka pasur popuj që në kohë fort të lashta i kanë vrarë pleqtë. Në disa legjenda të moçme japoneze tregohet për njerëz që praktikonin ubasute-n, ritualin ku i biri e merr babën a nënën plakë në shpinë dhe e çon në majë të një mali të shenjtë për ta lënë të vdesë, pasi ia merr bekimet. Vetë marrja e bekimeve ngjan si një vjedhje e fundit, prej bijsh që përkujdesjen prindërore gjatë rritjes nuk e kanë marrë si detyrim për përkujdesje birësore gjatë plakjes. Dy regjisorë të mëdhenj japonezë e kanë bërë film për këtë punë, Keisuke Kinoshita në 1958 (duke përdorur kanonet estetike të teatrit tradicional kabuki), dhe ShoheiImamura në 1983 me një qasje shumë më foucauldiane. Edhe regjisori me nam i thrillerit psikologjik korean, Kim Ki-Young, ka bërë një film në 1963 me të njëjtin skenar.
Legjenda dihen edhe për skandinavët e hershëm, që jetën njerëzore e ndanin në faza të ngurta. Ata ua njihnin njerëzve moshën e lojës, rritjes e mësimit, pra fëmijërinë, moshën e çiftimit e të pllenimit, pra moshën e rinisë, moshën e luftës e të punës, pra atë të pjekurisë, moshën e edukimit të nipave e mbesave, pra atë të pleqërisë, e pas asaj moshën për vdekjen e domosdoshme rituale, duke u hedhur nga shkëmbi. Praktika ose rituali del të jetë quajtur “ättestupa”. Si gjithmonë në fund, para se t´u shkurtohet ymri, pleqve u merret bekimi, si vjelje e taksës së mbramë. Kinemaja është kureshtare për ekstremitetet e njerëzimit, ndaj edhe ky ritual del nëpër filma, së fundmi p.sh. te filmi jo pak i vlerësuar me titullin “Midsommar” (2019) i horroristit të ri e të talentuar, Ari Asterit.
Nuk dihet me siguri nëse këto legjenda paraqesin shoqëri që vërtet kanë ekzistuar. Po të kenë ekzistuar edhe në realitet shoqëri të tilla, do të kenë qenë raste të ekonomizmit absolut: njeriut i lejohet të jetojë veç për aq sa është ekonomikisht i dobishëm. Mirëpo, legjendat nuk janë historiografi, e dimë, më shpesh ato forcën e kanë pasur tek paraqitja e asaj që tmerron jo pse ajo frymëzohet nga ngjarje e shoqëri ekzistuese, por se ndihmon në mbajtjen e shoqërive sa më larg prej prirjeve e fenomeneve që çojnë në drejtime të tilla.
Ashtu siç ka edhe legjenda që synojnë të kundërtën, pra portretizimin e modeleve që duhen ndjekur. Për shembull, te “Eneida” e Virgjilit heroi eponim, Eneu, e merr mbi krahë plakun e vet, Ankizin, paçka se çeta mizore e Uliksit dinak dhe e grekëve të tjerë tashmë kishte nisur masakrën mbi trojanët e kapur në gjumë. Ankizi plak i lutej Eneut ta linte të vdiste, sepse trupi i tij nuk kishte ndonjë vlerë, ndërsa Eneu i ri më mirë ta shpëtonte veten dhe të birin e njomë. Por, Eneu nuk e lëshoi kurrë të atin plak, pavarësisht “kostove” siç do mund të thoshte ndonjë ekonomist i kohëve tona. Madje, edhe kur Ankizi vdes, në Siqeli, ende pa arritur në destinacionin e tyre, trojanët që do ta themelonin Romën, Eneu nuk e braktis kujtimin e të atit. Në një nga bëmat e tij heroike, kur zbret nën dhe, ai nuk përmbahet tek sheh hijen e t’atit dhe turret ta përqafojë, por më kot. Të vdekurit nuk kthehen më.
Këto dy tendenca të legjendave të lashta duket sikur jehojnë në disa dimensione të modernitetit dhe postmodernitetit tashmë mbarëglobal.
Qytetërimi modern, pra organizimi i shoqërisë kapitaliste në shtete të cilat konsiderohen si të zhvilluara kur arrijnë ta ruajnë harmoninë shoqërore, që nga shek. XIX e këndej, është i bazuar në solidaritetin mes brezave. Thuhet se kancelari i parë i Gjermanisë së bashkuar, Otto von Bismarck, ishte ai që e instaloi këtë model të solidaritetit mes brezave. Punon i riu e paguan taksat me të cilat paguhet pensioni e spitali i plakut, por edhe çerdhja dhe shkolla e foshnjës. Kur i riu plaket, e di se kontributin do t´ia kthejë foshnja e dikurshme. E kështu me radhë.
Në këtë lloj shoqërie moderne, moskokëçarja cinike për të moshuarit u pa si shenjë e dekadencës ekstreme dhe e barbarisë. Qytetërimet perëndimore a lindore, veriore a jugore, prej themeleve të veta e përcjellin domosdoshmërinë e kujdesit për pleqtë e fëmijët. Ndërsa braktisja e tyre, si në legjendat e përmendura në fillim, shihej si primitivizëm ekstrem, si diçka ndoshta paraqytetërimore, barbare e xhahile.
Kineastët e mëdhenj e kanë trajtuar pa mëshirë këtë lloj barbarie, me shpresën që filma-kryevepra si “Umberto D.” (nga Vittorio De Sica), “Histori nga Tokio” (Yasujiro Ozu), “Balada e Narajamës” (Keisuke Kinoshita) – të bërë pas katastrofës së Luftës II Botërore që la shumëkënd pa familje ose, së fundmi, “Unë, Daniel Blake” (Ken Loach), “Amour” (Michael Haneke) ose “The Whale” (Darren Aronofsky) – bërë pas katastrofës neoliberale – ta ngrenë vetëdijen e publikut për domosdoshmërinë e përkujdesjes së shoqërisë e të individit për pleqtë e për të vetmuarit, gjithnjë e në çdo kohë.
Mirëpo, mjerisht, ndikimi i kinemasë në shoqërinë e sotme është shumë i vogël, aty-aty me ndikimin e letërsisë e të arteve të tjera. Përkundrazi, ndikim tejet të madh ka industria e konsumit, me reklamat e saj bombastike, me estetikën prej video-game-sh e me imazhe e tekste të sajuara nga inteligjenca artificiale. Kjo industri, e cila vë në qendër të produktit të saj kulturor masiv shitjen, më së shpeshti i adreson fëmijët ose të rinjtë. Ata priren të konsumojnë e shpenzojnë më shumë. Edhe moshave të tjera u drejtohen mesazhe të ngjashme, të drejtpërdrejta apo subliminale, duke kërkuar prej tyre “të mbeten gjithnjë të rinj” apo “të gëzohen si fëmijët”, e duke premtuar shijim jete rinore edhe në mosha që deri para pak vitesh as që mund të ngatërroheshin me atë fazë të jetës njerëzore. Kjo kulturë komerciale kësisoj krijon një kulturë të qendërzuar te rinia e hershme, te frenetizmi dhe hiperaktiviteti i pandërprerë, tek hedonizmi individualist. Urdhri i ditës, i secilës ditë, është “enjoy!”. Por, ana e pashmangshme e këtij rinorizimi të sforcuar është një gerontofobi brutale. Të moshuarit konsiderohen si të pabukur, ata paraqiten në media si njerëz të cilëve u ka skaduar afati, si njerëz që nuk dinë të përdorin teknologjitë e reja e, për pasojë, bëjnë gafa para kamerave të telefonave, ku nipi ngatërrestar ka përdorur kushedi çfarë “filteri” e mbesa protagoniste ka përgatitur kushedi çfarë skenari nga ato të gatshmet (template) që ofrojnë rrjetet asociale.
Kultura masive që e adhuron rininë e shkujdesur dhe që imponon rinorizimin e masave nuk shfaqet për herë të parë në modernitet. Fashizmi e nazizmi nuk do të qe i mundur pa shkujdesjen e miliona pasuesve të Duçes e të Führerit, të cilët i votuan pa e vrarë mendjen, pra me shkujdesjen maksimale. Ta vëmë re këtu koincidencën me himnin fashist “Giovinezza”, një lavd i vërtetë për atë moshë, e cila u bindet me gëzim urdhrave të autoriteteve totale, pa hezitimin apo pikëpyetjet që do të vinin prej moshave më të pjekura.
Sot, në botë, për herë të dytë që prej Luftës së Dytë Botërore, kemi një rikthim masiv të partive të ekstremit të djathtë, me prirje neofashiste herë të maskuara e herë jo. Shumë prej tyre adhurojnë si führer të kohës sonë presidentin rus, Putin. Vladimir Putini ka sulmuar Ukrainën me pretendimin se po i çliron rusët, gjë që ngjan fort me sulmin e Hitlerit mbi Çekosllovakinë me pretendimin se do t’i çlironte gjermanët e Sudeteve. Mbështetësit e tij anembanë botës e shohin atë si shpëtim prej të këqijave që ka sjellë demokracia e që shpesh mendojnë në modalitet komplotist (paranojë që e ushqen vetë industria e medias dhe e rrjeteve asociale). Këta mbështetës, po t´u jepet mundësia, duken të gatshëm për t´ia hapur derën ndonjë formati të ri të totalitarizmit.
Çka i gatit njerëzit për sundim totalitar në një botë jo-totalitare? Fillikatësia, thotë Hannah Arendt në librin “Origjinat e Totalitarizmit” (1951). Fillikatësia, që dikur mbase kish qenë një përjetim i pakkujt, në kushte të zgripit të jetës, si p.sh. atij që mbetet fill vetëm në moshë shumë të vjetër ose kurbetçiut në dhe të largët në kohërat para transportit e komunikimit modern, mirëpo që sipas Arendt në modernitetin individualist është bërë përjetim i përditshëm. Arendt-i e vlerëson vetminë si themel të mendimit dhe kusht të lumturisë, por vetmia për dallim prej fillikatësisë, gjithnjë presupozon ndonjë tjetër ose së paku dhe veten përveç vetvetes, sepse të menduarit sado që në vetmi, është gjithnjë të paktën dialog. E qetësia, parakushti i të menduarit në vetmi, nënkupton sigurinë, pra garancinë se vetmia mund të ndërpritet kurdo që është nevoja. Ndërsa fillikatësia është izolim, të ndihesh si të mos i hysh në punë askujt, të kesh frikë prej gjithkujt. Ky është individi që e ka të pamundur ose që është i paaftë të krijojë shoqëri e komunikim, ndaj krijon masivitet, njeriu që bëhet mbështetës i totalitarizmave.
Është pikërisht “i riu i përjetshëm” ai që refuzon të marrë përsipër përgjegjësi sepse dëshiron veç të shijojë sa të mundet dhe të ikë prej çdo rrethane që pengon shijimin, ai që kur vjen vakti biologjik kupton se gjatë gjithë jetës ka qenë fillikat, pa ndarë short me askënd. Fillikat e i izoluar, por kurrë vetëm e në qetësi për të menduar – i vetmi botëkuptim i tij është hedonizmi, për të cilin kur nuk ka më takat, përpiqet ta rikthejë përmes kokainës ose ndërhyrjeve estetike që të duket më i ri. Ky “i ri i përjetshëm”, produkt i industrisë së konsumit, në fillikatësinë e vet është vazhdimisht i trembur. Ai nuk ka solidarë. E trembin në radhë të parë të huajt, emigrantët, ata të një feje tjetër, ata që kanë ndonjë prirje ideologjike, ata që i përkasin ndonjë bashkësie apo ndonjë komuniteti. E tremb cilido që nuk ka identitet fluid, të dobët e të tregtueshëm. E tremb cilido që nuk është individ i dënuar me fillikatësi, siç është vetë ai. E nga frika, “i riu i përjetshëm” fillikat bëhet i gatshëm për totalitarizmin e ri.
Në një kuptim progresizmi modernist, që ia mësyu çlirimit të individit prej konstrukteve kolektive, traditave e ideologjive, kur u katandis te imponimi postmodern “shijo jetën tënde e mos e vrit mendjen për kurrkënd”, sharroi degën ku vetë qëndronte. Ai apo ajo që shijon jetën pa e vrarë mendjen për kurrkënd, shpejt gjendet në situatën ku kurrkush nuk e vret mendjen për të. Në fakt, këtë gjë e kishin nuhatur qyshmoti Horkheimer-i e Adorno te “Dialektika e Iluminizmit” (1944). Aty dy filozofët e “Shkollës së Frankfurtit” flasin për progresin që bart gjithnjë brenda vetes farat e të kundërtës së vet. Por, edhe për rëndësinë e vetëdijësimit për këtë fakt në mos po, farat mbijnë e çelin.
Duket ironike që këta “të rinj të përjetshëm”, individët e formësuar prej ideologjisë neoliberale e prej konsumit të shfrenuar, të cilët vazhdimisht flasin vetëm për Liri, e sa herë që dikush i kritikon përgjigjen se po ua cënojnë Lirinë, tash në fund po kërkojnë një baba të ashpër, një diktator, për t´ua mbrojtur Lirinë. Për ç´Liri e kanë fjalën këta individualistë, plehërues të rinj të farave totalitare?
Fjala më e hershme e dokumentuar për të shprehur konceptin “Liri” është një fjalë shumere, “amaargi”, që etimologjikisht do të thotë “i kthehet s’amës”. Mbretërit shumerë herë pas here shpallnin falje të borxheve, ashtu që njerëzit e rënë në skllavëri prej borxhit më në fund mund të ktheheshin në familjet e tyre amtare. Kjo ishte liria e parë, për të cilën shkruan njerëzit, liria për të pasur familje.
I njëjti koncept, në lingua franca-n e sotme, pra në anglisht, thuhet “free” dhe ka të njëjtën rrënjë me fjalën “friend”, pra mik. Sepse, i liri është ai që mund të zërë miq e të ketë miqësi, ndërsa skllavi nuk mundet për arsyen e thjeshtë se skllavi nuk e ka të drejtën të marrë mbi vete përgjegjësi e përkujdesje ndaj tjetrit. Skllavi, pra, nuk mund të zotohet ose të premtojë asgjë. Miqësia është liria për të hyrë në një projekt të përbashkët përgjegjësie mbi të ardhmen, ndërsa e ardhmja e skllavit nuk i përket atij.
Tash e sa kohë propagandohet një formë e përçudshme e lirisë, liria prej përgjegjësive, liria për të ikur prej përgjegjësive, liria e individit që s’do t’ia dijë për askënd. I papërgjegjshmi shihet si i lirë – “lum ti që s’ke përgjegjësi”.
Me shumë gjasë ky konceptim i lirisë individualiste prej përgjegjësive, premtimeve, përkujdesjeve, relatave ndërnjerëzore, në kohët e moçme do u ishte dukur njerëzve si përshkrim i skllavërisë. Skllavi ishte ai që zbatonte vetëm ligjin dhe hierarkinë, se nuk kishte lirinë të mbante përgjegjësi për asgjë tjetër.
Mjerisht, edhe liria e individualistëve të sotëm, që nuk çajnë kokë për askënd e që i ikin të gjitha përgjegjësive, është e ngjashme me lirinë e skllavit. Duhet të jemi të gatshëm ta kritikojmë këtë lloj “lirie” teksa ajo po bëhet pengesë për liritë e tjera njerëzore e shoqërore. E kritika më e mirë është përkujdesja për njëri-tjetrin, duke nisur prej familjes si themel i solidaritetit njerëzor. Arsyeja njerëzore vetë, për ta mbyllur me Horkheimer-in e Adorno-n, e ka detyrën që t´i përgjigjet paarsyeshmërisë që gjithnjë dhe pashmangshëm gjendet brenda saj.