loader image
December 3, 2024

Supremacia false e një etnie

Nga 1945-ta shqiptarët në kufijtë e Maqedonisë jugosllave kanë jetuar në kushte koloniale, kanë jetuar si popull i shtypur skajshmërisht. Përderisa në njësinë federale jugosllave kohezionin e brendshëm e ruante forca e diktaturës, që buronte nga raportet koloniale, ku shqiptarët trajtoheshin si popull i kolonizuar, elementi që mbante të lidhur popullatën heterogjene të Republikës së Maqedonisë pas pavarësisë së saj mund të thuhet se është mendësia postkoloniale.

Shkruan: Bekim QOKU, Strugë

1.

Maqedonia si territor gjeografik, përgjatë sundimit të Perandorisë Osmane,  ishte vend pa komb që identifikohej me atë emër. Popujt e ndryshëm, që jetonin aty, për sa kohë jetonin në atë perandori, nuk shfaqën pretendime për t’u shpallur si komb autokton i këtyre trojeve jo të delimituar saktë, edhe për shkak se perandoritë për nga natyra e tyre politike nuk favorizojnë kombet. Me dobësimin e Perandorisë, shtete rreth tij dhe shqiptarët si komb brenda këtij territori me emër antik, e kthyen në fushë beteje për përfshirjen në një shtet të vetin. Tre shtete i matën forcat e tyre ushtarake, por edhe diplomatike, gjatë dy luftërave ballkanike, prej të cilave fitues më të mëdhenj dolën Greqia dhe Serbia. Të dy këta shtete mëtuan territorin e quajtur Maqedoni dhe pasi dolën fitues, e ndanë atë ndërmjet vete, Greqia mori Maqedoninë e Egjeut me Selanikun si kryeqendër, ndërsa Serbia Maqedoninë e Vardarit me Shkupin.

Përderisa Greqia arriti ta greqizojë tërësisht Maqedoninë e saj, ashtu që të mos i shfaqen kurrë telashe të mëdha të brendshme politike, në kuptim ndëretnik apo ndërfetar, Serbia fillimisht, pastaj Jugosllavia më vonë, nuk ia dolën të shkërbejnë metodat radikale greke të asimilimit dhe greqizimit. Si zëvendësim, Titoja, në kuadër të federatës Jugosllave, themeloi një republikë të veçantë me emrin Maqedoni dhe u përpoq t’i mbrujë asaj edhe një komb sipas kallëpit të ri me emrin gjeografik. Një nga arsyet e themelimit të një republike të tillë, me gjasë, duhet të ketë qenë edhe copëtimi i shqiptarëve brenda Jugosllavisë, që ishin kombi i tretë për nga madhësia, në sa më shumë njësi federale, për t’ua pamundësuar homogjenizimin dhe cunguar fuqinë. Sidoqoftë, kjo mbrujtje e një kombi të ri nga dy etni të mëdha, njëra bullgare dhe tjetra shqiptare, që kulturalisht dhe historikisht nuk kishin as kanë gjë të përbashkët, do të rezultojë me vështirësi të mëdha qysh nga ngjizja në vitin 1943 e deri sot e kësaj dite.

Nga 1945-ta shqiptarët në kufijtë e Maqedonisë jugosllave kanë jetuar në kushte koloniale, kanë jetuar si popull i shtypur skajshmërisht. Përderisa në njësinë federale jugosllave kohezionin e brendshëm e ruante forca e diktaturës, që buronte nga raportet koloniale, ku shqiptarët trajtoheshin si popull i kolonizuar, elementi që e mbante të lidhur popullatën heterogjene të Republikës së Maqedonisë pas pavarësisë së saj mund të thuhet se është mendësia postkoloniale. Teoria postkoloniale thotë se pushtetet asimetrike, të ndërtuara me dhunë gjatë kohës koloniale, nuk marrin fund me eliminimin formal të kolonializmit. Për shembull, politikat zhvillimore të vendit zbatohen si vazhdimësi e kolonializmit. Subjekti dominues do të bëjë çmos që t’i mbajë dhe përvetësojë edhe më tej për vete pasuritë kombëtare, dijet dhe institucionet, me qëllim për ta ngritur mirëqenien e vet dhe për ta ruajtur superioritetin hegjemonial mbi kombet dhe etnitë e tjera.

Kjo hegjemoni e vendosur fillimisht në saje pushtetit të madh që kishte Jugosllavia vazhdoi më vonë si inerci i pandryshuar në shtetin e pavarësuar pa luftë. Inercia fataliste e pafuqisë nga ana e shqiptarëve dhe supremacia false nga ana e maqedonasve, që e trashëgoi tashmë kombi maqedonas mbi popujt e tjerë, ka pasur rolin kyç në mbijetesën e shtetit të ri deri sot. Imazhi i krijuar për veten nga ky qëndrim, pra qëndrimi superior ndaj të tjerëve, ka bërë që fuqia ose kapaciteti i tjetrit të minimizohet skajshëm. Ky qëndrim delirant i maqedonasve u shkund për herë të parë në zgjedhjet e para parlamentare të Republikës së Maqedonisë pluraliste të vitit 1990. Me gjithë manipulimet e mëdha dhe padrejtësitë që u bënë në ndarjen e zonave zgjedhore, në këto zgjedhje, nga gjithsej 120 deputetë, shqiptarët morën 23 mandate. Ky numër “i madh” mandatesh i irritoi kaq shumë pjesëtarët e partisë së re të djathtë nacionaliste, saqë dolën në protesta për ta kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve.

Kryeministri i partisë që përmendëm më sipër, në një intervistë të para do kohëve, kujtoi tronditjen e tij, kur në kohën që ushtronte detyrën e kryeministrit, i kishin thënë se 33% e filloristëve, e nxënësve të klasës së parë, janë shqiptarë. “Nuk ka si mos të të ndizet një dritë e kuqe, kur i dëgjon këto shifra.”, thotë ai. Statistikat e nxjerra në mënyrë të tërthortë tregojnë se numri i lindjeve, sipas etnisë, në vitet e ’90-ta ka qenë mbi 40 % shqiptarë, pa i përfshirë në këtë shifër foshnjat, prindërit e të cilave, për arsye të ndryshme, i regjistronin ato si joshqiptarë, kryesisht turq, torbeshë ose edhe maqedonas.

Minimizimi dhe reduktimi i rolit të shqiptarëve u manifestua edhe në aktet themeltare të shtetit të ri. Të gjithë aktvendimet më të rëndësishme të shtetësisë maqedonase u sollën pa pëlqimin e shqiptarëve, si bashkësia e dytë më e madhe: deklarata e pavarësisë, referendumi për Maqedoninë sovrane, kushtetuta e Maqedonisë, si dhe zgjedhja e presidentit të parë (Gligorov). Ndonëse shqiptarët janë një numër jashtëzakonisht i madh në shtet, simbolet e shtetit, si himni, stema dhe flamuri nuk përmbajnë asnjë element ose simbol të historisë dhe kulturës shqiptare. Shqiptarët reduktohen skajshmërisht ose mohohen shpesh tërësisht në shumë aspekte të jetës socio-kulturore. Ta zëmë, në qytetin e Strugës, me shumicë shqiptare, asnjë rrugë nuk mban emër të kulturës ose historisë së kombit shqiptar. Në kuvendin republikan nuk figuron asnjë element ikonografik shqiptar. Gjuhën shqipe nuk e sheh në kartëmonedhat, as në shumë mbishkrime institucionesh shtetërore etj., dhe ajo vazhdon të përdoret si gjuhë e përkthyer e popullit 20%. Një ironi e hidhur është edhe fakti që, megjithëse shqiptarët janë detyruar të migrojnë dhunshëm jashtë shtetit dhe sot kanë një mërgatë që mund të jetë mbi dyfishin e shqiptarëve brenda tij, ministri i diasporës ka vizituar dhe është kujdesur kryesisht për mërgatën maqedonase. Tjetra: mërgatës i bëhet thuajse e pamundur të votojë jashtë shtetit. Edhe kur në regjimin e Gruevskit, diaspora e MV-së mundi të votonte për tre deputetë, që të tre ishin të etnisë maqedonase.

Numri i saktë i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut do të mbetet një nga sekretet më të mëdha të shtetit. Nëse ky shtet do që të mbijetojë me këtë rend kushtetues, atëherë numri i saktë edhe duhet të mbetet sekreti i madh. Sekretin e numrit të saktë do ta ruajnë me fanatizëm dy institutet më thelbësore të shtetit, ata që mbledhin, ruajnë, përpunojnë dhe gjenerojnë shifrat – këta janë Enti Shtetëror i Statistikave dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Statistikat në Maqedoni janë komponenti metapolitik i shtetit, që do të thotë se përmes tyre krijohen politikat e vendit. Kështu, shteti duket më shumë ekuacion matematikor sesa politik. Statistikat në Maqedoni nuk kanë bazë shkencore, por politike. Siç thotë filozofi francez Fuko, në këtë rast shkenca operon duke i shkuar përshtati politikës. Numri i shqiptarëve në vend do të jetë gjithmonë aq sa të mos kërcënohet rendi aktual kushtetues. Për hir të ekzistencës së domosdoshme(?) të MV, statistikat këtu nuk janë çështje shkencore, por dakordancë politike.

Pasojat që i vuajnë shqiptarët vendas të MV-së nga këto politika koloniale janë se tek ata tani është rrënjosur thellë në qenien e tyre një mendësi koloniale që i bën të vuajnë nga kompleksi i inferioritetit. Sa më shumë të zgjasë bindja se ne nuk kemi kapacitete për t’i dalë zot vetes, aq më e pamundur bëhet ideja se jemi të aftë të drejtojmë politika udhëheqëse-qeverisëse. Derisa në pasqyrë veten e shohim vetëm qytetarë të dorës së dytë dhe të paaftë për të qeverisur, nuk do të ndodhë kthesa. Politikanët tanë, kur shihen në pasqyrë, shohin Gruevski, Zaev, Vuçiq. Kësisoj, ata gjysmën e punës, në mos më shumë, për nëpërkëmbjen e dinjitetit të tyre, e kryejnë me duart e veta. Një populli që i ka munguar liria, vështirë e ka të vetëdijesohet për mungesën e saj.

2.

Në qoftë se pranojmë që me pjesën e parë të tekstit kemi dhënë një pasqyrë disi objektive të Maqedonisë së Veriut, duke u bazuar në ngjarje historike dhe fakte statistikore, atëherë cilat do të ishin pozicionet subjektive të mundshme të shqiptarëve kundruall saj, pozicionet e shqiptarëve të këtushëm, por edhe të atyre në Shqipëri e në Kosovë? Dy nga pozicionet mund të ishin: ai i lirisë dhe ai i pushtetit. Liristët e perceptojnë Maqedoninë e Veriut sipas vendosjes në filozofinë e lirisë praktike, që do të thotë se do ta trajtonin atë si një shtet ku shqiptarëve u shkelën të drejtat elementare, ku ata konsiderohen si qytetarë të dorës së dytë, ku mungon barazia dhe u mohohet drejtësia. Pushtetistët, nga ana tjetër, e perceptojnë atë sipas vendosjes deterministe, si mundësi e rritjes së pushtetit të tyre. Ata priren nga lakmia, nga lakmia për pushtet-pasuri dhe, siç po e jetojmë “live”, në masën që rrisin pushtetin e vet depushtetojnë dhe pafuqizojnë kombin e vet.

Kur Ali Ahmeti mbajti pozicionin e liristit, u bë çlirimtar dhe e themeloi Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare e cila zhvilloi luftën e vitit 2001. Por, kur u lodh nga ky pozicion, ai e zuri atë të pushtetistit dhe themeloi kompani multimilionëshe për familjarët e tij, si “Soravia” ose “Eurovia”. Këtë kategorizim mund ta aplikojmë edhe për figura dhe subjekte të tjera politike, brenda dhe jashtë vendit. Është evidente se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, me përkrahjen e projektit “Ballkani i Hapur” ka marrë pozicionin e pushtetistit. Ai Maqedoninë e Veriut e shikon me syrin e zmadhimit të pushtetit të tij dhe të rritjes së përfitimeve personale.

Sidoqoftë, raportet asimetrike të të dy kombeve më të mëdhenj të shtetit do të prishen dhe të priren drejt baraspeshimit midis dy kombeve shtetformues sa herë që shqiptarët do ta marrim pozicionin e liristit. Situata të tilla kemi pasur vetëm dhe vetëm në fazën fillestare të lëvizjeve të reja politike. Kështu ka qenë vetëm në fillim të aktivitetit të partisë PPD në vigjilje të viteve 90-ta, kështu ka qenë me PDSH-në kur e kryesonte Arbër Xhaferi 1998-2001 dhe kështu ka qenë, sidomos pas konfliktit të vitit 2001, edhe me BDI-në e Ali Ahmetit deri në vitin 2006. Pas mandatit të parë, BDI-ja dhe Ali Ahmeti vetëm sa e ka stabilizuar atë gradë asimetrie dhe e ka normalizuar pozitën inferiore të shqiptarëve, që është vendosur dhe çimentuar në vitin 2006. Çdo avancim i shqiptarëve do të thoshte kërcënim për pushtetin e politikanëve në qeverisje. Pushteti qeverisës, pra, ka arritur që gjithmonë t’i degjenerojë politikat e vullnetet e mira. Andaj është imperativ që kombi opozitar të mbahet gjallë gjithmonë e me çdo çmim që të mos hiqet dorë kurrë nga synimi për barazi të plotë e drejtësi.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X