loader image
October 14, 2024

Strategjia amerikane në Ballkan: Çfarë nuk shkon?

Shkruan: Mentor BEQA, Tiranë

Në një debat televiziv, një ish-zyrtar i qeverisë së Kosovës, në lidhje me pyetjen time nëse e shikojnë Serbinë si kërcënim për Kosovën, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përcaktuar radikalizmin politik dhe islamik si kërcënimin kryesor për Kosovën. Kjo sugjeron indirekt se Serbia nuk vlerësohet si kërcënim primar për sigurinë e Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka prezantuar këtë pikëpamje disa herë në publik, duke deklaruar se “lufta ka përfunduar në vitin 1999”, “Serbia nuk është një kërcënim për Kosovën” dhe të tjera si këto. Sigurisht, kjo qasje shkon përtej Edi Ramës dhe një pjese të elitës politike në Kosovë. Ajo reflekton strategjinë e re të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Pa marrë parasysh këtë qasje, është e vështirë të kuptohet dinamika e zhvillimeve të viteve të fundit në rajonin tonë dhe, aq më shumë, për tensionet e përsëritura në Kosovë.

Nisur nga kjo premisë, në këtë artikull do të anashkaloj interesat e faktorëve lokalë dhe do të mundohem të shpjegoj parimet themelore të strategjisë së SHBA-së dhe të ndikimit të saj mbi rajonin. Artikulli përmbyllet me disa sugjerime të mundshme për të dalë nga kriza dhe për të ndërtuar rrugën drejt një paqeje të qëndrueshme dhe afatgjatë në Ballkan.

Tranzicioni i fuqisë

Teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare janë një instrument i vlefshëm për ta kuptuar sjelljen e shteteve në politikën e madhe ndërkombëtare. Teoria e tranzicionit të fuqisë kërkon të shpjegojë dinamikën dhe konfliktet e mundshme që lindin gjatë periudhave të shkëmbimit të roleve ndërmjet fuqisë dominuese dhe asaj në rritje në sistemin ndërkombëtar. Në thelbin e saj, teoria e tranzicionit të fuqisë na thotë se derisa një fuqi në rritje fiton aftësi ekonomike, ushtarake dhe politike, ajo në mënyrë të pashmangshme paraqet një sfidë për pozicionin e fuqisë dominuese në hierarkinë ndërkombëtare. Tranzicionet e fuqisë karakterizohen nga një rrezik i rritur konflikti, i quajtur zakonisht “kurthi i Tuqididit”, që rrjedh nga vëzhgimi i historianit të lashtë grek Tuqididi se ngritja e Athinës dhe frika që ajo futi në Spartë solli Luftën e Peloponezit. Marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, kur shikohet përmes lenteve të teorisë së tranzicionit të fuqisë, na paraqet panoramën komplekse dhe sfiduese të sistemit ndërkombëtar të shekullit të 21-të.  Si fuqia me e madhe në botë, Shtetet e Bashkuara kanë gëzuar dominim të pakrahasueshëm ekonomik, ushtarak dhe politik për disa dekada. Megjithatë, ngritja e shpejtë e Kinës si një fuqi ekonomike dhe ndikimi i saj në rritje në sistemin ndërkombëtar e kanë pozicionuar atë si një sfiduese për statusin hegjemonist të Shteteve të Bashkuara. Kjo zhvendosje e fuqisë, siç na thotë Graham Allison tek “Kurthi i Tuqididit”,  përbën sfidën më të vështirë të shekullit në vijim. Allison-i, si dhe të tjerë më parë, sugjeron se gjatë periudhave të shkëmbimeve të fuqive zakonisht lindin tensione dhe konflikte që në shumicën e rasteve kanë përfunduar me konflikte të armatosura.

Në këtë pikëpamje, Shtetet e Bashkuara, si hegjemon aktual, përballen me sfidën e ruajtjes së pozitës dominuese dhe të ruajtjes së rendit ndërkombëtar ekzistues. Ngritja e Kinës perceptohet si një kërcënim potencial për interesat dhe sigurinë e saj. Kjo nxit përpjekjet për të frenuar ndikimin e Kinës dhe për ta mbrojtur rolin udhëheqës në botë. Për shkak të këtij roli, SHBA-ja është e përhapur në mbarë botën, por resurset e saj janë të kufizuara dhe kjo përgjegjësi globale mund të bëhet një barrë e vështirë për t’u menaxhuar. Për të përqendruar resurset e saj në frenimin e Kinës në mënyrë sa më të racionalizuar, ndër të tjera SHBA-ja duhet t’i zgjidhë ato çështje konfliktuale që pengojnë solidifikimin e aleancës që ia mundëson këtë. Kjo është bërë edhe më emergjente pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Strategjia e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor

Kjo na sjell te strategjia e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Prioriteti kryesor i SHBA-së është inkorporimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike. Nga perspektiva e SHBA-së, pengesa kryesore për realizimin e këtij objektivi është ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërisht në Serbi, e cila shihet si një ndërhyrje që duhet eliminuar. Kjo ka bërë të nevojshme përfshirjen më të madhe të SHBA-së, sidomos pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

Pas integrimit të Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi në NATO, SHBA-ja e shikon Serbinë si lidhjen më të dobët në këtë zinxhir ndërhyrjesh, pasi Serbia mban marrëdhënie të ngushta politike dhe kulturore me Rusinë. Strategjia e “pajtimit” të Serbisë nga SHBA-ja, gjatë dekadës së fundit, është pasqyrë e kësaj strategjie. SHBA-ja është përpjekur të asistojë në akomodimin e interesave të Serbisë në Ballkanin Perëndimor përmes një sërë iniciativash, ku Ballkani i Hapur është një nga më të dukshmet. Kjo iniciativë i ofron Serbisë mundësinë për të krijuar një hegjemoni ekonomike në rajon. Përveç kësaj, edhe pse SHBA-ja ka qenë kritike ndaj veprimeve të Milorad Dodikut në Republikën Serbe të Bosnjë-Hercegovinës, Serbia, e cila ka ndikuar në nxitjen e qasjes separatiste atje, ka shpëtuar nga kritika. Po ashtu, me ndihmën e një kryeministri shqiptar në Mal të Zi, ky vend i vogël tani është nën kontrollin politik të Serbisë dhe Kishës Serbe, një instrument i fuqisë serbe në rajon. Elementi i fundit në këtë pazëll është Asociacioni (Komuniteti) i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Nga këto, mund të duket sikur interesat e Serbisë në rajon po përmbushen dhe se Serbia do të jetë e gatshme për të ndryshuar orientimin strategjik dhe për t’u integruar në aleancën euro-atlantike.

Strategjia ‘tripalëshe’

Sigurisht, hapësira e krijuar për Serbinë do të shkaktonte shqetësime për aktorët e tjerë rajonalë, si Kroacia dhe Shqipëria. Në lidhje me këtë, duket se SHBA-ja ka hartuar një strategji më të gjerë, të njohur si strategjia e tripalëshe (Janusz Bugajski i Jamestown Foundation në Washington D.C është marrë gjatë me elaborimin e saj), e cila i konsideron tre aktorët e mësipërm si aktorët primarë në Ballkanin Perëndimor, të cilët kanë interesat e tyre legjitime në rajon. Në kuadër të kësaj qasjeje, kroatët e Bosnjës kanë fituar një rol shumë më të rëndësishëm në strukturën politike komplekse të Bosnjë-Hercegovinës, e cila tashmë, nga një strukturë dyentitetesh, është shndërruar praktikisht në një strukturë politike me tre entitete, ku pjesa kroate ushtron një ndikim që nuk përputhet me numrin e popullsisë. Shqipëria, e izoluar nga shqiptarët e tjerë në rajon, është vendi me pozitën më të favorshme në Ballkanin Perëndimor – është anëtare e NATO-s, kandidate për anëtarësim në BE, pa konflikte me fqinjët dhe në një pozitë të admirueshme krahasuar me pjesën tjetër të rajonit. Shqipërisë i është krijuar hapësira për të luajtur një rol më të rëndësishëm në skenën politike rajonale dhe më gjerë. Kjo gjithashtu e shpjegon përkrahjen e pakushtëzuar të SHBA-së për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pavarësisht shqetësimeve në rritje për rritjen e kontrollit jodemokratik brenda vendit.

Dobësitë e strategjisë

Strategjia e SHBA-së është e mbështetur mbi një qasje realiste, e cila e konsideron fuqinë reale në terren si një element të pashmangshëm në ndërtimin e strategjive të mëdha politike. Serbët, shqiptarët dhe kroatët janë, natyrisht, popujt më të rëndësishëm të Ballkanit Perëndimor dhe shtetet e tyre përfaqësuese do të jenë aktorët më kritikë në skenën politike rajonale. Megjithatë, si çdo strategji, edhe kjo i ka disa dobësi të brendshme, që e vënë në dyshim suksesin e saj. SHBA-ja ka qenë subjekt i vazhdueshëm i kritikave nga figura të rëndësishme akademike dhe të politikës së aplikuar në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë për qasje johistorike në ndërtimin e strategjive politike, siç thekson Henry Kissinger, dhe për mungesë maturie në përdorimin e fuqisë ushtarake dhe diplomatike, siç ka vlerësuar Kenneth N. Waltz. Duke u bazuar në këto vërejtje, duket se këto dobësi manifestohen edhe në strategjinë e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Ky plan strategjik bazohet në supozimin se Serbia nuk është “problem” në vetvete, por vetëm kur është e lidhur me Rusinë dhe në momentin kur lidhja e saj me Rusinë ndërpritet, ajo ose nuk do të shihet më si problem për rajonin ose nuk do ta ketë fuqinë e nevojshme për të shkaktuar probleme. Sigurisht, koncepti që ndjek kjo strategji i ka meritat e veta.

Një nga problemet kryesore në Ballkan, që nga Traktati i Berlinit dhe pas tij, është se ai ka krijuar një strukturë në të cilën Serbia e sheh veten si fuqia dominuese, me aktorë më të vegjël që nuk mund ta balancojnë këtë fuqi. Kjo ia ka dhënë Serbisë iluzionin se mund ta kontrollojë Ballkanin. Kjo është dobësia themelore e zgjidhjes politike që i është të dhënë Ballkanit gjatë shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Ndarja e shqiptarëve në disa shtete e bën të pamundur për ta që ta balancojnë hegjemoninë serbe. Serbia, e kombinuar me një fuqi të madhe si Rusia, natyrisht që bëhet një burim i vazhdueshëm i pasigurisë dhe kërcënimit për stabilitetin e Ballkanit, siç u dëshmua nga luftërat që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Prania e fuqive të tjera të treta, sidomos SHBA-së, është e domosdoshme për ta balancuar Serbinë, e cila ka qenë në vijimësi fuqia revizioniste që ka shkaktuar konflikte në rajon.

Nga kjo perspektivë, shkëputja e Serbisë nga Rusia e kufizon aftësinë e saj për ta destabilizuar Ballkanin. Këtu arrijmë në pikën ku ahistoriciteti i strategjisë amerikane shfaqet si një prej problemeve të saj kryesore. Kjo strategji e injoron ndikimin e nacionalizmit serb në përcaktimin e strategjive politike të Serbisë. “Bota Serbe” nuk është thjeshtë një mjet për zgjerimin e ndikimit serb në zonat e banuara nga serbët, por është vazhdimi i natyrshëm i parimeve të nacionalizmit serb, i cili e përfytyron Serbinë në shtrirjen territoriale të perandorisë mesjetare serbe. Shtrirja imagjinare e Serbisë në territore që nuk kanë lidhje as faktikisht as historikisht me Serbinë, është thellësisht e ngulitur në shoqërinë, strukturat fetare dhe shtetërore serbe. Kjo e bën Serbinë një kërcënim të vazhdueshëm për rajonin.

Së dyti, strategjia nuk i merr në konsideratë interesat e shteteve më të vogla në Ballkan, çka e bën atë të papranueshme për to. Në mënyrë të veçantë, boshnjakët ndihen të lënë jashtë dhe të marginalizuar nga kjo strategji “tripalëshe” dhe mund të përgjigjen me rezistencë dhe mospranim. Ata ndihen të papërfillur dhe shohin se strategjia bën favore për Serbinë dhe Kroacinë në kurriz të tyre. Kjo pakënaqësi dhe ndjenja e padrejtësisë mund të shkaktojë konflikte dhe paqëndrueshmëri të mëtejshme në rajon. Po ashtu, ndjenja e përjashtimit nuk është e kufizuar vetëm tek boshnjakët. Pjesë të caktuara të popullsisë në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, që nuk duan të jenë nën hegjemoninë e tri shteteve të mëdha – Serbisë, Kroacisë dhe Shqipërisë – gjithashtu mund të rezistojnë ndaj kësaj ndarjeje të influencës. Ata mund të kërkojnë aleanca alternative për t’i mbrojtur interesat e tyre, duke krijuar një situatë ku Ballkani mund të kthehet në një fushë të paqëndrueshme dhe konfliktuale. Kështu, derisa strategjia “tripalëshe” mund të ketë për qëllim ta sigurojë stabilitetin dhe të ndihmojë në integrimin e rajonit në strukturat euroatlantike, ajo gjithashtu mund të rrezikojë të krijojë një ndjenjë të përjashtimit dhe të padrejtësisë ndër popujt e rajonit, duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin që ajo kërkon të ndërtojë.

Konflikti ndërshqiptar

Problemi më serioz me strategjinë është se nuk funksionon për shqiptarët. Për dallim nga serbët dhe kroatët, të cilët kanë dy shtete qendrore me kontroll mbi pjesën tjetër të popullsisë së tyre që jeton jashtë territorit të shteteve kryesore, shqiptarët janë shumë më të decentralizuar. Tirana ka vështirësi për të ushtruar kontroll paternalist mbi pjesën tjetër të shqiptarëve në rajon, veçanërisht mbi Kosovën.

Kjo është plotësisht e natyrshme për shkak të karakteristikave të aktorëve të përfshirë, madhësia relative e të cilëve nuk është shumë asimetrike. Pavarësisht sentimenteve romantike nacionaliste, shtetet në përgjithësi shfaqin dy karakteristika të rëndësishme.

Së pari, ato refuzojnë të vdesin. Që në momentin e krijimit, është në natyrën e shteteve ta konsolidojnë ekzistencën e tyre. Shtetet, si entitete politike, synojnë ta sigurojnë mbijetesën dhe vetëpohimin në shoqërinë ndërkombëtare. Ata veprojnë në mënyrë aktive për ta konsoliduar pozicionin e tyre dhe për ta ruajtur integritetin territorial. Shkalla e vdekshmërisë së shteteve është e ulët në krahasim me organizmat e tjerë shoqërorë, sepse ata e kanë interesin e qartë për të mbijetuar si entitete të pavarur. Së dyti, shtetet zakonisht krijojnë kombe dhe kjo e shpjegon faktin që shumica e kombeve moderne janë krijime të shteteve dhe jo kombe primordiale. Në shumicën e rasteve, kombet moderne janë produkt i proceseve shtetërore dhe politikave identitare të shtetit. Nëpërmjet politikave të ndryshme, shtetet promovojnë një ndjenjë të përbashkët përkatësie identitare.

Kosova nuk bën përjashtim nga rregulla e mësipërme dhe këtu mbërrijmë tek dobësia themelore e strategjisë amerikane. Megjithëse vend më i vogël dhe më i dobët, Kosova ka filluar të tregojë ndjenjën e vetëdijes dhe përfaqësimit të shqiptarëve, duke e bërë atë “kërcënim” për hegjemoninë e Tiranës ndër shqiptarët në rajon. Prandaj, gjasat janë që kjo strategji, në vend që të krijojë një ekuilibër ndërmjet tre faktorëve – serbëve, shqiptarëve dhe kroatëve – ku secili shtet qendror do të ushtronte kontroll paternalist mbi pjesën tjetër të popullsisë kombëtare, në fakt inkurajon fragmentimin midis shqiptarëve. Në këtë pikëpamje, konflikti ndërmjet Edi Ramës dhe Albin Kurtit nuk është thjesht një konflikt mes dy individëve, por është manifestimi i një simptome më të thellë, strukturore dhe sistemike, e cila i ka rrënjët në natyrën e organizimit politik të shqiptarëve në rajon. Gjasat janë që kjo garë për përfaqësim do të intensifikohet edhe në të ardhmen dhe konflikti ndërmjet shqiptarëve do të jetë edhe më i dukshëm dhe i zëshëm.

Nëse kjo ndodh, do ta zerojë strategjinë amerikane në Ballkanin Perëndimor, pasi strategjia bazohet në idenë e aksit Tiranë-Beograd-Zagreb si një aks stabilizues për rajonin. Në rastin konkret, Tirana është elementi i dobët i këtij aksi, duke ekspozuar mundësinë e dështimit të strategjisë në tërësi. Hegjemonia e Tiranës mbi Prishtinën thjesht nuk është e mundur. Ky fragmentim i faktorit shqiptar lë fuqinë serbe në rajon të pakontrolluar dhe na kthen prapa në pikën fillestare të problemit. Natyrisht, roli i individëve në politikëbërje, në rastin konkret ai i Albin Kurtit, është i rëndësishëm, megjithatë mbetet i papërfillshëm në krahasim me shkaqet sistemike të problemit, të cilat kërkojnë adresim sistemik. Ndëshkimi i Albin Kurtit mund ta korrigjojë përkohësisht kursin e strategjisë, por nuk e zgjidh problemin në afatgjatë.

NATO dhe BE mbeten zgjidhja

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten fuqia më legjitime dhe me ndikimin më të madh në Ballkan për të ndërtuar kushtet për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Europian, gjithashtu, mbetet një entitet politik atraktiv për vendet e Ballkanit Perëndimor. SHBA-ja dhe BE-ja duhet ta ruajnë përkushtimin dhe intensitetin e angazhimit që kanë treguar gjatë dy viteve të fundit, veçanërisht me dy aktorët kryesorë, Serbinë dhe Kosovën, por duket se kjo ende nuk është e mjaftueshme.

SHBA-ja dhe BE-ja duhet të paraqesin një perspektivë të qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që inkurajojnë zgjidhjen e problemeve mes tyre. Edhe pse Kosova dhe Serbia janë pajtuar në Bruksel dhe Ohër për normalizimin e marrëdhënieve, mekanizmat e zbatimit dhe pasojat e shpërblimet për zbatimin ose moszbatimin e marrëveshjes nuk janë të qarta.

Derisa Kosovës i kërkohet ta pranojë krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili mund të perceptohet si një mjet influencimi i Serbisë në Kosovë, nuk është e qartë çfarë përfiton Kosova në këmbim. Mundësia e njohjes reciproke ose anëtarësimit të Kosovës në OKB duket e largët. Në këto kushte, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ndërmarrin hapa konkretë për të lehtësuar shqetësimin legjitim që ka Kosova për integritetin territorial dhe për shtrirjen e sovranitetit të shtetit në tërësinë territoriale të Kosovës.

SHBA-ja duhet të sigurojë një perspektivë të vërtetë për njohjen e Kosovës nga katër vendet anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur atë dhe një mekanizëm për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në NATO. Kjo do t’i bënte kufijtë e Kosovës të sigurt në mënyrë përfundimtare dhe në të njëjtën kohë do ta eliminonte çdo pretekst të aktorëve lokalë për ta kundërshtuar miratimin e Asociacionit.

Së dyti, procesi i integrimit të rajonit të Ballkanit në Bashkimin Europian është i ngadaltë dhe asimetrik. BE-ja, paralelisht me angazhimin për zgjidhjen e konflikteve midis aktorëve në Ballkan, duhet t’i korrigjojë këto dy defekte themelore të procesit të integrimit.

Së pari, ngadalësia, mbirregullimi dhe skepticizmi gjerësisht i përhapur në vendet kryesore të BE-së në lidhje me zgjerimin, kanë krijuar dyshime të vërteta nëse ky objektiv është i mundshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo e kufizon aftësinë e BE-së për të imponuar zgjidhje dhe i inkurajon vendet e Ballkanit Perëndimor që të shohin alternative të tjera.

Së dyti, progresi asimetrik i procesit hedh dyshime mbi besueshmërinë e Bashkimit Europian. Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova nuk duhet të ndëshkohen në proces për shkak të problemeve që i tejkalojnë ato. Rasti i Bosnjës dhe Kosovës paraqitet si shembull i qartë, ku ato ndëshkohen për shkak të kushteve që janë jashtë kontrollit të tyre; Bosnja për shkak të sjelljes penguese nga Republika Srpska, ndërsa Kosova për shkak të statusit të saj që mbetet peng i vullnetit të Serbisë. BE-ja duhet të gjejë mekanizma për të shmangur këto dobësi të procesit të integrimit dhe për të propozuar një rrugë të shpejtë të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian mund të ofrojnë zgjidhje për këto dy elemente, obstruksionizmi i faktorëve lokalë do të ishte i pamjaftueshëm për ta penguar zgjidhjen afatgjatë të konflikteve në Ballkan.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X