loader image
February 12, 2026

Sovraniteti hemisferik

Ideja e sovranitetit hemisferik nuk është një shpikje e shekullit XIX apo XX, por ka rrënjë të thella në historinë e rendit ndërkombëtar dhe shfaqet qartë që në fundin e Mesjetës. Traktati i Tordesillas (1494) është një nga shembujt më të hershëm dhe më brutalë të relativizimit të sovranitetit ku dy fuqi europiane, Spanja dhe Portugalia, e ndanë botën jashtë Europës me një vijë imagjinare, pa pyetur popujt që jetonin në ato hapësira. Ishte një akt i hapur i kolonializmit juridik, ku sovraniteti i “të tjerëve” as nuk njihej, as nuk konsiderohej i denjë për njohje.

Ardian MUHAJ, Tiranë

Në histori, përpjekja për ta parë dhe ndarë botën në dy pjesë në pjesën “tonë” dhe atë të “tjerëve” ka qenë një nga forcat më të fuqishme të saj. Një nga ndarjet më maksimaliste dhe botëkuptimet më babëzitëse ka qenë ideja e vështrimit të botës në dy pole, gjysma ose hemisfera, ku njëri pol, gjysmë ose hemisferë është synuar apo pretenduar t’i përkasë “ne”-së dhe pjesa e mbetur “të tjerëve”. Pra, nuk mjaftonte ndarja në “ne” dhe “ata”, por shumë e rëndësishme ka qenë sa jemi dhe sa kemi “ne” dhe sa “ata”. Ideja e sovranitetit hemisferik është një nga konceptet më të qëndrueshme dhe njëkohësisht më kontradiktore të historisë moderne të marrëdhënieve ndërkombëtare, megjithëse rikthehet në vëmendje kohëve të fundit, duke u artikuluar qartë në formulën e njohur “Amerika amerikanëve”, e cila, në pamje të parë, tingëllon si parim mbrojtës kundër ndërhyrjeve të jashtme, por që në praktikë ka funksionuar si instrument hegjemonie për një fuqi të vetme brenda një hapësire të tërë gjeografike. Thelbi i këtij sovraniteti nuk qëndron vetëm në përjashtimin e fuqive të jashtme, por në monopolizimin e sovranitetit brenda hapësirës përkatëse. Në këtë logjikë, shtetet e vogla janë formalisht sovrane, por realisht të kushtëzuara, sepse sovraniteti i tyre vlen për aq kohë sa përputhet me interesat strategjike, politike ose ekonomike të fuqisë dominuese të hemisferës. Nuk bëhet më fjalë për barazi mes shteteve, por për një rend ku disa vendosin rregullat dhe të tjerët i zbatojnë, nën presion ekonomik, diplomatik ose edhe ushtarak. Në shekullin XXI, bota multipolare nuk e ka zëvendësuar këtë mendësi, por, përkundrazi, e ka shumëfishuar. Parimet shpallen universale, por zbatohen selektivisht, ndërkohë që ndërhyrja dënohet kur vjen nga “tjetri”, por justifikohet kur kryhet nga “garantuesi” i hemisferës.

Nga Traktati i Tordesillas…  

Ideja e sovranitetit hemisferik nuk është një shpikje e shekullit XIX apo XX, por ka rrënjë të thella në historinë e rendit ndërkombëtar dhe shfaqet qartë që në fundin e Mesjetës. Traktati i Tordesillas (1494) është një nga shembujt më të hershëm dhe më brutalë të relativizimit të sovranitetit ku dy fuqi europiane, Spanja dhe Portugalia, e ndanë botën jashtë Europës me një vijë imagjinare, pa pyetur popujt që jetonin në ato hapësira. Ishte një akt i hapur i kolonializmit juridik, ku sovraniteti i “të tjerëve” as nuk njihej, as nuk konsiderohej i denjë për njohje. Në marrëveshjen e arritur në Tordesillas, një qytezë të vogël në veri të Madridit, u zgjidh rivaliteti mes Spanjës dhe Portugalisë pas zbulimeve të mëdha gjeografike të fundit të shekullit XV. Pas udhëtimeve të Kristofor Kolombit dhe hapjes së rrugëve oqeanike drejt territoreve të panjohura për europianët, u krijua nevoja për një rregullim juridik që të shmangte konfliktin mes dy fuqive detare më të mëdha të kohës. Traktati u arrit nën ndërmjetësimin e Selisë së Shenjtë dhe përfaqëson një nga aktet më të hershme të diplomacisë globale. Thelbi i Traktati ishte ndarja e botës jashtë Europës me anë të një vije imagjinare që kalonte nga veriu në jug, rreth 370 lega në perëndim të Ishujve të Kepit të Gjelbër. Territoret në perëndim të kësaj vije i përkisnin Spanjës, ndërsa ato në lindje Portugalisë. Kjo ndarje i dha Portugalisë kontrollin mbi Afrikën, rrugët drejt Indisë dhe, më vonë, përmes një interpretimi të dytë, Brazilin. Spanja, nga ana e saj, e fitoi pjesën më të madhe të Amerikës. Rëndësia historike e Traktatit të Tordesillas nuk qëndron vetëm në ndarjen territoriale, por në logjikën politike që ai mishëronte. Për herë të parë, bota u trajtua si një hapësirë globale e negociueshme mes fuqive të mëdha, pa asnjë konsideratë për popujt vendas që banonin ato territore. Sovraniteti nuk u kuptua si e drejtë e popujve, por si privilegj i fuqive koloniale, i legjitimuar nga autoriteti fetar dhe nga raporti i forcës.

Edhe pse me kalimin e kohës kufijtë e tij u sfiduan dhe u tejkaluan, logjika e Tordesillasit mbeti e gjallë në mendimin gjeopolitik europian.

…tek Doktrina Monroe…  

Shekuj më vonë, Doktrina Monroe (1823) e riformuloi këtë logjikë në gjuhën e modernitetit politik, por me një logjikë thelbësisht të ngjashme. Ndryshe nga Tordesillasi, ajo nuk u shpreh si një marrëveshje e hapur ndarjeje, por si parim mbrojtës, pra përjashtimi i fuqive europiane nga hemisfera perëndimore. Doktrina Monroe ishte një parim themelor i politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, i shpallur më 1823 nga presidenti James Monroe, në mesazhin e tij vjetor drejtuar Kongresit. Ajo lindi në një kontekst historik të veçantë, kur shumica e vendeve të Amerikës Latine sapo e kishin fituar pavarësinë nga perandoritë koloniale europiane dhe ekzistonte frika se fuqitë e vjetra do të përpiqeshin ta rikthenin kontrollin e tyre në “Botën e Re”. Thelbi i Doktrinës Monroe përmblidhej në dy parime kryesore: mos-kolonizim dhe mos-ndërhyrje europiane në hemisferën perëndimore. Sipas saj, çdo përpjekje e fuqive europiane për t’i zgjeruar sistemet e tyre politike ose për të ndërhyrë në çështjet e shteteve amerikane do të konsiderohej kërcënim ndaj sigurisë së Shteteve të Bashkuara.

Në formulimin e saj fillestar, Doktrina Monroe kishte një karakter mbrojtës dhe deklarativ. Shtetet e Bashkuara ende nuk e kishin kapacitetin ushtarak për ta imponuar realisht këtë parim. Megjithatë, rëndësia e doktrinës nuk qëndronte aq në fuqinë e menjëhershme sa në logjikën politike që vendosi. Amerika u shpall hapësirë e veçantë, e ndarë nga ekuilibrat tradicionalë europianë të pushtetit. Me kalimin e kohës, Doktrina Monroe pësoi një transformim të thellë. Nga një parim që synonte të mbronte sovranitetin e shteteve të reja amerikane, u shndërrua në bazë ideologjike të hegjemonisë amerikane në hemisferën perëndimore.

Në këtë kuptim, Doktrina Monroe nuk ishte thjesht deklaratë politike e shekullit XIX, por një moment themelues i konceptit të sovranitetit hemisferik. Ajo e institucionalizoi idenë se një fuqi dominuese mund të shpallë një hapësirë të tërë si zonë interesi ekskluziv, duke përjashtuar rivalët e jashtëm dhe duke relativizuar sovranitetin e aktorëve më të vegjël brenda saj. Për këtë arsye, Doktrina Monroe mbetet një nga çelësat kryesorë për ta kuptuar evoluimin e rendit botëror modern dhe tensionin e vazhdueshëm mes parimit të sovranitetit dhe realitetit të fuqisë. Nën parullën “Amerika për amerikanët”, ajo synonte ta ndalonte ndërhyrjen europiane në hemisferën perëndimore, por në praktikë u shndërrua gradualisht në një instrument legjitimues për hegjemoni në Amerikën Latine. Sovraniteti i shteteve të vogla u respektua vetëm për aq kohë sa nuk binte ndesh me interesat strategjike, politike ose ekonomike të fuqisë dominuese.

Traktati i Tordesillas dhe Doktrina Monroe janë dy momente të ndryshme të së njëjtës histori dhe perspektivë, ku sovraniteti hemisferik del si një formë e modernizuar e të njëjtit parim që e drejtoi ndarjen e botës në shekullin XV. Një nga paradokset themelore të sovranitetit hemisferik qëndron pikërisht në këtë kontradiktë. Ndërkohë që ai pretendon parimin e mospërfshirjes së të tjerëve në hapësirën e vet, nuk e njeh vetëkufizimin si normë veprimi jashtë saj. Me fjalë të tjera, hemisfera shpallet zonë e mbyllur për ndërhyrjet e huaja, por jo zonë e mbyllur për ambiciet e veta globale. Kështu krijohet një rend i dyfishtë: mosndërhyrja si detyrim për të tjerët, ndërhyrja si opsion për veten. Përjashtimi i të tjerëve nga “hapësira ime” nuk nënkupton tërheqjen time nga “hapësira e të tjerëve”.

Sovraniteti hemisferik nuk e pengon supremacizmin e fuqisë kryesore, por, përkundrazi, e institucionalizon. Duke shpallur një hemisferë si “zonë të mbyllur” për të tjerët, fuqia dominuese fiton jo vetëm përjashtimin e rivalëve, por edhe legjitimitetin për të sunduar brenda saj. Ky mekanizëm funksionon si gardhim gjeopolitik me një kufi normativ që ndalon depërtimin e jashtëm, ndërsa brenda tij krijohet një rend hierarkik i mbikëqyrur nga një qendër e vetme. Gardhimi gjeopolitik mundëson që fuqia kryesore të shndërrohet në arbitër të legjitimitetit politik, duke përcaktuar se cilat qeveri janë “të pranueshme” dhe cilat përbëjnë “kërcënim”. Duke ngritur një gardh kundër të tjerëve, ai siguron hapësirë të lirë për sundimin e vet.

… dhe Lufta e Ftohtë.  

Idetë e sovranitetit hemisferik dhe të gardhimit gjeopolitik gjejnë një nga zbatimet më të qarta historike në ndarjen e botës gjatë Luftës së Ftohtë. Ajo që përgjithësisht përshkruhet si përballje ideologjike mes komunizmit dhe demokracisë liberale ishte, në thelb, një rregullim hapësinor i pushtetit global, i ndërtuar mbi logjikën e dy hemisferave politike të mbyllura ndaj njëra-tjetrës. Bota u konceptua jo më si një sistem sovranitetesh të barabarta, por si një ngrehinë e qëndrueshme e dy poleve, secili me sferën e vet ekskluzive të ndikimit. E shtresuar në këtë mënyrë, Lufta e Ftohtë rezultoi një periudhë përballjeje të gjatë politike, ideologjike dhe strategjike (rreth 1947–1991) mes dy kampeve kryesore të sistemit ndërkombëtar, bllokut perëndimor, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, dhe bllokut lindor, të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik.

Thelbi i Luftës së Ftohtë ishte ndarja e botës në dy hapësira të mëdha të mbyllura, secila me rendin, ideologjinë dhe mekanizmat e veta të kontrollit. Kjo ndarje, e konsoliduar politikisht pas Luftës së Dytë Botërore dhe e përvijuar qartë në Konferenca e Jaltës, u mundësoi fuqive fituese vendosjen e kufijve të ndikimit në Europë dhe në botë. Ashtu si në marrëveshjet e hershme koloniale, sovraniteti i shteteve të vogla u nënshtrua ndaj logjikës së rendit bipolar, ku brenda kampit, autonomia ishte e kufizuar. Lindja komuniste dhe Perëndimi demokratik u shndërruan në dy hapësira politike të gardhuara, ku secila palë pretendonte sovranitet të plotë brenda zonës së vet dhe mohonte legjitimitetin e ndërhyrjes së tjetrës.

Në këtë kuptim, Lufta e Ftohtë përputhet thelbësisht me logjikën e Traktatit të Tordesillas. Ashtu si në vitin 1494, bota u trajtua si një hapësirë e ndashme mes fuqive të mëdha, vetëm se tani ndarja nuk u bë me një vijë oqeanike, por me kufij ideologjikë. Popujt dhe shtetet që ndodheshin brenda këtyre sferave nuk u pyetën për këtë rend që u imponua në emër të stabilitetit global dhe ekuilibrit të forcave. Tordesillasi ishte ndarje koloniale e botës, kurse Lufta e Ftohtë ishte ndarje ideologjike e planetit, por me të njëjtin parim përjashtues.

Një lidhje po aq e qartë, edhe pse tranzitore mes dy skajeve, ekziston edhe me Doktrinën Monroe. Parimi i saj themelor, përjashtimi i të tjerëve nga një hapësirë e caktuar dhe pretendimi i një zone interesi ekskluziv, u shndërrua gjatë Luftës së Ftohtë në normë globale. Ashtu si SHBA-ja pretendonte Amerikën si hemisferë të tyre, edhe dy superfuqitë e Luftës së Ftohtë pretendonin kontroll të plotë mbi kampet përkatëse. Ndërhyrja e “tjetrit” denoncohej si agresion, ndërsa ndërhyrja e brendshme justifikohej si mbrojtje e rendit. Paradoksi qëndron në faktin se ky rend bipolar, ndonëse predikonte stabilitet dhe ekuilibër, nuk e zhduku supremacizmin, por e dyfishoi. Secili pol kishte fuqinë e vet hegjemone brenda hemisferës së vet dhe sovraniteti i shteteve më të vogla ishte real vetëm nëse përputhej me interesat e kampit përkatës. Ndërhyrjet u ndaluan kur vinin nga “tjetri”, por u normalizuan kur kryheshin nga qendra e poleve.

Lufta e Ftohtë nuk ishte as shkëputje nga historia dhe as risi, por vazhdimësi e saj në shkallë globale. Ajo përfaqësonte një Tordesillas modern, të kombinuar me logjikën e Doktrinës Monroe, e shprehur përmes ndarjes së botës në sfera influence, sovranitet selektiv dhe gardhim gjeopolitik të sundimit. Edhe pse ky rend bipolar u shemb formalisht në fund të shekullit XX, parimet mbi të cilat u ndërtua mbeten ende aktive, çka dëshmon se historia e sovranitetit hemisferik nuk ka përfunduar, por vetëm ka ndryshuar formë.

Në këtë kuptim, Lufta e Ftohtë ishte një traktat i pashkruar i Tordesillasit modern. Ashtu si në shekullin XV, ndarja nuk u bë në emër të popujve që banonin këto hapësira, por në emër të rendit, sigurisë dhe stabilitetit global.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X