loader image
August 28, 2025

Skënderbeu, njeriu dhe miti

Skënderbeu, si simbol kombëtar, është mit. Miti është një kontruksion, i krijuar nga njeriu për qëllime të caktuara. Në rastin e Skënderbeut, miti i tij është krijuar nga Rilindja Kombëtare, si një instrument ideologjik për mbrujtjen e vetëdijes kombëtare të shqiptare dhe bashkimin e tyre në përpjekjen e përbashkët për krijimin e shtetit të tyre. Në shekullin e 19-të, kur mori hov krijimi i shteteve kombe, edhe shqiptarët menduan për krijimin  e kombit të tyre.

Çelo HOXHA, Tiranë

Për Skënderbeun ka dy narrativa historike: njëra është narrativa e jetës, nga lindja në vdekje dhe aktiviteti mes këtyre dy skajeve; tjetra është narrativa e jetës së simbolit kombëtar të shqiptarëve. Për arsye të ndryshme, edhe historianët e kanë pasur të vështirë t’i pranojnë këto dy narrativa pa qejfmbetje.

Rreth 15 vjet të shkuara, kur u botua monografia e historianit zvicerian Oliver J. Schmitt për Skënderbeun, në Shqipëri nuk u prit mirë. Një numër personash publikë, historianë e johistorianë, e sulmuan librin dhe autorin, sepse, sipas tyre, ai kishte njollosur figurën e heroit kombëtar të shqiptarëve.

Ajo që kishte bërë autori ishte se në libër kishte thënë që nëna e Skënderbeut ishte serbe, nga familja Brankoviq, ose kishte spekuluar që mbiemri Kastrioti, me shumë gjasë, rridhte nga greqishtja kastron (kala) ose kishte thënë që motivi thelbësor i luftës së Skënderbeut ishte hakmarrja ndaj osmanëve për vrasjen e të atit.

Schmitt-i thotë gjithashtu se Skënderbeut nuk i pëlqente që sundimi i tij të luhatej midis fuqive të mëdha, por synonte asgjësimin e sundimit osman në Europë. Ai, gjithashtu, thotë se Skënderbeu nuk kishte motive fetare ose politike të mëdha që mund të bëheshin bazë për kryengritje me përmasa të mëdha europiane.

Më i dalluari mes kritikëve ishte historiani dhe akademiku Pëllumb Xhufi, i cili e ka kritikuar në vazhdimësi Oliver J. Shmitt-in. Në një konferencë ndërkombëtare për albanologjinë (2009), Xhufi i kushtoi një ligjëratë krahasimore trajtimit të Skënderbeut nga Oliver J. Schmitt-i dhe historiani britanik Edward Gibbon (1737-1794). Ai e akuzoi autorin zvicerian se kishte përdorur arsyetimin e Edward Gibbon-it, me të cilin Xhufi nuk ishte i kënaqur.

Sipas Gibbon-it, të cituar nga Xhufi, motivet e luftës së Skënderbeut ishin interesi dhe hakmarrja. Ai arsyetonte, thotë Xhufi, se duke qenë që Skënderbeu jetonte në një vend të varfër e malor, lavdia e tij mund të ngrihej veçse mbi rrënojat e tij. Sipas Gibbon-it, nëse Skënderbeu do ta kishte llogaritur koston e nënshtrimit dhe të qëndresës, “si një patriot i mirë do të duhej të kishte hequr dorë nga një luftë e pabarabartë.”

Personalisht nuk shikoj ndonjë gjë në interpretimin e Schmitt-it dhe Gibbon-it, që mund ta cenojë figurën e simbolit kombëtar të shqiptarëve. Si historianë, Schmitt-i e Gibbon-i flasin për njeriun, për luftëtarin, ndërsa kritikët e bëjnë vlerësimin duke pasur në mendje mitin.

Skënderbeu, si simbol kombëtar, është mit. Miti është një kontruksion, i krijuar nga njeriu për qëllime të caktuara. Në rastin e Skënderbeut, miti i tij është krijuar nga Rilindja Kombëtare, si një instrument ideologjik për mbrujtjen e vetëdijes kombëtare të shqiptare dhe bashkimin e tyre në përpjekjen e përbashkët për krijimin e shtetit të tyre. Në shekullin e 19-të, kur mori hov krijimi i shteteve kombe, edhe shqiptarët menduan për krijimin  e kombit të tyre.

Si krijohen kombet?

Historia e krijimit të kombeve është studiuar gjerësisht në dekadat e fundit. Ndarja themelore është në kombe politike (kulturore) dhe kombe etnike. Kombet politike ishin shtete me kufij të definuar, të cilët njehsuan grupet e ndryshme kulturore brenda kufijve (Anglia, Franca), ndërsa kombet me bazë etnike në fillim e zgjuan ndjenjën kombëtare dhe pastaj punuan për krijimin e shtetit kombëtar (Gjermania, Italia).

Shtetet kombe të sotme, shkruan Patrick J. Geary në librin “Miti i kombeve”, erdhën në jetë nga përpjekjet kreative të intelektualëve dhe politikanëve të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të cilët i transformuan traditat e mëhershme romantike nacionaliste në programe politike.

Krijimi i kombeve ose, siç i quan Bendict Anderson-i komunitetet e imagjinuara, u krijuan përgjatë një procesi që mund të ndahet në tri faza; faza e parë: studimi i gjuhës, kulturës dhe historisë; faza e dytë: përcjellja e ideve nga studiuesit te “patriotët” të cilët i përhapin dhe mbjellin ato në gjithë shoqërinë; dhe faza e tretë: masivizimi i lëvizjes kombëtare.

Këto faza janë të dallueshme edhe në historinë e shqiptarëve përgjatë shekullit të 19-të. Në fillim vihen re përpjekjet e patriotëve shqiptarë për krijimin e alfabetit të gjuhës shqipe, si instrument për përhapjen e mesazhit kombëtar përmes shkrimit. Intelektualët u angazhuan në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare përmes krijimeve letrare, sidomos poezisë së rimuar, e cila ishte më e lehtë për t’u mësuar nga një popull pa gjuhë të shkruar. Njëkohësisht nisën përpjekjet për shkrimin e historisë së shqiptarëve; teksti më i shquar në këtë drejtim është libri i Pasho Vasës “E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët” (1879), veprat e Naim Frashërit e shumë të tjera. Fazat sigurisht shkrihen me njëra-tjetrën, por ndërsa punohej për njehsimin e alfabetit, paralelisht bëheshin botime me alfabete të ndryshme, me ngutin e patriotëve për të fituar kohë e për t’i masivizuar sa më shpejt idetë kombëtare. Në fund, ishte faza e masivizimit të lëvizjes kombëtare, që u kurorëzua me krijimin e shtetit të shqiptar. Pavarësisht se i cunguar, por ai ishte sukses i jashtëzakonshëm i lëvizjes kombëtare shqiptare.

Mitin e Skënderbeut e krijuan autorët e Rilindjes Kombëtare, si një figurë historike e bëma të dëgjuara, i cili mund ta tërhiqte lehtë interesin e shqiptarëve. Skënderbeu hero kombëtar, që shqiptarët nisin ta njohin qysh në fëmijëri, përmes teksteve shkollore, është një figurë legjendare, ai simbolizon më të mirën e kombit: trimërinë, urtësinë, vizionin. Në legjendë, ai ishte prijësi që luftoi për ideale të larta si liria etj. Në kohën e tij, për shkak të tij, trualli shqiptar ishte një vend idilik ku mbretëronte paqja, begatia, kamja, nderi, shpresa.

Me këtë Skënderbe në mendje, shqiptarët e sotëm pa dyshim do të zhgënjehen nga studimet që flasin për një prijës që i shpall luftë perandorisë vetëm për hakmarrje etj., sepse hakmarrja nuk është një motiv i lartë!

Por, gjërat kanë kontekst. Fakt historik është që ai luftoi kundër Perandorisë, pra ishte një njeri i guximshëm; fakt është që ai vdiq në mënyrë natyrale dhe jo nga dora e armikut, pra ka qenë një ushtarak i zoti; fakt është që ai ka qenë një prijës me emër e me marrëdhënie me principata të tjera, pra ka pasur një status përtej territoreve që kontrollonte; shkurt: ka pasur cilësi për të cilat pasardhësit e tij mund t’i vlerësojnë dhe të ndihen krenarë. Këto fakte historike ndodhën në një kontekst të ndryshëm nga ai i shekullit të 19-të ose shekullit që jetojmë ne. Ne nuk mund të qejfmbetemi se dikush thotë që Skënderbeu nuk luftoi për ide fetare, kombëtare ose për të drejtat e njeriut. Ideja kombëtare lindi në shekullin 19-të, ndërsa të drejtat e njeriut në mesin e shekullit të 20-të. Mungesa e motivit fetar është diçka pozitive, që përputhet me karakterin e shqiptarëve në të dyja kohët – tolerantë në aspektin religjioz.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X