loader image
August 28, 2025

Skënderbeu mes historisë dhe piedestalit

Një rast tipik në historinë e Shqipërisë është rasti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Debati mbi figurën e tij shpesh është shndërruar në debat emocional dhe ka shkuar përtej fakteve historike. Pse ndodh kjo? I mbuluar me lavdinë e titullit Hero Kombëtar, është përjashtuar prej debatit historik, interpretimeve historike. Konsiderohet i paprekshëm dhe i pacenueshëm.

Nuredin NAZARKO, Korçë

Historia gjithmonë mbetet një disiplinë e vështirë dhe e shumëdebatuar, pasi që prej saj përpiqen të përfitojnë pushtetet politike apo qarqe të caktuara që duan të ushtrojnë ndikim mbi pushtetin politik. Hulumtuesit e historisë, historianët e mirëfilltë, gjithmonë janë në një sprovë të vështirë, sprovën e drejtësisë dhe objektivitetit. Është e vështirë të ketë objektivitet absolut, pasi edhe faktet mbi të cilat duhet ndërtuar ky objektivitet nuk mund të përmblidhen në mënyrë përfundimtare dhe tërësore. Rrjedhimisht, historia është gjithmonë një disiplinë në ndryshim, sepse vazhdimisht dalin në dritë fakte të reja dhe ngjarje që duken sikur janë shterur në trajtimin e tyre të deritashëm, pa pritur fitojnë përmasa të reja diskutimi.

Historiografia shqiptare në periudhën 1944-1991 ka vuajtur jashtëzakonisht nga mungesa e debatit historik. U krijua versioni zyrtar i historisë, diktuar nga politika e kohës, që merrej kryekëput si e vërtetë absolute dhe kundër së cilës as nuk e shkoje nëpër mend të mbaje qëndrime objektive, edhe pse faktet mund të flisnin ndryshe nga versioni zyrtar. Madje, edhe sot, qëndrimet që nuk përkojnë me linjën historike të ngritur nga 1944 e këndej, shihen me dyshim, kritikohen dhe mund të shpallen dhe antikombëtare. Është një perceptim që duhet zhbërë. Historia dhe shoqëria ecën para në saje të diskutimit, dialogut, “përplasjes” së këndvështrimeve të ndryshme. Diversiteti në mendime është pasuri dhe jo e keqe që duhet groposur. Përpjekja 47-vjeçare për të ndërtuar një histori monolite, politike, të krasitur sipas interesave të kohës, ka prodhuar dhe prodhon debate, të cilat nuk shkojnë në interes të objektivitetit historik, por shndërrohen në një luftë të gjatë për të mbrojtur pozitat mbizotëruese në shkrimin dhe interpretimin e historisë së Shqipërisë.

Nuk duhet të jemi refuzues dhe kritizerë deri në pafundësi ndaj interpretimeve të reja historike, ndaj diskutimeve të hapura përkundrejt tezave të së shkuarës, pasi duhet të jemi joemocionalë në shqyrtimin e ngjarjeve historike.

Një rast tipik në historinë e Shqipërisë është rasti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Debati mbi figurën e tij shpesh është shndërruar në debat emocional dhe ka shkuar përtej fakteve historike. Pse ndodh kjo? I mbuluar me lavdinë e titullit Hero Kombëtar, është përjashtuar prej debatit historik, interpretimeve historike. Konsiderohet i paprekshëm dhe i pacenueshëm. E gjithë veprimtaria e tij, veçanërisht pas 1443 merret apriori e drejtë dhe e pagabueshme. Duke përjashtuar shqyrtimin e tij historik në kontekstin e rrethanave ku jetoi dhe veproi dhe duke bërë pjesë të figurës së tij historike edhe përshkrime letrareske, ai është shndërruar në mit që besohet të jetë kështu dhe asnjë fakt nuk e ndryshon atë që besohet. Historia e letrarizuar nuk është më histori. Ajo mund të shërbejë në rrethana dhe kontekste të caktuara për të përcjellë mesazhe të caktuara, por jo për ta marrë të mirëqenë si fakt konkret historik.

Historia dhe figurat historike nuk mund të jenë mitike. Pavarësisht statusit që mund t’u japim në rrjedhën e kohës, duhen studiuar e analizuar për të nxjerrë përfitimet e nevojshme prej gjurmëve të tyre historike. Përmasa historike e cilitdo protagonist duhet vlerësuar në kontekstin e burimeve dokumentare historike, si dhe rrethanave kur ka jetuar e vepruar personi konkret. Shkëputja e personazhit historik nga rrethanat ku ka jetuar e vepruar, nxjerrja nga konteksti i sfidave të kohës kur ka jetuar, mveshja e vizioneve ose ëndrrave të historishkruesit personazheve historikë, jo vetëm që nuk i shërben historisë, personazhit historik, por e kthen personazhin historik në një instrument që përdoret aq sa po të ishte gjallë vetë personazhi do të çuditej me bëmat e tij historike që i paskësh kryer e nuk e kishte ditur.

Skënderbeu duhet shqyrtuar në kontekstin e rrethanave historike të periudhës kur jetoi dhe duhet kuptuar pikërisht sipas këtyre rrethanave. Në varësi të përfundimeve që dalin prej kësaj analize historike mund të nxjerrim dhe mesazhet që përcjell jeta dhe veprimtaria e tij. Figurës së tij i janë mveshur virtytet më të larta, aftësitë më gjeniale dhe, duke i shtuar paprekshmërinë prej analizës historike, rezulton si figura më e lartë, më e ndritur dhe më epokale që ka patur ndonjëherë populli shqiptar. Në këtë vlerësim është mënjanuar fakti që çdo personazh historik sado zulmëmadh të ketë qenë nuk mund të tejkalojë kufijtë e periudhës historike që i përket. Debati që bëhet sot mbi figurën e Skënderbeut është me instrumentalizimin që i bëhet përmasës së tij historike, duke e nxjerrë nga konteksti historik në atë mitik.

Sot kemi dy Skënderbe: Skënderbeun historik, konkret, lindur e rritur në Krujë, edukuar në oborrin sulltanor të kohës, shërbimi në kuadër të Perandorisë Osmane deri në betejën e Nishit 1443, shkëputja nga shërbimi ndaj Perandorisë Osmane dhe nisja e kryengritjeve kundërosmane pas kthimit në Krujë, herë aleancë e herë luftë me Venedikun, aleanca me mbretëri apo republika të caktuara europiane, aleanca me papatin, deri në mbylljen e syve më 17 janar 1468; dhe Skënderbeun e instrumentalizuar, i cili përdoret për të justifikuar rryma mendimi, dëshira individësh, vizione akohore mbi çështjen shqiptare, qëndrime selektive mbi atdhedashurinë lidhur kryekëput me figurën e Skënderbeut, perëndimorizimin dhe kristianizimin pa kushte të kulturës shqiptare, sepse kështu do të donte Skënderbeu, kthimin e borxhit nga Europa Perëndimore sot që e shpëtuam nga Perandoria Osmane dje, përmasën nacionaliste përtejkohore të Skëndërbeut, kur nacionalizmi donte edhe katër shekuj të lindte.

Debati mbi Skënderbeun do të vazhdojë edhe përtej fakteve historike. Skënderbeu konkret, si qenie njerëzore dhe udhëheqës politik, do të vazhdojë të studiohet si i tillë, studim që nuk e zbret nga piedestali i Heroit Kombëtar, përkundrazi tregon pjekurinë e mendimit kritik tek një pjesë e studiuesve shqiptarë që ngjarjet dhe personazhet të mos i kthejnë në modele përsosmërie dhe superioriteti për të legjitimuar qëndrime që nuk e nderojnë profesionin e historianit. Romantizmi nuk duhet të jetë busulla për ç’kemi qenë dhe të mbetemi me kokën pas duke qarë kohët e shkuara. Rrethanat kanë ndryshuar dhe duhet të ecim duke vlerësuar veten dhe historinë drejt dhe jo siç na e ka ënda.

Po kështu do të vazhdojë të mbrohet Skënderbeu i instrumentalizuar që ngjall ndjenja e emocione, më shumë se sa faktet historike, dhe mban ndezur një debat shpesh aspak etik dhe shkencor. Aty ku emocionet u zënë vendin fakteve historia nuk është më histori. Uria bashkëkohore për klikime dhe përfitime nuk ka nevojë për fakte. Është e vështirë që të kalosh nga një tezë për të cilën ke besuar gjithë jetën se është e vërtetë në një tjetër tezë historike që sjellin faktet e panjohura ose të mënjanuara qëllimisht, deri dje. Skënderbeu i instrumentalizuar do të sillet në vëmendje sa herë që të shihet e arsyeshme, jo për të nderuar Skënderbeun, por për të mbajtur në këmbë egoizmin përballë fakteve.

Për të qenë të drejtë në raport me figurën e Skënderbeut duhet të studiohen jo vetëm veprat e shkruara nën frymën e historiografisë komuniste, romanticitetit të Rilindjes Kombëtare dhe asaj europiane, por edhe veprat që sjellin këndvështrime të kundërta me historinë zyrtare. Studiuesit nuk kanë pse kryqëzojnë vepra ose autorë që nuk i shkojnë për shtat Skënderbeut të instrumentalizuar.

Vepra që mund të jetë më e pakontestueshmja dhe që tregon qartë frymën e kohës, jetës dhe vizionit të Skëndebeut është “Kanuni i Skënderbeut”. Kjo nuk e zhbën vlerën e veprave të tjera që janë shkruar e do të shkruhen për të, por ndryshe nga gjithë veprat e tjera aty është vetë Skënderbeu. Kushdo që hahet sot në debat mbi Skënderbeun duhet të piqen në mejdanin e Kanunit të Skënderbeut, ku vetë Skënderbeu do të prezantojë vetveten duke i dhënë secilit pamësinë e tij reale.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X