Është thënë se shqiptarët e krijuan mitin për Skënderbeun. Çdo figurë e madhe historike mbështillet me veshjen e mitit. Miti për Skënderbeun nuk u krijua nga shqiptarët. Ishin autorët europianë që Skënderbeun e përqasën ose e barazuan me figurat mitike dhe historike të botës.
Salajdin SALIHU, Tetovë
Vazhdimisht pati tentime që shqiptarëve “t’u grabitet” Skënderbeu. Ipeshkvi boshnjak Ivan Tomko Marnaviq (Johannes Tomcius Marnavitius), i njohur si falsifikues i madh, i mahnitur nga lavdia e Skënderbeut në Europë, pretendoi më 1631 se Skënderbeu ishte me origjinë boshnjake nga familja e Marnaviqëve. Frang Bardhi, një prelat me shumë kulturë, i hodhi poshtë pretendimet e Marnaviqit. Duke u mbështetur në burime historiografike, arkivore e kronikalë të kohës, brenda 15 ditëve shkroi një apologji për Skënderbeun (Georgius Castriottus Epirensis vulgo Scanderbegh, Epirotarum Princeps fortissimus ac invictissimus suis et Patriae restitutus, Venedik, 1636). Frang Bardhi u zotua se, derisa shkruante për Skënderbeun, do ta çmonte të vërtetën më shumë sesa atdheun. Ai e dinte se kronikat e moçme e kishin thënë të vërtetën për origjinën arbërore të Skënderbeut.
Autorët arbër, europianë e osmanë nuk e vunë në dyshim origjinën arbërore të Skënderbeut. Madje, edhe ata që e quanin “renegat”. Kronisti osman Neshriu (shek. XV – 1520), në librin Pasqyra e botës [Cihan Numaa], gjegjësisht në shënimin “Rrëfim për luftën fetare me arnautin”, Skënderbeun e quajti “beu arnaut”.
II.
Tendencat për mohimin e origjinës arbërore të Kastriotëve u sforcuan në shekullin XIX, kur vendet fqinje e krijuan formulën “Ballkani ballkanasve”, por pa shqiptarët. Elitat e këtyre vendeve thanë se shqiptarët luftuan përkrah osmanëve, prandaj tokat e tyre duhej të aneksoheshin nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia. Por, Skënderbeu ua rrëzonte këtë tezë. A nuk ishte ai luftëtari më i njohur kundër Perandorisë Osmane? Pasi ishte i tillë, atij duhej t’i mohohej origjina arbërore.
Vendet fqinje, në prag të krijimit të shteteve kombëtare, u thirrën në vazhdimësinë shtetërore mesjetare dhe pohuan se shqiptarët nuk kishin traditë shtetërore, prandaj nuk mund të udhëhiqnin një shtet të tyre. Por, sërish Skënderbeu u bëhej pengesë, sepse e kishte pasur shtetin e tij. Bernardino De Bindoni, në librin e botuar më 1544, e quajti Skënderbeun “princ i Epirit”, kurse Jeaques de Lavardini, në librin e botuar më 1576, e quajti “mbret i mbretërve”. Që të mohohej kjo traditë shtetërore e arbërve, duhej të mohohej origjina arbërore e Skënderbeut.
Pasi dështuan “ta grabisnin” tërësisht Skënderbeun, provuan ta “grabisnin” pjesërisht. Thanë se origjina e “sinjoritës nga Pollogu”, Voisavës, nënës së Skënderbeut, ishte sllave, edhe pse nuk mundën të tregonin asnjë dokument që e vërtetonte këtë pohim.
Marin Barleti, që Voisavës ia atribuonte cilësitë më të larta morale, shkroi se ajo ishte bija e një fisniku, princit të tribalevet. Sipas Dhimitër Frangut, Vojsava ishte e bija e Princit të Pollogut. Gjon Muzaka ishte kronisti i parë që mbiemrin e Vojsavës e shënoi si Tribalda dhe Tripalda, nga një fis i mirë. “Dhe nëna e të përmendurit Skënderbe, e shoqe e të përmendurit Gjon, thirrej Zonja Voisava Tripalda dhe rridhte nga një fis i mirë. Dhe ta dini se në ç’mënyrë e kishim të afërt Zot Markezin e Tribaldës, ju them se e kishim nga ana e gruas”, shkroi Gjon Muzaka, duke na bërë të ditur se e ëma e Voisavës ishte me origjinë nga familja dinjitare arbërore e Muzakajve.
Cili historian mund ta dokumentojë që e ëma e Skënderbeut nuk kishte origjinë arbërore? Nuk ka asnjë dokument. Por, edhe sikur të kishte, sërish nuk ndryshon asgjë.
III.
Kësi tendencash kemi edhe sot. Por, shqiptarët e kanë ruajtur kujtimin për Skënderbeun si lidhje me identitetin dhe do të vazhdojnë ta ruajnë. E ruajtën këtë kujtim arbëreshët e Italisë, Kroacisë, Greqisë, Sremit, Bullgarisë, Ukrainës. Shumëkush prej tyre nuk e dinin se ku gjendej Arbëria, por e ndjenin në shpirt nëpërmjet emrit të Skënderbeut.
Figura e Skënderbeut u lartësua edhe nga poetët shqiptarë. U kujtua Skënderbeu i pafan nga De Rada dhe nga Naim Frashëri. Kur Sami Frashëri shkroi për historinë e Shqipërisë, e veçoi periudhën e Skënderbeut, kur Shqipëria funksionoi “me një mbret trim e të zotë”. Ndryshe nga shumë personalitete me origjinë shqiptare, që punuan për idealet dhe kauza të huaja, “vetëm një Skënderbe ka punuarë, në kohërat e shkuara, për Shqipërinë e vetëm ay është me të vërtetë mburje për Shqipërinë”. Por, Europa, sipas Samiut, edhe pse i vari shpresat te Skënderbeu, sërish nuk ia kurseu intrigat.
Për Skënderbeun kanë shkruar shkrimtarët shqiptarë të të gjitha periudhave, përfshirë edhe Ismail Kadarenë.
IV.
Është thënë se shqiptarët e krijuan mitin për Skënderbeun. Çdo figurë e madhe historike mbështillet me veshjen e mitit. Miti për Skënderbeun nuk u krijua nga shqiptarët. Ishin autorët europianë që Skënderbeun e përqasën ose e barazuan me figurat mitike dhe historike të botës.
Shekulli XVI. Petrus Vincentius e quajti Skënderbeun “shpirtmadhi përherë në veprim”, që as “Cezari i pamposhtur nuk i afrohej për trimëri të madhit të Epirit, që aq ndritshëm ngadhënjen”. Në të njëjtin shekull Amadisi shkroi për Kastriotin si “i përzgjedhur perëndish”. Pjer Ronsardi, ky “poet i poetëve”, këndoi për “të mbiquajturin Skënderbe, mbret të Shqipërisë”, i cili ishte fat i shekullit: “O nder i shekullit tënd! O shqiptar prej fatit sjellë!”. Edmund Spenseri e quajti Skënderbeun “të madh në emër, të madh në forcë dhe pushtet”.
Dhe gjenitë e çdo shekulli nuk e harruan Skënderbeun. Kanë shkruar për të me admirim edhe Volteri, Bajroni apo Longfellou.
Për ta studiuar “fenomenin Skënderbe”, duhet njëfarë “Skënderbegologjie”, sepse Skënderbeu nuk është vetëm fenomen historik, por edhe fenomen letrar.
Duke i shikuar gjërat nga ky prizëm, rezulton se çdo luftë kundër Skënderbeut është e humbur. Sepse është luftë kundër kujtimit të pavdekshëm. Është luftë kundër një figure të lartësuar dhe përjetësuar nga emrat më të mëdhenj të letërsisë botërore. Është luftë e përkohësisë kundër përjetësisë. Është luftë diskursesh të përkohshme kundër fjalës së përjetësuar.