loader image
October 14, 2024

Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë pas demonstratave të vitit 1981

Analiza prej 43 faqeve, me titull “Veprimtaria e forcave armiqësore dhe kundërrevolucionare në Kosovë”, e cila u hartua më 29 prill 1981 nga një grup punues i Kryesisë së KQ të LKJ-së, mes tjerash, e kritikonte Kryesinë e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës dhe kryetarin e saj, Mahmut Bakallin, për siç thuhej “mungesën e një vlerësimi kritik” ndaj “sistemit të përgjithshëm edukativo-arsimor, jetës kulturore, mjeteve të informimit, propagandës dhe sistemit të veprimtarisë ideo-politike”.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Shpërthimi i demonstratave studentore gjatë muajve mars-prill 1981 në Prishtinë dhe në më shumë qendra tjera të Kosovës, si dhe mbështetja e fuqishme që atyre u erdhi nga opinioni i gjerë shqiptar dhe jo vetëm, ishte një mesazh i qartë se çështja e pazgjidhur shqiptare nën Jugosllavi, në përgjithësi, dhe ajo e Kosovës, në veçanti, nuk mund të mbahej peng nga autoritetet e Beogradit, aq më tepër kur tashmë ajo, falë aktiviteteve të bujshme të mërgatës shqiptare që vepronte në SHBA e në shtetet e Europës Perëndimore, u ndërkombëtarizua. Në rrethana të tilla, e vetmja zgjidhje ishte hapja e dialogut politik midis dy palëve tashmë të konfrontuara. Mirëpo, organet udhëheqëse shtetërore e partiake jugosllave, në vend të kësaj, në fillim të muajt prill ndërmorën masa më radikale, fillimisht në Prishtinë, e më pas ato do të shtrihen në mbarë territorin e Kosovës.

Qeveria jugosllave, përmes nënkryetarit Dragolub Stavrev, me 3 prill i raportonte Kryesisë së RSFJ-së dhe Kryesisë së LKJ-së se “në kuadër të masave të ndërmarra, me kërkesë të udhëheqjes krahinore, u janë dërguar përforcime organeve të punëve të brendshme të KSA të Kosovës nga efektivi i Federatës dhe të gjitha republikat socialiste e të KSA të Vojvodinës”. Në një dokument, i cili konsiderohej si “sekret shtetëror”, thuhej se vetëm në Prishtinë ishin stacionuar mbi 3.500 forca policore dhe dy divizione të “Armatës Popullore të Jugosllavisë” (më tej APJ). Më tej, dokumenti vinte në pah se “gjatë aksionit të zhvilluar midis 1-3 prillit forcat ushtarako-policore jugosllave vranë 8 (tetë) demonstrues, plagosën 75 të tjerë, arrestuan 807 vetë, ndaj 28 prej të cilëve u zhvillua procedurë e shpejtë hetimore, ndërsa ndaj 698 personave tjerë janë ndërmarrë masa disiplinore”. Po kështu edhe kryeshefi i Shtabit të Përgjithshëm të APJ-së, admirali Branko Mamulla, i njoftonte komandantët e armatës 1, 5, 7 dhe 9 për masat e ndërmarra nga ana e APJ, në Kosovë, në të cilin ndër të tjerave thuhej: “…kemi ndërmarrë sigurimin paraprak të objekteve më vitale të rëndësisë publike; kemi përdorë një numër të njësive të motorizuara, por pa përdorimin e armës; kemi bërë përforcimin e tërësishëm të kufirit shtetëror kah Shqipëria; kemi urdhëruar për gatishmërinë e nevojshme të mbarë njësive të forcave të armatosura në territorin e Kosovës dhe te disa njësi të Armatës 1 e të 3…etj.”.

Lufta e ashpër, e filluar në fillim të prillit, do të vazhdojë edhe gjatë muajve në vijim. Autoritetet jugosllave, përkatësisht organet e saja udhëheqës, si Kryesia e RSFJ-së, Kryesia e KQ të LKJ-së, Qeveria Federative, Këshilli për Mbrojtjen e Rregullimit Kushtetues të Jugosllavisë etj., pandërprerë hartonin dhe miratonin plane, analiza dhe projekte, në të cilat përshkruhej strategjia e veprimit politik, diplomatik, partiak, ushtarak e policor në të ardhmen, si në Kosovë e në viset tjera shqiptare nën Jugosllavi, po ashtu edhe në skenën ndërkombëtare. Në kuadër të këtyre duhet veçuar Analizën e Këshillit Federativ për Mbrojtjen e Rregullimit Kushtetues, e cila u hartua në mbledhjen e mbajtur më 23 prill 1981, në të cilën, ndër të tjera, thuhej se: “Lufta kundër kundërrevolucionit në Kosovë po zhvillohet në kushte të tilla, ku ende nuk e njohim mirë armikun. Megjithëse janë zbuluar disa grupe mirë të organizuara (celula), fakt është se ende nuk e dimë se si duket e tërë organizata, kush qëndron në krye të saj, nuk na janë të njohura lidhjet e saja me shërbimet e huaja sekrete dhe emigracionin armiqësorë shqiptar…”.

Ndërkohë, analiza prej 43 faqeve, me titull “Veprimtaria e forcave armiqësore dhe kundërrevolucionare në Kosovë”, e cila u hartua më 29 prill 1981 nga një grup punues i Kryesisë së KQ të LKJ-së, mes tjerash, e kritikonte Kryesinë e Komitetit Krahinor të LK-së së Kosovës dhe kryetarin e saj, Mahmut Bakallin, për siç thuhej “mungesën e një vlerësimi kritik” ndaj “sistemit të përgjithshëm edukativo-arsimor, jetës kulturore, mjeteve të informimit, propagandës dhe sistemit të veprimtarisë ideo-politike” dhe se, sipas saj, ajo “është dashtë të përqendrohet më shumë në veprimtarinë paraprake me popullin punues dhe me qytetarët në drejtim të krijimit të personaliteteve të tilla, të cilët do të ishin të liruar nga paragjykimet nacionaliste e irredentiste dhe të lidhur në unitetin dhe barazinë e bashkësisë sonë për zhvillimin e patriotizmit socialist jugosllav…”.

Nga sa u tha më sipër, vërejmë se kritikat e KQ të LKJ-së adresuar në mënyrë të tërthortë Mahmut Bakallit, qenë përqendruar në “përfshirjen tej mase” të inteligjencës, studentëve dhe të rinisë shqiptare në radhët e LK-së dhe anashkalimi i “klasës punëtore”. Kjo më së miri vërehet në pjesën e mëposhtme të elaboratit, ku shprehimisht thuhet: “...Në Lidhjen Komuniste të Kosovës është përqindja e madhe e studentëve, qytetarëve dhe të punëtorëve të arsimit, shumë më tepër se sa kjo është në mjediset tjera tona. Përqindja shumë e lartë është e rinisë se sa është rasti në republikat tjera dhe në KSA të Vojvodinës: deri në moshën 27-vjeçare në Kosovë kemi 40,7 për qind – (në LKJ 33,1 për qind)…”.

Lidhur me të dhënat e mësipërme, grupi punues parashtronte pyetjen se “si është e mundur te një përqindje aq e lartë e studentëve dhe e rinisë së shkollave të mesme në LK si dhe të rinisë në përgjithësi, që aq pak të vërehet aktiviteti i tyre dhe siguria gjatë kohës së demonstratave armiqësore?”. Për ta e gjithë “kjo ka prapavijë politike”, andaj “në të ardhmen duhet të ashpërsohet kriteri i pranimit, duhet përforcuar veprimtarinë ideo-politike dhe të përforcohet përbërja e punëtorëve në LK”.

Për rrjedhojë, në mbledhjen 88 të Kryesisë së KQ të LKJ-së, të mbajtur më 29 prill 1981 në Beograd, Mahmut Bakalli dha dorëheqje të parevokueshme nga funksioni kryetar i Komitetit Krahinor i LK të Kosovës dhe atë e zëvendësoi, Veli Deva, i cili për atë kohë konsiderohej si vegla më e përshtatshme e regjimit të Beogradit.

Disa ditë pas emërimit të tij për kryetar të KK të LK-së së Kosovës, përkatësisht më 12 maj 1981, në Beograd u mbajt mbledhja e 90 e Kryesisë së KQ të LKJ-së, në të cilën u shqyrtuan dy pika të rendit të ditës: “Situata në KSA të Kosovës” dhe “Miratimi i Konkluzioneve të Mbledhjes së 20 të Komitetit Qendror të LKJ-së”. Fjalën hyrëse për pikën e parë të rendit të ditës e mbajti pikërisht Veli Deva, ndërsa në debat morën pjesë një numër i madh i pjesëmarrësve. si: Fadil Hoxha, Stane Dollanc, Llazar Mojsov, Veselin Gjuranoviq etj., në mesin e tyre edhe kryetari i Komitetit Qendror të LK të Sllovenisë, France Popit, i cili për dallim nga folësit tjerë, pati një qëndrim më të balancuar për kohën, duke mos u pajtuar për shumë çështje, në radhë të parë me masat administrative që udhëheqja jugosllave asaj kohe i mori ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë në përgjithësi e ndaj inteligjencës së saj në veçanti. Lidhur me këtë, ai ndër të tjerave do të shprehet:

“…Unë herën e kaluar fola për Perëndimin, ku në të vërtetë shtete aq homogjene, në nivel kombëtar, siç është Franca, por sërish aty shfaqen lëvizjet kombëtare. Pra, kjo është një situatë objektive dhe ne duhet t’i kushtojmë kujdes asaj situate. Po kështu, edhe te nacionaliteti shqiptar do të ngrihet vetëdija kombëtare. Çështja shtrohet se mbi çfarë baze, a bazohet mbi konceptin nacionalist, borgjez, apo mbi konceptin tonë? Mendoj se këtu duhet të bëjmë shtjellimin e qartë dhe ta përcaktojmë se çfarë është në të vërtetë, çfarë është nacionalja, çfarë i lejohet një revolte kundër situatës ekzistuese, nëse kjo është ashtu siç është. Së dyti, ku qëndron manipulimi me kombësinë? Mendoj se këtë duhet ta përcaktojmë njëherë. Sepse, nëse ne të gjitha përpjekjet për afirmimin e një kombësie i barazojmë me nacionalizmin, irredentizmin e kështu me radhë, atëherë mendoj se nuk do të kalonim mirë… Kemi theksuar më shumë herë, por e theksojmë edhe në debatin e sotëm, se rregullimi i situatës në Kosovë do të jetë një proces afatgjatë, prandaj mendoj se kësaj çështje duhet t’i kushtojmë rëndësi. Me siguri se nuk do të përfundohet me atë që ne tash do t’i heshtnim këto demonstrata, sepse me siguri se ato sërish do të vazhdojnë. Mendoj, se do të jetë gabim, sidomos në atë që e theksoi Dollanci, që ne tani i dënojmë njerëzit vetëm me masa administrative. Ndoshta nuk është ndonjë paralele edhe aq e mirë, por mua më kujtohen vitet 1941-42, ne në Slloveni, veçanërisht në Lubjanë, e patëm situatën e njëjtë, siç është kjo tashti në Kosovë. Fronti Nacionalçlirimtar në Lubjanë ishte pushtet në shtet, shtet mbi shtet. Sa më shumë që pushtuesi të torturonte, sa më shumë vendoste masa represive, aq më shumë forcohej rezistenca. Mendoj se duhet t’i shmangemi kësaj. Do i shmangemi jo vetëm disa parullave të njohura për vëllazërimin për bashkimin, madje edhe për jo republikën etj. Ne detyrohemi të përgjigjemi se cili është koncepti ynë, sepse vetëm përmes konceptit ne duhet të luftojmë për politikën tonë, e jo përmes masave administrative…”.

Në vazhdim të këtij shkrimi po e shpalosim procesverbalin e dalë nga kjo mbledhje, i cili ruhet në Arkivin e Sllovenisë në Lubjanë, fondi KQ i LK-së të Sllovenisë (1589), përkatësisht pjesa e tij ku jepet varianti i gjerë i fjalimit të Veli Devës, debati i zhvilluar nga të pranishmit dhe konkluzionet që u miratuan në fund të mbledhjes:

“Situata në KSA të Kosovës – prezantim gojor të shokut Veli Deva”

Pas fjalës hyrëse të shokut Veli Deva, në diskutim morën pjesë: Fadil Hoxha, Stane Dollanc, France Popit, Branko Mikuliq, Veselin Gjuranoviq, Dushan Dragosavac, Millosh Miniq, Vllado Janzhiq, Cvijetin Mijatoviq, Llazar Mojsov dhe Veli Deva.

Në prezantimin e tij, shoku Veli Deva theksoi se situata në KSA të Kosovës edhe më tej është shumë komplekse dhe e rëndë. Mbledhjet e organeve më të larta të LK të Jugosllavisë, LK të Serbisë dhe LK të Kosovës, vlerësimet e tyre dhe vendosmëria e treguar në luftën kundër veprimtarisë armiqësore ndikuan pozitivisht në forcimin e përgjegjësisë dhe të gatishmërisë ideore, aksionare dhe luftarake të LK-së së Kosovës e më gjerë, si dhe në forcimin e luftës ideopolitike të LK të Kosovës kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar.

Është në përfundim e sipër puna e hartimit të programit aksionar të LK të Kosovës i cili do të ofrojë platformën për shtypjen e ndikimit të huaj në një front më të gjerë të jetës në KSA të Kosovës. Nëpër organizatat komunale të LK-së së Kosovës në rrjedhë është puna e shqyrtimit të dobësive dhe lëshimeve dhe të sjelljes autokritike ndaj praktikës së vet personale.      

Shoku Veli Deva theksoi se e inkurajon fakti se një numër i madh i anëtarëve të Lidhjes së Komunistëve, si nga radhët e gjeneratës së vjetër, ashtu edhe nga radhët e të rinjve, kanë treguar gatishmëri të hapur për të luftuar pa kompromis kundër nacionalizmit, shovinizmit dhe irredentizmit në linjën e Lidhjes së Komunistëve. Një numër i njerëzve, të cilët për shkak punës në forum të LK-së nuk ka marrë pjesë në asnjë veprimtari politike, tash është futur me vendosmëri në betejën për qëndrimet e Lidhjes së Komunistëve në mjediset e tyre. Në mesin e të rinjve zhvillohet një veprimtari intensive dhe e vazhdueshme politike, që një kohë të gjatë kanë qenë të anashkaluar, me gratë dhe me nënat në lidhje me demaskimin e veprimtarisë armiqësore. Është vendosur praktika e vlerësimit ditor të gjendjes politike në secilën bashkësi lokale, vlerësimit të gjendjes ditore dhe parashikimet dhe detyrat për ditën e ardhshme, që mundëson aksion konkret të Lidhjes së Komunistëve. Nga radhët e Lidhjes së Komunistëve deri më tash janë përjashtuar 202 anëtarë.

Shoku Veli Deva konstatoi se vatra të jostabilitetit, me përjashtim të një numri të vogël të shkollave, janë bërë qendrat e mesme shkollore, veçanërisht në komunat më të vogla. Në shkollat e mesme të Kosovës sot ka 86 mijë nxënës. Këtë vit shkollor shkollimin fillor e kanë kryer 32 mijë nxënës, ndërsa të mesmen 20 mijë. Në shkollat e mesme punojnë mbi 3.700 profesorë e arsimtarë. Pra, bëhet fjalë për një masë të madhe të njerëzve të rinj në mesin e të cilëve imponohet prania dhe veprimtaria më e madhe ideore e Lidhjes së Komunistëve. Te një numër i shkollave është vendosur drejtoria e dhunshme, janë shpërbërë disa organizata të LK-së, të cilat kanë qenë të formuara pa asnjë kriter se cili mund të jetë në Lidhjen Komuniste, është kryer përforcimi kadrovik në ato shkolla, ndërsa është përforcuar edhe veprimtaria politike me të rinjtë. Si shumë të dobishme dhe efikase u treguan mbledhjet me të rinjtë e shkollave të mesme nëpër vendbanimet e tyre.

Tash për tash aksioni i LK-së në Universitet rrjedhë mjaft i pabarabartë, ndërsa situata në Universitet është e tillë, saqë nuk mund të parashikohen lëvizje edhe për një periudhë më të gjatë kohore, ndërsa kjo imponon vigjilencën e vazhdueshme. Një ndër lëshimet më të rënda të LK-së së Kosovës është puna e dobët e organizatave të LK-së në arsim, edhe pse LK-ja ka numër të madh të anëtarëve nga radhët e punonjësve të arsimit, si dhe fakti që, në shkollat e mesme para së gjithash, nuk është siguruar kuadër cilësor dhe me përcaktimin të qartë ideor e arsimor, i cili mund të garantojë rregullshmëri në punë dhe në edukimin e të rinjve.

Veli Deva theksoi se, në situatën e përgjithshme të Kosovës, klasa punëtore ka qenë më stabilja, pavarësisht problemeve komplekse sociale në linjën e standardit dhe kostos jetësore. Mirëpo, është fakt se demonstratat armiqësore në Ferizaj, pjesërisht edhe në Prishtinë, Obiliq dhe Mitrovicë të Kosovës, kanë filluar nga sallat e fabrikave. Duhet të kihet parasysh, u tha në fjalën hyrëse, se klasa punëtore e Kosovës është praktikisht në proces të formimit, por në proces të formimit është edhe vetëdija e saj.

Nëpër fabrika janë punësuar një pjesë e fshatarëve të cilët janë me origjinë nga familjet, me anëtarët e të cilëve pati konflikte gjatë LNÇ-së dhe Informbyrosë, si dhe në të gjitha përplasjet tjera politike. Ata më së shpeshti e përbëjnë atë shtresë të kolektivit që e ka pranuar nacionalizmin dhe aksionin e armikut. Krejt kjo flet se nëpër kolektivet punuese duhet forcuar puna e Lidhjes së Komunistëve, sidomos kur dihet se një ndër pikat strategjike të armikut është pikërisht veprimi në mesin e klasës punëtore. Ka ende parulla armiqësore brenda oborreve të fabrikave, ndërsa vendosen edhe pranë makinerisë. Ditëve të fundit pati disa parulla rreth Stari Tërgut në Trepçë, disa diversione të imta dhe zjarr në depon e pambukut ‘Kosovarja’ në Prishtinë, shkaqet e të cilit nuk janë zbuluar ende por nuk përjashtohet as diversioni armiqësor.

Problemet e natyrës sociale në Kosovë, përkundër marrjes së masave të kompensimit e ngjashëm, janë shumë të shprehura dhe mund të paraqesin pikën e veprimtarisë së armikut në përfitimin e punëtorëve. Një numër i mirë i punëtorëve me anëtarë të shumtë të familjes dhe të ardhurat personale të ulëta jeton tepër rëndë. Në situatën e tanishme është e vështirë të bëhet shtimi i dukshëm i produktivitetit të punës, si bazë për ngritjen e të ardhurave personale.

Është vërejtur përforcimi i propagandës televizive të Shqipërisë. Programi televiziv i Shqipërisë shihet mirë, pikërisht në pjesën më të ndjeshme të Kosovës, ndërsa mbulon mbi 60 për qind të territorit të Kosovës.

Nuk ka dyshim se në Kosovë punon dhe vepron organizata armiqësore, e cila veprimtarinë e saj armiqësore e udhëheq dhe e drejton kundër integritetit të vendit tonë dhe për thyerjen e vëllazërim-bashkimit nga pozita e irredentizmit dhe platformës së Partisë së Punës së Shqipërisë. Gjithçka që është zbuluar deri më tash bëhet me dije se ajo vepron në parimin e ilegalitetit të rreptë, në parimin e tresheve, të komiteteve vendore të zonave të caktuara. Përbërja e tyre është rekrutuar më së shpeshti nga radhët e rinisë shkollore, studentëve dhe punëtorëve të arsimit. Organet e punëve të brendshme kanë ndërmarrë masa shumë të gjera për t’u futur në gjurmë të udhëheqjes kryesore të organizatës armiqësore.

Organet e punëve të brendshme të Kosovës deri më tash kanë marrë masa kundër 1.500 personave për shkak formave të ndryshme të veprimtarisë armiqësore. Nga ky numër, 460 persona janë dënuar për kundërvajtje, prej të cilëve 164 janë punëtorë, 132 nxënës dhe 70 studentë. Kundër 90 personave zhvillohet procedurë penale.

Tendenca themelore e armikut është të udhëheqë veprimtari të vazhdueshme, si dhe të përpiqet të organizoj demonstrata në vendet ku deri më sot nuk i ka shkuar për dore. Për këtë dëshmojnë demonstratat më 5 maj në Istog dhe Kaçanik, presionet dhe bojkoti i mësimit, këndimi i këngëve nacionaliste dhe shkrimi i parullave armiqësore, një numër më i madh i letrave kërcënuese anonime, në dy raste prerje të kabllove telefonike në linjën Mitrovicë – Prishtinë – Drenas dhe veprime të ndryshme diversante, pastaj shkatërrimi i frutave e të ngjashme të pronës së qytetarëve të kombësisë serbe e malazeze. Tridhjetë mijë punëtorë shqiptarë nga Kosova janë me punë të përkohshme në vendet e Europës Perëndimore. Ndaj tyre po orientohet propaganda armiqësore, që përbën problemin e veçantë nga këndvështrimi i sigurisë.

Në debatin e mbledhjes së Kryesisë është theksuar se në Kosovë e më gjerë nevojitet aksioni i gjerë i Lidhjes Socialiste dhe i të gjitha forcave tjera të organizuara socialiste. Nevojitet afirmimi i plotë nacional i mbarë kombeve e kombësive që jetojnë në Kosovë, si dhe hapja e perspektivës së zhvillimit ekonomik të Kosovës në suazat e mundësive reale të mbarë vendit tonë. U vu në dukje mendimi se në Kosovë diferencimin duhet zbatuar në linjën për apo kundër vetëqeverisjes socialiste dhe Jugosllavisë socialiste vetëqeverisëse, e jo vetëm në linjën se dikush mori apo nuk mori pjesë në demonstratë.

Gjatë diskutimin u tha se në këtë moment për KSA të Kosovës një ndër detyrat më të drejtpërdrejta dhe më me rendësi, e rëndësisë shumë të madhe politike edhe për rregullimin e rrethanave në Krahinë, është sjellja e planit shoqëror të zhvillimit afatmesëm i cili përcakton perspektivën e zhvillimit të Kosovës në pesë vitet e ardhshme. Është përgatitur projekti i atij plani, i cili me angazhimin e përbashkët të shokëve nga Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, Serbisë dhe Këshillit Ekzekutiv Federativ (KEF) duhet të bazohet në një vlerësim kritik të elementeve të deritanishme të zhvillimit të politikës dhe shfrytëzimit të përvojës së deritanishme.

Është hartuar Projekt-marrëveshja për masat e veçanta të arritjes më të shpejtë të zhvillimit të Kosovës, i cili duhet të shkojë në procedurë të harmonizimit me republikat dhe krahinat. Në kuadër të atyre masave të veçanta ka çështje të ndjeshme dhe komplekse të cilat kërkojnë përpjekje të përbashkëta të republikave dhe krahinave që me ato masa të veçanta, ajo që është shprehur si politikë e LKJ-së në kuptimin e zhvillimit më të shpejtë të Kosovës, të kontribuojnë dhe inkurajojnë të gjitha forcat prodhuese të Kosovës që edhe në linjën e bashkimit më të madh të punës dhe të mjeteve dhe një koncepti të ri të zhvillimit ekonomik material, i cili do u përshtatet më shumë nevojave për arritjen e të ardhurave më të shpejta dhe punësimit më të madh në Kosovë, duke përfshirë aktivizimin e potencialit prodhues të bujqësisë së Kosovës.

Kah mesi i këtij viti duhet miratuar edhe marrëveshjen e masave për orientimin më të fortë të procesit të bashkimit të punës dhe të mjeteve, organizatave punuese nga republikat tjera dhe KSA të Vojvodinës me organizatat punuese në Kosovë, në proporcionin e paraparë me planin shoqëror të vendit (50 për qind) në suazat e zhvillimit të KSA të Kosovës. Me miratimin e tre dokumenteve të nënvizuara, do të nënkuptonte qasje të plotë të arritjes së politikës për zhvillimin sa më të shpejtë të Kosovës në kontekstin e politikës së miratuar të LKJ-së.

Gjatë debatit u tha se duhet studiuar çështja e shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve nga Kosova. Gjithashtu u vu në pah se në rend dite duhet vendosur edhe çështjen e arritjes së politikës së marrëdhënieve ndërnacionale.

Kryesia, ndër të tjerave, solli këto konkluzione:

– që të miratohet, sa më parë që është e mundur, platforma apo ose programi aksionar për punën e LK-së së Kosovës në përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve vetëqeverisëse dhe zhvillimin e mëtejshëm të vëllazërim-bashkimit dhe të barazisë, që do të shqyrtohet në kryesitë e KK të LK-së së Kosovës, KQ të LK-së së Serbisë dhe KQ të LKJ-së. U propozua të formohet grupi punues i përbashkët i cili do të punonte për këto çështje e në të cilin do të merrnin pjesë disa sekretarë ekzekutivë të Kryesisë së KQ të LKJ-së, të Kryesisë së KQ të LK-së së Serbisë dhe Kryesisë së KK të LK-së së Kosovës. Përbërjen e grupit punues do ta propozojnë shokët Llazar Mojsov dhe Dushan Dragosavac;

– që në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës në KSA të Kosovës gjithashtu të përgatitet një platformë me të cilën do të hapen perspektivat e mëtejshme në zhvillimin e kësaj fushe, që nënkupton analizimin e literaturës dhe të teksteve shkollore që përdoren në opinion, shkolla dhe nëpër universitete nga të cilët duhet larguar ajo që është pro-nacionaliste, antijugosllave, antivetëqeverisëse dhe antidemokratike. Këtë platformë duhet hartuar me kohë para fillimit të vitit të ardhshëm shkollor;

– që grupi punues, i cili po punon për rishikimin e trashëgimisë së shokut Edvard Kardel, të studiojë stenogramet e bisedave të shokut Tito dhe Kardelit për problemet në Kosovë dhe t’i ndaj ato materiale të cilët vijnë në shprehje për publikim. Grupi i punës, pas konsultimit paraprak me shokun Dobrisllav Çullafiq, do t’ia dorëzojë për shqyrtim Kryesisë së KQ të LKJ-së, e cila do të vendosë për betimin e kësaj lënde, duke marrë parasysh dispozitat ligjore me të cilat rregullohet botimi i lëndës arkivore.

Nëse vendoset që këto stenograme mund të botohen, nevojitet që ato të botohen në mbarë shtypin jugosllav;

– që të përshpejtohet miratimi i planit afatmesëm për zhvillimin e KSA të Kosovës, si dhe marrëveshja për masat e veçanta të arritjes sa më të shpejtë të zhvillimit të Kosovës dhe konkluzionin e mëhershëm që republikat dhe KSA e Vojvodinës mbi bazën e marrëveshjeve të veçanta të ndërtojnë kapacitete të caktuara në Kosovë;

– që të shqyrtohen problemet e shprehura në fushën e standardit të punëtorëve për të ardhurat më të ulëta në Kosovë dhe të ndërmerren masat e domosdoshme për ngritjen e të ardhurave minimale personale;

– që Komisioni i Kryesisë së KQ të LKJ-së për veprimtari informative-propagandistike ta shqyrtojë çështjen nga fusha e aktivitetit informativ-propagandistik në lidhje me ngjarjet në Kosovë dhe t’i propozojë Kryesisë një plan për aktivitete të mëtejshme në këtë fushë në vend, ndërsa në bashkëpunim me Komisionin e Kryesisë për bashkëpunim ndërkombëtar të LKJ-së, edhe me botën e jashtme, veçanërisht me Shqipërinë, i cili duhet të koordinohet me aksionet tona diplomatike për këtë çështje.

Pasi Kryesia e RSFJ-së vendosi të formojë qendër të veçantë të koordinimit për aktivitete informative-propagandistike me rastin e sulmit nga Shqipëria dhe veprimit të saj ndaj Jugosllavisë, Komisioni gjithashtu duhet të propozojë vendndodhjen e kësaj qendre (në Kryesinë e RSFJ-së, SEF-it apo Sekretariatit Federativ për Informim), e cila do të planifikonte dhe sinkronizonte aktivitetin informativo-propagandues të përmendur;  

– që në sektorin për marrëdhënie ndërkombëtare, Kryesia e KQ të LKJ-së të përgatis informatë për vlerësimet dhe pikëpamjet tona ndaj ngjarjeve në Kosovë për partnerët ndërkombëtarë, e cila do të shfrytëzohet në kontaktet diplomatike me përfaqësuesit e vendeve të huaja;

– që në sektorin për bashkëpunim ndërkombëtar Kryesia e KQ të LKJ-së të përgatisë analizë për reagimin ndërkombëtar ndaj ngjarjeve në Kosovë;

– që Prokura e Kryesisë së KQ të LKJ-së për veprimtarinë e LK-së në lidhje me ardhjen dhe shkuarjen e punëtorëve tanë me punë të përkohshme në botën e jashtme, të bëjë shqyrtimin dhe propozimin e planit të përforcimit të aktivitetit tonë midis punëtorëve tanë në botën e jashtme, veçanërisht në mesin e punëtorëve të kombësisë shqiptare. Në këtë aktivitet në mënyrë të veçantë duhet të inkuadrohen edhe më tej shokët nga Kosova krahas masave tashmë të ndërmarra për sqarimin e ngjarjeve në Kosovë në ato qendra të jashtme ku është përqendrimi më i lartë i punëtorëve tanë të kombësisë shqiptare;  

– që t’u sugjerohet SFPJ-së dhe Odës Ekonomike të Jugosllavisë që në suazat e fushëveprimeve të tyre ta forcojnë aktivitetin politik ndaj botës së jashtme edhe në mesin e punëtorëve tanë me punë të përkohshme në botën e jashtme;

– që për aktivitetin tonë ideopolitik afatgjatë kundër dogmatizmit ose veprimtarisë së përforcuar të forcave dogmatike edhe brenda Lidhjes së Komunistëve, të përpilohet një analizë të qëndrimeve tona ideopolitike, si dhe ndikimit të Partisë së Punës së Shqipërisë ndaj platformës së të ashtuquajturës Parti Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve në Jugosllavi;

– që të kryhet regjistrimi, përkatësisht rishikimi i lëvizjeve në lidhje me gjendjen në KSA të Kosovës, e që u përkasin marrëdhënieve në Jugosllavi, marrëdhënieve ndërnacionale, politikës sonë në atë sferë, përkatësisht të Federatës etj., që të mund të zhvillohet debat për këto çështje pa ndonjë ngarkesë për situatën e tanishme në Kosovë;

– të ngarkohet një sekretar ekzekutiv i Kryesisë së KQ të LKJ-së që nga shënimet stenografike të mbledhjeve të dala nga forumet e Federatës, në të cilat janë shqyrtuar çështjet nga fusha e sigurisë në dy javët e fundit, të përgatitet një analizë-regjistër i këtyre çështjeve dhe t’i depozitohet për shqyrtim Kryesisë së KQ të LKJ-së…”.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X